Jump to content

E mira dhe e keqja/11

Nga Wikibooks

Muhammedi a.s., mëshirë

për besimtarët dhe mosbesimtarët


Faqe 10
faqe
- 11 -

Faqe 12
Qielli ka ndërhyrë gjithmonë tek ata popuj, që e lëshonin rrugën. Me këtë ndërhyrje kuptohet shkatërrimi tyre. Kjo vazhdoi derisa i zbriti mesazhi Muhammedit s.a.v.s. Me ardhjen e tij, u ndërpre ndëshkimi nga qielli, për mosbesimtarët në këtë botë. Kjo ndodhi për dy shkaqe:

Shkaku i parë është se Muhammedi s.a.v.s. është dërguar mëshirë për botërat[1] . Këtu përfshihen si besimtarët, ashtu edhe jobesimtarët. Kjo mëshirë i është dhuruar secilit, që ka lirinë e të shprehurit në këtë botë. Këtyre u është hapur dera e pendimit. Pra, u është hapur të gjithëve, deri në momentin e fundit të jetës së tyre.

All-llahu i Lartëmadhëruar i pranon pendimet e të gjithë robërve të Tij, derisa të vazhdojë jeta në tokë. Kjo mëshirë është e vlefshme deri në atë kohë, kur do të lindë dielli nga perëndimi – pra kur të fillojë kataklizma[2]. Kjo mëshirë, i është dhuruar secilit njeri, për hir të zotërisë së njerëzimit, Muhammedit s.a.v.s.

Ndërsa, shkaku i dytë, është se All-llahu i Lartëmadhëruar ka siguruar se Ummeti i Muhammedit s.a.v.s., do t’i ftojë vazhdimisht pabesimtarët në edukim dhe përudhje. Këtë e vërteton thënia e All-llahut xh.sh. në Kur’anin Kerim, ku Ai thotë:

" كنتم خير أمة أخرجت للناس تأمرون بالمعروف و تنهون عن المنكر و تؤمنون بالله"

“Jeni ummeti[3] më i mirë që jeni nxjerrë për njerëzimin. Besuat All-llahun, urdhëroni në (vepra) të mira dhe ndaloni në (vepra) të këqia...” [4]

Nëse, deri tani, ishim duke shpjeguar të keqen dhe mjerimin në univers, tani duhet domosdo, të trajtojmë kohën tonë bashkëkohore, sepse tani, e keqja dhe mjerimi ndër ne, i ka tejkaluar të gjitha kohërat e mëparshme. Cili është shkaku i këtij mjerimi?

Shkaqet e mjerimit vijnë për shkak të lënies së programit të All-llahut, nga ana e njerëzve, të cilët e zëvendësuan atë me programet e tyre, që ne i quajmë ligje pozitiviste. Mbi bazën e këtyre ligjeve funksionon shumica e shteteve të botës, dhe kështu, u devijuan ligjet që vinin nga programi i All-llahut të Lartësuar, i cili ishte për të mirën njerëzore dhe të universit.

Ky është sekreti i mjerimit dhe i plogështisë që po përjeton bota sot, edhe pse kemi të bëjmë me një qytetërim dhe zhvillim shumë të madh teknologjik dhe shkencor.

Sado e shkathët dhe e aftë qoftë, mendja e njeriut është e cekët dhe e kufizuar. Sado që njerëzit të arrijnë në përparimin e shkencës, atyre ju zbulohen gjëra të reja. Mendja njerëzore nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet që na rrethojnë. Këtë na e vërteton edhe ndryshimi permanent i ligjeve pozitiviste, pasi pa mbaruar ende një vit, ligjet ndërrohen, pasi duhet të zëvendësohen me të tjera “më të mira”.

Ky ndryshim, vjen si rezultat i mungesës së njohurive gjithëpërfshirëse, prandaj njerëzit detyrohen t’i zëvendësojnë ato “ligje”, dhe kështu jeta shkon duke zëvendësuar të zëvendësuarën. Ne jemi dëshmitarë të kësaj tolerance nga ana e All-llahut xh.sh. Kjo, mbase, bëhet vetëm për të qenë dëshmitarë të ndryshimeve të tyre, dhe kjo do të jetë argument dhe vërtetim për mendjelehtët dhe mendjekufizuarit. Me këtë, vërtetohet se ata nuk janë kompetentë të sjellin legjislacion të përshtatshëm për jetën njerëzore.

Njeriu nuk ka kohë të mendojë dhe të studiojë prej ngarkesës dhe dinamikës jetësore që ka, si edhe prej anarkisë së ligjeve që ekzistojnë në botë. E pyes shpesh veten, pse nuk duam ta praktikojmë programin e All-llahut, kur Ai është më i Dituri, dhe Atij nuk i shpëton asgjë pa ditur, qoftë e vogël ose e madhe!? Ai, që e krijoi njeriun, e di më mirë se çfarë i duhet dhe i nevojitet atij. Prodhuesi i një objekti, e di më mirë se të gjithë të tjerët, se ku, dhe si duhet të sigurohet ai objekt. Ne, në jetën tonë njerëzore, nëse duam që t’a riparojmë një mjet, së pari shkojmë tek prodhuesi i atij mjeti, ose tek katalogu të cilën e ka përgatitur vetë prodhuesi. Aty mbështetemi, pasi ajo është regullorja e sigurimit të mjetit, ose shkojmë tek personi që ka marrë mësime praktike nga prodhuesi i mjetit, dhe aty e bëjmë riparimin.

Ne kështu po kundërshtojmë vetveten. Ne nuk duam të shkojmë tek programi i All-llahut (prodhuesi) e t’i ndjekim udhëzimet e Tij, për qenien tonë, ashtu siç ndjekim rregullat kur kemi të bëjmë me mjetet e jetës sonë të përdishme. Në këtë rastin e fundit ne riparimet i bëjmë tek pronari i atij mjeti dhe programin për mbikqyrje e marrim prej tij, ashtu siç ai e ka përshkruar për ne. Pra, ky është shkaku i parë i së keqes dhe mjerimit në botë.

Disa shtete, janë zhgënjyer prej ligjeve pozitiviste, që kanë votuar për veten e tyre. Ata i kanë zëvendësuar ish-amandamentet e tyre prej ligjit të All-llahut, duke e shlyer dënimin me vdekje. Më vonë, filluan të vajtojnë, sepse u penduan për shkak të rritjes së tepërt të krimeve dhe vrasjeve në shoqëritë e tyre. Nuk kishin rrugëdalje tjetër, kështu që u detyruan që të kthehen përsëri tek programi i All-llahut, i Cili e ka caktuar dënimin me vdekje, për ata që e meritojnë.

Kështu është edhe me shkurorëzimin. I Lartëmadhëruari e ka lejuar shkurorëzimin. Ai, në Kur’anin Kerim, thotë:

" الطلاق مرتان فامساك بمعروف او تسريح باحسان"
“(Gruaja) mund të shkurorëzohet[5] dy herë, e (pastaj) ose jetë e njerëzishme (bashkëshortore), ose shkurorëzohuni me mirëkuptim...[6]

Por kisha katolike, solli një ligj që e ndaloi shkurorëzimin, duke thënë se: martesa është e përjetshme dhe nuk duhet të ketë shkurorëzim. Ky është një ligj pozitivist. A zgjati ky ligj? Jo, asesi. Ky ligj solli dëshpërim të madh dhe mundime të tepërta për shkak të problemeve të panumërta familjare, etj. Prandaj, katolikët e detyruan kishën që ta lejojë shkurorëzimin. Ky ndryshim nuk ndodhi për shkak të besimit (imanit) që kishin për fenë islame, por ishte një kthim i detyrueshëm. Jeta nuk mund të parashihet pa këtë ligj. Ka raste, kur jeta bashkëshortore bëhet e padurueshme. Midis çifteve ndodhin probleme dhe i vetmi shërues, për këto çifte, mbetet shkurorëzimi.

Sot kisha katolike e ka lejuar shkurorëzimin, sepse në Romë shkonin mbi 20 mijë ankesa për shkurorëzim, vetëm në një ditë të vetme.

Ndërsa, sa i përket gjidhënies, All-llahu i Lartëmadhëruar thotë:

" والوالدات يرضعن اولادهن حولين كاملين لمن اراد أن يتم الرضاعة "

“Nënat le t’u japin gji fëmijëve të tyre plot dy vjet, për ata që dëshirojnë që gjidhënia të jetë e plotë... [7]

Perëndimorët filluan të propagandojnë se gjidhënia artificiale është më e mirë dhe më e dobishme për foshnjën. Menjëherë pas kësaj propagande, u krijuan fabrika të mëdha të qumështit për fëmijë. Gjithashtu, thonin se qumështit po i shtojnë edhe disa preparate shtesë vitaminash, të cilat e bëjnë foshnjën më të fuqishme se qumështi natyral i nënës!!

Më pas doli se një fëmijë, i cili nuk ushqehet me gjirin e nënës, për dy vjet, mundet të përfitojë sëmundje mendore, të cilat edhe mund ta ç’ekuilibrojnë atë përfundimisht. Krahas kësaj, për mungesë të gjidhënies, fëmijës i shkaktohen disa veti të mosrespektit dhe mosafrimit me prindërit. Për të mos thënë se ai përfiton ndjenja të tilla negative, të cilat edhe e largojnë atë prej tyre përfundimisht. Gjithashtu, është vërtetuar se ata bien shumë më lehtë pre e sëmundjeve psiqike, dhe kështu, e gjejnë shërimin tek drogat dhe pijet e ndryshme, etj. Nga ankesat e shumta që janë marrë, për këtë lloj sëmudjeje, del se shkaktarët kryesorë kanë qenë prindërit e tyre, për mosafrimin prindëror të tyre.

Çuditërisht, ata që dje kërkonin që foshnjet të ushqeheshin me qumësht artificial, tani kërkojnë me çdo kusht, që të kthehet gjidhënia natyrale. Për të realizuar këtë kthim u mbajtën shumë kongrese, të cilat u përpoqën të kthenin bindjen, se foshnja është shumë më e shëndetshme, më normale, më e sigurtë dhe do të ketë një rritje shumë më të natyrshme me gjirin e nënës, se sa me atë artificial.

Shpreh habi që edhe ne, pra bota islame, filloi heshtazi t’a praktikojë ndërrimin e gjidhënies natyrale me atë artificiale, edhe pse ne kemi Kur’anin, programin e All-llahut, i Cili na ka mësuar se gjidhënia është dy vjet, dhe se (kështu) edukimi i fëmijëve tanë do të jetë më i mirë. Ata pasuan në heshtje rrugën e “mirë” dhe ndoqën perëndimorët. Kjo na kushtoi shumë, sepse prej nesh humbën disa gjenerata. Por, është e kotë që ankohemi për disa gjenerata të “humbura”, pasi ne, ende nuk po i thërasim mendjes, dhe të pranojmë, se ne, ndryshuam programin e All-llahut dhe për këtë shkak i humbëm disa gjenerata.

Tani, pas gjithë kësaj, mund të sjellim dhjetëra shembuj, nëse shtrohet arsyeja rreth mjerimit, që solli përvoja pozitiviste, e cila u largua nga programi i All-llahut xh.sh.

Na thuhet se: prerja e dorës së hajdutit është veprim shtazarak. Por ata harrojnë se Islami, me këtë, ka për qëllim që t’a ndalojë krimin dhe të marrë masa preventive ndaj kriminelit. Sikur ta dinte hajduti se në një shtet (vend) i pritet dora për vjedhje, ai nuk do të vidhte, dhe pikërisht kjo edhe synohet (prej ligjit islam). Por kur hajduti e di se, nëse vjedh, nuk i pritet dora, atëherë hajdutët shtohen, lindin klane kriminelësh të shumtë, sa që e gjithë bota do të pushtohet prej tyre. Tani, veç sa nuk jemi në atë situatë që ta kufizojmë veten për të mos dalë në rrugë, për shkak se siguria është zero, sepse çdo ditë po vriten, me qindra njerëz në botë, duke mos llogaritur të lënduarit.

Sikur t’a praktikonim programin e All-llahut, dhe t’ia pritnim dorën hajdutit, do të zvogëlohej numri i hajdutëve në botë, të mos themi se do të zhdukej fare. Por ne, me ligjet tona njerëzore, po ia shtojmë vetes akoma mjerim, dhe po e ndihmojmë ose po e ngrejmë nivelin e të keqes në botë, pa përfituar asgjë. Përkundrazi, nëse vazhdojmë kështu, e keqja do të shtohet edhe më shumë, për arsye se jemi duke u larguar prej programit të All-llahu xh.sh. Ai me dijen e Tij të pakufizuar, të Cilit nuk mund t’i shpëtojë asgjë pa ditur, dhe duke qenë se është Krijuesi i qenies njerëzore, është i Vetmi ligjdhënës, sepse ne (njerëzimi), nuk do të mund të gjejmë ligj më të mirë kurrën e kurrës. Programi i Tij, bën që jeta jonë të jetë stabile, e qëndrueshme dhe e drejtë.

E tërë bota sillet rreth një qarku. Atë e ka kapluar e keqja dhe mjerimi dhe ajo nuk po e merr vetveten dhe nuk po gjen drejtimin e duhur për t’i zgjidhur problemet që ka. Pa dyshim se ajo do t’a gjente rrugën, sikur t’i kthehej ligjit të All-llahut xh.sh., qoftë për shkak të imanit, qoftë për shkak të të qenit e detyruar.

Dhe në fund të këtij kapitulli, mendoj se duhet të paraqes dy pika shumë të rëndësishme:

Pika e parë, ka të bëjë me atë që flasin njerëzit, se drejtësia dhe mirësia nuk është e shpërndarë (në mënyrë të njëjtë) në tokë. Disa popuj kanë bollëk dhe tepricë, ndërsa disa popuj të tjerë janë në mjerim, sepse nuk ju mjafton ushqimi për të jetuar.

Pika e dytë, ka të bëjë me ata njerëz, të cilët e shohin të mirën vetëm në pasuri. Atë që All-llahu e ka begatuar me pasuri, mendojnë se ai gëzon kënaqësinë e All-llahut, ndërsa atë që All-llahu nuk e ka begatuar me pasuri, mendojnë se All-llahu është i hidhëruar me të dhe nuk ia pranon lutjet atij.

Këto mendime janë të gabuara. All-llahu xh.sh. ka sjellë në këtë botë furnizim, që do të ishte i mjaftueshëm për të gjitha krijesat, deri në Ditën e Gjykimit. All-llahu xh.sh. i sprovon njerëzit me pasuri. Ndodh që mospasja e pasurisë të jetë hakmarrëse, apo që ajo mos t’a ketë pëlqimin e All-llahut xh.sh. Gjithashtu, ndodh që ajo të bëhet shkaktare për mosbesimin e atij personi (qoftë larg nesh). Njeriu sprovohet në forma të ndryshme.

Kemi prej tyre që mendojnë se janë bosat e botës dhe nuk kanë nevojë për asgjë. Për këtë arsye edhe nuk i luten Zotit. Ata e përfundojnë këtë jetë pa bërë asnjë të mirë të vetme, që do të mund t’u shërbente në ahiret.

Referencat
  1. Muhammedi s.a.v.s. është i dërguar për mbarë njerëzimin, si edhe për xhin-ët, (shënim i përkthyesit)
  2. Kataklizma – përmbytje e madhe dhe e papritur – fjalori i gjuhës së sotme shqipe
  3. Ummeti, bashkësia ose komuniteti
  4. Kur’an, 3 / 110
  5. Divorci mund të bëhet dy herë me të drejtë kthimi (nëse të tretën herë, ndodh që gruaja të divorcohet, asaj nuk i lejohet më t’i kthehet atij burri. Do t’i lejohej përsëri martesa me të njejtin burrë, vetëm atëherë nëse ajo do të martohet me dikë tjetër, pastaj nëse shkurorëzohet edhe prej burrit të dytë, asaj i lejohet t’i kthehet burrit të parë (shënim i përkthyesit)
  6. Kur’an, 2 / 229
  7. Kur’an, 2 / 233 – sipas Hijes së Kur’anit, të Dr. Feti Mehdiut

Faqe 10
faqe
- 11 -

Faqe 12