Shkolla dhe komuniteti dy sisteme të ndërvarura
Shkolla dhe komuniteti
dy
sisteme të ndërvarura
Alush Kryeziu
H. Zh
2006
Qeverisja dhe udheheqja në arsim
Shkolla dhe komuniteti dy sisteme të ndervarura
Metodat bashkëkohore të planifikimit
Metoda e Kornizës Logjike - MKL
Menaxhimi i ndryshimeve në shkollë
Zhvillimi i kurrikuli
Karakteristikat e shkollës cilësore
Vlerësimi në bazë shkolle
Planifikimi dhe vlerësimi
Koment
Fjalorthi
Për personat e përmendur
Ne jetojmë dhe veprojmë sepse sistemet dhe nënsistemet e organizmit tonë bashkëveprojnë, janë të ndërvarura
Shkolla dhe komuniteti dy sisteme të ndërvarura
Sistemet dhe nënsistemet e shoqërisë nëse nuk bashkëveprojnë, ,,organizmi shtet’’ do të përballet me gërrqe ose paralizohet fare.
Kur rrënjët nuk funksionojnë, me mijëra gjethe bien ...
,,Cogito ergo sum, - mendoj, pra jam’’ - René Dekart
Demokracia jeton nga bashkëpunimi i qytetarëve. Kusht për angazhim është pjekuria e qytetarit.
Pjekuria e qytetarit nuk mund të paramendohet të arrijë stade të dëshirueshme zhvillimi nëse shoqëria nuk krijon kushte dhe favorizime për shkollën. Shkolla kurrë nuk do të jetë në gjendje të prodhojë qytetarë të ditur nëse nuk ka mbështetje, përkrahje dhe stimulim nga shoqëria. Kjo nuk do të thotë se shkolla duhet të jetë e varur dhe të trajtohet si një foshnjë nga shoqëria, në kuptimin e plotë të varësisë. Shkolla e varur nuk ka fuqi prodhuese, i mungon vizioni, vetiniciativa, s’ka kredibilitet, nuk është e hapur, s’ka informacion dhe për pasojë nuk është efektive. Shkolla duhet ta gëzojë pavarësinë, që nënkupton angazhimin për të vetëvepruar. Shkolla e pavarur është përfshirëse në vendimmarrje, ka informacion, menaxhon ndryshimet, ka qeverisje e udhëheqje efikase etj., por me gjithë angazhimin e stafit të shkollës nuk mund të arrijë të bëhet shkollë efektive, cilësore. Shkolla e pavarur për të qenë efektive duhet ta bëjë edhe një hap, tej pavarësisë, të futet në rrethin e ndërvarësisë. Pavarësia do t’i hap rrugën shkollës që të veprojë fuqishëm dhe shkolla vet është e vetëdijshme se pa krijimin e rrjetit të ndërvarësisë nuk do të jetë shkollë cilësore, efektive, propulzive, përfshirëse etj.. Ndërvarësia, shkollës i mundëson dhënie e marrje pa kufi. Ndërvarësia i jep kuptim pavarësisë. Prandaj partneriteti i sinqertë është ai që përfshinë në vete sisteme të pavarura, të cilat sisteme krijojnë harmoni dhe e plotësojnë njëri-tjetrin në raporte të ndërvarësisë. Me fjalë tjera kurrë nuk do të ketë pavarësi funksionale pa ndërvarësi kuptimplote. Suksesi i shkollës paraprin suksesin e shoqërisë. Ndërvarësia prodhon rezultate të qëndrueshme, afatgjata e shumë dobiprurëse. Depozitat në arsim (në rrënjët e shoqërisë) dhe stimuj tjerë që do t’i bëjë shoqëria, sjellin shkollën e organizuar dhe shoqërinë si tërësi të organizuar. Për ndryshe, nëse rrënjët nuk funksionojnë, me mijëra gjethe bien ...
Shkolla në Kosovë, për fat të keq, është në një gjendje jo mirë të organizuar dhe për pasojë pritjet, rezultatet apo autputet nuk janë të nivelit të dëshirueshëm dhe nuk premtojnë. Shkolla si një sistem që është krijuar nga shoqëria, për interesa të vet shoqërisë për shumë shkaqe e për pasojë është larg shkollës që ne synojmë – shkollën cilësore.
Çfarë duhet bërë? – Gandhi arriti sukses duke ndikuar në 300 milionë njerëz që të bashkohen dhe të nisen së bashku, si një mendje. Efikasiteti i shkollës nuk mund të paramendohet pa partnerë. Bashkëpunimi i shkollës me partnerë, të brendshëm e të jashtëm, është i mundshëm dhe i arritshëm atëherë kur edhe ne mendojmë si një mendje duke ditur rëndësinë aq madhore të shkollës dhe përballjen e saj me sfida të shumta të shekullit XXI.
Partneriteti i shkollës me fytyrë njerëzore, me nxënës, mësimdhënës, prindër, komunitetin (DKA-të, ZRA-të, MASHT-in, OJQ-të) e deri te partneriteti me ndërkombëtarët, është shtyllë që duhet të këtë sukses dhe kujdes të veçantë, që nënkupton mobilizimin e resurseve njerëzore, me qëllimin e vetëm për të arritur vlera të njëmendta në sistemin e arsimit që do të krijonin bazamentin për tu integruar fuqishëm në strukturat euro-perëndimore. Këtë qëllim edhe mund ta arrijmë, sepse Kosova për fatin e mirë ka energji dhe resurse njerëzore, që pak shoqëri evropiane i kanë. Për të arritur këtë objektiv, shoqëria jonë është e detyruar që të përkrah dhe të ndihmojë shkollën në të gjitha drejtimet. Nuk thuhet kot se; një vend është i mirë, kur ka shkolla të mira. Për sa ju përket institucioneve shtetërore në nivele komunale apo qendrore është për të ardhur keq se fare pak stimulojnë shkollën. Duhet të jesh shumë i ,,gjallë’’ për të mundur të realizosh objektiva, që shkolla të përfitojë nga institucionet tona. Shkolla fare nuk menaxhon me buxhetin e saj, ajo s’ka qasje të mirëfilltë as në planifikimin e mundësisë për përmirësimin e gjendjes se infrastrukturës mbi bazën e buxhetit që i takon. Ka raste kur institucionet bëjnë diskriminim ndaj elementeve që e përbëjnë shkollën dhe nuk lejojnë mjete për përmirësimin e gjendjes etj..
Shumë mësimdhënës, kanë ndjekur kurse trajnimi për rolin dhe rëndësinë e partneritetit. Ata dinë rrugët për të fuqizuar partneritetin. Shkollat që kanë qartësim teorik për rëndësinë e partneritetit gjejnë mënyra për të krijuar të ashtuquajturin ,,rrjet i merimangës’’ për mes të cilit pranojnë dhe dërgojnë energji zhvillimore në shumë fusha në relacionin shkollë – komunitet dhe anasjelltas. Shkollat dinë se sa përfitojnë nga partneriteti dhe nuk pushojnë së kërkuari partnerët e mundshëm, për të vetmin qëllim që të arrijnë rezultate në zhvillimin e të gjithë nxënësve deri në kufijtë e tyre të skajshëm e që është synimi kryesor i shkollës cilësore. Pyetja që shtrohet sot është se si ta funksionalizojë shkolla bashkëpunimin e mirëfilltë? Cilat janë pengesat ? etj..
Institucionet, të nivelit të ulët apo atij qendror, mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti në krijimin e një atmosfere nxitëse që inkurajon bashkëpunimin apo bashkëveprimin shkollë – komunitet. Partneriteti nuk është funksional për arsye se shkolla është e politizuar dhe konsiderohet si ,,rekrut’’ i politikës. Ka raste kur shkolla përjashtohet fare nga vendimmarrja e me këtë rast kur s’ka ,,pronësi’’ shkolla në vendimmarrje dihet se cila është përgjegjësia dhe angazhimi për punë të efektshme! Partneriteti shkollë – komunitet, ka fuqinë vetëm atëherë, kur krijohen marrëdhënie ndërvarësie, në mes sistemit arsimor dhe shoqërisë. Me fjalë tjera shoqëria do të duhej (në masë të madhe) të decentralizojë shkollën dhe në anën tjetër të harmonizojë nismat nga lart–poshtë dhe poshtë–lart. Përzierja e tillë krijon bashkëpronësinë dhe bashkëpërgjegjësinë që do të prodhojë rezultate të dëshirueshme. Në të kundërtën, gjendja që është sot, është destimuluese dhe me pasoja tepër shqetësuese. Kurrë nuk do të jemi ata që duam të jemi, nëse ecim me kryeneçësi duke injoruar vlerat e vërteta, resurset kryesore, pra njeriun e Kosovës, që është në formim në bankat shkollore. Autoritet institucionale kanë mundësinë të bëjnë më shumë. Ato duhet të jenë në gjendje të stimulojnë dhe të nxisin shkollat që të fuqizojnë partneritetin, planifikimin dhe menaxhimin e ndryshimeve. Nëse shkolla zotëron këto tri fusha të veprimit dhe ka përkrahjen nga shoqëria, shumë shpejt do të arrijë të bëhet shkollë cilësore. Këto ndryshime avancojnë shkollën dhe shoqërinë.
Ndryshimet praktike në arsim, do të kishin kuptim të dëshirueshëm, nëse shkolla depolitizohet. Shkolla e depolitizuar nga institucionet, do të jetë efikase së bashku me partnerët e saj dhe do të lëvizë për të mos u ndalur më, sepse do ta këtë fuqinë përkrahëse të shoqërisë. Për ndryshe, çdo ndalesë ose zvogëlim i shpejtësisë në rrugëtimin e ndryshimeve pozitive në sistemin arsimor në Kosovë, do të riciklon jo rezultate e për pasojë shoqëria do të përballet me vështirësi në të gjitha fushat e jetës.
Pse janë të nevojshme ndryshimet praktike në arsim?
Sipas Majkëll Fullan, ndryshimi diktohet nga fakti se;
,,... Se sistemi arsimor dhe partnerët e tij nuk kanë arritur të prodhojnë qytetarë, të cilët të mund të japin ndihmesën dhe të përfitojnë nga një botë që ofron mundësi shumë të mëdha, por që, në të njëjtën kohë, paraqet edhe vështirësi të mëdha për të gjetur rrugën në të. Ndryshimi në arsim është i nevojshëm, sepse shumë nxënës nuk e duan shkollën, e lënë atë ose dalin keq në mësime. Jeta e tyre në shkollë është më e varfër nga sa duhet të jetë. Ndryshimi në arsim nevojitet sepse shumë mësues nuk mund të durojnë më, janë mërzitur dhe nuk u ka mbetur më pikë energjie.’’
Shoqëria kosovare duhet ta këtë të qartë se kurrë nuk do të bëhet shoqëri e zhvilluar dhe e integruar pa e fuqizuar përkrahjen, deri në kufijtë e skajshëm të përmirësimit të gjendjes në arsim, me qëllim të avancimit të cilësisë së shkollës. Ndryshimi i dëshirueshëm në arsimin kosovar do të prodhojë qytetarë të ditur të cilët do të kenë shkathtësi të përballen me sfidat e diversitetit të shekullit XXI. Njerëzit e ditur, se çfarë fuqie dobiprurëse kanë për një shoqëri, e pamë, te kompania aq shumë e suksesshme ,, Microsoft ’’ e cila ia dhuroi botës së varfër 30 miliardë $. Cila minierë ari ia ofroi një ndihmë kaq të madhe njerëzimit ? – asnjë.
Truri kosovar, as të mos mendojë kush se mund të arrijë të integrohet në rrethin e shoqërive të zhvilluara pa bërë ndryshime praktike e pozitive në sistemin arsimor. Shoqëria duhet që ta këtë prioritet arsimin dhe të investojë në arsim. ,,Investimi në dituri sjell kamatat më të mëdha’’- Benjamin Franklin. Shoqëria kosovare, aq sa do të investojë sot në arsim, aq do të jetë nesër...
Shkolla cilësore do të jetë në gjendje që të minimizojë pengesat, çorganizimin dhe në anën tjetër të rritë efikasitetin në shumë fusha veprimi. Shkolla cilësore minimizon pengesat si: papunësinë, korrupsionin, krimin, trafikimin e dukuri tjera negative.
Shkolla është përfshirëse, cilësore, lëvizëse etj., për aq sa ec përpara. Është naive të mendosh se shkolla mund të arrijë cakun dhe po aq naive është të mendosh se shkolla nuk mund të ec. Krejtësisht varët nga shoqëria, sa është e organizuar ajo, që t’i bëj të mundur shkollës që të ec përpara, drejt cakut imagjinar, sfidues, kurrë të arritshëm. Udhëtimi drejt atij caku edhe pse është një sfidë, shkolla nuk duhet të pushojë së ecuri duke kërkuar në vazhdimësi ide e praktika bashkëkohore dhe për të ndodhur kjo është shumë i nevojshëm partneriteti. Partneriteti u ofron shkollave një proces përkrahës të vetë shqyrtimit dhe të zhvillimit, që del nga këndvështrimet e punëtorëve të arsimit, nxënësve, prindërve apo kujdestarëve, si dhe të anëtarëve tjerë të bashkësive përreth. Partneriteti stimulon për ecje përpara. Partneriteti është jeta dhe shpirti i shkollës.
Për fund, dua të falënderoj stafin e KEC-it (QAK), për punën aq dobiprurëse në rrugëtimin tonë të përbashkët - drejt shkollës cilësore. Ndikimet pozitive të KEC-it, për mendimin tim kanë reflektim pozitiv në shumë drejtime vepruese në sistemin arsimor...
Alush Ismail Kryeziu, Rrezor, Malishevë, Republika e Kosovës