Jump to content

Jobi - Kapitulli 12

Nga Wikibooks
Dhjata e Vjetër
< JOBI >
Kapitulli 12
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36 | 37 | 38 | 39 | 40 | 41 | 42


1 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

2 "Pa dyshim ju jeni njerëz të urtë, dhe dituria do të marrë fund me ju.

3 Edhe unë kam mendje si ju, dhe nuk bie më poshtë se ju; përveç kësaj, kush nuk i di gjërat si këto?

4 Jam bërë gazi i miqve të mi; unë, të cilit Perëndia i përgjigjej kur i drejtohesha; të drejtin, të ndershmin, e kanë vënë në lojë.

5 Një llambë, e përçmuar në mendimet e atyre që jetojnë në mes të të mirave, është përgatitur për ata të cilëve u merren këmbët.

6 Çadrat e cubave përkundrazi janë të qeta dhe e ndjejnë veten të sigurt ata që provokojnë Perëndinë dhe që e hyjnizojnë forcën e tyre.

7 Por pyeti tani kafshët dhe do të të mësojnë, zogjtë e qiellit dhe do të ta thonë,

8 ose foli tokës, dhe ajo do të të mësojë, dhe peshqit e detit do të ta tregojnë.

9 Midis tërë këtyre krijesave, cila nuk e di që dora e Zotit i ka bërë këto?

10 Ai ka në dorë të tij jetën e çdo gjallese dhe frymën e çdo qenieje njerëzore.

11 Veshi a nuk i shqyrton vallë fjalët, ashtu si i shijon qiellza ushqimet?

12 Ndër pleqtë gjejmë diturinë, dhe gjatësia e ditëve u jep edhe gjykimin.

13 Por tek ai gjejmë diturinë dhe forcën, atij i përkasin mendja dhe gjykimi.

14 Në rast se ai shkatërron, askush nuk mund të rindërtojë; në rast se fut në burg dikë, askush nuk mund t'ia hapë.

15 Në rast se i ndal ujërat, çdo gjë thahet; po t'i lërë të lira, përmbytin tokën.

16 Ai zotëron forcën dhe diturinë; prej tij varen ai që mashtrohet dhe ai që mashtron.

17 Ai i bën këshilltarët të ecin zbathur, i bën gjyqtarët të pamend.

18 Këput verigat e imponuara nga mbretërit dhe lidh me zinxhirë ijet e tyre.

19 I bën që të ecin zbathur priftërinjtë dhe përmbys të fuqishmit.

20 I lë pa gojë ata tek të cilët ka besim dhe i lë pa mend pleqtë.

21 Zbraz përçmimin mbi fisnikët dhe ua liron brezin të fortëve.

22 Zbulon gjërat e thella të fshehura në terr dhe sjell në dritë hijen e vdekjes.

23 I bën të mëdha kombet dhe pastaj i shkatërron, i zgjeron kombet dhe pastaj i mërgon.

24 U heq arsyen sundimtarëve të tokës dhe i bën të enden në vende të shkreta pa rrugë.

25 Ecin verbërisht në terr pa dritë dhe i bën të ecin si të dehur".