Jobi - Kapitulli 34
|
1 Elihu nisi përsëri të flasë dhe tha:
2 "Dëgjoni, o njerëz të urtë, fjalët e mia, dhe ju, njerëz të ditur, ma vini veshin!
3 Sepse veshi i shqyrton fjalët, ashtu si qiellza i shijon ushqimet.
4 Le të zgjedhim ne vetë atë që është e drejtë të pranojmë midis nesh atë që është e mirë.
5 Sepse Jobi ka thënë: "Jam i drejtë, por Perëndia më ka hequr drejtësinë time.
6 A duhet të gënjej kundër drejtësisë sime? Plaga ime është e pashërueshme, megjithëse jam pa mëkat".
7 Kush është si Jobi, që e pi përqeshjen si ujin,
8 që ecën bashkë me keqbërësit dhe shkon bashkë me njerëzit e këqij?
9 Sepse ka thënë: "Nuk i vlen fare njeriut të vendosë kënaqësinë e tij te Perëndia".
10 Më dëgjoni, pra, o njerëz me mend! Qoftë larg Perëndisë paudhësia dhe ligësia qoftë larg të Plotfuqishmit!
11 Sepse ai ia kthen njeriut sipas veprave të tij dhe secilin e bën të gjejë shpërblimin për sjelljen e tij.
12 Sigurisht Perëndia nuk kryen të keqen dhe i Plotfuqishmi nuk shtrembëron drejtësinë.
13 Kush i ka besuar kujdesin për tokën, ose kush e ka vendosur mbi tërë botën?
14 Në qoftë se Perëndia duhet të vendoste në zemër të vet të tërhiqte mbi vete Frymën e tij dhe frymën e tij,
15 çdo mish do të shkatërrohej njëkohësisht, dhe njeriu do të kthehej në pluhur.
16 Në qoftë se ke mend, dëgjoje këtë, vër veshin për të dëgjuar atë që po të them.
17 A mund të qeverisë ai që urren drejtësinë? A guxon ti të dënosh të Drejtin, të Fuqishmin?
18 Ai që i thotë një mbreti: "Je për t'u përbuzur" dhe princave: "Jeni të këqij".
19 Por ai nuk bën asnjë anësi me të mëdhenjtë dhe as e konsideron të pasurin më tepër se të varfrin, sepse të gjithë janë vepra e duarve të tij.
20 Në një çast ata vdesin; në mesin e natës njerëzia tronditet dhe zhduket, të fuqishmit çohen tutje pa dorë njeriu.
21 Sepse ai i mban sytë te rrugët e njeriut, dhe shikon tërë hapat e tij.
22 Nuk ka terr as hije vdekjeje, ku mund të fshihen njerëzit e këqij.
23 Në fakt Perëndia nuk ka nevojë ta kqyrë gjatë një njeri para se ta nxjerrë për gjykim para tij.
24 Ai i ligështon të fuqishmit pa bërë hetim dhe vë të tjerë në vendin e tyre.
25 Duke qenë se i njeh veprat e tyre, i rrëzon natën dhe ata shkatërrohen;
26 i godet si njerëz të këqij para syve të të gjithëve,
27 sepse janë larguar nga ai pa u kujdesur për rrugët e tij,
28 deri sa të arrijë tek ai britma e të varfrit, sepse ai dëgjon britmën e të pikëlluarve.
29 Kur Perëndia jep qetësinë, kush do ta dënojë? Kur fsheh fytyrën e tij, kush do të mund ta shikojë, qoftë kundër një kombi të tërë ose kundër një njeriu të vetëm,
30 për të penguar që i pabesi të mbretërojë dhe që populli të zihet ndër leqe?
31 Dikush mund t'i thotë Perëndisë: "Unë e mbart fajin tim, po nuk do ta bëj më të keqen;
32 tregomë atë që nuk arrij të shikoj; në rast se kam kryer ndonjë paudhësi, nuk do ta bëj më"?
33 A duhet të të shpërblejë ai në bazë të konditave të tua, sepse ti nuk pranon gjykimin e tij? Ti duhet të zgjedhësh dhe jo unë; prandaj thuaj atë që di.
34 Njerëzit me mend; si çdo njeri i urtë që më dëgjon, do të më thonë:
35 "Jobi flet pa mend, fjalët e tij nuk kanë dituri".
36 Le të provohet Jobi deri në fund, sepse përgjigjet e tij janë si ato të njerëzve të këqij,
37 sepse i shton mëkatit të tij revoltën, rreh duart mes nesh dhe i shumëzon fjalët e tij kundër Perëndisë".