Jump to content

E mira dhe e keqja/13

Nga Wikibooks

Jeta e vërtetë


Faqe 12
faqe
- 13 -

Faqe 14
Shumica e njerëzve mendojnë se janë vetë në gjendje t’a përcaktojnë të mirën, por kjo nuk është e saktë. Këtë të vërtetë nuk e përcaktojnë kriteret e kësaj bote, sepse të gjitha këto kritere nuk shërbejnë për të gjykuar, se ku është e mira, e ku e keqja. All-llahu i Lartësuar na ka caktuar neve këtë, kur Ai thotë në Kur’anin Kerim:
" وان الدار الأخرة لهي الحيوان لو كانوا يعلمون "
“ ...vërtetë, bota tjetër^ (ahireti) është jeta e vërtetë, sikur ata ta dinin këtë![1]

Pra, Ahireti qenka jeta e vërtetë, për të cilën njeriu duhet të punojë. Pa dyshim se këtë e pranon edhe logjika. Ajo e di se një ditë do të shkojmë atje, dhe do të jetojmë përgjithmonë në të. Jeta e njeriut në këtë botë, ndodh të jetë disa orë, ose edhe më gjatë. Ndërsa, jeta në ahiret do të jetë e përhershme. Të mirat e kësaj bote mund të zhduken, gjithashtu, edhe ti vetë do të zhdukesh me vdekjen, ndërsa të mirat dhe begatitë e ahiretit nuk zhduken kurrë, ato qëndrojnë përgjithmonë.

Por ne, a e marrim jetën si të tillë? Një pakicë e vogël prej nesh, e bën këtë. Ndërsa shumica e tyre, llogarisin vetëm të mirat e kësaj bote. Ata të mirën e shohin tek pasuria, personaliteti dhe pozita në këtë botë, dhe përveç këtyre nuk dinë ndonjë të mirë tjetër.

Shumëkush mendon se ai që ka pasuri, dhe që ka risk të madh, është nën hijen e kënaqësisë së All-llahut xh.sh., ndërsa ai që nuk ka pasuri, por përkundrazi ka risk të pakët, mendon se All-llahu është i hidhëruar me të. Për këtë, All-llahu xh.sh., në Kur’anin Kerim thotë:

" فأما الأنسان اذا ماابتلاه ربه فأكرمه و نعمه فيقول ربي أكرمن وأما اذا ماابتلاه فقدر عليه رزقه فيقول ربي أهانن كلا بل لا تكرمون اليتيم ولا تحاضون علي طعام المسكين و تأكلون التراث أكلا لما و تحبون المال حبا جما "
“Ndërsa njeriu, kur sprovohet prej Zotit të tij, (Ai) e nderon atë dhe i dhuron begati (ky njeri me plot elan dhe mburrje) thotë: “Zoti im, më ka nderuar[2] ” . Por, kur atë do t’a sprovojë me mungesë të riskut, (kur ia zvogëlon furnizimin, ky njeri do të) thotë: Zoti im, më ka përulur (nënçmuar). Jo, asesi! Por ju nuk po respektoni bonjakun (jetimin). Dhe nuk keni inkurajuar njëri-tjetrin për t’i ushqyer të varfërit. Kurse trashëgiminë e hanit me ëndje. (Mjerisht) edhe pasurinë e donit për së tepërmi”. [3]

Tek këto ajete kur’anore, doemos, duhet të ndalemi pak më shumë. All-llahu është duke ia përmirësuar njeriut të kuptuarit e vërtetë të së mirës dhe së keqes. Sepse, nga këndet prej të cilave shumica e njerëzve gjykon, shumica e tyre gabon. All-llahu i Lartësuar thotë:

" فأما الأنسان اذا ماابتلاه ربه فأكرمه
“Ndërsa njeriu, kur sprovohet prej Zotit të tij, (Ai) e nderon atë...”

Kjo jep të kuptohet se e mira vazhdimisht e rrit riskun, çdo gjë që vjen në këtë botë është sprovim prej All-llahut të Lartësuar, për robërit e Tij. Sprovimi është provim. Sprovimi në vetë brendinë e tij, nuk do të thotë se ai person është i denigruar. Ajo që e bën të denigrueshëm, ose të falënderueshëm, është vetë rezultati.

All-llahu xh.sh. i sprovon robërit e Tij në këtë botë, si me të mira ashtu edhe me të këqija, ose me atë, që ata mendojnë se është e mirë, ose me ato gjëra, që ata i njohin si të këqija. Këtë e vërteton thënia kur’anore:

" و نبلوكم بالشر و الخير فتنة"
“...Ne do t’ju testojmë, duke ju sprovuar me të këqija dhe me të mira...” [4]

Ashtu siç konsiderohet e keqja provim për njeriun, në të njëjtin rangim është edhe e mira. Sepse jeta, në tërësi, në këtë botë, është e mbushur me sprovime dhe provime për njerëzimin. Kur Robi i Mirë, ia solli Sulejmanit a.s. fronin e mbretëreshës Belkizë sa hap e mbyll sytë, ai (Sulejmani) e kuptoi se All-llahu po e sprovonte. Ku është këtu sprovimi ose provimi? Sulejmani a.s.e kuptoi se kishte më të ditur se ai, në këtë botë. Ai ishte Robi i Mirë, i cili ia solli atij fronin mbretëror të Belkizës, sa hap e mbyll sytë.

Sprova këtu ishte për Sulejmanin a.s., i cili e kuptoi se ishte dikush tjetër prej robërve të All-llahut xh.sh., që ishte më i ditur se ai në shkencë. Në këtë situatë ai (Sulejmani) ishte i lirë, - ose të ishte njëri prej atyre që do t’a falenderonte All-llahun e Lartësuar, dhe të mos bëhej xheloz për të kërkuar më tepër se sa i kishte dhënë prej mbretërisë, dhe ta kuptonte se All-llahu xh.sh. i jep kujt të dëshirojë, sa të dëshirojë dhe të mos mendonte se ai qëndronte mbi gjithë të tjerët, pasi çdo mendim tjetër do të konsiderohej fillimi i mosbesimit (Zoti na mbroftë prej tij), - ose do të shkatërrohej i tëri, duke i thënë All-llahut: O Zot, më nënçmove me këtë rob, pasi ma dhe mua tërë këtë mbretëri! Në këtë rast, sikur të ndodhte kjo, ai do të ishte mosmirënjohës ndaj All-llahut dhe do të bëhej pabesimtar.

Sulejmani a.s., u paralajmërua për këtë sprovim, për këtë arsye ai vetëm tha, ashtu siç thotë Kur’ani Kerim:

" ومن شكر فانما يشكر لنفسه "
“...pra, kush falënderon, do të falënderojë për veten e tij...[5]

Kjo do të thotë se ai ishte falenderues ndaj All-llahut xh.sh., edhe pse Atij nuk i shtohet gjë prej pasurisë së Tij, nëse e falënderon Atë. Nëse e lartëmadhërojnë, ose i përkulen Atij, kjo aspak nuk ia shton fuqinë All-llahut xh.sh. All-llahu është i Përkryer dhe Absolut. Falënderimi kthehet tek vetë ai që e ka falenderuar, me sevapet të cilat ia jep All-llahu atij, kur e shpërblen me të mira. Kështu është edhe me mosbesimin. Atë, mosbesimi njerëzor nuk e dëmton aspak, sepse All-llahu është Absolut dhe i Përkryer.

Sikur të gjitha krijesat e All-llahut t’a mohonin Madhërinë e Tij, Atij nuk i bëhet asnjë dëm në Pushtetin e Tij. Ai është më i pasuri nga të gjitha botërat. Për këtë arsye, All-llahu xh.sh. thotë:

" ومن كفر فان ربي غني كريم"
“ ...e kush mohon, (dijene se) Zoti im është më i pasuri (nuk ka nevojë për asgjë) dhe është bujar.[6]

Kur All-llahu i Lartëmadhëruar e begaton njeriun me mirësira të shumta, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar”. Ndërsa kur e sprovon njeriun me risk, e ai mbetet keq materialisht, thotë: “Zoti im më ka përulur (nënçmuar).” [7]

Këto janë standartet njerëzore rreth të mirës dhe të keqes. Kur dikush fiton dhe i shtohen begatitë, ai mendon se të gjitha këto janë mirësi, dhe konkludon se All-llahu xh.sh. është i kënaqur me të. Ndërkaq, kur ai nuk fiton, mendon se All-llahu është i hidhëruar me të, dhe se Ai nuk është i kënaqur me veprimtarinë e tij.

All-llahu xh.sh. na tregoi se këto mendime janë të gabuara tek njerëzit dhe për të na i përmirësuar ato, na thotë: “Jo”! Pra, ne jemi duke i kuptuar ato gabimisht. Pasuria e madhe dhe mirësitë nuk duhet të konsiderohen se janë pëlqime të All-llahut, e as skamja dhe varfëria nuk duhet të konsiderohen se janë hidhërime të All-llahut, por ne duhet t’a kuptojmë, se të dyja ato, janë sprovë për njerëzit. Ata duhet të jenë dëshmitarë të vetes së tyre, në Ditën e Gjykimit. A pranohet vallë vendimi i All-llahut, vetëm me anë të pajtimit dhe falënderimit, apo pranohet me anë të mosbesimit dhe refuzimit?!

Pastaj, i Lartëmadhëruari, na tregoi shkaqet e largimit të begative prej njeriut, shkaqet të cilat i pakësojnë begatitë ose bëjnë që ato të humbasin krejt prej tyre.

Shkaku i parë: All-llahu xh.sh., në Kur’anin Kerim, na mësoi kështu: “Jo, asesi! Por ju nuk po i respektoni jetimët”. All-llahu xh.sh. e ka paraparë që jetimit t’i jepet haku, e me këtë kuptohet të kujdesurit apo të mbikqyrurit e jetimit. Përbuzja apo nënçmimi i jetimit është njëri prej shkaqeve të largimit të begatisë. Pse? Për shkak se udhëheqësi i shoqërisë duhet t’a mbrojë të dobëtin nga arroganca e të fuqishmëve. Jetimi, është ai, i cili e ka humbur babanë, duke qenë i vogël. Ai, pa atë (babanë), është i thyer, i dobët dhe i shkretë. Njeriu e ka shumë lehtë që t’ia marrë pasurinë atij dhe t’a shpërdorojë atë. Ai e ka të lehtë të bëjë me të çfarë të dojë, sepse ai (jetimi) nuk ka forcë, e as mudësi që t’i kundërpërgjigjet.

All-llahu xh.sh. dëshiron që secili të jetojë i qetë në shoqërinë islame, dhe që t’i rritë fëmijët e tij pa brenga, pa marrë parasysh, a është apo nuk është prezent në shtëpi, apo nëse ka ndërruar jetë. Ai, për këtë arsye, i ka ngritur në shkallën më të lartë ata, që i mbështesin ose kujdesen për jetimët. Madje, edhe sikur t’ia fshish kokën me butësi mallëngjyese jetimit, do të fitosh të mira të shumta, për arsye se ia ke ledhatuar kokën me ngrohtësi. All-llahu xh.sh. ka për të shpërblyer për secilën qime që ia ke ledhatuar.

All-llahu xh.sh. ka paralajmëruar, se shpërblimet më të mëdha, do t’u takojnë atyre që kujdesen për jetimët dhe i përkëdhelin ata. Për përbuzjen e jetimëve, dënimi nuk do të jetë vetëm në ahiret, por dënimi do të jetë edhe në këtë botë. Për këtë arsye, All-llahu i Lartëmadhëruar ua injoron dhe ua zvogëlon pasurinë atyre njerëzve, që i përbuzin jetimët, apo tregohen të ashpër me ta.

Lexo thënien e All-llahut xh.sh. :

" أرءيت الذي يكذب بالدين فذلك الذي يدع اليتيم"
“A e pe atë (njeri), që përgënjeshtroi fenë[8] . Po ai (njeri) dëbon vrazhdë bonjakun (jetimin).” [9]

Një musliman, sjelljet dhe paraqitjet e ashpra ndaj jetimit, nuk mund t’i kapërdijë, pasi një person i tillë klasifikohet prej atyre që e kanë përgënjeshtruar fenë.

Referencat
  1. Kur’an, 29 / 64
  2. Populli ynë thotë e paska parë Zoti !
  3. Kur’an, 89 / 15-20
  4. Kur’an, 21 / 35
  5. Kur’an, 27 / 40
  6. Kur’an, 27 / 40
  7. Pra, populli, gjithashtu, thotë: Zoti se paska parë...
  8. Fjala është për ata persona, që refuzojnë Ditën e Gjykimit, në ahiret
  9. Kur’an, 107 / 1-2

Faqe 12
faqe
- 13 -

Faqe 14