Jump to content

Jobi - Kapitulli 9

Nga Wikibooks
Dhjata e Vjetër
< JOBI >
Kapitulli 9
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36 | 37 | 38 | 39 | 40 | 41 | 42


1 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

2 "Po, unë e di që është kështu, por si mund të jetë i drejtë njeriu përpara Perëndisë?

3 Në rast se dikush dëshiron të diskutojë me të, nuk mund t'i përgjigjet veçse një herë mbi një mijë.

4 Perëndia është i urtë nga zemra dhe i fuqishëm nga forca, kush, pra, u fortësua kundër tij dhe i shkoi mbarë?

5 Ai vendos malet dhe ato nuk e dijnë që ai i përmbys në zemërimin e tij.

6 Ai e tund dheun nga vendi i tij, dhe kollonat e tij dridhen.

7 Urdhëron diellin, dhe ai nuk lind, dhe vulos yjet.

8 I vetëm shpalos qiejt dhe ecën mbi valët e larta të detit.

9 Ka bërë Arushën dhe Orionin, Plejadat dhe krahinat e jugut.

10 Ai bën gjëra të mëdha dhe që nuk mund të hetohen, po, mrekulli të panumërta.

11 Ja, më kalon afër dhe nuk e shoh, kalon tutje dhe nuk e kuptoj.

12 Ja, ai kap gjahun dhe kush mund t'ia rimarrë? Kush mund t'i thotë: "Çfarë po bën?".

13 Perëndia nuk e tërheq zemërimin e tij; poshtë tij përkulen ndihmësit e Rahabit.

14 Si mund t'i përgjigjem, pra, dhe të zgjedh fjalët e mia për të diskutuar me të?

15 Edhe sikur të kisha të drejtë, nuk do të kisha mundësi t'i përgjigjem, por do t'i kërkoja mëshirë gjyqtarit tim.

16 Në rast se unë e thërres dhe ai më përgjigjet, nuk mund të besoj akoma se e ka dëgjuar zërin tim,

17 ai, që më godet me furtunën, dhe i shumëzon plagët e mia pa shkak.

18 Nuk më lë të marr frymë, përkundrazi më mbush me hidhërime.

19 Edhe në qoftë se bëhet fjalë për forcën, ja, ai është i fuqishëm; por sa për gjykimin, kush do të më caktojë një ditë për t'u paraqitur?

20 Edhe sikur të isha i drejtë, vetë të folurit tim do të më dënonte; edhe sikur të isha i ndershëm, ai do të provonte se jam i çoroditur.

21 Jam i ndershëm, por nuk e çmoj fare veten time dhe e përçmoj jetën time.

22 Éshtë e njëjta gjë, prandaj them: "Ai shkatërron njeriun e ndershëm dhe të keqin".

23 Në qoftë se një fatkeqësi mbjell papritur vdekjen, ai qesh me vuajtjen e të pafajmëve.

24 Toka u është dhënë në dorë të këqijve; ai u vesh sytë gjyqtarëve të saj; po të mos jetë ai, kush mund të ishte, pra?

25 Tani ditët e mia kalojnë më shpejt se një vrapues, ikin pa parë asnjë të mirë.

26 Ikin shpejt si anijet prej xunkthi, si shqiponja që sulet mbi gjahun e vet.

27 Në qoftë se them: "Dua ta harroj vajtimin, ta lë pamjen time të trishtuar dhe të tregohem i gëzuar",

28 më hyn frika për të gjitha dhembjet e mia; e di mirë që ti nuk do të më konsiderosh të pafajshëm.

29 Në qoftë se jam i dënuar tanimë, pse të lodhem më kot?

30 Edhe sikur të lahesha me borë dhe të pastroja duart e mia me sodë,

31 ti do të më hidhje në baltën e një grope, edhe vetë rrobat e mia do të më kishin lemeri.

32 Në të vërtetë ai nuk është një njeri si unë, të cilit mund t'i përgjigjemi dhe të dalim në gjyq bashkë.

33 Nuk ka asnjë arbitër midis nesh, që të vërë dorën mbi ne të dy.

34 Le të largojë nga unë shkopin e tij, tmerri i tij të mos më trembë.

35 Atëherë do të mund të flas pa pasur frikë prej tij, sepse nuk jam kështu me veten time.