Jump to content

Ilirët/Faqe 29

Nga Wikibooks
Ilirët
(Pjesa e pestë)
< Antika  

< Dyrrahu dhe Apollonia >


Përfshirja e Dyrrahut dhe e Apolonisë në gjirin e shtetit ilir pati pasoja të rëndësishme si për jetën e këtyre qyteteve, ashtu edhe për vetë shtetin ilir. Të dhënat arkeologjike tregojnë se qysh nga çereku i fundit të shek. IV p.e.sonë, lidhjet e këtyre qyteteve me botën ilire bëhen më të dendura dhe më të drejtpërdrejta. Tregtisë së Dyrrahut dhe të Apolonisë iu hapën lirisht rrugët e gjera të tregut ilir. Që nga kjo kohë në krahinat e brendshme ilire fillojnë të depërtojnë me lehtësi prodhimet e zejtarisë së zhvilluar të tyre. Nëpërmjet këtyre qyteteve, në Iliri hynin mallrat e importit, midis të cilave vendin më të rëndësishëm e zinin ato që vinin nga brigjet e përtejme të Adriatikut. Dyrrahu dhe Apolonia fillojnë të hedhin në treg monedha të reja argjendi, ndër të cilat përhapje të gjerë merr drahma e argjendtë e këtyre dy qyteteve. Ajo ishte destinuar kryesisht për tregtinë me botën ilire, prandaj edhe me të drejtë është pagëzuar “drahma ilire”. Shfaqje e re e kësaj kohe është prerja nga këto qytete e monedhave të bronzit. Vënia në qarkullim dhe pranimi në masë, siç tregojnë gjetjet, i këtyre monedhave me vleftë shumë herë më të vogël se monedhat e argjendit, tregon se ekonomia monetare ishte zhvilluar në një shkallë të gjerë në Iliri. Gjatë kësaj kohe Dyrrahu dhe Apolonia jetojnë një periudhë të vërtetë lulëzimi. Ndërtimet më të rëndësishme e më monumentale në këto qytete i përkasin periudhës pas mesit të shek. IV p.e.sonë. Forcimi ekonomik dhe pasurimi i tyre nga tregtia me botën ilire u lejuan të ndërtonin mure të fuqishme mbrojtëse, që përfshinin në gjirin e tyre sipërfaqe shumë më të mëdha nga ato që njihnin më parë, të ngrinin tregje e sheshe publike, shëtitore, tempuj, gjimnaze e godina të mëdha administrative. Një dukuri e re filloi të përshkojë dhe të ndryshojë në një drejtim të caktuar jetën shoqërore të këtyre qyteteve dhe përbërjen e mëparshme etnike të tyre. Emrat ilirë që janë gjetur vitet e fundit mbi gurët e varreve të zbuluara në nekropolin e Dyrrahut, përbëjnë mbi 1/3 e tërësisë së emrave të njohur në këtë qytet nga monumentet epigrafike. Këto emra dëshmojnë praninë në masë të popullsisë ilire në to. Emrat ilirë të prytanëve dhe të nëpunësve monetarë që gjenden në të dyja faqet e monedhave prej argjendi dhe bronzi dhe emrat në vulat e tjegullave të Dyrrahut dhe të Apolonisë, tregojnë se popullsia ilire kishte një peshë me rëndësi në jetën ekonomike, dhe kishte siguruar të drejta qytetare të plota deri në zënien e posteve më të larta në jetën administrative e politike të qytetit. Midis emrave të shumtë ishin edhe këta: ??????, Ge?????, ?a????, ?aa???da?, ???ta???, ?????????, ???t??, për Dyrrahun, ?at??, ?p??ad?? etj., për Apoloninë. Kështu qysh nga fundi i shek. IV p.e.sonë, Dyrrahu dhe Apolonia humbasin karakterin tipik të një kolonie, mbasi popullsia e tyre përbëhet në një përqindje të madhe edhe nga ilirët. Procesi i ilirizimit të këtyre qyteteve, rezultat i shtrirjes së sovranitetit ilir mbi to, ushtroi një ndikim të thellë mbi gjithë jetën sociale-politike e kulturore të Ilirisë në shekujt e mëpastajmë. Rezultati i këtij procesi qe shkëputja e plotë e Dyrrahut dhe e Apolonisë nga qytetet mëmë dhe integrimi i tyre i plotë në jetën ekonomike e politike të shtetit ilir. Këtë integrim e favorizonte përputhja e interesave të tyre ekonomike e politike me ato të shtetit ilir. Mbreti dhe shtresa sunduese e shtetit ilir lakmonin fuqinë ekonomike të këtyre qyteteve të mëdha, kurse skllavopronarët e Dyrrahut dhe të Apolonisë pushtetin e fuqishëm të sundimtarëve ilirë mbi një krahinë shumë më të gjerë se sa territoret e ngushta të qyteteve-shtete të tyre me pasuri dhe treg të gjerë. Rezultati u arrit, siç tregojnë faktet, sado të pakta, nëpërmjet një lufte të ashpër politike, mjaft të ndërlikuar, ku u përzien edhe fuqi të jashtme, por edhe si rrjedhojë e një domosdoshmërie të diktuar nga kushtet objektive të kohës.


<28 faqe 29 30>