Ilirët/Faqe 27
(Pjesa e pestë)
Në fushën e prodhimit kjo periudhë shënon përparime të dukshme. Punishte të shumta metalesh funksiononin në çdo qytet. Mbeturinat e farkave, zgjyrat, të cilat janë ndër gjetjet e zakonshme në trojet e këtyre qyteteve, dëshmojnë qartë për këtë. Pasuritë minerale të Ilirisë së Jugut, veçanërisht ato të bakrit dhe të hekurit u siguronin atyre lëndë të parë të bollshme. Në këto punishte farkëtoheshin veglat e punës, armët dhe punoheshin stolitë e enët metalike që u nevojiteshin qytetarëve dhe banorëve të rretheve në jetën e tyre të përditshme. Gjetja me shumicë e këtyre sendeve në qytetet dhe në varrezat e kësaj kohe dëshmon për karakterin intensiv të prodhimit zejtar dhe për konsumin e gjerë të këtyre mallrave.
Në qytete kishte edhe punishte zejesh të tjera si ato për regjjen e lëkurave, punimin e veshmbathjes, endjen dhe thurjen e rrobave etj. Një nga zejet më të rëndësishme ishte ajo e gurgdhendësve, të cilët angazhoheshin në ndërtimet monumentale të qytetit, si në ndërtimin e mureve rrethuese të qytetit, në godinat shoqërore, në ngritjen e varreve monumentale etj. Veprimtaria e grupeve të specializuara të gurgdhendësve provohet nga guroret e zbuluara në Selcë të Poshtme, Bylis, Amantia, në shkallët e Konispolit etj. Zhvillim të dukshëm mori edhe zejtaria e prodhimeve qeramike. Enët prej balte që dilnin tani nga punishtet e qyteteve ishin të punuara kryesisht me çarkun e poçarit, kurse sasia e atyre të punuara me dorë është tepër e kufizuar. Kalimi në teknikën e re të prodhimit të enëve u shoqërua me largimin nga format tradicionale dhe me përshtatjen në shkallë të gjerë të formave greke. Nuk mungojnë edhe përpjekjet për të zhvilluar format e vjetra, por zakonisht ato çojnë në ndërthurje eklektike që nuk gjejnë përhapje të gjerë, me sa duket për shkak se nuk u përgjigjeshin kërkesave të tregut dhe shijeve të kohës. Prodhimi i enëve me forma greke merr përhapje të gjerë. Kështu nga furrat e punishteve qeramike të qyteteve ilire dalin tani enë të llojeve të ndryshme, duke filluar prej atyre të mëdha, si pitosa e amfora e deri tek enët e përdorimit të gjerë apo të luksit të lyera me vernik të zi apo të pikturuara. Një vend me rëndësi në këtë kohë zë edhe prodhimi i tullave e sidomos i tjegullave, që përdoreshin në ndërtimin e banesave dhe të godinave shoqërore. Sot njihen pothuajse për çdo qytet punishte qeramike të tilla që ishin pronë private e qytetarëve ilirë. Sipas vulave që kanë enët apo tjegullat del se një punishte në Lis ishte pronë e një farë Ortai; në Irmaj pronarët e punishteve quheshin Trito, Pato, Bato dhe Pito; një vulë me emrin e Kleitit, nga rrethi i Gramshit i takon një punishteje në Irmaj. Një Plator vulos buzën e një pitosi të gjetur në Tren të Korçës, kurse një Epikad te një enë tjetër e këtij lloji nga rrethi i Pogradecit. Pronari i një punishteje qeramike në Selcë të Poshtme (Polion) quhej Gent , në Bylis (Klos) një punishte e tillë i takonte Balaneut , kurse në Dimal kemi pronarët Epikad dhe Olnio. Në qytete të tjera, si në Zgërdhesh e Margëlliç vulat e pronarëve janë të shënuara me monograme apo shenja simbolike. Krahas këtyre, nëpër këto qendra ka edhe vula që mbajnë emra grekë e maqedonë. Prania e këtyre emrave në vulat e punishteve qeramike të qyteteve ilire nuk është domosdo e lidhur me qytetarë të origjinës greke apo maqedone në këto qendra. Në periudha të caktuara dhe aty ku pati vend një pushtim i qëndrueshëm maqedon, kjo gjë padyshim edhe mund të ketë ndodhur. Por kjo dukuri lidhet kryesisht me ndikime të karakterit kulturor, si pasojë e të cilave këta emra u përhapën dhe u adaptuan nga popullsia ilire. Dëshmi të gjalla të kësaj dukurie vihen re në mbishkrimet varrimore të Apolonisë e të Dyrrahut ku emri i parë është grek, kurse i dyti, ai i atit, është ilir ose anasjelltas. Në Apoloni kemi emra të tillë, si Nikanori i Gentit (???a???a Ge?????), ose në Dyrrah Anaia e Glaukisë (?????a G?a???a), Epiktesi i Tritos (?p??t???? ???t??), Teutaia e Aristionit (?e?t??a ??e?????), Euklidi i Tritos (?p??t?a?? ???t??), Teutaia e Aleksenit (?e?t??a ??e??????), Brygu i Afrodisit (?????? ?f??d?s?) etj. Rritja e prodhimit zejtar i dha hov qarkullimit më të dendur të mallrave dhe zgjerimit të tregtisë. Prodhimet e zejtarisë së qyteteve ilire mbulojnë tani rrethin e tyre të ngushtë dhe lëvizin në drejtimet më të ndryshme për të ushqyer reciprokisht tregjet e njëri-tjetrit; jo rrallë ato shtrihen në krahina të brendshme. Në qoftë se deri në fund të shek. IV popullsia e këtyre krahinave të largëta kënaqej me prodhimet e qeramikës lokale të punuar me dorë ndërsa prodhimet e importit ishin sende luksi tepër të rralla, më vonë prodhimet e qeramikës qytetare ilire depërtojnë gjerësisht në këto anë dhe hyjnë në konsumin e përditshëm të popullsisë. Zonat e thella të dasaretëve dhe të fiseve të tjera më të vogla që banonin në krahinat malore të rrjedhjeve të sipërme të Shkumbinit, të Devollit dhe të Osumit furnizonin me prodhimet e tyre qytetet e jugut, të cilat ishin më të dendura dhe më të zhvilluara. Marrëdhëniet e botës ilire me Dyrrahun e Apoloninë bëhen më intensive. Megjithëse këto nuk janë më qendrat e vetme që furnizojnë tregun ilir, prapëseprapë vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm. Midis tyre duket se ka një ndarje të qartë të zonave të tregtimit: ndërsa Dyrrahu shtrin veprimtarinë e vet kryesisht mbi krahinat në veri të Shkumbinit, në orbitën e Apolonisë hyjnë ato në jug të këtij lumi. Përmes këtyre dy qendrave përhapen gjerësisht në Iliri edhe prodhimet e qyteteve të Apulisë. Mallrat e qendrave greke që gjenden krahas tyre janë përkundrazi më të rralla, kurse ato maqedone dhe të Epirit ndeshen kryesisht në zonat kufitare. Rrugët kryesore nëpër të cilat lëviznin mallrat dhe zhvillohej tregtia me botën ilire ishin luginat e lumenjve; ndër to ajo e Drinit, e Shkumbinit, e Devollit, e Osumit dhe e Vjosës formonin arteriet më të rëndësishme. Rrugë të tjera të shumta, të dorës së dytë, përshkonin grykat e ngushta dhe qafat e maleve për të lidhur njërën krahinë me tjetrën. Sado të vështira që ishin këto rrugë, asnjë krahinë e Ilirisë Jugore nuk mbeti në këtë kohë e izoluar dhe jashtë ndikimit të marrëdhënieve tregtare me qytetet. Më e rëndësishmja është se në tregun e brendshëm mbizotëronin prodhimet lokale, të cilat konkurronin si me prodhimet që vinin nga Dyrrahu e Apolonia, ashtu edhe me ato të importit dhe që ishin kryesisht sende luksi. Fuqizimi ekonomik dhe rritja e prodhimit zejtar u lejoi qyteteve Skodra, Bylis, Amantia e Olympe të presin gjatë gjysmës së parë të shek. III monedhat e tyre prej bronzi në emër të bashkësive qytetare përkatëse.
<26 | faqe 27 | 28> |