Jump to content

Isaia - Kapitulli 56

Nga Wikibooks
Dhjata e Vjetër
< ISAIA >
Kapitulli 56
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36 | 37 | 38 | 39 | 40 | 41 | 42 | 43 | 44 | 45 | 46 | 47 | 48 | 49 | 50 | 51 | 52 | 53 | 54 | 55 | 56 | 57 | 58 | 59 | 60 | 61 | 62 | 63 | 64 | 65 | 66


1 Kështu thotë Zoti: "Respektoni të drejtën dhe zbatoni drejtësinë, sepse shpëtimi im është duke ardhur dhe drejtësia ime do të shfaqet.

2 Lum njeriu që vepron kështu dhe biri i njeriut që i përmbahet kësaj, që respekton të shtunën pa e përdhosur dhe që e përmban dorën e tij nga kryerja e çfarëdo veprimi të keq".

3 Të mos thotë biri i të huajit që është bashkuar me Zotin: "Zoti me siguri më ka përjashtuar nga populli i tij". Dhe të mos thotë eunuku: "Ja, unë jam një dru i thatë".

4 Sepse kështu thotë Zoti: "Eunukët që respektojnë të shtunat e mia, që zgjedhin atë që më pëlqen mua dhe që i përmbahen me vendosmëri besëlidhjes sime,

5 do t'u jap atyre në shtëpinë time dhe brenda mureve të mia një vend dhe një emër, që do të vlejë më tepër nga ai i bijve dhe i bijave; do t'u jap atyre një emër të përjetshëm që nuk do të fshihet kurrë.

6 Bijtë e të huajve që janë bashkuar me Zotin për t'i shërbyer, për të dashur emrin e Zotit dhe për të qenë shërbëtorë të tij, tërë ata që respektojnë të shtunën pa e përdhosur dhe që i përmbahen me vendosmëri besëlidhjes sime,

7 do t'i çoj në malin tim të shenjtë dhe do t'i mbush me gëzim në shtëpinë time të lutjes; olokaustet e tyre dhe flijimet e tyre do të pëlqehen mbi altarin tim, sepse shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për të gjithë popujt".

8 Zoti, Zoti, që i mbledh të shpërndarit e Izraelit, thotë: "Unë do të mbledh rreth tij edhe të tjerë, përveç atyre që kam mbledhur".

9 O ju mbarë, kafshë të fushave, ejani për të ngrënë; ejani, ju mbarë kafshë të pyllit!

10 Rojtarët e tyre janë të verbër, janë të gjithë të paditur, janë të gjithë qen memecë, të paaftë të lehin; shohin ëndrra, rrinë shtrirë, u pëlqen të dremitin.

11 Janë qen llupës, që nuk ngopen kurrë, janë barinj që nuk kuptojnë asgjë; ndjekin të gjithë rrugën e tyre, secili shikon interesin e vet, për llogari të vet.

12 "Ejani", thonë, "do të marr verë dhe do të dehemi me pije dehëse; nesër do të jetë si sot, madje shumë më mirë.