Jump to content

Romani i Radios/1

Nga Wikibooks

KAPTINA I


Hyrje
faqe
- 1 -

Faqe 2
Luli doli atë mëngjes nga shtëpia, pa e ditur që do humbiste çelësin, mbylli derën dhe u nis. Atë ditë binte shi. Luli nuk ja mban të dali nga shkallët e pallatit. Kur ç’të shikonte? Këpucët i fusnin ujë... ishte i shqetësuar. Luli mendoi se kjo mund të ishte një ditë si gjithë të tjerat, e zbehtë dhe pa ngjyrë. Por, dita do merrte shumë shpejt ngjyrë. Të zezë. Te këmbët e Lulit kalon një mace e zezë. Ishte Kiti, macja e Emanuelës. Luli di shumë pak gjëra për Emanuelën. Është brune, me kaçurrela, sy jeshilë, është seksi, e martuar prej vitesh me Rrahimin, për të cilin e ëma i ka treguar Lulit që shpesh e zhdëp në dru Emanuelën. Emanuela mund të mos jetë femra më e bukur në botë, por ajo është gruaja më e bukur e pallatit, dhe bota e Lulit nuk është edhe aq më e madhe se pallati. Atij dhe ecja e saj e çalë i duket shumë seksi. Kiti zhduket pas derës së apartamentit të vet që hapet shumë pak, sa për të hyrë një mace e sa për të nxjerrë një sy. Mbase derën maces ja hapi Emanuela.. Si mundet të godasësh një topalle aq të ëmbël si Emanuela? Shiu duket sikur vazhdon të bjerë për inat të Lulit. Por vetëm më vonë, Luli do të kuptonte që fati po i jepte një dorë. Fati po i sillte Rrahimin. Ndërsa Luli rrinte te shkallët dhe mendon për Emanuelën dhe celularin që e kishte harruar brenda në shtëpi, te shkallët e pallatit duket Rahimi.

“Mirëmëngjes”, zëri i Rrahimit është i ngjirur, si zëri i Joe Cocker-it në fund të një koncerti. Luli do të donte shumë të mos e kishte parë, por kur dëgjoi zërin e Rrahimit, ashtu i përhumbur sip ishte në mendimet e veta për macen e zezë, për Emanuelën, për jetën e vet gri, nga goja i doli një “Mirëmëngjes” i vakët. Por sytë e Rrahimit shndrisnin, dukej sikur në to digjej një sekret i madh. “Ke pak kohë”, pyeti Rrahimi. Koha është ajo që Luli i trembet më shumë se çdo gjëje tjetër. Por Rrahimi në sytë e tij përfaqëson Emanuelën. Dhe Luli Emanuelës nuk i thotë dot jo. “Kam pak kohë”, i thotë ai Rrahimit. Rahimi, e kap nga krahu, e afron te vetja, dhe në frymën e tij që mban erë hudhrash i pëshpërit në vesh. “Më duhen para.., Besa fiton sot.., e di me siguri, do të ti kthej nesër, sa të ndahen fitimet” “Do vësh bast?” “Shshhhht” pëshpërit Rrahimi me zë të ulët, duke parë me ankth sipër. “Mund të na dëgjojë ajo!” Sa dëgjoi të flitej për “atë” një rrënqethje ia përshkoi trupin Lulit. Në atë çast dera haper me gërvimë, por jo për të dalë që andej Kiti, macja e zezë. Në hyrje të shkallëve shfaqet Emanuela, më e bukur se shumë herë të tjera, me një këmishë nate. Rrahimit i ikën truri dhe pa patur Luli kohë as të marrë frymë, i shoqi e godet gruan me celular kokës. Lulit i bie të fikët. Në çastet e kllapisë Luli sheh një ëndërr me metrazh të shkurtër sikur Emanuela i vinte përballë e veshur me të kuqe, me një karafil të bardhë në dorë... pastaj karafilin e mbante në gojë.. Luli ngrihet ta përqafojë... karafili në gojën e Emanuelës mban era hudhër... Luli hap sytë dhe sheh sipër fytyrës së vet fytyrën e Rrahimit. Rrahimi, pak i shqetësuar, e ndihmon të ngrihet dhe e fut në shtëpinë e tij ndërsa Emanuela futet në kuzhinë për t’i përgatitur një çaj... Në atë shtëpi çaji nuk ishte përdorur prej kohësh.


***

Mugadesi ngrihet me përtesë nga krevati, dhe duke rregulluar këmishën sipër gjoksit i drejtohet banjës. Gjoksi i saj ka kohë që është bërë objekt diskutimesh të gjata në televizionet kombëtare, në studiot më të njohura televizive e deri edhe në parlamentin shqiptar, ku disa parlamentarë e kanë cituar si shenjë prosperiteti e zhvillimi. Është 14 shkurti. Ditë e ftohtë. Mugadesi sheh përtej dritares shiun që bie, të njëjtin shi që ka mbyërthyer nga ana tjetër e qytetit Lulin, dhe mendon me përtesë për koncertin që do të japë në burg. Ajo, Mugadesi, këngëtarja më e famshme turbofolk në vend, në një koncert në burg! Në burg! Atë e ka bindur ta japë koncertin manaxheri i saj, pasi shitjet kanë rënë shumë. Mugadesi nuk do ta pranojë logjikën e manaxherit që njerëzit janë varfëruar shumë këto kohë, dhe s’kanë para për të blerë biletat e koncerteve të saj. Ajo mendon që njerëzit nuk e duan më muzikën. Ndoshta as gjoksin e saj. Por dyshimin e saj e përmbysi një telefonatë e Kryetarit të Bashkisë, ideatorit të koncertit. “Mugades, kemi nevojë për ty në burg”. Mugadesi, ka një debulesë për Kryetarin e Bashkisë. Dhe Kryetari, ka një debulesë për turbo-folkun. Edhe për burgjet. Në fund të fundit, tek evenimenti do të shkruhet “me mbështetjen e shkëlqesisë së tij, Kryetarit të Bashkisë...” Kështu që sot atë e pret një koncert në burg, ku spektatorëve biletën ua paguan shteti. Mugadesi vendos të bëjë një dush. Te dera e banjos, aty ku ajo ka vendosur koshin e kashtës me letrat e fansave, Mugadesi ndalon për një moment me nostalgji. Ajo s’ka marrë letra prej dy javësh, dhe kjo e bën të ndjehet e mjerë. Mugadesi rrotullon dorezën e dushit, dhe shiu fillon të bjerë brenda në banjo. Befas ajo ndjen një shtrengim në gjoks. Për një çast pati frikë se mos ishte shtatzanë. Por kjo ndodhi vetëm për një çast. Në momentin që Mugadesi futet në dush një shtrëngim i dytë i kraharorit edhe më i fortë se i pari, dhe errësirë totale. Mugadesi mendoi se mos vdiq. Por pastaj u qetësua, kishin ikur dritat. Ajo zgjati dorën në errësirë të kapte sapllaken e të hidhte ujë të ftohtë nga kova. Por, shtrëngimi në gjoks iu rikthye, dhe ajo mendoi se mund të ishte një shenjë. Iu desh pak kohë që të bëhej gati. U mendua gjatë se çfarë do të vishte për koncert. Pastaj zgjodhi bluzën e saj të preferuar, atë ku shkruhej një 100%! në pjesën e përparme. Çunave të burgut do t’u pëlqejë.

***

Policit te dera e burgut i rrëshqet pak dora gjatë kontrollit trupor. Polici zgjat duart ta kontrollojë, por ajo bërtet me zë të lartë. “Dua të më kontrollojë një femër”. Mugadesi merr në tel Kryetarin, por telefoni i tij është i padisponueshëm. Personi është jashtë zonës së mbulimit. Do të jetë i zhveshur diku, mendoi. I pambuluar. Pastaj, mori në telefon një deputet të Çorovodës. Atij ju deshën shumë fjalë për të kuptuar se Mugadesi nuk e kishte marrë për qejf, por për hall. Deputeti flet gjatë me policin në telefon. Ajo çfarë Mugadesi dëgjon në fund të bisedës është fraza “mos e prek se do ta kontrolloj vetë!”

Mugadesi hodhi hapin e parë brenda në burg... Në burg vjen një erë e çuditëshme, a mos ishte era e ngrohtë e thellësive...? asaj nuk i kujtohet ku e ka dëgjuar këtë erën e ngrohtë të thellësive, por ajo sa vjen e bëhet më shpuese. Tej, është podiumi ku do të këndohet. Te gardhi, të burgosurit. Ardhja e Mugadesit i gjallëroi shpirtrat e trupat e tyre të shtrembër, dhe zërat u ngritën në qiell. Mukadezi nuk e priste që të kishte aq shume fansa në burg, djemtë të parruar dhe burra vetulltrashë e shikonin dhe dukej sikur po e hanin me sy.

Mugadesi filloi të ndjente adhurim për çunat e burgut. Ata po përpiqeshin të bënin për të atë që meshkujt e tjerë përtonin ta bënin, të nxirrnin më të mirën e tyre para saj. Kishin veshur bluza të ngushta, pa mëngë, madje njëri kish dalë në kanatiere pa pyetur për të ftohtët e shkurtit. Vetëm për t’i pëlqyer asaj. Mugadesi u buzëqeshi. Të burgosurit shpërthyen në të qeshura, buzëqeshje. Nja dy e puthën me dorë. Të rreshtuar te gardhi pranë podit.

Mes tyre ishte dhe Irfani, një burrë që thuhej kishte vrarë mbi 40 gra. Tani, Irfani ishte qetësuar në burg, madje e kishin caktuar të mirëmbante lehet e luleve të oborrit të burgut. Irfani rriste lule, dhe u vinte emrin “mos më prek”. Mugadesi u ngjit në podium dhe e pushtoi turmën e të burgosurve me sy kur ndjesia që kishte patur gjithë ditën.... Ajo e pa Irfanin, dhe Irfani e pa atë. Në krah të Irfanit po e zhbironin sytë e metaltë të Kaçanikut që në burg e njihnin të gjithë me pseudonimin Inoksi, një nga më të fortët e burgut, i dënuar përjetë sepse kishte vrarë me brisk rroje dashnorin e gruas. Astra. Brisk Astra. Tani Kaçaniku e kalon pjesën më të madhe të kohës duke qëruar patate në burg. Një i burgosur intelektual, Klevisi, hajdut aristokrat bankash e quan thjesht “i burgosuri me brisk”. Të burgosurin me brisk vjen dhe e takon përherë një grua misterioze. Ngjitur me Klevisin, është dhe Latifi, i vetmi i burgosur që nuk do të dalë nga burgu. Pas 15 vjetësh është ambientuar mirë, i duket si shtëpia e vet. Ndoshta dhe më mirë se shtëpia e vet. Qelinë e vet e ka mobiluar si apartament luksoz. Etazheri i tij është me nam në të gjtihë burgun.

Ndërsa hidhte sytë te rreshti i të burgosurve, Mugadesit i ngriu buza, gjunjët filluan ti dridhen. Mes të burgosurve pa Atë!

Pa Atë, që kishte shumë kohë pa e parë, që kur ajo ishte larguar në një natë me shi nga banesa e tij. Gjoksi sa nuk i shpërtheu... kësaj here nga dhimbja.

Ai nuk kishte ndryshuar edhe aq, perveçse ishte shëndoshur paksa dhe i ishin shtuar rrudhat në pjesën rreth syve, të cilët si pasojë ishin bëre edhe më të egër. Flokët kaçurrelë të qethur shkurt dukeshin akoma të palarë si në ato ditë, 10 vjet më parë kur ajo ishte 14 vjeç ndërsa ai 6 vjet më i madh. Në fytyrën e kuqe gjatore, akoma binin në sy nofullat e dala dhe goja e shtrembër si e Stalones, si dhe sytë e mëdhenj gështenjë, ata sy që i kishin fiksuar gjoksin e saj për herë të parë në një mënyrë të çuditëshme dhe të egër, dhe që asaj i kishte pëlqyer fort. Mugadesi e kishte harruar atë ndjesi të papërsëritshme që i kishte shkaktuar shikimi si gozhdë i tij, i pari shikim që e kishte bërë atë të ndihej grua. Jo se meshkujt nuk e shikonin më atë dhe sidomos gjoksin e saj, po siç duket ngaqë shikime të tilla i ishin bërë të zakonshme dhe s’i bënin më përshtypje. Por ja tani pas 10 vjetësh, e përballur përsëri me atë shikim ajo po ndihej përsëri një femer me hire megjithëse gjatë kësaj kohe kishte patur shumë "dashuriçka", aq shumë sa gishtat e saj (të dorës dhe të këmbës) nuk i majftonin më për t`i numëruar. Ndërkohë, ashtu e shtangur në skenën e improvizuar të burgut, Mugadesit i erdhën ndermend të gjithë meshkujt me të cilët kishte patur ndonjë dashuriçkë gjatë këtyre viteve, a thua se po i jepte llogari atij për kohën që s’e kishte parë...

***

Pikat e baltës kërcyen nga rrota e autobuzit mbi çantën prej kastori. Sofia, shau shoferin e autobuzit, të gjithë burrat në autobuz, dhe të gjithë burrat në përgjithësi. Pse nuk janë të gjithë burrat si kastori? Me syçka kuriozë, të veckël, nuk flasin, dhe me një lëkurë aq të butë... Sofia shtrëngoi çantën me dashuri. Pastaj, shau një burrë në veçanti. Bimin. Shoferin që si gjithmonë ishte me vonesë. Vendosi të ecte pak në këmbë për të shpëtuar nga piklat e baltës që hidhnin autobuzët dhe meshkujt, dhe u nis përgjatë rrugës së Dibrës. E dobët, e pamartuar, me gjurmët e 4 dekadave që nuk fshihen dot me pudër, madje, duken si 10 dekada në pritje të një arkeologu që do t’u shkundë pluhurin, dmth, pudrën, për të gjetur poshtë atë, Sofinë, një grua që asnjë mashkull nuk ka ditur, në këto 40 dekada, nuk ka ditur ose nuk ka dashur ta bëjë të ndjehet e bukur brenda dhe jashtë. Asnjë mashkull që ti thyente pasqyrat në shtëpinë e saj, të derdhte enët me ujë, të lyente xhamat me shkumë rroje, të zhdukte çdo objekt që mund të tenton te të pasqyronte e t’i thoshte diçka të tipit, shihu vetëm në sytë e mi, ti je e bukur. Si në telenovelë. Duke nxituar me takat që kërcasin, Sofia kalon Selvinë e vjetër, dyqanin e këpucëve, dyqanin e bukës, të gjtiha dyqanet, pa kthyer kokën nga vitrinat ku pasqyrimi i saj vrapon drejt burgut. Sepse, ajo ka një takim me drejtorin e burgut. Një burg, që vrapon drejt burgut. Aty ku rruga e Dibrës derdhet në bulevard, ajo sheh nga larg Profesor Sandrin që i tund dosjen e tij të madhe. Burgu mund të presë. Edhe drejtori. Profesor sandri është një mashkull tërheqës. Dhe Sofia, nuk mund ta neglizhojë profesor Sandrin. Madje, do donte ta dënonte me burgim të përjetshëm në burgun e saj prej kohësh bosh.

***

Me shijen e çajit të nxehtë në buzë, Luli vendosi të mos merrte autobuzin. Shiu kishte pushuar. Buza i ishte rrjepur, po Luli s’e ndjen. Mendja e tij është akoma e ulur në minderin e shtëpisë së Emanuelës.



Hyrje
faqe
- 1 -

Faqe 2