Shit-Blerja sipas ligjit në Suedi/2
Appearance
Garancia Një garanci do të thotë se shitësi ka përgjegjësi që malli të mbahet ose të funksionojë për një kohë të caktuar. Për çdo blerje vlen garancia 6-mujore sipas Ligjit të konsumatorëve për blerje. Vullnetarisht shitësi mund të ju japë një garanci për një afat më të gjatë. Nëqoftëse malli gjatë kohës së garancisë keqsohet në një mënyrë që përfshihet në garancinë, ai konsiderohet si me defekt. Atëherë ju mund të mbroni të drejtat tuaja që vlejnë sipas garancisë. Nëse shitësi do ti shmanget përgjegjësisë për garancinë, ai duhet të pohojë se keqësimi është • nga një fatkeqësi pas shitjes së mallit, • nga moskujdesi, • nga përdorimi jo-normal, • nga mospërfillja ndaj udhëzimeve të mirëmbajtjes dhe riparimit. Rregullat e garancisë vlejnë edhe kur ndonjë person tjetër se shitësi ka lëshuar garancinë në llogari të tij. Sipas Ligjit të konsumatorëve për blerje (konsumentköplagen) ju mund të reklamoni defektet e një malli deri në dy vite pas blerjes. Nëse ju keni një garanci me afat më të shkurtër nuk do të thotë se afati i reklamimit shkurtohet. Dallimi është i tillë: gjatë afatit të garancisë nuk nevojitet të vërtetoni se defekti ekzistoi qysh në datën e furnizimit, ndërsa kjo duhet vërtetuar pas mbarimit të afatit të garancisë (ose së paku të bëhet e pranueshme). Të ruani dëftesën e pagesës (kuiton) nuk është e domosdoshme, në rast se ju mund të vërtetoni në ndonjë mënyrë tjetër se ju keni blerë mallin në shitoren përkatëse në një rast të caktuar. Mirëpo, duke qenë se ju duhet të vërtetoni këtë, më lehtë është të ruani dëftesën e pagesës. Sigurimet plotësuese Kur ju bleni mallra, bie fjala televizor, video ose kompjuter, ndodh shpeshherë që shitësi ju propozon të firmosni një sigurim plotësues. Kjo motivohet shpesh me pohimin se këto mallra janë shumë të shtrenjta për të riparuar nëqoftëse ato prishen. Sipas Ligjit të konsumatorëve për blerje ju keni një afat prej dy vitësh për ankesë, nëse një mall është prishur. Atëherë malli do të riparohet falas, në rast se ju mund të bëni të besueshme se ai u prish për arsye të një defekti që ekzistoi qysh kur u ble malli. Shpesh malli shitet me garanci për një vit ose dy vite. Kur ka garanci ju nuk keni nevojë të provoni se defekti ka ekzistuar që nga fillimi, dhe shitësi duhet të riparojë mallin pavarësisht nga koha e prishjes. Mirëpo, nëse ju vetë keni shkaktuar një defekt, ju nuk mund të kërkoni asesi një riparim në mbështetje të garancisë. Garancia e zgjatur Sigurimi plotësues që ndoshta ju ofrohet për të firmosur mund të kuptojë një zgjatje të garancisë. Atëherë ju keni një mbrojtje në përputhje me garancinë për një aftat më të gjatë por akoma pa kompensim në rast se ju keni shkaktuar diçka vetë.
< 1 |
faqe - 2 - |
3 > |