Ilirët/Faqe 30

Nga Wikibooks
Jump to navigation Jump to search
Ilirët
(Pjesa e pestë)
< Antika  

< Renia e dinastise se Glaukise >


Pas luftës së fundit të Mytilit kundër Aleksandrit II të Epirit, në vitin 270, nuk flitet më në burimet për shtetin ilir. Duke zbritur drejt vitit 230 dalin të dhëna të reja mbi këtë shtet. Megjithëse në vështrimin e parë kjo duket si një periudhë e errët, ajo përbën në vetvete një faqe me shumë interes në historinë ilire. Gjatë gjysmë shekulli, që nga Glaukia deri te Mytili, shteti ilir kishte mundur t’i bënte ballë me sukses agresionit të Kasandrit dhe më pas të Pirros e pasardhësit të tij. Të gjithë këta kishin dështuar në ndërmarrjet e tyre dhe më në fund qenë detyruar të hiqnin dorë prej Ilirisë. Ndërkaq gjendja në Greqi mbetej e paqëndrueshme. Sundimtarët maqedonë, Antigon Gonata dhe i biri i tij Demetri, u gjendën tërësisht të angazhuar në teatrin grek të veprimeve politike e ushtarake për të ruajtur hegjemoninë e Maqedonisë në këto anë. Për shtetin ilir kjo qe një periudhë qetësie në marrëdhëniet me fqinjët, veçanërisht me Maqedoninë, dhe me këtë duhet shpjeguar edhe heshtja e burimeve. Por nuk qe Gonata ai që “diti, siç pretendohet, t’u imponojë paqen fqinjëve veriperëndimorë”. Burimet nuk bëjnë fjalë për një gjë të tillë. Në qoftë se midis Ilirisë dhe Maqedonisë nuk pati në këtë kohë ndonjë konflikt, kjo duhet shpjeguar më tepër me faktin se ilirët, të lodhur nga luftërat e deriatëhershme, nuk mundnin, pra, edhe nuk kërkuan t’i shfrytëzonin vështirësitë e Maqedonisë në interes të tyre. Ndërkaq ka të ngjarë që nga mesi i shek. III p.e.sonë ose pak më parë shteti ilir të ketë njohur një periudhë trazirash të brendshme, hollësitë e të cilave nuk njihen mirë. Nuk është çudi që zhvillimi i vrullshëm i qyteteve të veriut, të mbetura jashtë konflikteve luftarake që prekën pjesën jugore të shtetit ilir bashkë me qytetet e tij, të ketë ndryshuar raportin e forcave dhe të ketë ndikuar apo të jetë bërë bazë e ndryshimeve politike që pasqyrohen vetëm në zëvendësimin e dinastisë sunduese të Glaukisë me atë të Agronit dhe në shkëputjen e dy qyteteve të rëndësishme të Adriatikut Lindor, të Dyrrahut e të Apolonisë, nga shteti ilir.


<29 faqe 30 31>