Jump to content

Isaia - Kapitulli 52

Nga Wikibooks
Dhjata e Vjetër
< ISAIA >
Kapitulli 52
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36 | 37 | 38 | 39 | 40 | 41 | 42 | 43 | 44 | 45 | 46 | 47 | 48 | 49 | 50 | 51 | 52 | 53 | 54 | 55 | 56 | 57 | 58 | 59 | 60 | 61 | 62 | 63 | 64 | 65 | 66


1 Rizgjohu, rizgjohu, rivishu me forcën tënde, o Sion; vish rrobat e tua të mrekullueshme, o Jeruzalem, qytet i shenjtë! Sepse nuk do të hyjnë më te ti i parrethpreri dhe i papastri.

2 Shkunde pluhurin që ke në kurriz, çohu dhe ulu ndenjur, o Jeruzalem; zgjidhi zinxhirët që ke në qafë, o bijë e Sionit, që je në robëri!

3 Sepse kështu thotë Zoti: "Ju kanë shitur për asgjë dhe do të shpengoheni pa para".

4 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Populli im zbriti së lashti në Egjipt për të banuar; pastaj Asiri e shtypi pa shkak.

5 Dhe tani çfarë po bëj unë këtu?", thotë Zoti, "ndërsa popullin tim e kanë hequr larg për asgjë? Ata që e sundojnë, bëjnë që ai të rënkojë", thotë Zoti, "dhe emri im shahet vazhdimisht tërë ditën.

6 Prandaj populli im do të njohë emrin tim, prandaj do të kuptojë atë ditë që jam unë që kam folur: "Ja ku jam!"".

7 Sa të bukura janë mbi malet këmbët e lajmëtarit që sjell lajme të mira që njofton paqen, që sjell lajme të bukura mbi gjëra të mira, që shpall shpëtimin, që i thotë Sionit: "Perëndia yt mbretëron!".

8 Dëgjo! Rojet e tua ngrenë zërin dhe lëshojnë bashkë britma gëzimi, sepse shohin me sytë e tyre Zotin që kthehet në Sion.

9 Shpërtheni bashkë në britma gëzimi, o rrënoja të Jeruzalemit, sepse Zoti ngushëllon popullin e tij dhe çliron Jeruzalemin.

10 Zoti ka zhveshur krahun e tij të shenjtë para syve të të gjitha kombeve; të gjitha skajet e tokës do të shohin shpëtimin e Perëndisë tonë.

11 Ikni, ikni, dilni andej, mos prekni asgjë të papastër! Dilni nga ambienti i saj, pastrohuni, ju që mbani vazot e Zotit!

12 Sepse ju nuk do të niseni me nxitim dhe nuk do të shkoni me turr, sepse Zoti do të ecë para jush, Perëndia i Izraelit do të jetë praparoja juaj.

13 Ja, shërbëtori im do të begatohet, do të ngrihet dhe do të lartësohet shumë.

14 Duke qenë se shumë veta u çuditën me ty, sepse pamja e tij ishte e shfytyruar më tepër se e çdo njeriu tjetër dhe fytyra e tij ishte ndryshe nga ajo e bijve të njeriut,

15 kështu ai do të spërkasë shumë kombe; mbretërit do të mbyllin gojën para tij, sepse do të shohin çfarë nuk u ishte treguar kurrë atyre dhe do të kuptojnë ato që nuk kishin dëgjuar.