Jump to content

Jobi - Kapitulli 23

Nga Wikibooks
Dhjata e Vjetër
< JOBI >
Kapitulli 23
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36 | 37 | 38 | 39 | 40 | 41 | 42


1 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

2 "Edhe sot vajtimi im është i dhimbshëm; dora ime është e dobët për shkak të rënkimit tim.

3 Ah, sikur të dija ku ta gjeja, që të mund të arrija deri në fronin e tij!

4 Do ta parashtroja çështjen time para tij, do ta mbushja gojën time me argumente.

5 Do të dija fjalët me të cilat do të më përgjigjej, dhe do të kuptoja atë që kishte për të më thënë.

6 A do të më kundërshtonte me forcë të madhe? Jo, përkundrazi do të më kushtonte vëmendje.

7 Atje njeriu i drejtë do të mund të diskutonte me të, kështu gjyqtari im do të më shpallte të pafajshëm përjetë.

8 Ja, po shkoj në lindje, por aty nuk është; në perëndim, por nuk e shoh;

9 vepron në veri, por nuk e shoh; kthehet nga jugu, por nuk arrij ta shikoj.

10 Por ai e njeh rrugën që unë kam marrë; sikur të më provonte, do të dilja si ari.

11 Këmba ime ka ndjekur me përpikmëri gjurmët e tij, i jam përmbajtur rrugës së tij pa devijuar;

12 nuk jam larguar nga urdhërimet e buzëve të tij, përfitova shumë nga fjalët që kanë dalë prej gojës së tij më tepër se nga racioni tim i ushqimit.

13 Por atij nuk i gjendet shoku, kush, pra, mund ta ndryshojë? Atë që do, ai e bën,

14 kështu ai do të realizojë plotësisht atë që ka dekretuar kundër meje, dhe plane të tilla ka mjaft të tjera.

15 Prandaj në prani të tij e ndjej veten të tmerruar; kur e mendoj këtë, ia kam frikën atij.

16 Perëndia ma ligështon zemrën, i Plotfuqishmi më tmerron.

17 Sepse nuk u asgjësova përpara territ; dhe ai nuk e fshehu terrin e dendur nga fytyra ime".