Jump to content

Isaia - Kapitulli 16

Nga Wikibooks
Dhjata e Vjetër
< ISAIA >
Kapitulli 16
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36 | 37 | 38 | 39 | 40 | 41 | 42 | 43 | 44 | 45 | 46 | 47 | 48 | 49 | 50 | 51 | 52 | 53 | 54 | 55 | 56 | 57 | 58 | 59 | 60 | 61 | 62 | 63 | 64 | 65 | 66


1 "Dërgojini një qengj sunduesit të vendit, nga Sela në drejtim të shkretëtirës, në malin e bijës së Sionit.

2 Sepse do të ndodhë që në vaun e Arnonit vajzat e Moabit do të jenë si një zog i dëbuar nga foleja.

3 Na jep një këshillë, bëj drejtësi! Bëje hijen tënde si nata, në mes të ditës; fshih ata që janë shpërndarë, mos i tradhëto ikanakët.

4 O Moab, lejo që të banojnë pranë teje njerëzit e mi që janë shpërndarë, ji për ta një strehë përballë shkatërruesit. Sepse tirani nuk është më, shkatërrimi ka marrë fund, shtypësit janë zhdukur nga vendi.

5 Atëherë një fron do të jetë i qëndrueshëm në dhembshuri dhe mbi të do të ulet në besnikëri, në çadrën e Davidit, një që do të gjykojë, do ta ushtrojë gjykimin dhe do të jetë i gatshëm të sigurojë drejtësinë".

6 "Kemi dëgjuar të flitet për krenarinë e Moabit, jashtëzakonisht krenar, për fodullëkun e tij, për kryelartësinë e tij, për arrogancën e tij, për mburrjen e tij pa baza".

7 Për këtë Moabi do të bëjë një vajtim për Moabin, të gjithë do të vajtojnë. Ju do të qani të dëshpëruar për pitet me rrush të Kir-Haresethit.

8 Sepse fushat e Heshbonit po meken, po kështu edhe vreshtat e Sibmahut; sunduesit e kombeve kanë shkatërruar bimët e saj më të mira që arrinin deri në Jazer dhe endeshin nëpër shkretëtirë; degët e saj shtriheshin dhe tejkalonin detin.

9 Prandaj me qarjen e Jazerit do të qaj vreshtat e Sibmahut; do të të vadis me lotët e mi, o Heshbon, o Elealeh, sepse mbi frytet e tua të verës dhe mbi të korrat e tua ka rënë një britmë lufte.

10 Gëzimi dhe hareja janë zhdukur nga fusha pjellore; ndër vreshta nuk ka më as këngë, as britma gëzimi; shtrydhësi i rrushit nuk shtrydh më verën ndër voza; unë nuk nxjerr më britma gëzimi.

11 Prandaj të përbrendshmet e mia dridhen për Moabin si një harpë; dhe zemra ime për Kir-Heresin.

12 Dhe do të ndodhë që kur të paraqitet Moabi, dhe të lodhet në vendin e lartë; ai do të hyjë në shenjtëroren e tij për t'u lutur, por nuk do të fitojë asgjë.

13 Kjo është fjala që Zoti i drejtoi dikur Moabit.

14 Por tani Zoti ka folur, duke thënë: "Brenda tre vjetëve, si vitet e një argati me mëditje, lavdia e Moabit do të bjerë e do të përçmohet bashkë me tërë atë turmë të madhe; dhe do të mbetet vetëm një numër shumë i vogël dhe i pafuqishëm".