Jump to content

Romani i Radios/2

Nga Wikibooks

KAPTINA II


Faqe 1
faqe
- 2 -

Faqe 3
Silvi doli nga zyra e avokatit gati pa frymë.

Avokati i kish thënë një rrebesh fjalësh që nuk kishin lidhje me kallzuesin.

Avokati ishte përpjekur t’i shpjegonte nja 5 koncepte filozofike, por ndërkohë po përpiqej edhe të depërtonte me mendim këmishën e saj të bardhë transparente, dhe fundin e saj të ngushtë që i nxirrte në pah të gjitha format.

Silvit, e detyruar të bënte rolin e asistentes së zellshme që shkollohet për Magjistraturë, konceptet e avokatit i ngatërroheshin, i rrëshqisnin anash pa ja prekur trurin, ajo nuk përqendrohej dot, vështrimi i mbeste te koka e tij e shtypur, thuajse tullace, me ca qime të rralla. Sa më shumë përpiqej ajo tu shmangej atyre qimeve, aq më shumë syri i shkonte atje. Të dëgjosh një avokat që të flet për instinktin mëmësor të një gruaje, është kulmi i durimit për Silvin.

Por njeriu paguan për shkollimin e vet. Dhe Silvi është vajzë e mbarë. E di që duhet paguar. Pas dy orësh, avokati kishte marrë një telefonatë nga Zvicra. Me një shenjë e përzuri Silvin nga zyra duke ia lënë ditën të lirë.

Duke dalë në rrugë, e mbështjellë me pallton treçerekëshe, e ngrohtë si këmba në çorape leshi, Silvi i la brenda zyrës filozofitë e avokatit.

E gjitha çfarë nxori si konkluzion ishte se avokati me siguri ka probleme impotence e nuk i bën punë as viagra.

Silvi ecën në rrugë, fundi dhe këmisha të fshehura nën pallton dimërore. Hiret e saj nuk duken, por nuk është e vështirë të kuptosh se janë atje. Është shkurt, po nuk është ftohtë. Ndoshta ajo mund të zbërthejë pak kopsat e palltos. Le ti shohin që janë atje.

Një hamall tenton ta shohë në kokërr të syrit. Silvi ka vënë syzet e zeza. Afshi i hamallit që i del nga të gjitha poret e bën të ndjehet mirë. Sikur të guxonte të fliste një fjalë, ajo mund tia vishte me çantë kokës. Dhe atij katundari do i vinte dhe mirë.

Ju kujtua prapë avokati.

Tulla e tij që dukej sikur i fliste. Ka diçka seksi te ai. Vetëm të mos e tepronte me budallallëqet filozofike. Dhe as me Viagrën. Do e zërë ndonjë infarkt të shkretin. Një ditë bosh. Një ditë pa punë. Vetëm diçka mund ta mbushte Silvin, pak shopping. Ose shumë “pak” shopping.

Ajo u fut në një butik, në të parin që i zuri syri.

Butiku ishte bosh. Qenka dyqan të brendshmesh. Femrash.

Në rafte rrinin të palosura, rrobat intime, arsenali i një femre.

Shteti të rras brenda për tregëti armësh, kurse shitësit e të brendshmeve qarkullojnë të lirë. Avokati do kishte filozofuar që brekët vrasin më shumë se kallashët. Edhe ’97 prandaj ndodhi, se u hapën depot e armëve. Nuk gjetën depo të brendshmesh.

Shitësja fliste në telefon me të dashurin. Ajo as ia hodhi sytë Silvit, kështu që Silvi lëvizi e qetë përmes rreshtave me rroba. Cila femër mund të blejë mbathje me shenjën e horoskopit? Peshqit? Apo Virgjëreshat?

Avokati tullac.

Ai mund të ketë gusto të tillë për dhurata.

“Të kam thënë 100 herë, o unë o ajo” vjen zëri i shitëses që ka arritur në pjesën e bisedës kur atij i duhet ngritur zëri. Shitësja duket se po argëtohet. Zërin e ka inatosur, ndërsa në fytyrë i lodron një buzëqeshje. Tjetri matanë justifikohet mbytur.

Silvi po kërkon me sy një palë të brendshme për darkën me avokatin. Mund të mos hyjnë në punë. Mund të mos vijë nevoja për tu parë. Mund të mos bien fare në sy, ose të hiqen aq shpejt sa Avokati mos u shohë dot as ngjyrën. Por duhet të jenë atje. Gati për luftë.

Në fakt, as mund të quhet luftë. Meshkujt hyjnë në luftë të mundur.

“As më duhet fare që ajo të ka dhënë gji 9 muaj! Unë do të të jap gji gjitë jetën!” shitësja e ka marrë lojën seriozisht, tani po nxehet me gjithë mend. Fakiri matanë është në pikë të hallit. Ndjehet nga zhurma e mbytur që bën zëri i tij plot justifikime nga ana tjetër. I duhet të zgjedhë mes së ëmës e kësaj shtrigës simpatike.

Silvi zgjedh një palë të zeza. I pëlqen sesi i rrinë vajzës në foton e pakos. Gjithë ai mund për t’i reklamuar, për t’i zgjedhur, për t’i blerë, për t’i veshur për raste të veçanta.

Dhe ata e kanë mendjen vetëm të ti heqin sa më parë e jo ti shohin.

Silvi pret me durim te banaku që shitësja të bëjë 2 minuta armëpushim, sa për të marrë lekët e kthyer kusurin. Nuk e thërret, se nuk do donte tia prishte strategjinë e luftës shtrigës. Me brekët në dorë, sheh banakun e thjeshtë, xham i prerë keq, xhingla-mingla poshtë xhamit, kush i blen këto?, me siguri adoleshentet, televizori i vogël i lënë në kanalin e lajmeve, një folsë flet plot pasion para burgut, një foto e madhe e një modeleje vetëm me të brendshme, shumë e bukur dreqka, kjo ka lozur diku në një film, Silvit nuk i kujtohet, në TV shumë policë, duket sikur janë te burgu, dipka paska ndodhur, një revistë që shitësja e ka lënë përmbys mbi karrike, shko në të satëme bërtet shitësja te telefoni dhe Silvit i bie pako nga dora. Kujdes goce, i thotë shitësja. Silvi ka ngrirë. Jo për faktin që një mashkull ordiner pranoin nga dfashnorja t’i thotë vafsh në të satëme, por në TV ka parë fytyrën e së motrës. E motra dhe një këngëtare në foto. Të marra peng.

Silvi paketon shpejt të brendshmet, gati harron të marrë dhe kusurin, tashmë lajmin e marrjes peng të Sofisë e kanë dhënë të plotë në TV, dhe mendon: Çfarë dite tersi!! Po Sofia si do jetë? Nxjerr telefonin, duhet të marrë dikë, të pyesë, të kërkojë sqarime ose ndihmë, mendon të marrë Bimin se mos di ndonjë gjë më shumë. Ndërsa zilja po bie asaj i erdhi një ide perverse, Sofia dhe 10 burgaxhinj që presin radhën.

Pas shumë zilesh, Bimi e hap telefonin. Të marr më vonë i thotë Bimi shkurt. Dhe e mbyll duke e lënë Silvin më të tronditur se kurrë. Në mes të rrugës. Me një palë të brendshme të zeza, fringo të reja në çantë.


***

Profesor Sandri përzuri studentët, trokiti te financa, askush s’u përgjigj, pastaj i ra derës së dekanit, por dhe aty askush. Nga brenda dëgjoheshin fëshfërima, dhe meqë ishte shkurt, nuk mund të ishte era e vjeshtës që frynte perdet e mëndafshta. Aq më tepër që në këtë fakultet mëndafshin s’e kanë njohur kurrë e as kanë për ta njohur, edhe sikur të na pushtojë Kina. Meqë askush s’qenka në fakultet, s’jam as unë, mendoi Sandri dhe doli jashtë.

Në oborr, i ra zilja dhe bashkë me zilen gati i ranë dhe pantallonat. Ishte Silvi. Silvi, me flokët, lëkurën dhe trutë prej mëndafshi.

Por nuk po merrte për të. Nga emocionet, nuk mundi të kuptonte ç’po thoshte silvi nga ana tjetër e botës. Po i fliste për Sofinë.

Sofia peng? Në burg? Sandri, njeri që kishte shkruar 2 libra mbi “neverinë dhe simpatinë te primatët”, mund të besonte çdo gjë, por jo këtë.

Humanity, goodbye! Tha me vete, dhe u nis drejt burgut.

***

Maringleni nuk kishte dalë akoma nga zyra e gjendjes civile kur dëgjoi të thërrisnin nga mbrapa “Xhimi! Xhimi!”

Ju desh kohë për të kuptuar që po e thërrisnin atë.

Gruaja si tullumbace me shumë vrima të lidhura nyje i la letrën në dorë. “Zoti Xhimi, harruat faturën. Emri juaj i ri hyn në fuqi në momentin që arkëtohen paratë.” Gruaja me siguri nuk vuante nga mungesa e humorit. Mbase pak nga teroidet.

“Faleminderit”, Maringleni e futi faturën në xhep.

Pa dalë nga shkallët e gjendjes civile, ra telefoni.

“Alo, Xhimi jam”. Maringleni po mësohej ngadalë me tingëllimi e emrit të ri, dhe po i pëlqente. Ju duk emër seksi.

“Vrap te Burgu. Ka revoltë. Kanë kapur disa vetë peng. Mes tyre dhe një këngëtare”. Kryeredaktori e injoroi prezantimion e tij me emrin e ri. Por, do mësohet. Kur mësoi gjithë bota të thërrasë një Muhamet Ali, do mësohen edhe me një Xhimi.

Më në fund një ngjarje përsëmbari.

***

“Thuhet që revolta në burg ka plasur për shkak të një kënge. Këngëtarja e mirënjohur e muzikës turbofolk, fituesja e çmimit të parë në Festivalin Mbarëkombëtar Këngët e Trumcakut”, Mugades, ka ndezur shpirtin e të burgosurve, dhe jo vetëm, me këngën “Ma Fute Zemrën në Burg”. Sinjalin e revoltës e ka dhënë refreni ritmik dhe rrënqethës:

Mallkuar ti këpucë

që ma lage këmbën... sa here qe ra shi

Mallkuar ti këmbë

që më çove të ngrohem në tjetër shtëpi...


Pas refrenit, të burgosurit me mjete rrethanore si, pirunj, frisbi, krëhëra flokësh, krëhëra bosh fishekësh, antena parabolike, koka dyshe etj, kanë mundur që për pak minuta të marrin peng drejtorin e burgut, këngëtaren, disa gardianë dhe një punonjëse”.

Xhimi e firmosi dhe e nisi shpejt artikullin për Agjensinë nga një Internet Caffe afër burgut, dhe u kthye përsëri te porta. Policët që kishin rrethuar Burgun nuk kishin asgjë të re.

Ata ishin të shqetësuar.


Faqe 1
faqe
- 2 -

Faqe 3