Jump to content

E mira dhe e keqja/19

Nga Wikibooks

Njeriu dhe ngjarjet në univers


Faqe 18
faqe
- 19 -

Faqe 20
Ngjarjet në univers janë të shumta. Ato nuk kalojnë në më shumë, se nëpër tre kanale kryesore:

1. Ngjarje që e godasin njeriun, por, në fakt, ai nuk ka të bëjë fare me to. Brenda kësaj ngjarje është prezent dora e njeriut, por jo edhe zgjedhja e tij. Këto njihen si kadere të All-llahut të Lartëmadhëruar. Le të themi p.sh., se një njeri është duke ecur nëpër trotuar (rrugës së vet) dhe i bie ndonjë gur, ose e përplas ndonjë makinë, ose mund t’i pësojë djali ndonjë aksident, ose e godet ndonjë sëmundje e pashërueshme, etj. Të gjitha këto ndodhi nuk janë rezultat i veprimit të njeriut, ato konsiderohen të jashtme. Njeriu goditet pa vullnetin e tij, dhe s’ka mundësi të shpaguhet nga dikush për atë dëmtim, përveçse vetja e tij, që do të vuajë.

2. Ngjarje që e godasin njeriun, për shkak të tjerëve. Le të themi p.sh. se një njeri të del përpara, të huton dhe kërkon të zihehet me ty, ose të sulmon në rrugë, ose të shtyn dhe të rrëzon në tokë, e të tjera të kësaj natyre.

3. Ngjarje që ndodhin, por që kanë pasur mundësi alternative... Kjo rjedh nga programi i All-llahut të Lartësuar, në dhënien e lirisë ‘vepro ose mos vepro’. Përderisa All-llahu xh.sh. të ka thënë ‘bëje’, ti në sajë të lirisë që posedon mund që mos t’a bësh, se përndryshe nuk do të kishte thënë ‘bëje’. Kur Ai. xh.sh., të thotë: ‘mos e bëj këtë’, ti gjithashtu, në sajë të lirisë që posedon mund që t’a bësh, se përndryshe All-llahu nuk do të thoshte ‘mos e bëj’.

All-llahu i Lartëmadhëruar, ka paraparë që njeriu të ketë lirinë e zgjedhjes, dhe në sajë të saj, ai do të japë përgjigje. Me të, ai (njeriu) do të shpërblehet për të mirë, ose do të ndëshkohet për të keqen e bërë. Që të dyja këto, shpërblimi dhe ndëshkimi, janë drejtësi. Kështu do të jetë edhe për jetën tënde të përditshme. Çfarë ke ngënë? Me kë po rri? Çfarë po vesh? E të tjera pyetje, prej gjërave të jetës së përditshme.

Gjërat, të cilat nuk kanë qenë në dorën tënde, pra, që nuk kanë ndodhur sipas dëshirës tënde, dhe për të cilat nuk ke pasur mundësi zgjedhjeje, janë caktime të All-llahut xh.sh., pra ato vijnë nga vullneti i Tij absolut, në univers.

Secila ndodhi, që vjen drejtëpërdrejt nga All-llahu i Lartëmadhëruar, padyshim, që duhet të njihet si e mirë, sado që ajo të jetë ngarje tragjike, sipas syrit tonë, apo teorive tona. Dituria jonë është e kufizuar, ne nxitojmë në gjykime dhe llogaritë tona e nxjerrin (atë ndodhi) si diçka shumë të keqe. Por, çdo gjë, që vjen prej All-llahut, padyshim që është e mirë, por ai që e ka zemrën e ngushtë, dhe është i padurueshën (pa sabër), ai humbet. Ne, këtë lloj njeriu, e shohim si jo të plotë në vetvete.

All-llahu, me vullnetin e Vet, na dha shembuj për këtë lloj të natyrës së njerëzve, në kaptinën kur’anore ‘Shpella’ – ‘Kehf’. Musai a.s. kishte një takim me Robin e Mirë[1] . Të gjitha veprat, që i bëri Robi i Mirë, nga pikëpamja e Musait a.s. ishin vepra të gabuara. Ata hipën në një anije të disa skamnorëve, dhe ai (Njeriu i Mirë) e zhbiroi anijen në mënyrë që të fundosej. Ai vrau një fëmijë pa pasur faj fare, pasi ai ende nuk kishte arritur në moshën e pubertetit, dhe së fundi, ata hynë në një fshat, populli i të cilit ishte koprac, për arsye se ata nuk iu servuan atyre asnjë kafshatë buke, edhe pse ata i kishin parë se ishin të uritur. Megjithatë, Robi i Mirë iu riparoi atyre një mur, i cili ishte duke u shembur!

Të gjitha këto veprime, nga pikëpamja e Musait a.s. ishte të gabuara. Por, që të gjitha këto ndodhi ishin prej kaderit[2] të All-llahut. Ato, me vete, bartnin përplot të mira (hajre). Ai e zhbiroi anijen që të fundosej, sepse mbreti i atij populli kishte sjellë një vendim që t’i uzurponte të gjitha anijet e qytetarëve të atij shteti. Kur xhandarmëria e pa se anija e tyre ishte e shkatërruar, u largua dhe nuk ia mori atë skamnorëve. Ata, me një riparim të vogël, arritën që të punojnë përsëri, po me atë anije.

Ndërsa fëmija kishte pasur një ardhmëri të keqe, dhe ai, gjithashtu, do të bëhej shkaktar që prindërit e tij të mirë, të mohonin Zotin dhe të përfundonin në xhehennem. Atyre, All-llahu, ua zëvendësoi atë me një fëmijë tjetër. Ishte pra, mëshira e All-llahut që e mori para se të mbushte kohën e pubertetit dhe t’a shpinte atë në xhennet, pa e marrë në llogari.

Ndërsa muri, kishte në themel një thesar florinjsh, i cili ishte pronë e jetimëve të një njeriu të mirë. Me riparimin e atij muri, ai përforcoi atë mur që të qëndrojë (pa u rrëzuar) derisa të rriten fëmijët. Kur ata do të rriteshin, do t’a riparonin murin që nga themeli, dhe aty, do t’a gjenin thesarin që ua kishte lënë babai tyre. Eshtë edhe një qortim i popullit të atij fshati, por, për më gjërë, mund të lexoni në librin ‘Tregimet e Kur’anit’, në kaptinën ‘Kehf’ – ‘Shpella’.

Pra, ajo se çfarë paraqitet në sipërfaqe të ngjarjeve, nuk është e tëra, prandaj ne nuk mund të japim konkludimin përfundimtar (vetëm në bazë të gjërave sipërfaqsore). Për arsye se, ne, nuk kemi para vetes të tërë ngjarjen dhe përfundimin e saj. Ne, vetëm, sa shohim disa skena, por ende na kanë ngelur pa parë skenat e tjera të shumta. All-llahu i Lartëmadhëruar, në Kur’anin Kerim, thotë:

" و ما أوتيتم من العلم الا قليلا "
“ ...kurse juve, ju është dhënë shumë pak dituri.”[3]

Gjithashtu, thotë:

"و لكن أكثر الناس لا يعلمون"
“...por, shumica e njerëzve nuk dinë (nuk kuptojnë).” [4]

Tani le t’i kthehemi vetvetes. Kur neve na godet diçka, le ta dimë se ajo ishte nga All-llahu xh.sh., prandaj t’a presim si një vepër me të ardhme të mirë, edhe pse nuk e dimë urtësinë e saj. All-llahu xh.sh. na ka argumentuar, se ne nuk jemi kompetentë, që të japim konkludimet përfundimtare për ngjarjet, e as për ato gjëra që nuk na përkasin neve, e që janë në univers.

Për këtë arsye, gjejmë versete të shumta në Kur’anin Kerim, të cilat kërkojnë nga ne, që mos t’i parafrazojmë ngjarjet dhe të japim konkludime, duke u bazuar në dijen tonë, sepse ne jemi të kufizuar dhe shumë të cekët.

Kështu, le ta lexojmë këtë ajet kur’anor:

" و عسي ان تكرهوا شيئا و هو خير لكم و عسي أن تحبوا شيئا وهوشرلكم و الله يعلم و أنتم لا تعلمون"
“Ndodh që ju t’a urreni ndonjë gjë, por ajo (në realitet) është (përcaktuar të jetë) e mirë për ju, gjithashtu, ndodh që ju të dëshironi diçka, por ajo (në realitet) është e keqe për ju. All-llahu e di, ndërsa ju nuk e dini.” [5]

Kështu, All-llahu i Lartëmadhëruar, na informon, se ne nuk jemi kompetentë që t’i gjykojmë ngjarjet që ndodhin tek ne, e aq më tepër ato që ndodhin në univers. Ndodh që ne t’a urrejmë një send, por në realitet, aty, ka të mira të shumta, për të cilat ne nuk kemi dijeni, ndërkohë që ne mendojmë se ai ishte një ndëshkim, apo diçka tjetër.

Por, në realitet, ai “ndëshkim” ishte një ndodhi, që solli të mira të shumta për ne. Por ngjan, që midis nesh të ndodh diçka, që të jetë e “mirë” sipas nesh, por që në realitet është një e keqe dhe dëm i madh për ne.

Ne duhet që t’a mbështesim ndodhinë, të cilën e patëm kader, sepse njerëzit nuk i dallojnë ngjarjet midis të mirës dhe të keqes (hajrit dhe sherrit). Njerëzit nuk mund t’a kuptojnë, sepse atyre u është i panjohur realiteti, për sa ndodhi, dhe si ndodhi. Për këtë arsye, ne duhet t’a marim si një ngjarje që ka të mirën brenda, sepse kur vijnë kaderet e All-llahut, ato janë përplot të mira (hajre). Ndërsa e keqja vjen prej dorës së njeriut.

Le të diskutojmë për një njeri, i cili ka qenë i pasur, apo i pushtetshëm, e më pas All-llahu xh.sh. e ka rrëzuar atë nga pushteti, apo ia ka marrë atij pasurinë, etj. Ky njeri mendon se, ajo që i ndodhi, ishte një e keqe e madhe për të, dhe nuk ndalet së vajtuari, aq sa e dëgjojnë të gjithë. Ai nuk i ndërpret ankesat e tij, në drejtim të All-llahu xh.sh., për kaderin që i ndodhi, por realiteti nuk është absolutisht i tillë.

Le t’a lexojmë thënien e All-llahut xh.sh.:

" قل اللهم مالك الملك تؤتي الملك من تشاء وتنزع الملك ممن تشاء وتعز من تشاء و تذل من تشاء بيدك الخير انك علي كل شيء قدير"
“Thuaj: O All-llahu im, që e ke tërë pushtetin, Ti i jep pushtet atij, që do dhe ia merr pushtetin atij, që do. Ti e lartëson kë do, dhe e poshtëron kë do, në dorën Tënde është mirësia. Ti, me të vërtetë, ke mundësi për çdo send.” [6]

Përderisa, i Lartëmadhëruari, kërkoi prej nesh që, për çdo gjë, t’i drejtohemi Atij me thënien: “Në dorën Tënde është mirësia”, ajo që do të vijë nga Mbreti i Mirësisë është e mirë, gjithashtu edhe nëse të merret, edhe ajo është e mirë. Të mirën, që vjen nga Mbreti i Mirësisë, askush nuk mund të ta ndalojë, dhe askush nuk dyshon se ajo është e mirë. Kur All-llahu i jep pushtet dikujt, ai duhet t’a kuptojë, ose t’a shpjegojë këtë, si një dhuratë të mirë për të, sepse secili njeri e shpjegon këtë si një gjë të mirë, por si mund të kuptohet të larguarit nga pushteti, si një gjë e mirë!?

All-llahu xhele xhelaluhu thotë: “ ...dhe ia merr pushtetin atij që do...” Marrja e mbretërisë ose pasurisë, nuk ndodh nëpërmes lirisë (me vullnet të lirë), por domosdo që All-llahu ua merr ato njerëzve me anë të puçit, edhe pse këta njerëz dëshirojnë që të vazhdojnë të qëndrojnë sipas atij sistemi. All-llahu xh.sh., ua merr atyre me zor dhe në mënyrë të vrazhdë. Atëherë si mund të quhet, ky puç, gjë e mirë!?

Themi se All-llahu e di përfundimin e plotë, që prej fillimit, deri tek mbarimi i ngjarjes. Ai i njeh gjërat, dhe ndodhitë e njerëzve, para se të ndodhin, dhe si do të përfundojnë. Ai e di se kush prej tyre do të shpërblehet me xhennet, e kush do të dënohet me zjarr. Për Të, nuk ka ndërprerje të ngjarjeve, sikur që i kemi ne, në formë sekuencash. Për Të, çdo gjë, është e përkryer dhe absolute. Fillimet dhe përfundimet janë të lidhura njëra me tjetrën[7] . Ai, i cili bën një punë të mirë, do t’a gjejë atë në xhennet, ndërsa ai, i cili ka bërë mëkate dhe shkatërrime në tokë, do të ndëshkohet në ahiret.

Përderisa, prej fillimit të mbarë pritet rezultat i mirë, atëherë nga fillimi i keq pritet rezultat i keq. Kështu është edhe me mbretëritë. Ato demostrojnë forcën, pushtetin, urdhërat, dhe nënshtrimet. Ato ndonjëherë sillen ndaj popullit me arrogancë, mizori e nganjëherë i kalojnë kufijtë duke terrorizuar masën. Kur, All-llahu xh.sh., ua merr me zor pushtetin disa njerëzve, ata nuk e dinë se ua ka marrë atë, për t’i shpëtuar nga zjarri i përhershëm në ahiret.

All-llahu i Lartësuar, me dijen e Tij të pafundme, si i Gjithëdijshëm, e di se cili njeri do të shndërrohet në diktator dhe në tiran. Për këtë arsye, mbase prej Rahmetit të Tij, dëshiron që t’a shpëtojë atë nga dënimi i rreptë, prandaj edhe ia mer pushtetin për t’a ndaluar katastrofën që do të mund të vinte. Njëkohësisht, do t’a shpëtonte nga vuajtja e përhershme. Kjo pra, a do të ishte hajër apo sherr?!

Sikur të mos ia merrte pushtetin, ai do të vazhdonte të qëndronte edhe për pak vite në pushtet, por, më në fund, pak para se të mbaronte jetën e tij, do t’a humbiste atë. Marrja e pushtetit do të duhej të konsiderohej mëshirë ndaj tij. Ai do të ndahej prej aty me mirësjellje, dhe kështu nuk do të bëhej prej të hidhëruarve të All-llahut.

Njeriu në momentin kur i mirret mbretëria (pasuria), mendon se për të çdo gjë është keq e më keq, por kur të shkojë në ahiret do t’i jetë falenderues dhe do t’i bëjë sexhde All-llahut xh.sh., sepse Ai e ka shpëtuar nga zjarri i xhehennemit.

Kështu është edhe me të krenuarit në këtë botë, kur njeriu pason mëkatin. Të krenuarit (mburrja) e largon njeriun nga All-llahu xh.sh., dhe e bën atë arrogant dhe keqbërës. Kur All-llahu i Lartësuar, ia merr atij këtë krenari, Ai e kthjell atë dhe ia tërheq vërejtjen. Atëherë njeriu do ta kuptojë se paska qenë i nevojshëm shumë për All-llahun xh.sh. Ai do t’i ngrejë duart kah qielli dhe do të thotë: O Zot! Dhe ndoshta, pas këtij momenti, do të fillojë të ecë drejt rrugës së vërtetë, e të largohet prej rrugës së shtrembër, që ishte duke shkuar, prej asaj rruge që do t’a dërgonte në shkatërrimin total.

Pra, secili kader (caktim), që vjen prej All-llahut xh.sh., sado i dhimbshëm të jetë në shikimin sipërfaqësor, apo të jetë i dëmshëm sipas kuptimeve njerëzore, në realitet, ai është i mirë dhe i hajrit. All-llahu i Lartëmadhëruar është Ai, i Cili na krijoi dhe nënshtroi për ne çdo gjë, që ka në qiej dhe në tokë. Lartëmadhëria e Tij na do të mirën, por njeriu dëshiron t’i përshpejtojë gjërat dhe nga injoranca e tij nuk e di se All-llahu xh.sh, për të ka caktuar (më të mirën), pasi Ai ka Urtësinë e Tij absolute në Mretërinë e Tij, ndërsa ne, edhe nëse arrijmë të kuptojmë ndonjë gjë, mbetemi pa kuptuar diçka tjetër.

Disa njerëz, i shohim t’iu ngushtohen zemrat, kur thonë se e kam lutur All-llahun xh.sh. për këtë e atë, por nuk më është përgjigjur. Atyre iu themi: Përgjigja, në brendi, ka të mirat e veta, gjithashtu edhe mospërgjigja ka të mirat e veta. Ndoshta, ajo që ke kërkuar nga All-llahu i Lartësuar, ka qenë në dëmin tënd, sepse t’i e nuk e di në fakt, nëse ajo do të ishte e mirë apo e keqe, për ty. Sikur t’i përgjigjej kërkesës tënde ndoshta do t’a pësoje shumë më keq!?

A nuk i mallkon nëna nganjëherë fëmijët e vet para Zotit, kur ajo është gjendur ngushtë dhe është hidhëruar prej tyre!? A nuk e lut (për keq) njeriu All-llahun, kur ai është i zemëruar, për njerëzit më të afërt të tij!? Çfarë do të ndodhte sikur të pranohej lutja e nënës, për t’ia marrë fëmijët, nga kjo jetë, përnjëmend? A do të gëzohej nëna në këtë rast? A do t’a kishte falëndruar All-llahun, sikur t’i pranohej lutja? Kështu është edhe lutja e babës ndaj fëmijëve të tij, ose e gruas për burrin e saj, kur ata janë të zemëruar. Sikur qielli t’ua pranonte lutjet atyre, do të shtohej mërzia dhe zemërimi edhe më shumë. Por, duke mos ju përgjigjur atyre, ju ka dhënë mirësi të shumta. Për këtë, i Lartësuari, në Kur’anin Kerim, thotë:

" و يدع الأنسان بالشر دعاءه بالخير و كان الأنسان عجولا"
“Dhe njeriu e thërret të keqen, edhe pse lutjen e ka për të mirë; njeriu (nga natyra e tij) është i vrullshëm.”[8]

Kështu pra, është me ata që mendojnë se lutja do të ishte e mirë, sikur t’iu pranohej, por realiteti do të ishte i dëmshëm për ta. Këto kërkesa të ngutshme dalin nga injoranca dhe mosnjohja e përfundimit të ngjarjeve. Mosnjohja e tyre, se çfarë mund të ndodhë, është sekrtet. Ty sipas parallogaritjeve të tua të duket se është e mirë, ajo (ndoshta) koiçidon me kohën dhe vendit në të cilën je duke jetuar, por mund të ndodhë që parallogaritja jote të jetë e gabueshme. Pse? Sepse më vonë, mund të dalin disa gjëra të tjera, dhe do të konkludoje se ajo (kërkesa e parë) paska qenë e keqe e madhe, e ti më parë nuk mendoje se ajo ishte e dëmshme, edhe në të vërtetë nuk ndaleshe duke u lutur që të të pranohej sa më shpejtë duaja! Por, All-llahu i Lartëmadhëruar, me Urtësinë e Tij, nuk të është përgjigjur ty “pozitivisht”. Ai, nga Dituria e Tij, ka dëshiruar të të shpëtojë nga e keqja, e cila do të vinte për ty, sepse e dinte se ajo për ty ishte e panjohur.

Ti, mbase, dëshiroje të ishe pranë sundimtarit, apo të bëheshe prijësi i një grupi njerëzish. Por ditët që pasuan, e ndryshuan situatën dhe ai sundues, u zëvendësua me një tjetër të ri, i cili do t’i spastronte nëpunësit e sundimtarit të vjetër. Ndoshta, edhe ai sundues të cilin e ëndërroje do të të mundonte, do të zemëronte me ngarkesa, të cilat nuk do të ishe në gjendje që t’i përballoje.

A nuk kemi dëgjuar për sundimtarë, të cilët u rrëzuan nga pushteti me puç, prej njerëzve më të afërt të tij dhe madje që edhe i ekzekutuan? Kemi dëgjuar, shumë raste të tilla, veçanërisht në revolucionet, që ndodhën në disa shtete. Këto parafytyrime nuk janë të vjetra për ne, por le t’a lexojmë thënien e All-llahut në Kur’anin Kerim:

" و يذيق بعضكم بأس بعض"

“...dhe të shijoni vuajtjet e njëri-tjetrit...” [9]

Ti, kur drejtohesh drejt qiellit me duar e ngritura, lutesh për diçka, dhe shpreson se ajo lutje do të pranohet. Me siguri, mendon se kjo lutje, sikur të pranohet, do të ishte e mirë për ty. Por, duhet që edhe sikur ajo të të mos të pranohet, po ashtu duhet t’a kuptosh se kjo është e mirë për ty. Sepse All-llahu xh.sh., me këtë mospërgjigje, të ka ndaluar nga një sherr i madh.

  1. Robi i Mirë, ndryshe populli ynë e njeh me emrin Hizri. Robi i Mirë është shfaqur në Kur’an me disa dhunti të dhuruara drejtëpërdrejt, nga All-llahu xh.sh. Mundësitë e tij ishin mësim për Pejgamberët e All-llahut dhe kuptohet për mbarë njerëzimin, në veçanti për besimtarët (shënim i përkthyesit).
  2. Kaderi – është një fjalë, që duhet të shpjegohet gjërë e gjatë, por neve tani për tani, do të na mjaftonte të themi se ‘Kader’ ka kuptimin e caktimit të All-llahut xh.sh. (shënim i përkthyesit)
  3. Kur’an, 17 / 85
  4. Kur’an, 30 / 6
  5. Kur’an, 2 / 216
  6. Kur’an, Ali Imran / 26 – bazuar në përkthimin e Dr. Feti Mehdiut
  7. Sepse koha, tek Ai, nuk ekziston.
  8. Kur’an, 17 / 11
  9. Kur’an, 6 / 65

Faqe 18
faqe
- 19 -

Faqe 20