Jump to content

Isaia - Kapitulli 27

Nga Wikibooks
Dhjata e Vjetër
< ISAIA >
Kapitulli 27
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36 | 37 | 38 | 39 | 40 | 41 | 42 | 43 | 44 | 45 | 46 | 47 | 48 | 49 | 50 | 51 | 52 | 53 | 54 | 55 | 56 | 57 | 58 | 59 | 60 | 61 | 62 | 63 | 64 | 65 | 66


1 Atë ditë Zoti do të ndëshkojë me shpatën e tij të ashpër, të madhe dhe të fortë Leviathanin, gjarpërin e shkathët, gjarpërin Leviathani dredha-dredha, dhe do të vrasë përbindëshin që është në det.

2 Atë ditë do të thuhet: "Vreshti që jep verë të kuqërremtë, këndoni për të.

3 Unë, Zoti, e ruaj, e vadis çdo çast, e ruaj natën e ditën me qëllim që askush të mos e dëmtojë.

4 Nuk ka zemërim tek unë. Kush do t'i vinte në luftë kundër meje ferrat dhe gjembat? Unë do të shkoja kundër tyre dhe do t'i digjja të gjitha tok.

5 Do të ishte më mirë që dikush të mbështetej te forca ime për të bërë paqe me mua, po, për të bërë paqe me mua".

6 Në ditët që do të vijnë Jakobi do të lëshojë rrënjë, Izraeli do të lulëzojë dhe do të lëshojë lastarë dhe do të mbushë faqen e dheut me fryte.

7 A ka goditur Perëndia Izraelin ashtu si ka goditur ata që e qëllonin atë? A e ka vrarë atë ashtu si ka vrarë ata që e vrisnin atë?

8 Ti je grindur me të me masë, duke e përzënë dhe duke e çuar larg. Ai e çoi në një vend të largët me frymën e tij të furishme, një ditë me erë lindore.

9 Në këtë mënyrë do të shpagohet padrejtësia e Jakobit, dhe ky do të jetë gjithë fryti i heqjes së mëkatit të tij, kur do t'i kthejë tërë gurët e altarit si gurë gëlqereje të thërmuar; kështu Asherimët dhe altarët e temjanit nuk do të ngrihen më.

10 Qyteti i fortifikuar do të jetë i shkretuar, një vend i pabanuar dhe i braktisur si një shkretëtirë; aty do të kullosë viçi, i cili do të shtrihet dhe do të hajë degët.

11 Kur degët e tij do të thahen, do të thyhen dhe do të vijnë gra për t'i djegur. Me qenë se është një popull pa zgjuaësi, prandaj Ai që e ka bërë nuk do t'i vijë keq për të, Ai që e ka formuar nuk do t'i japë hir.

12 Po atë ditë do të ndodhë që Zoti do të shijë grurin nga rrjedha e lumit deri te përroi i Egjiptit, dhe ju do të mblidheni një nga një, o bij të Izraelit.

13 Atë ditë do të ndodhë që të bjerë buria e madhe, dhe ata që kanë humbur në vendin e Asirisë dhe ata që janë shpërndarë në vendin e Egjiptit do të vijnë dhe do të adhurojnë Zotin mbi malin e shenjtë, në Jeruzalem.