Jump to content

Ilirët/Faqe 20

Nga Wikibooks
Ilirët
(Pjesa e pestë)
< Antika  


< Bardhyli >
  Jeta >


Shekulli i ri, i katërt, i gjen përsëri ilirët në konflikt me fqinjët e tyre maqedonë për çështjen e Lynkestisë. Në vitet e fundit të sundimit të mbretit maqedon, Arhelaut, në kapërcyell të shekullit, u zhvillua një luftë e re midis ilirëve dhe maqedonëve për këtë krahinë. Në këtë luftë mbreti i lynkestëve, Arrabeu, kishte si aleat mbretin Syra. Aristoteli, që e përmend këtë fakt, nuk e cilëson origjinën etnike të Syras, por burimet e tjera e bëjnë të qartë se ai ishte mbreti i ilirëve. Aleanca midis tij dhe Arrabeut ka të ngjarë ta ketë zanafillën e saj në ngjarjet e vitit 423 p.e.sonë dhe duket se ka qenë përforcuar me një martesë dinastike midis Syras dhe një vajze të Arrabeut. Rezultatet e kësaj lufte nuk njihen, por ngjarjet e mëpastajme tregojnë se nuk ndodhi ndonjë ndryshim në gjendjen ekzistuese. Vrasja e mbretit Arhelau (viti 399 p.e.sonë), shënoi për Maqedoninë fillimin e një periudhe trazirash që zgjatën katër dekada me radhë. Kontradiktat e brendshme që u bënë shkak për këtë vrasje dhe për intrigat e mëvonshme dinastike, krijuan rast për hapjen e konflikteve midis Maqedonisë dhe fqinjëve të saj. Në fillim të sundimit të Amyntës II, që pasoi Arhelaun, u duk sikur konflikti iliro-maqedon gjeti një zgjidhje. Martesa e Amyntës me një bijë të mbretit Syra, të quajtur Eurydike, që ishte në të njëjtën kohë edhe mbesë e Arrabeut, fsheh në vetvete faktin që midis ilirëve e maqedonëve ishte arritur një marrëveshje pajtimi për çështjen e lynkestëve. Por kjo gjendje nuk zgjati shumë. Ilirët, interesat e të cilëve ishin ndeshur prej kohësh me ato të Maqedonisë në Lynkesti, ishin të interesuar për dobësimin e mëtejshëm të Maqedonisë dhe jo për pajtim. Rasti i volitshëm për ta arritur këtë qëllim paraqitet pikërisht tani, që Maqedoninë e kishte pushtuar vala e turbullirave të brendshme. Në vitin 393 p.e.sonë, ilirët u dyndën në Maqedoni, pushtuan një pjesë të saj dhe pasi dëbuan Amyntën, vendosën në fron një farë Argeu, që thuhet se zbriste prej dinastisë së lynkestëve. Nën presionin e pushtimit ilir, një pjesë e tokave të Maqedonisë Lindore me pëlqimin e mbretit të rrëzuar hyri në Lidhjen e Olinthit. Amynta u strehua në Thesali dhe vetëm pas dy vjetësh mërgimi, ai mundi të kthehej në vend me ndihmën e thesalëve, të cilët preferonin më mirë sundimin e tij se atë të Argeut që përkrahej nga ilirët. Paqen me ilirët ai qe detyruar ta blinte me një tribut vjetor që do t’ua paguante atyre. Rrethanat në të cilat ndodhi ky ndryshim në marrëdhëniet e vendosura së fundi midis ilirëve dhe maqedonëve nuk janë të qarta. Dihet vetëm se ngjarjet e mëpastajme nuk janë të lidhura me Syran, por me emrin e një mbreti të ri ilir, të quajtur Bardhyl. Megjithëse emri i tij shfaqet në burimet shumë më vonë, në ngjarjet e vitit 359 p.e.sonë, prapë se prapë duket se ai i udhëhiqte ilirët shumë kohë përpara. Sipas këtyre burimeve Bardhyli jetoi një kohë të gjatë dhe kur u ndesh me Filipin II (359 p.e.sonë), ose pak më vonë, ishte në një moshë të thyer, 90 vjeçare. Interes të veçantë lidhur me figurën e tij kanë lajmet që e paraqesin si një mbret me prejardhje të ulët, në fillim qymyrxhi e pastaj kryengritës (latro), që e pat fituar pushtetin me forcë dhe që gëzonte simpatinë e luftëtarëve, meqenëse në ndarjen e plaçkës ishte i drejtë e i paanshëm. Këto njoftime e paraqesin atë jo si një trashëgimtar të Syras, por si një përmbysës të tij. Vetëm duke pranuar këtë fakt, mund t’i jepet një shpjegim ndryshimit që ndodhi në marrëdhëniet e ilirëve me maqedonët në vitin 393 p.e.sonë. Duket se në Iliri forca të reja, në të cilat rol të rëndësishëm ka pasur Bardhyli, e kundërshtuan marrëveshjen me Amyntën II, rrëzuan Syrën dhe invaduan Maqedoninë. Pra, duhet të ketë qenë Bardhyli ai që udhëhoqi ilirët në fushatën e vitit 393 p.e.sonë kundër Amyntës dhe e detyroi atë t’i paguante tribut vjetor. Qe përsëri ai që theu përpjekjet e Aleksandrit II në vitin 369 dhe të Perdikës III më 360 p.e.sonë për t’u çliruar nga kjo gjendje. Tentativa e Perdikës përfundoi me dështim të plotë. Ai mbeti në fushën e betejës së bashku me 4 000 maqedonë të tjerë. Kjo qe humbja më e rëndë që pësuan maqedonët në vargun e përpjekjeve të tyre për t’u çliruar nga ilirët. Gjatë gjysmës së parë të shek. IV p.e.sonë burimet përmendin edhe një ngjarje tjetër me rëndësi. Në vitin 385 p.e.sonë ilirët përfunduan një aleancë me tiranin e Syrakuzës, Dionizin. Ndërmjetës për këtë u bë mbreti i molosëve, Alketa, i cili qe dëbuar nga vendi i tij prej partisë filospartane dhe qe strehuar në Sirakuzë. Qëllimi i marrëveshjes ishte rivendosja e Alketës në fronin molos. Të dyja palët qenë të interesuara për këtë, sepse ilirëve kjo aleancë u siguronte dobësimin e ndikimit spartan dhe rrjedhimisht të atij maqedon në Epir, kurse Dionizit i jepte mundësi të forconte pozitat e tregtisë sirakuzane në brigjet e Adriatikut e të Jonit. Në tregimin e tij Diodori vinte në dukje se Dionizi u dërgoi ilirëve një ndihmë ushtarake prej 2 000 vetash dhe 5 000 armë “meqenëse ilirët ishin në luftë”. Por nuk thotë se me cilët luftonin ilirët në këtë kohë. Është supozuar se Diodori e ka fjalën për luftën që përfundoi me dëbimin e Amyntës, por kjo ngjarje me të drejtë është datuar në vitin 393 dhe jo më 385. Nuk qëndron as pikëpamja se ilirët qenë duke luftuar me molosët, kur Dionizi u dërgoi ndihmën dhe se ky e shfrytëzoi këtë luftë vetëm për të kthyer Alketën. Vetë Diodori e ka sqaruar këtë fakt kur pohon se ilirët hynë në Epir pasi u erdhi kjo ndihmë dhe “pasi mblodhën një fuqi të madhe”. Në këtë rast duhet të jetë fjala për faktin se ilirët ishin në gjendje lufte pothuajse të pandërprerë me fqinjët e tyre, maqedonët. Ndihma ushtarake e Dionizit duket se i lehtësonte pak ilirët nga kjo barrë. Ky fakt dhe pjesëmarrja aktive në aksion kundër molosëve për të sjellë në fronin e tyre Alketën e vuri Sirakuzën në pozitën e aleatit të ilirëve kundër armiqve tradicionalë të tyre, maqedonëve. Megjithatë forcat kryesore në këtë aksion ishin ato ilire; ushtarëve të Dionizit nuk iu caktua ndonjë rol i pavarur, përkundrazi Diodori thotë se “ushtrinë që u erdhi në ndihmë ilirët e përzien me trupat e tyre”. Ndërmarrja përfundoi me sukses të plotë. Në betejën e rreptë që u zhvillua ilirët dolën fitues dhe molosët lanë në fushën e luftës shumë të vrarë. Ndihma që u dërguan spartanët nuk u solli ndonjë dobi molosëve dhe Alketa zuri përsëri fronin e vet në Mbretërinë Molose. Kjo ngjarje sqaron politikën që Bardhyli ndiqte me fqinjët perëndimorë. Me sa duket, aleanca me Syrakuzën ishte për të një mbështetje e shëndoshë në luftën kundër Maqedonisë.


<19 faqe 20 21>