Ilirët/Faqe 28

Nga Wikibooks
Jump to navigation Jump to search
Ilirët
(Pjesa e pestë)
< Antika  

< Fuqizimi i skllavopronarise >
< Shoqeria dhe politika  


Burimet nuk hedhin dritë plotësisht mbi strukturën shoqërore dhe organizimin politik të qytetit ilir. Megjithatë nuk është vështirë të kuptohet se një bazë ekonomike e tillë si ajo që u krijua në Iliri në kohën e lulëzimit të jetës qytetare i takonte një shoqërie antike të zhvilluar me të gjitha tiparet e saj. Duke qenë qendra ekonomike, një vend me rëndësi në popullsinë e qyteteve zinte shtresa e prodhuesve zejtarë dhe e mjeshtërve ndërtues, të cilët mund të ishin qytetarë të lirë ose dhe skllevër. Prania e këtyre të fundit dëshmohet në qytetet ilire vetëm përmes burimeve që lidhen me ngjarjet e mbarimit të shek. III dhe ato të fillimit të shek. II p.e.sonë, por nuk ka dyshim se në këtë kohë ato nuk janë një dukuri e re, ashtu si nuk janë vetë qytetet që përmendëm. Shtresën tjetër të popullsisë e përbënin pronarët e punishteve zejtare, tregtarët dhe në qytetet bregdetare, detarët. Krahas tyre, në qytetet ilire jetonin, me sa duket, edhe përfaqësues të aristrokracisë së vjetër fisnore që mbështeteshin në pronën e tokave dhe të blegtorisë. Si e tillë popullsia e qyteteve paraqitej në këtë etapë e diferencuar shumë qartë në shtresa shoqërore me interesa të ndryshme. Nga pikëpamja e organizimit politik mbi bazën e federalizmit qyteti së bashku me rrethinat fshatare dhe kështjellat që formonin sistemin e tij mbrojtës dhe u shërbenin nevojave të tregtisë, përbënin koinonin që mbante emrin e qytetit kryesor, i cili ishte qendra e kësaj njësie. Koinoni kishte organe që zgjidheshin çdo vit nga eklesia ose mbledhja e përgjithshme. Prej saj dilte këshilli legjislativ ose buleja, si dhe organi përfaqësues i njësive i përbërë nga damiorgët. Zbatimi i vendimeve bëhej nga një kolegj nëpunësish, të quajtur prytanë që zgjidheshin çdo vit, të shoqëruar nga një sekretar. Në krye të koinonit qëndronte strategu. Në koinonin e bylinëve strategu ishte një nëpunës ushtarak që shoqërohej në këtë funksion edhe nga hiparku, komandanti i kalorisë. Pastaj vinin me radhë nëpunësit e ngarkuar me edukimin e rinisë (gymnasiarkët), me organizimin e festave dhe të garave sportive (epimeletët), me drejtimin e rojeve (toksarkët, peripolarkët) etj. Koinoni duke qenë një organizëm autonom përbënte një njësi administrative të shtetit ilir. Si rrjedhim, shteti përbëhej nga disa koinone të organizuara mbi bazën e federatizmit. Veprimtari e rëndësishme e qyteteve ishte emetimi i monedhave. Skodra, Lisi, Bylisi, presin monedhat e tyre në emër të bashkësive qytetare, gjë që dëshmon jo vetëm për fuqinë ekonomike të këtyre qyteteve, por edhe për një autonomi politike që ato gëzonin në kuadrin e shtetit ilir. Simbolet e monedhave të tyre hedhin dritë, mbase edhe mbi karakterin e pushtetit politik në këto qytete. Pasqyrimi i anijes në monedhat e Skodrës ka mundësi të përfaqësojë një shenjë për tregtinë detare që zhvillonte qyteti dhe të jetë, në këtë mënyrë, një e dhënë e tërthortë për peshën sunduese të shtresës tregtare në qytet. Në Bylis, përkundrazi, përdoret si simbol fytyra e themeluesit legjendar të qytetit, duke theksuar me këtë traditën, me të cilën lidhej kryesisht shtresa aristrokratike e qytetit. Pak më i qartë bëhet ky problem në burimet e çerekut të fundit të shek. III. Këtu për herë të parë bëhet fjalë se në krye të qyteteve qëndronin polidinastet (sundimtarë të qyteteve), të cilët i nënshtroheshin plotësisht pushtetit të mbretit.


<27 faqe 28 29>