Jump to content

Jobi - Kapitulli 14

Nga Wikibooks
Dhjata e Vjetër
< JOBI >
Kapitulli 14
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36 | 37 | 38 | 39 | 40 | 41 | 42


1 "Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime.

2 Mbin si një lule, pastaj pritet; ikën me vrap si një hije dhe nuk e ka të gjatë.

3 Mbi një qenie të tillë ti i mban sytë të hapur, dhe më bën që të dal në gjyq bashkë me ty.

4 Kush mund të nxjerrë një gjë të pastër nga një gjë e papastër? Askush.

5 Sepse ditët e saj janë të caktuara, numri i muajve të saj varet nga ti, dhe ti i ke vendosur kufij që nuk mund t'i kapërcejë.

6 Hiqe shikimin nga ai dhe lëre të qetë, deri sa të mbarojë ditën e tij si një argat.

7 Të paktën për drurin ka shpresë; në rast se pritet, rritet përsëri dhe vazhdon të mugullojë.

8 Edhe sikur rrënjët e tij të plaken nën tokë dhe trungu i tij të vdesë nën dhe,

9 me të ndjerë ujin, mugullon përsëri dhe lëshon degë si një bimë.

10 Njeriu përkundrazi vdes dhe mbetet i shtrirë për dhe; kur është duke nxjerrë frymën e fundit, ku është, pra?

11 Mund të mungojnë ujërat në det dhe një lumë të meket dhe të thahet,

12 por njeriu që dergjet nuk ngrihet më; sa të mos ketë më qiej, nuk do të zgjohet dhe nuk do të çohet më nga gjumi i tij.

13 Ah sikur të doje të më fshihje në Sheol, të më mbaje të fshehur sa të kalonte zemërimi yt, të më caktoje një afat dhe të më kujtoje!

14 Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë? Do të prisja çdo ditë të shërbimit tim të rëndë, deri sa të arrinte ora e ndryshimit tim.

15 Do të më thërrisje dhe unë do të të përgjigjesha; ti do të kishe një dëshirë të madhe për veprën e duarve të tua.

16 Atëherë ti do të më numëroje hapat, por nuk do të vije re mëkatet e mia;

17 do ta vulosje në një thes mëkatin tim dhe do ta mbuloje fajin tim.

18 Por ashtu si një mal rrëzohet dhe thërrmohet, ashtu si një shkëmb luan nga vendi i tij,

19 ashtu si ujërat gërryejnë gurët dhe vërshimet marrin me vete dheun, kështu ti shkatërron shpresën e njeriut.

20 Ti e vë përfund për gjithnjë, dhe ai shkon; ti ia prish fytyrën dhe e dëbon.

21 Në rast se bijtë e tij janë të nderuar, ai nuk e di; po të jenë të përbuzur, ai nuk e vë re.

22 Ai ndjen vetëm dhembjen e madhe të mishit të tij dhe pikëllohet për veten e tij.