Jump to content

Ilirët/Faqe 26

Nga Wikibooks
Ilirët
(Pjesa e pestë)
< Antika  

< Fuqizimi i skllavopronarise >
  Periudha midis viteve 335-230 >


Periudha midis viteve 335-230 p.e.sonë është koha e shtrirjes së mëtejshme të jetës qytetare në Iliri, e zhvillimit të vrullshëm dhe e lulëzimit të qytetit ilir. Ajo përputhet me fuqizimin më të madh të shtetit ilir. Jeta qytetare u zhvillua veçanërisht në krahinat e ultësirës bregdetare, në shpinë të Dyrrahut e Apolonisë, zonë që përbënte tani qendrën e shtetit ilir. Për Damastionin dhe qytetet e tjera të brendshme në burimet nuk bëhet më fjalë. Duket se pas hyrjes së disa krahinave lindore në përbërjen e shtetit maqedon, këto qytete e humbën rëndësinë që kishin në kuadrin e shtetit ilir. Qytete të tjera, si Bylisi, Amantia, Kanina (Thronioni ?) janë ndër ato qytete të vjetra, që u rritën e u zhvilluan dhe luajtën në këtë kohë një rol të dorës së parë. Krahas tyre lindën në këtë zonë edhe një varg qytetesh të reja, si Dimli, Olympe (Mavrovë-Vlorë), Gurzeza (Cakran), Antipatrea, qytetet në Zgërdhesh (Albanopoli ?), në Gradishtën e Belshit, në Selcën e Poshtme, në Irmaj etj., të panjohura më parë. Që nga kjo kohë jeta qytetare shtrihet edhe në krahinat bregdetare në veri të lumit Mat. Qendrat e para urbane në këto anë, Lisi, Skodra, Meteoni, Ulqini, Rizoni etj., lindën vetëm në fundin e shek. IV - fillimin e shek. III p.e.sonë. Por në krahinat e brendshme të luginës së Matit e të Drinit të mesëm nuk ka ende dëshmi të qendrave urbane dhe duket se jeta qytetare këtu nuk u zhvillua. Qytetet e reja si edhe më parë, zënë një vend qendror midis një krahine të pasur nga pikëpamja ekonomike dhe lidhen me rrugët më të rëndësishme të komunikacionit tokësor e detar. Procesi i lindjes së tyre ndjek në përgjithësi rrugën e njohur të zhvillimit të mëtejshëm të vendbanimeve të fortifikuara të epokës së hekurit, por në disa raste si në Dimale, Olympe, Selcë e Poshtme etj., qyteti lind mbi një truall të ri. Karakteristikë e veçantë e qyteteve në veri të lumit Mat është se ato janë të kthyera me fytyrë nga deti. Për ndërtimin e tyre janë zgjedhur gjiret e futura apo grykat e lumenjve, vende të lidhura me detin, por edhe të mbrojtura nga rreziqet dhe të papriturat e tij. Pamja e përgjithshme urbanistike nuk është e njëjtë për të gjitha qytetet ilire të kësaj kohe. Ato dallohen sipas madhësisë dhe rolit ekonomik e politik të tyre: ka qendra të mëdha qytetare, si Bylisi, Dimale, Nikaja, Amantia, Antigona, Skodra, Lisi etj., ka edhe qendra më të vogla prodhimi, si Albanopoli, Belshi, Irmaj, Symiza, Gurzeza, Kanina, Treporti, Çuka e Ajtojt etj. Një kategori tjetër formojnë qendrat me fizionomi qytetare, por me funksione ushtarake dhe administrative, si Beltoja, Xibri, Dorezi, Peshtani, Rabija, Cerja, Lekli, Selo, Ripsi etj. Duke u mbështetur në kushtet e terrenit dhe të rrethanave në të cilat lindi dhe u zhvillua qyteti ilir mund të veçohen tre tipa qytetesh. Tipin e parë e përbëjnë ato qytete, të cilat kanë një akropol në majë dhe qytetin poshtë tij. Të tilla janë Lisi, Zgërdheshi dhe ndonjë qendër tjetër që u ndërtuan në faqe kodrash. Qendrat e vjetra që u dhanë jetë këtyre qyteteve zinin më parë majat e kodrave. Me kalimin e kohës kufijtë e ngushtë të këtyre qendrave u kapërcyen dhe qyteti u shtri nëpër faqet e kodrave. Kur u forcuan ekonomikisht qytetet rrethuan sipërfaqen e re me mure mbrojtëse, duke i zgjatur ato në vijim të mureve ekzistuese të vendbanimit të mëparshëm; muri i poshtëm i qendrës së vjetër u kthye në këtë rast në një mur të brendshëm të tërthortë, që ndante qytetin në dy pjesë: në atë të sipërm - akropolin, dhe në atë përfund tij - qytetin e poshtëm. Në Lis, ky tip qyteti pati një zhvillim të mëtejshëm, duke krijuar një ndarje të tretë, qytetin e mesëm, që veçohej prej pjesëve të tjera të qytetit me një mur të dytë të brendshëm. Qendra e vjetër e tyre ishte ndërtuar mbi pllajën e vogël të një kodre të veçuar me faqe të thepisura, prandaj qyteti u zhvillua këtu rreth e qark qendrës së vjetër. U krijua kështu një tip qyteti me akropolin në mes dhe qytetin rreth tij. Qytetet e këtij tipi duket se nuk kishin një mur të jashtëm rrethues për lagjet e jashtme dhe mjaftoheshin vetëm me fortifikimin e akropolit. Ndryshe prej këtyre qyteteve, Antipatrea, Dimale, Margëlliçi, Irmaj etj., u ngritën mbi kodra që kishin një syprinë kryesisht të rrafshtë me kurrize e thyerje të buta. Këto qytete që lindën mbi një truall të ri duket se nuk kanë pasur akropol dhe territoret e tyre rrethoheshin me një mur të vetëm. Ato përbëjnë tipin e tretë të qyteteve ilire. Prej qyteteve të vjetra Bylisi ndoqi një rrugë të veçantë në zhvillimin e tij. Kodra e Klosit, mbi të cilën ishte ngritur qyteti i vjetër, në fund të shek. IV nuk i plotësonte më nevojat e zgjerimit të kësaj qendre. I vetmi vend që paraqiste kushte më të përshtatshme për këtë qëllim ishte kodra e Hekalit, 1 500 m prej Klosit, ku filluan të vendosen qytetarët, duke i dhënë jetë një vendbanimi të ri. Që nga kjo kohë të dyja qendrat u zhvilluan paralelisht si dy pjesë të veçanta, por të ndërlidhura, të një dyqytetshi, ku i riu fitoi epërsinë dhe u bë më përfaqësuesi. I parë më vete Bylisi ka të gjitha tiparet e qyteteve të tipit të tretë, pa akropol. por së bashku me Klosin ai përbën një kategori të veçantë qyteti. Pavarësisht nga klasifikimet e ndryshme që mund t’u bëhen qyteteve ilire, trajtimi i tyre urbanistik u përgjigjej disa kërkesave themelore, siç ishin vendosja e qendrës së banuar në një terren jo të sheshtë, rrethimi i saj me mure, ndarja e territorit brenda mureve në tri pjesë kryesore, për banim, për veprimtari shoqërore e mbrojtje dhe krijimi sipas kushteve të terrenit, i unitetit midis agorasë dhe komplekseve të banimit. Një nga kriteret bazë të qytetit ilir të asaj kohe ishte modelimi sipas vijës së jashtme i mureve rrethuese, traseja e të cilëve shfrytëzon sa më mirë mundësitë mbrojtëse të terrenit. Në këtë sistem fortifikimi muret e qendrave të vjetra të epokës së hekurit shfrytëzoheshin vetëm pjesërisht. Qytetet e ngritën mbrojtjen e tyre mbi një bazë krejt të re që u përgjigjej nivelit dhe kërkesave të kohës. Muret rrethuese të Lisit dhe të Shkodrës u ndërtuan në stilin e njohur trapezoidal-poligonal, kurse ato të Bylisit, Dimales, Margëlliçit, Irmajt e të Zgërdheshit, ndiqnin stilin kuadratik. Këto ishin mure të fuqishme të ndërtuara me blloqe të mëdha e të skalitura me një trashësi prej 2,70-3,50 m dhe që në kohën e vet arrinin një lartësi prej 10-12 m. Ato përforcohen tani me kulla të shumta. Në qoftë se vendbanimet e para kishin një ose dy porta, qytetet që kanë tani një jetë më të dendur dhe lëvizje të madhe kanë porta të shumta, të mëdha e të vogla, për të lehtësuar hyrjen e daljen e qytetarëve. Meqenëse portat përbënin pikat më të prekshme, mbrojtjes së tyre i kushtohej një kujdes i veçantë. Ato zakonisht vendoseshin midis dy kullave dhe në rastin kur mbroheshin nga një e tillë e vetme, atëherë kulla ngrihej në anën e djathtë të hyrjes, me qëllim që të shfrytëzohej krahu i zbuluar i armikut. Nuk njihet ende në masën e duhur ndërtimi i brendshëm i këtyre qyteteve, por edhe ato të dhëna të pakta që kemi dëshmojnë se ato janë ndërtuar sipas shembullit të qyteteve bashkëkohëse në Greqi, Maqedoni dhe në Epir, në bazë të parimeve urbanistike të njohura të kohës helenistike. Përveç ndarjeve të mëdha, akropolit dhe qytetit të mesëm e të poshtëm, në këto qytete dallohet edhe pjesa ku ndodheshin sheshi publik dhe tregu i qytetit. Skodra e Lisi dhe qytete të tjera të ngritura buzë detit apo lumenjve, kishin edhe skelat e tyre. Rrugët ishin një element themelor urbanistik që e ndanin qytetin në insola, që niseshin nga hyrjet kryesore apo të dyta, përshkonin qytetin në drejtime të ndryshme dhe lidhnin në mënyrë organike pjesët përbërëse të tij. Vendet më në dukshme janë përdorur në qytetet ilire për ndërtimin e godinave të rëndësishme shoqërore. Vende të tilla zinin tempujt, teatrot, portikët, stadiumi në Bylis, Amantie, Dimale etj., varret monumentale në Selcë të Poshtme etj. Kur terreni ishte i pjerrët, ai sistemohej për nevoja të ndërtimeve qytetare me anë tarracash. Një kujdes i veçantë i kushtohej pajisjes së qytetit me kanale kulluese, të cilat shkarkonin ujërat jashtë mureve rrethuese. Furnizimi me ujë të pijshëm mbështetej kryesisht në sterat dhe rezervuaret që ndërtoheshin brenda qytetit ose në trashësinë e mureve rrethuese. Një ide mbi madhësinë e qyteteve ilire e japin hapësira që ato zinin dhe perimetri i mureve të tyre rrethuese. Kështu, Lisi zinte një sipërfaqe prej rreth 20 ha dhe muret e tij kishin një gjatësi prej 2 200 m; Bylisi shtrihej mbi një sipërfaqe prej 28 ha, ndërsa muret ishin 25 550 m të gjatë, kurse Klosi kishte pushtuar në kodrën e vet 18 ha tokë, që rrethoheshin prej muresh me një gjatësi prej 1 850 m. Nuk dimë shtrirjen e saktë të Skodrës, por duket se ka qenë pak më e madhe se ajo e Lisit. Qytetet e tjera, si Antipatrea, Dimale, Zgërdheshi kishin një madhësi mesatare: sipërfaqja e shtrirjes së tyre arrinte deri në 10-15 ha, kurse muret perimetrale nuk i kalonin të 1 400 m. Një grup i tretë qytetesh, si Irmaj, Margëlliçi etj., ishin më të vegjël; muret e tyre ishin nën 1 400 m të gjatë dhe rrethonin sipërfaqe të vogla prej 5-7 ha. Megjithëse qytetet e kësaj kohe shtriheshin edhe tej mureve rrethuese (jashtë tyre gjejmë dendur gjurmë banesash, tempuj e ndërtime të tjera), prapëseprapë truallin kryesor të qytetit e përbënte territori brenda mureve rrethuese. Muret rrethuese dhe godinat shoqërore që janë ruajtur dëshmojnë se ndërtimet e tyre u nënshtroheshin parimeve të njohura të urbanistikës antike. Vetëm ndërtues të aftë dhe me njohuri të thella teknike mund të zgjidhnin detyrat e ndërlikuara që paraqisnin ndërtimet mbrojtëse dhe ato me karakter publik e privat, në atë shkallë të gjerë dhe në atë nivel të lartë që njohin qytetet ilire që nga fundi i shek. IV deri në mesin e shek. III. Jeta dhe kërkesat e kohës i përgatitën këta ndërtues midis vetë popullsisë ilire. Realizimi i këtyre ndërtimeve ishte vepër e një shoqërie skllavopronare që kishte mundësitë e organizimit dhe të sigurimit të materialeve për një veprimtari kaq të gjerë ndërtuese. Procesi i shndërrimit të disa qendrave të fortifikuara të epokës së hekurit në qytete nuk përfshin dhe as që mund të përfshinte të gjitha këto qendra. Midis tyre u veçuan dhe u kthyen në qytete vetëm ato që kishin një pozitë gjeografike të përshtatshme për një zhvillim më të lartë. Pjesa tjetër, më e madhja e tyre, ruajti pamjen e dikurshme me një jetë ekonomike të kufizuar. Nevojat e mbrojtjes dhe të tregtisë bënë, nga ana tjetër, që krahas këtyre qendrave të lindin në rrugët e komunikacionit ose rreth qyteteve edhe një varg vendbanimesh të vogla, të fortifikuara, me funksione ushtarake e administrative. Të tilla mund të konsiderohen kalaja e Xibrit në Mat, e cila zinte një pikë kyçe në rrugën që të çonte prej Dyrrahut në krahinat e brendshme lindore nëpër Shkallën e Tujanit - Qafë Murrizë - Dibër - Maqedoni; qyteza e Shkamit në rrugën e Krrabës, kulla e Kamunaut në Sulovë, në rrugën që lidhte ultësirën bregdetare pas Apolonisë me luginën e Devollit; pikëvrojtimi i Rabies në Mallakastër, në rrugën që ndjek krahun e djathtë të Vjosës e të tjera si këto, të cilat gjenden pa përjashtim në të gjitha rrugët e dorës së dytë që përshkonin truallin e vendit tonë. Tek autorët antikë dhe në burimet epigrafike këto qendra përmenden si kështjella apo fortesa rreth qyteteve me termat castellum apo peripolia. Ato janë në funksion të qyteteve qoftë nga pikëpamja strategjike dhe administrative, qoftë nga ajo ekonomike. E para duket në vendosjen e tyre pranë qafave ose rrugëve që të çojnë drejt qytetit, duke krijuar një kurorë fortifikimesh në zonën gjeografike ku qyteti mbizotëron me ekonominë e vet. E dyta shprehet në faktin se ato më tepër konsumojnë prodhimet e qytetit sesa prodhojnë vetë.


<25 faqe 26 27>