E mira dhe e keqja/12
Imagjinuesi dhe i binduri | ||||
---|---|---|---|---|
| ||||
Të gjithë njerëzit e kërkojnë të mirën, por pak kush prej tyre e di se cila është e mira e vërtetë dhe ku është ajo e mirë. Në të shumtën e rasteve, njerëzit kërkojnë të mirën e kësaj bote, dhe e harrojnë të mirën e botës tjetër. Ky është një vizion shumë shkurtpamës dhe i ngushtë. Sepse ai, i cili e bën këtë, ka blerë një gjë të imagjinuar, kundrejt vlerës shumë të çmuar që ka. Nuk dyshoj se kjo do të ishte një humbje e madhe dhe ofenduese.
Kemi prindër të cilët sakrifikojnë veten për fëmijët e tyre. Këtë e bëjnë, në mënyrë që fëmijët e tyre të kenë një jetë sa më të mirë në këtë botë. Ata, për hir të kësaj ndjenje, investojnë ndoshta të gjithë pasurinë që kanë. Mundohen t’i sigurojnë fëmijës shkollën më të mirë, edhe pse të ardhurat vjetore i kanë të pakta. Ata do të mundohen (duke kursyer dhe privuar vetveten) që në çdo mënyrë t’ia sigurojnë ato të ardhura. Më pas e regjistrojnë në fakultetin më të mirë, edhe pse ajo barrë materiale vazhdon t’u rëndojë përmbi supe. Nëse e pyesim prindin: pse vepron kështu? Do të thotë: për t’a ndërtuar ardhmërinë e tij. Për të pasur një jetë të mirë dhe një ardhmëri të mirë. Nëse i themi: ti po e dëmton veten për një gjë që s’është e sigurtë, sepse ti je duke investuar për diçka që po e supozon. Ti, ndoshta, supozon se fëmija yt do të jetojë gjatë dhe do të bëhet një prej figurave më eminente në botë. Por kush të siguron ty, se kjo do të ndodhë? Kush të siguron ty, se fëmija yt do t’i përballojë të gjitha këto mësime? Por edhe sikur të arrinte t’i kalonte këto mësime, kush të siguron ty, se ky fëmijë nuk do të bierë pre e ndonje femre, apo se nuk do të martohej me ndonjë grua, e cila do t’a shfrytëzonte ndjeshëm? Kush të siguron se nuk do t’a mashtrojë atë shejtani, dhe të kthehet kundër teje dhe të t’a shkatërrojë pasurinë, shëndetin dhe të t’a humbë krejt ardhmërinë? Kush të siguron se nuk do t’i afrohet alkoolit, bixhozit apo drogës, dhe veprave të tjera të shëmtuara, e t’a humbë tërë ardhmërinë, dhe t’a shkatërojë, në këtë mënyrë, të gjithë atë që ti e ngrite me aq mund? Ose së fundi, kush të siguron se nuk është jetëshkurtër? I vjen vdekja dhe gjithë ai mund, që ke bërë, të shkon bosh. Ti po e përgatit për këtë botë. Por, a ke llogaritur për botën tjetër? A ke investuar për ahiretin e tij, gjysmën apo një çerek, të asaj që ke investuar për këtë botë? A e ke mësuar si të falet, ose t’a lexojë Kur’anin? A e mësove se ç’është sadakaja, amaneti, mirësjellja ndaj të varfërve, nevojtarëve dhe jetimëve? Apo, këto gjëra i ke lënë anash dhe nuk je marrë me to? Nuk e ke urdhëruar të falet asnjëherë, dhe më vonë ti pret që ai të falet. Nuk i ke folur asnjëherë për pëlqimin e All-llahut, ndërsa më vonë ti pret nga ai që të jetë i respektueshëm. Pra, as nuk e ke mësuar se si t’a ruajë amanetin, as për sadakanë, e as se si duhet të mbrohet nga mizoria. Të gjitha këto gjëra nuk i ke bërë, edhe pse ke qenë i detyruar që t’ia japësh programin e All-llahut, si mësimin e parë të domosdoshëm. Për ardhmërinë e kësaj bote e mundove veten, investove për fëmijën tënd një investim, për të cilin nuk je i sigurtë, nëse do t’a realizojë, apo nuk do t’a realizojë synimin tënd. Por, pa dyshim, ti, ashtu sikurse edhe fëmija yt, ashtu sikurse edhe të gjitha krijesat e tjera, do të gjykohemi në Ditën e Gjykimit. Padyshim se, të gjithë do të merremi në pyetje, dhe padyshim se do të jemi prej atyre që do të kënaqemi në xhennet, ose prej atyre që do të dënohemi me xhehennem. Ti pra, me sjelljet e tua, i ke vendosur të gjitha forcat e tua në supozimet e tua. Ndërsa ke lënë anash, dhe nuk ke investuar, në gjëra të sigurta, të padyshimta, e që do të ndodhin në momentin kur t’a takojmë All-llahun e Lartëmadhëruar. Sikur të kishe logjikuar dhe të kishe pasur mendje të shëndoshë, ti do të investoje për djalin dhe për mbarë familjen në rrugën bindëse dhe të padyshuar, dhe ky do të ishte një investim i sigurtë. Por, nëse ende mendja jote anon më shumë nga e supozuara, se sa nga ajo e sigurta, kthehu dhe logjiko, ose, të paktën nëse je prej atyre, që gjendesh midis këtyre dy drejtimeve, kthehu përsëri kah e vërteta, e mos u vono. | ||||
|