Jump to content

Rijadu Salihin I/6

Nga Wikibooks

Pjesë nga Rijadu Salihin I nga Imam Neveviu


Faqe 5
faqe
- 6 -

Faqe 7
Nr. Hadithi
251. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. që ka thënë: “I Dër­guari i All-llahut s.a.v.s. e lexoi: “Atë ditë ajo (Toka) i tregon la­jmet e veta”. (ez-Zilzal,4), pastaj tha: “A e dini cilat janë lajmet e saj?” Thanë: “All-llahu dhe i Dër­guari i Tij e dinë më së miri”. Tha: “Lajmet e saj janë që të dëshmojë për secilin rob apo robëreshë se ç'kanë punuar në sipërfaqen e saj dhe do t'i thotë: 'Ke punuar këtë dhe këtë (filan punën), në filan ditën!' Ja, pra, këto janë lajmet e saj”. (Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih)
252. Trans­me­tohet nga Aisheja r.a. se ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “Në Ditën e Gjykimit njerëzit do të ringjallen të zbathur, të zhveshur dhe të pabërë sunnet”. Unë i thashë: “O i Dërguari i All-llahut, a meshkujt dhe femrat bashkë, të shikojnë në njëri-tjetrin?“ Tha: “Oj Aishe, gjendja do të jetë shumë më e vështirë se sa t'i preokupojë një gjë e tillë”. Sipas një transmetimi tjetër: “Çështja do të jetë më e rëndësishme se sa të shikojnë njëri-tjetrin”. (Mutte­fekun alejhi)

All-llahu i Madhëruar thotë:

“Thuaj: “O njerëzit e mi që keni bërë gabim ndaj ve­tes, mos e këputni shpresën te mëshira e All-llahut! All-llahu, me siguri do t'ua falë të gjitha mëkatet; Ai, njëmend, fal shumë dhe është i mëshirshëm”. (ez-Zumer, 53)

“...A dënojmë ne dikë tjetër përveç mosbesimtarit?” (Sebe'e, 17)

“...Neve na shpallet se dënimi pa dyshim do ta go­dasë atë që gënjen dhe shmanget (nga e vërteta)”, (Tâ Hâ, 48)

Dhe thotë:

“...Kurse mëshira ime ngërthen çdo send.” (el-A'raf, 156)

253. Trans­me­tohet nga Ebu Dherri r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “All-llahu i Madhëruar thotë: “Kush vjen me një vepër të mirë do të ketë shpërblim për të dhjetëfish e më tepër, kurse kush vjen me një vepër të keqe do të ketë dënim vetëm sa një vepër, ose do ta fal. Kush më afrohet për një pëllëmbë, Unë i afrohem për një kut; kush më afrohet një kut, Unë i afrohem atij një pash. Kurse kush më vjen duke ecur, Unë i shkoj atij duke vrapuar. Kush më takon Mua me mëkate sa madhësia e Tokës por nuk më shoqëron asgjë, do ta takoj Unë atë me po aq falje (magfiret)”. (Trans­me­tom Mus­limi)

Kuptimi i hadithit: “Kush më afrohet Mua me dëgju­eshmëri ndaj Meje, Unë do t'i afrohem atij me mëshirën Time - dhe nëse ai e shton (dëgjueshmërinë) edhe Unë ia shtoj (mëshirën). Nëse ai më vjen duke ecur dhe nxiton në dëgjueshmëri, unë do t'i vijë duke vrapuar, do të thotë: do ta kaploj atë me mëshirë dhe nuk do ta bëj të nevojshëm që të ecën shumë për t'ia arri­tur qëllimit të tij”. All-llahu më së miri i di të gjitha.

254. Trans­me­tohet nga Xhabiri r.a. që ka thënë “Erdhi një beduin te Pej­gam­be­ri s.a.v.s. dhe tha: “O i Dërguari i All-llahut, cilat janë dy veprat obliguese (që tërheqin pas veti shpërblim apo dënim në botën tjetër)?” Pej­gam­be­ri s.a.v.s. tha: “Kush vdes duke mos i shoqëruar All-llahut asgjë, do të hyjë në Xhennet. Dhe kush vdes duke i shoqëruar All-llahut diç, do të hyjë në Xhehennem”. (Muslimi)
255. Trans­me­tohet nga Enesi r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s u nis (për rrugë), kurse Muadhi i kishte hipur (devesë - kalit) pas shpinës së Pej­gam­be­rit, e ai i tha: “O Muadh!” (Muadhi) Tha: “Si urdhëron, o i Dërguari i All-llahut (Lebbejke ve sa'dejke)!” (Pej­gam­be­ri) Tha: “O Muadh!” Tha: “Si urdhëron, o i Dërguari i All-llahut” - tri herë - (Pej­gam­be­ri) Tha: “Nuk ka asnjë njeri (rob) i cili dëshmon që nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe që Muhammedi është robi dhe i dër­guari i Tij me zemër të sinqertë - e që të mos ia ketë ndaluar All-llahu atij Xhehennemin”. (Muadhi) Tha: “O i Dërguari i All-llahut, a t'ua kumtoj këtë njerëzve që të gëzo­hen?” Tha: “Atëherë, do t'i mbështeten”. Muadhi këtë e kum­toi pak para vdekjes së tij, nga frika se do të bëjë mëkat për fshehjen e një diturie”. (Muttefekun alejhi)
256. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre ose Ebu Se'id el-Hudrij r.a. (dyshon transmetuesi se cili prej këtyre dyve saktësisht ka thënë, por një dyshim i tillë nuk dëmton kur është në pyetje sahabiu, meqë që të gjithë ata janë të drejtë-besnikë): “Pasi u zhvillua beteja në Tebuk, i kaploi njerëzit uria, andaj (erdhën te Pej­gam­be­ri dhe) thanë: “O i Dërguari i All-llahut, a na le­jon t'i therim devetë tona e të ush­qehemi me to dhe të lyhemi (me yndyrën e tyre për shkak të vapës)? I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. u tha: “Bëjeni”. Pastaj erdhi Umeri r.a. dhe tha: “O i Dër­guari i All-llahut, nëse e bën (le­jon) këtë, do të na pakësohen de­vetë (dhe do të dobësohemi), por bërju thirrje që ta grumbullojnë pjesën e mbetur të ushqimit, pastaj lute All-llahun që ta begatojë, ndoshta All-llahu do ta bëjë atë të begatshëm”. Atëherë i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. tha: “Ani, mirë” pastaj kërkoi një qilim lëkure (për shtruarjen e ushqimit) të cilin e shtroi, pastaj kërkoi që t'ia sjellin ushqimet e tyre që u kanë mbetur. Kështu një njeri solli një grusht bukë misri, një tjetër solli një grusht hurma, kurse një tjetër grimca (të bukës) dhe kur të gjitha këto i tubuan në shtrojen e lëkurës, e gjithë kjo ishte sasi e vogël ush­qimi. Atëherë i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s bëri një lutje (dua) për bereqet, e pastaj tha: “Merrni ush­qim në enët tuaja”. Dhe (njerëzit) morën ushqim në enët e tyre ashtu që nuk lanë asnjë enë që gjendej në tenda pa e mbushur me ushqim. Hëngrën derisa u ngopën - dhe në fund prap mbeti ushqim. Atëherë i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. tha: “Dëshmoj se nuk ka hyjni tjetër përveç All-llahut dhe se unë jam i dërguar i All-llahut. Nuk e takon All-llahu asnjë rob që i vjen me këto dyja (me shehadet), duke mos pasur kurrfarë dyshimi, e të jetë i penguar nga Xhenneti”. (Muslimi)
257. Trans­me­tohet nga 'Itban ibn Malik r.a. i cili ishte pjesëma­rrës i Betejës së Bedrit që ka thënë: “E falsha popullin tim Beni Salim. Mua dhe ata na ndante një luginë, kur binin shira (të mëdha) mua më bëhej vështirë të kaloj (deri) te xhamia e tyre, andaj erdha te i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. dhe i thashë: “Më është dobësuar të pa­murit, kurse lugina e cila gjendet midis meje dhe popullit tim vër­shohet kur bien shira dhe më vështirësohet kalimi i saj, andaj do të dëshiroja që të vish e të falesh në një vend në shtëpinë time, të cilën unë do ta bëja faltore”. I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. tha: “Do ta bëj këtë”. Të nesërmen më erdhi i Dërguari i All-llahut me Ebu Bekrin r.a., pasi që kaloi mjaftë dita. I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. (para derës) kërkoi leje (për hyrje), unë i dhashë leje, e ai pasi hyri ende pa u ulur tha: “Ku po do ti që të falem në shtëpinë tënde?” Unë i tregova vendin ku dëshiroja të falet në të. I Dërguari s.a.v.s. - aty qëndroi në këmbë, mori tekbir, kurse ne pas tij u radhitëm (në saff), ku ai i fali dy rekate pastaj dha selam e edhe ne pas tij. Pastaj e mbajta në shtëpi për drekë të cilën ia përgatitëm atij (nga mielli i fërguar me dhjam). Kur dëgjuan të afërmit (vendësit, fqinjët) se i Dër­guari i All-llahut s.a.v.s. ndodhet në shtëpinë time, u tubuan burrat, saqë u mbush shtëpia plot. Një njeri tha: “Ç'bëri Maliku, nuk po e shoh?” Një tjetër tha: “Ai është dy­fytyrësh, nuk e don All-llahun e as të Dërguarin e Tij!” I Dërguari i All-llahut tha: “Mos thuaj ashtu, a nuk e sheh se ka thënë: La ilahe il-lall-llah- duke dëshiruar me të kënaqësinë e All-llahut?” (Ai njeriu) Tha: “All-llahu dhe i Dër­guari i Tij e dinë më së miri, mirëpo sa na përket neve, pasha All-llahun, ne nuk e shohim dashurinë e tij, as të folurit e tij përveç te munafikët!” Atëherë i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. tha: “Vërtet, All-llahu ia ka ndaluar zjarrit (Xhehennemit) atë që thotë: - La ilahe il-lall-llah - me të cilën dëshiron ta arrijë kënaqësinë e All-llahut”. (Muttefekun alejhi)
258. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. që ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s duke thënë: “All-llahu e ka ndarë (bërë) mëshirën njëqind pjesë. Nëntëdhjetë e nëntë i ka mbajtur për Vete, kurse (vetëm) një pjesë e ka lëshuar në Tokë. Nga ajo pjesë të gjitha krijesat mëshi­rohen mes veti, saqë edhe kafsha e ngre thundrën (këmbën) e saj nga i vogli i saj nga frika se mos e lën­don”. Kurse sipas një transmetimi tjetër: “Vërtet All-llahu i ka njëqind mëshira (rahmete), dhe vetëm një prej tyre e ka lëshuar në mes të xhinëve, njerëzve, kafshëve dhe insekteve. Dhe me atë një mëshirë në mes veti duhen dhe mëshirohen dhe me të egërsira e do të voglin e saj. Kurse nën­tëdhjetë e nëntë mëshirat e tjera All-llahu i ka lënë për mëshirë ndaj robërve të Tij në Ditën e Gjy­kimit”. (Muttefekun alejhi)

Kurse Muslimi trans­me­ton nga Selman el-Farisiu r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Vërtet All-llahu i Madhëruar ka njëqind mëshira; prej tyre një mëshirë është me të cilën mëshirohen krijesat mes veti, kurse nën­tëdhjetë e nëntë për Ditën e Gjykimit”. Kurse në një trans­metim tjetër: “Vërtet All-llahu i Madhëruar kur i ka krijuar qiejt dhe tokën, i ka krijuar edhe njëqind mëshira. Secila mëshirë mbulon mes qiellit dhe tokës. Vetëm një mëshirë e ka lëshuar në Tokë, me të cilën nëna e mëshiron fëmijën e saj, egërsirat dhe shpezët mëshirohen në mes veti, ndërsa në Ditën e Gjykimit do të plotësohet krejtësisht mëshira”.

259. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. duke rrëfyer nga Krijuesi i tij i Madhëruar ka thënë. “Një rob bën një mëkat, dhe thotë: “O All-llahu im, ma fal mëkatin tim”, kurse All-llahu i Madhëruar do të thotë: “Robi im ka bërë një mëkat dhe e ka ditur se e ka Krijuesin i cili e fal mëkatin, por edhe dënon për mëkat”. Pastaj kthehet dhe përsëri bën mëkat, e pastaj thotë: “O Zot, ma fal mua mëkatin”, kurse All-llahu xh.sh. thotë. “Robi im bëri një mëkat, por e di se ka Krijuesin që fal mëkat, por edhe dënon për mëkat”. Pastaj kthehet dhe përsëri bën mëkat, dhe prapë thotë: “O Zot, ma fal mua mëkatin”, kurse i Lartmadhërishmi thotë: “Robi im bëri një mëkat, por e di se ka Kri­juesin i cili fal mëkat, por edhe dënon për mëkat. Unë tashmë, e kam falur robin tim, le të veprojë ç'të dojë!” (Muttefekun alejhi)
260. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. ka thënë: “Pasha Atë, në dorë të të cilit gjendet shpirti im, sikur ju të mos bënit mëkat, do t'ju zhdukte All-llahu dhe do të sillte një popull që bën mëkate, pastaj kërkon falje dhe All-llahu e Madhëruar i fal”. (Muslimi)
261. Trans­me­tohet nga Ebu Ejjub Halid ibn Zejd r.a. që ka thënë: “E kam dëgjuar të Dër­guarin e All-llahut s.a.v.s duke thënë: “Sikur ju të mos bënit mëkate, All-llahu do të krijonte krijesa që do të gabojnë, e pastaj kërkojnë falje (bëjnë istigfar) dhe do të falen”. (Muslimi)
262. Trans­me­tohet nga Muadh ibn Xhebeli r.a. që ka thënë: “Isha i hipur në gomar pas Pej­gam­be­rit s.a.v.s. kur më tha: “O Muadh, a e di cila është e drejta e All-llahut ndaj robërve të tij, dhe çka është e drejta e robërve ndaj All-llahut?” Thashë: “All-llahu dhe i Dërguari i tij e dinë më së miri”. Tha: “Vërtet, e drejta e All-llahut ndaj robërve është që ata ta adhurojnë dhe mos t'i shoqërojnë asgjë, kurse e drejta e robërve ndaj All-llahut është që mos t'i dënojë ata që nuk i shoqërojnë asgjë”. Thashë: “O i Dërguari i All-llahut, a t'i përgëzoj njerëzit?” Tha: “Mos i përgëzo e të mbështeten vetëm në të”. (Muttefekun alejhi)
263. Trans­me­tohet nga el-Bera' ibn 'Azib r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Muslimani kur të pyetet në varr, do të dëshmojë se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i Dër­guari i tij”. Këtë e vërtetojnë fjalët e All-llahut: “All-llahu do t'i for­cojë besimtarët me fjalë të forta edhe në këtë edhe në atë botë.” (Ibrahim, 27) (Muttefekun alejhi)
264. Trans­me­tohet nga Enesi r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Vërtet kur mosbesimtari e bën një bamirësi, ai për të do të shpërblehet me furnizim (kënaqësi) të kësaj bote, kurse besimtari, atij All-llahu ia deponon shpërblimet për Ahiret, kurse për këtë botë i jep furnizim sipas dëgjueshmërisë së tij”. Në një transmetim tjetër thuhet: “Vërtet All-llahu nuk e dëmton një besimtar për një bamirësi, i jep për të në këtë botë, por e shpërblen edhe në botën tjetër (Ahiret). Kurse mosbesimtari (kafiri) për bamirësinë e tij që e bën për All-llahun e Madhëruar shpërblehet me furnizim në këtë botë - ndaj kur të shkojë në botën tjetër nuk do të ketë asnjë bamirësi që të shpërblehet për të”. (Mus­limi)
265. Trans­me­tohet nga Xhabiri r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Shembulli i pesë namazeve është si shembulli i një lumi që rrjedh shumë para derës së ndonjërit prej jush në të cilin pas­trohet çdo ditë nga pese herë”. (Muslimi)
266. Trans­me­tohet nga Ibni Mes'udi r.a. që ka thënë: “Ishim me të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. afër dyzet veta në një Kuba (shtëpi arabe e vogël, e rrumbulla­kët nga tenda) kur tha: “A jeni të kënaqur që të jeni një e katërta e xhennetlive?” Thamë: “Po”. Tha: “A jeni të kënaqur që të jeni një e treta e xhennetlive?” Thamë: “Po”. Tha: “Pasha Atë, në dorë të të cilit gjendet shpirti i Muhammedit, unë me siguri shpre­soj që ju do të jeni gjysma e xhen­netlive, ngase në Xhennet nuk do të hyjë kush përveç atij që është musliman. Ju sot, kundrejt idhu­jtarëve, jeni sikurse qimja e bardhë në lëkurën e mëzatit të zi, ose sikur qimja e zezë në lëkurën e mëzatit të kuq”. (Muttefekun ale­jhi)
267. Trans­me­tohet nga Ebu Nexhih Amr ibn Abese es-Sulemij r.a. që ka thënë: “Unë kur isha në xhahilijet (periudha paraislame) konsideroja se njerëzit janë në la­jthitje dhe ata nuk janë në asgjë, dhe (sepse) ata i adhuronin idhujt. Kur dëgjova për një njeri në Mekke i cili kumton lajme i hipa devesë dhe shkova tek ai, kur ai njeri ishte i Dërguari i All-llahut s.a.v.s., që fshehej nga populli i vet (të cilët e ndiqnin dhe mundonin), andaj unë duke u fshehur hyra te ai në Mekke dhe i thashë: “Kush je ti?” Tha: “Unë jam pej­gam­ber (nebijjun)”. I thashë: “E ç'është pej­gam­be­ri?” Tha: “Mua më ka dërguar All-llahu”. I thashë: “Me çka të ka dërguar?” Tha: “Më ka dërguar që të predikoj mbajtjen e lidhjeve familjare, thyerjen e idhujve dhe të njësohet All-llahu pa i shoqëruar asgjë”. Thashë: “Kush është me ty në këtë (rrugë)?” Tha: “I liri dhe robi”. Me të ishin atëherë Ebu Bekri dhe Bilali r.a. I thashë: “Unë, vërtet, do të pasoj ty”. Tha: “Ti vërtet tash assesi nuk do të mundesh, a nuk po e sheh gjendjen time dhe të njerëzve (të mi)? Por, kthehu në shtëpi, dhe kur të dëgjosh se kam dalë pub­likisht, atëherë eja”. (Transme­tuesi vazhdon:) Tha: “Pastaj shkova në shtëpi, kurse i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. erdhi në Medine, dhe unë duke qenë te fa­milja ime, fillova të pyes për la­jmet, i pyetja njerëzit që vinin nga Medina derisa erdhi një grup prej medinasve që u thashë: “Çfarë po bën ai njeriu që erdhi në Medine?” Thanë: “Njerëzit nxitojnë tek ai (nga të gjitha anët), kurse populli i tij dëshiroi ta likuidojë, por nuk ia arritën”. Pastaj unë shkova në Medine, hyra tek ai dhe i thashë: “O i Dërguari i All-llahut, a po më njeh?” Tha: “Po, ti je ai që je ta­kuar me mua në Mekke” (Trans­metuesi thotë:) I thashë: “O i Dër­guari i All-llahut, më njofto nga ajo që të ka mësuar All-llahu, e që unë nuk e di, më thuaj diç për namazin?” Tha: “Fale namazin e sabahut, pastaj prit mos fal namaz (nafile) derisa të lind dielli dhe të ngrihet lartë sa një shtizë. Kur lind dielli, lind në mes dy brirëve të djallit (dy yje kundrejt yllit Sqap - astr.) dhe atëherë atij (diellit) i bëjnë sexhde mosbesimtarët. Pastaj fal (një namaz) se vërtet ai namaz është publik dhe i arrit­shëm, derisa të bëhet hija e shtizës sa shtiza (kur të shkurtohet hija maksimalisht), atëherë ndërpreje namazin (ose: mos fal namaz), sepse atëherë merr flakë Xhehen­nemi, kur të zgjatet hija, atëherë falu, sepse vërtet ai namaz është publik dhe i arritshëm deri të falet ikindia, pastaj prap ndërpreje (të falurit namaz) derisa të perëndojë dielli sepse ai perëndon në mes dy brirëve të djallit (koha e djallit) dhe atëherë atij i bëjnë sexhde mosbesimtarët”. (Transmetuesi më tutje vazhdon) I thashë (Pej­gam­be­rit): “O Pej­gam­ber i All-llahut, më fol mua për abdestin?” Tha: “Cilido njeri prej jush që bën për­gatitje për abdest, pastaj e shpër­lan gojën dhe hundën deri në thellësi, atëherë i bien mëkatet e fytyrës, gojës dhe hundës së tij. Pastaj, kur ta lajë fytyrën e tij ashtu siç e ka urdhëruar All-llahu, atëherë i bien mëkatet e fytyrës nëpër mjekrën e tij bashkë me ujin. Pastaj i lanë duart deri mbi bë­rryla, atëherë i bien mëkatet e du­arve bashkë me ujin kah majet e gishtave. Pastaj kur e fërkon kokën (me dorë të lagur), atëherë i bien mëkatet e kokës bashkë me ujin nëpër maje të flokëve. Pastaj kur lanë këmbët deri te zogu i këmbës, atëherë i bien mëkatet e këmbëve bashkë me ujin kah majet e gish­tave. Pastaj, ai nëse edhe ngrihet dhe falet; i shpreh lavdi All-llahut të Madhëruar, e falënderon dhe lavdëron ashtu siç meriton, dhe e zbraz zemrën e tij për All-llahun - do të lirohet prej mëkateve të tij ashtu siç ka qenë kur e ka lindur nëna e tij”.

Kur ia rrëfen Amr ibn Abese (transmetuesi) këtë hadith Ebu Umamës që ishte sahabij i të Dër­guarit s.a.v.s. - Ebu Umame i tha: “O Amr ibn Abese, shiko ç'po flet në një vend që ta ka mundësuar ky njeri?” Atëherë Amri i tha: “O Ebu Umame, unë jam moshuar me vjet dhe eshtrat më janë dobësuar, edhe exheli më është afruar, dhe unë nuk kam nevojë të gënjej për All-llahun e Madhëruar e as për të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. Po ta kisha dëgjuar këtë prej të Dërguarit s.a.v.s. vetëm një herë, apo vetëm dy herë, apo vetëm tri herë (dhe numëroi deri në shtatë herë), nuk do ta flisja kurrë, por unë e kam dëgjuar atë edhe më tepër se aq”. (Muslimi)

All-llahu i Madhëruar duke la­jmëruar për robin e mirë thotë:

“...Kurse unë çështjen time ia lë All-llahut. All-llahu, me të vërtetë i sheh njerëzit, dhe All-llahu e ruajti nga të këqijat dhe kurthat e tyre.” (Gafir, 44-45)

268. Trans­me­tohet nga Xhabir ibn Abdull-llahu r.a. se ai e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. - tri ditë para se të vdesë duke thënë: “Le të mos e gjejë vdekja asnjërin prej jush, e të mos ketë për All-llahun e Madhëruar mendim të mirë (shpresë)”. (Mus­limi)
269. Trans­me­tohet nga Enesi r.a. se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s duke thënë: “All-llahu i Madhëruar thotë: “O biri i Ademit, derisa të thirresh në Mua, dhe të kërkosh ndihmë nga Unë, do të fal çka ke vepruar. O biri i Ademit, qofshin mëkatet tua deri te vranësirat e qiellit dhe nëse kërkon falje nga Unë, do të fal ty. O biri i Ademit, nëse tek Unë vjen me mëkatet më të mëdha gati sikur toka, pastaj më drejtohesh, duke mos më sho­qëruar asgjë, do të vijë unë ty me falje po aq të madhe”. (Tirmidhiu thotë se është hadith hasen)

Dije se më së miri është për njeriun kur është në gjendje të shëndetit të mirë, që të jetë në frikë dhe në shpresë, dhe të jetë frika e tij e barabartë me shpresën. Kurse në gjendje të sëmundjes është e dëshirueshme që të anojë shpresa. Dispozitat e Sheriatit, tekstet e Kur'anit dhe të Sunnetit dhe të tj. - këtë e konfirmojnë në mënyrë të qartë.

All-llahu i Madhëruar thotë:

“...Kurthën e All-llahut e kanë të siguruar vetëm njerëzit e humbur”. (el-A'raf, 99)

“...Vetëm mosbesimtarët e humbin shpresën në mëshirën e All-llahut”. (Jusuf, 87)

“Atë ditë kur disa fytyra do të zbardhen e disa do të nxi­hen.” (Ali Imran, 106)

“...Zoti yt është me të vërtetë i shpejtë në dënim, por Ai është edhe shumë mëshirëplotë”. (el-A'raf, 167)

“Pa dyshim të mirët janë në Xhennet, kurse mëkatarët me siguri në Xhehennem”. (el-Infitar, 13-14)

“Sa për atë, veprat e të cilit çojnë peshë, Ai është i këna­qur në jetë. Kurse ai, veprat e të cilit vijnë të lehta në pesho­jë, Vendbanim do të kenë zjarrin”. (el-Karia, 6-9)

Ajete me këtë kuptim ka shumë. Aty bashkohet frika dhe shpresa në dy apo më shumë ajete të një­pas­njëshme, apo edhe brenda një ajeti. Ndërsa prej haditheve ja disa:

270. Nga Ebu Hurejre r.a. trans­me­tohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Sikur ta dinte besimtari se çfarë dënimi po­se­don All-llahu, askush nuk do të shpresonte në Xhennetin e Tij, dhe sikur ta dinte mosbesimtari se me çfarë mëshire disponon All-llahu, nuk do ta humbte shpresën nga Xhenneti i Tij”. (Muslimi)
271. Trans­me­tohet nga Ebu Se'id el-Hudrij r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kur të përgatitet xhenazja dhe njerëzit e vejnë në krahët e tyre, nëse është i mirë do të thotë: Ngutuni, ngutuni (sa më parë të më lëshoni në varr)! Por nëse (i vdekuri) është jo i mirë, do të thotë: - Mjeri unë (vaj për mua), ku po më çoni (më ktheni)! Atë zë e dëgjon çdokush përpos njeriut! E sikur ai ta dëgjonte do t'i binte të fikët”. (Buhariu)
272. Trans­me­tohet nga Ibni Mes'udi r.a. se i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. ka thënë: “Secilit nga ju Xhenneti i është më afër se sa lidhësja e mbathëses së tij e po ashtu edhe Xhehennemi”. (Bu­ha­riu)

All-llahu i Madhëruar thotë.

“Dhe duke qarë bëjnë se­xhde dhe ai leximi ua rrit re­spektin dhe frikën”. (el-Isra', 109) Dhe thotë:

“A këtij fjalimi i çuditeni? Dhe qesheni e nuk qani (në vend se të qani)”. (en-Nexhm, 59-60)

273. Trans­me­tohet nga Ibni Mes'udi r.a. se ka thënë: “Më ka thënë mua Pej­gam­be­ri s.a.v.s.: “Më lexo Kur'an!” I thashë: “O i Dërguari i All-llahut, të të lexoj ty, kurse ai ty po të shpallet? Tha: “Unë dëshiroj ta dëgjoj prej tjetërkujt”. Atëherë ia lexova atij suren en-Nisa, derisa erdha te ky ajet: “Po ç'do të bëhet atëherë kur të sjellim dëshmitarë nga se­cili popull, e ty do të sjellim dëshmitarë kundër tyre?” (en-Nisa, 41) Tha: “Mjaft për tash”. Kur u ktheva kah ai, (ia pashë) sytë që i rridhnin lot”. (Muttefekun alejhi)
274. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. ka thënë: “Shtatë per­sona (lloje njerëzish) All-llahu do t'i vendosë nën hijen (mbrojtjen) e Tij, atë Ditë, kur nuk do të ketë hije (mbrojtje) tjetër përveç saj: Ata janë: - Sunduesi i drejtë, - i riu që ëshë rritur në ibadet dhe dëgju­eshmëri ndaj All-llahut, - njeriu, zemra e të cilit është e lidhur për xhamtë, - dy njerëz (shokë) të cilët në emër të All-llahut janë dashur, janë shoqëruar dhe të tillë janë ndarë (deri në vdekje), - njeriu, të cilin e thërret një grua autoritative dhe e bukur, kurse ky i përgjigjet se i frikësohet All-llahut; - njeriu i cili e ndanë sadakan fshehtë, ashtu që dora e majtë nuk di ç'bën (sa ndanë) e djathta, dhe - një njeri i cili e përkujton All-llahun në vetmi dhe i mbushen sytë me lot”. (Mut­tefekun alejhi)
275. Trans­me­tohet nga Abdull-llah ibn esh-Shihijr r.a. se ka thënë: “I erdha të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s., kurse ai ishte duke u falur. Kurse në gjoksin e tij dëgjo­hej një ushtimë sikurse ushtima e kazanit (kur zien) nga të qarit”. (Hadith sahih, trans­me­tojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)

All-llahu i Madhëruar thotë:

“Pa dyshim jeta në këtë botë i shëmbëllen ujit që ne e lëshojmë nga qielli me të cilin përzihen (ushqehen) bimët në tokë prej të cilave ushqehen njerëzit dhe kaf­shët. Ashtu që kur toka sto­liset me petkun e vet dhe qëndiset, dhe kur banorët e saj mendojnë se ata janë zotëruesit e saj, vjen urdhri ynë, natën ose ditën, dhe ne ato i bëjmë si të korrura, si­kur të mos kishin qenë dje fare. Ja, ashtu ne në hollësi shkoqisim argumentet për popullin që mendon” (Ju­nus, 24) “Sillja si shembull jetën e kësaj bote që është sikur uji që e lëshojmë ne nga qielli, me të cilin ushqehen bimët në tokë, e përsëri thahet e teret dhe e derdhin erërat. E All-llahu ka mundësi për çdo send! Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote, por veprat e mira të vazhdueshme janë më të mira si shpërblim nga Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë”. (el-Kehf, 45-46)

“Ta dini se jeta në këtë botë është një lojë dhe zba­vitje edhe stoli edhe gara ndërmjet jush në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve, si shembulli i shiut pas të cilit bima rritet që i mahnit mos­besimtarët; ajo mugullon, por pastaj e sheh të zbehtë e më vonë bëhet e tharë. Ndërsa në atë botë ka dënim të rëndë, edhe falje e kënaqësi të All-llahut. Jeta në këtë botë është vetëm një zbavitje e rrejshme”. (el-Hadid, 20)

“Njerëzve u është zbuku­ruar dëshira për epshe dhe dashuri për gratë, djemtë, dhe kuajt e bukur, bagëtitë dhe të mbjellurat. Ajo është kënaqësi e jetës në këtë botë, por vendkthimi te All-llahu është më i mirë”, ('Ali 'Im­ran, 14)

“O njerëz! Premtimi i All-llahut është, pa dyshim, i vërtetë dhe kurrsesi mos t'ju mashtrojë jeta në këtë botë dhe le të mos ju gënjejë djalli në besimin tuaj në All-lla­hun”. (el-Fatir, 5) “Ju preokupon shumimi i pasurisë. Derisa të shkoni në varre. Ani, do ta merrni vesh! Edhe një herë ani! Me siguri do ta dini! Po si jo! Sikur ta dinit, me siguri dhe me bindje”. (et-Tekathur, 1-5)

“Jeta në këtë botë s'është kurrgjë tjetër përveç zbavitje dhe lojë, vetëm bota tjetër është jetë e vërtetë, sikur ta dinin!” (el-Ankebut, 64)

Ajetet për këtë temë janë të shumta dhe të njohura, ndërsa sa u përket haditheve, janë më shumë se sa që mund të përfshihen të gjitha, andaj do t'i theksojmë vetëm disa sosh:

276. Trans­me­tohet nga el-Mustevrid ibn Shedad r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kjo botë (dunjaja) ndaj botës tjetër (Ahiretit) është sikur kur njëri prej jush ta vendosë gishtin e tij në det, pastaj le të shikojë me çka i kthehet (nga uji i detit)”. (Muslimi)
277. Trans­me­tohet nga Xhabiri r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. kaloi nëpër treg, kurse njerëzit ishin tubuar rreth tij. Pastaj kaloi pranë një cjapi të ngordhur me veshë të vegjël, e kapi për ve­shi dhe tha: “Cili prej jush dëshi­ron ta marrë për një dirhem?” I thanë: “Askush prej neve nuk jep për të asgjë, çka mund të bëjmë me të?” Pastaj tha: “A doni të jetë juaji?” Thanë: “Pasha All-llahun, edhe të ishte i gjallë ishte me të meta, me veshë të vegjël, e lëre më i ngordhur!” Atëherë tha: “Pasha All-llahun, kjo botë vërtet për All-llahun është më e pavlefshme se sa ky (cjap) për ju”. (Muslimi)
278. Trans­me­tohet nga Ebu Dherri r.a. se ka thënë: “Isha duke shkuar me Pej­gam­be­rin s.a.v.s. nëpër një tokë me gurë të zi në Medine derisa u drejtuam nga Uhudi, atëherë më tha: “O Ebu Dherr”. I thashë: “Si urdhëron, o i Dërguari i All-llahut!” Tha: “Nuk gëzohem të kem ar sa ky Uhudi e të kalojnë tek tri ditë, e nga ai të mbetet vetëm një dinar përpos nëse kam të paguaj borxh, ose që me të t'u flas robërve të All-llahut (njerëzve) kështu, kështu dhe kështu të jetë nga e djathta, nga e majta dhe nga prapa”. Pastaj eci (Pej­gam­be­ri) dhe më tha: “Vërtet, ata që kanë shumë, në Ditën e Gjy­kimit do të kenë pak, përveç nëse thonë (veprojnë) me pasurinë kështu, kështu dhe kështu është edhe nga e djathta, nga e majta dhe nga prapa, por të këtillët janë pak”. Pastaj më tha: “Qëndro në atë vend, mos lëviz askund derisa të kthehem!” Pastaj u nis nëpër errësirë të natës derisa nuk dukej, atëherë dëgjova një zë të lartë, unë u frikësova se mos e sulmoi dikush Pej­gam­be­rin s.a.v.s. dhe dëshiroja t'i shkoj, mirëpo m'u kujtua fjala e tij “mos lëviz askund derisa të kthehem” andaj nuk lëviza derisa më erdhi, atëherë i thashë: “Unë dëgjova një zë, nga i cili u frikësova.”.. dhe ia shpje­gova...ndërsa ai më tha: “A e ke dëgjuar?” I thashë: “Po”. Tha: “Ai ishte Xhibrili, më erdhi dhe më tha: “Kush vdes prej ummetit tënd duke mos i shoqëruar All-llahut asgjë, do të hyjë në Xhennet”. I thashë: A edhe nëse ka bërë pros­titucion (zina) dhe nëse ka vjedhë? Tha: “A edhe nëse ka bërë prosti­tucion dhe nëse ka vjedhë”. (Mut­tefekun alejhi, ky citat është i Buhariut)
279. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. ka thënë: “Sikur të kisha ar sa është Uhudi, do të gëzohesha sikur të mos kalojnë tri ditë e te unë të mos mbetet asgjë, përveç diç për ta paguar borxhin”. (Muttefekun alejhi)
280. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se ka thënë: “Vërtet, unë i kam parë shtatëdhjetë sofistë (të varfërit që nuk kanë pasur shtëpia, andaj kanë banuar në sofa të xhamisë gjatë kohës së Alejhis-selamit) asnjëri prej tyre nuk kishte gunë (mbulesë të gjatë të trupit), por vetëm ndërresë (çarçaf për mbulimin prej mesit e teposhtë) ose vetëm këmishë të thjeshtë të lidhur për qafë. Ato disave iu arri­nin deri nën gjunj, kurse disave deri në zog të këmbëve, të cilat e mbanin me dorë nga frika se mos u shihen vendet e turpshme (avreti)”. (Buhariu)
281. Trans­me­tohet nga en-Nu'man ibn Beshir r.a. se ka thënë: “Umer ibn el-Hattabi r.a. foli për fitimin e njerëzve nga të mirat në këtë botë dhe tha: “Vërtet e kam parë të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. gjatë tërë ditës (me bark) të përkulur (nga uria) nuk kishte as hurma të këqija, që ta mbushte barkun e tij”. (Muslimi)
282. Trans­me­tohet nga Aisheja r.a. se ka thënë: “Ndërroi jetë i Dërguari i All-llahut s.a.v.s., kurse në shtëpinë (dhomën) time nuk kishte asgjë që mund të hante ai që ka mëlqi (qoftë njeri, kafshë etj.) përveç pak elb në raftin tim, e mora dhe hëngra prej tij mjaftë gjatë, pastaj e mata dhe ai u harxhua”. (Mutte­fekun alejhi)
283. Trans­me­tohet nga Abdull-llah ibn Mes'udi r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Mos u merrni (shumë) me pasuri të palujtshme e të lakmoni në këtë botë”. (Tir­midhiu thotë se është hadith hasen)
284. Trans­me­tohet nga Ka'b ibn Malik r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Dy ujq të uritur të cilët bien ndër dele nuk bëjnë më tepër dëm se sa lakmia e njeriut për pasuri dhe karrierë (autoritet) që i bën fesë së tij”. (Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih)
285. Trans­me­tohet nga Ibni Ab­basi dhe 'Imran ibn el-Husajn r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Kam shikuar në Xhennet dhe kam parë se shumica e xhennetlinjve janë të varfërit (e kësaj bote), dhe kam shikuar në Xhehennem dhe kam parë se shumica e tyre janë gra”. (Muttefekun alejhi, nga transmetimi i Ibni Abbasit, po ashtu e trans­me­ton Buhariu nga trans­metimi i Imran ibn el-Husajn)

All-llahu i Madhëruar thotë:

“Por pas atyre mbetën pasardhës të këqij, që e lanë namazin dhe u dhanë pas epsheve. Ata, mbase do të pësojnë. Përveç atyre që janë penduar dhe kanë besuar edhe kanë bërë vepra të mira. Atyre nuk do t'u bëhet kurrfarë e padrejte.” (Mer­jem, 59-60)

“Dhe doli para popullit të vet me stolitë e tij, e ata që adhuronin jetën e kësaj bote, thoshin: Eh sikur edhe ne të kishim atë që iu dha Karunit! Ai është, njëmend, fatlum. Të mjerët ju - thoshin të diturit. Për atë që beson dhe bën vepra të mira, më i mirë është shpërblimi i All-llahut.” (el-Kasas, 79-80)

“Pastaj atë ditë do të pye­te­ni patjetër për kënaqësitë”. (et-Tekathur, 8)

“Kush e dëshiron këtë botë Ne kujt të duam i japim shpejt çka të dëshirojë, por pastaj i përgatisim Xhehen­nemin në të cilin do të digjet i turpëruar dhe i përulur”. (el-Isra, 18)

Ajetet për këtë temë janë të shumta dhe të njohura. Kurse hadithet si vijon:

286. Trans­me­tohet nga Ebu Se'id el-Makburij, nga Ebu Hure­jre r.a. se ky kaloi (njëherë) pranë disa njerëzve që e kishin përpara një dele të pjekur dhe e thirrën, por ai refuzoi që të hajë duke thënë: “I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka shkuar nga kjo botë, e nuk është ngopur me bukë të el­bit”. (Buhariu)
287. Trans­me­tohet nga Enesi r.a. se ka thënë: “Pej­gam­be­ri s.a.v.s. deri kur ka vdekur nuk ka ngrënë asnjëherë në tavolinë, as nuk ka ngrënë bukë të situr”. (Buhariu)

Në një transmetim tjetër të tij thuhet: “E as që ka parë (para vetes) ndonjëherë dele të pjekur (me lëkurë) pasi që është përvëluar”.

288. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se ka thënë: “I Dër­guari i All-llahut s.a.v.s. doli një ditë, apo një natë, kur edhe Ebu Bekri dhe Umeri r.a. kishin dalë. Atëherë (Pej­gam­be­ri) tha: “Ç'ju ka shtyer të dilni nga shtëpitë tuaja në këtë kohë?” Thanë: “Uria, o i Dërguari i All-llahut!” Tha: “Edhe mua, pasha atë në dorë të të cilit është shpirti im, më ka nxjerrë (prej shtëpisë) ajo që ju ka nxjerrë juve - çohuni!” Pastaj u ngritën me të dhe erdhën te një njeri prej En­sarëve, mirëpo ai nuk ishte në shtëpi. Kur e pa (Pej­gam­be­rin) gruaja (e atij njeriu) tha: “Mirë se vini, urdhëroni!” I Dër­guari i All-llahut s.a.v.s. i tha: “Ku është filani (për të zotin e shtëpisë)?” Tha: “Ka shkuar të na kërkojë ujë për pije”. Në atë çast erdhi ensariu, shikoi të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. dhe dy shokët e tij, pastaj tha: “Falënderimi i qoftë All-llahut, sot askush nuk ka mysafirë më të ndershëm se unë!” Pastaj shkoi. Më pas erdhi me një kalavesh hurme në të cilën kishte hurma të njoma, të terura dhe të lëngëta (por të pjekura) dhe ju tha: “Urdhëroni, hani! Pastaj e mori briskun, kurse i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. i tha: “Kujdes, mos e merr (mos e prej) atë që milet dhe jep qumësht!” Pastaj (ensariu) preu mish deleje nga i cili hëngrën, edhe nga kalaveshi me hurma të llojllojshme dhe pinë ujë.

Pasi që hëngrën dhe pinë, i Dërguari i i All-llahut s.a.v.s. i tha Ebu Bekrit dhe Umerit r.a.: “Pasha Atë në dorë të të cilit është shpirti im, në Ditën e Gjykimit do të pyeteni për këtë begati. Nga shtëpia ju ka nxjerrë uria, pastaj nuk jeni kthyer derisa ju ka arritur kjo begati”. (Muslimi) (Pyetja në Ditën e Gjykimit ka të bëjë me llojet e begative, e jo për qor­tim. All-llahu e di më së miri. Në transmetimin e Tirmidhiut theksohet se ky ensarij tek i cili erdhën quhej Ebu-l-He­jthem et-Tejhan).

289. Trans­me­tohet nga Ebu Musa el-Esh'arij r.a. se ka thënë: “Aisheja r.a. i nxori e na i tregoi dy ndërresa - këmishën dhe mbulesën ( e pjesës së poshtme të trupit), të cilat ishin shumë të vrazhda e të trasha dhe tha: “Në këto dyja i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka ndërruar jetë”. (Mutte­fekun alejhi)
290. Trans­me­tohet nga Sa'd ibn Ebi Vekkas r.a. se ka thënë: “Unë jam i pari i arabëve që kam gjua­jtur shtizën në rrugë të All-llahut. Kemi qenë në betejë me të Dër­guarin e All-llahut s.a.v.s. dhe nuk kemi pasur tjetër ushqim pos fletëve të hublës dhe semurës (dy lloje drush të shkretëtirës) saqë ndonjëri prej nesh dilte jashtë (kur e kryente nevojën) sikurse që i hanë delet e i cili nuk përzihej (nga thatësia)”. (Muttefekun alejhi)
291. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. ka thënë: “O All-llahu im, bëje Ti furnizim të familjes së Muhammedit bukën e thatë”. (Mut­tefekun alejhi)
292. Trans­me­tohet nga Aisheja r.a. se ka thënë: “Ndërroi jetë i Dërguari i All-llahut s.a.v.s., kurse mburoja e tij ishte e depozituar te një çifut për 30 sa'a elb”. (Sa': masë peshë e njohur, 3,332 kg). (Muttefekun alejhi)
293. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se ka thënë: “Vërtet i kam parë shtatëdhjetë sofistë (të varfër të cilët nuk kanë pasur shtëpia andaj kanë banuar në sofa të xhamisë gjatë kohës së Pej­gam­be­rit), asnjëri prej tyre nuk kishte gunë (mantel) por vetëm ndërresë (çarçaf për mbulimin prej mesit e teposhtë) ose vetëm këmishë të thjeshtë të lidhur për qafe. Ato dis­ave ju arrinin deri nën gjunj, kurse disave deri në zog të këmbëve, të cilat i mbanin me dorë nga frika se mos u shihen vendet e turpshme (avreti)”. (Buhariu)
294. Trans­me­tohet nga Aisheja r.a. se ka thënë: “Shtrati i të Dër­guarit s.a.v.s. ka qenë prej lëkurës i mbushur me palmë”. (Buhariu)
295. Trans­me­tohet nga Ebu Um­ame r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “O biri i Ademit, ti nëse e shpenzon tepricën (e pasurisë) më mirë është për ty, kurse nëse e mban është më keq për ty. Askush nuk të qorton nëse jeton në mënyrë modeste. Dhe fillo (me rastin e shpenzimit) prej atyre që janë të varur prej teje”. (Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih)
296. Trans­me­tohet nga Ube­jdullah ibn Mihsan el-Ensarij el-Hatmij r.a. se i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. ka thënë: “Kush gdhi­het prej jush i sigurt në shpirtin e tij, familjen e tij, i shëndoshë në trupin e tij dhe ka ushqim për një ditë, është sikur t'i është dhënë krejt bota”. (Tir­midhiu thotë: hadith hasen)
297. Trans­me­tohet nga Abdull-llah ibn Amr ibn el-'As r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Ka shpëtuar ai që është bërë musliman, ka furnizim (vetëm) aq sa i nevojitet dhe e ka bërë All-llahu të kënaqur me atë që i ka dhënë”. (Muslimi)
298. Trans­me­tohet nga Ebu Muhammed Fedalete ibn Ubejd el-Ensarij r.a. se e ka dëgjuar të Dër­guarin e All-llahut s.a.v.s duke thënë: “I lumi ai që është udhëzuar në Islam, jetesën e ka të mjaftueshme dhe është i kënaqur (me atë që ka)”. (Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih)
299. Trans­me­tohet nga Ibni Ab­basi r.a. se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. rregullisht i ka kaluar netët i uritur (pa ngrënë), edhe familja e tij nuk kanë pasur darkë, kurse buka e tyre më së shumti ka qenë prej elbit”. (Tir­midhiu thotë: hadith hasen sa­hih)

All-llahu i Madhëruar thotë:

“Në tokë nuk ka asnjë qenie të gjallë e të mos e ketë ushqimin te All-llahu”. (Hud, 6)

“Të varfërit që janë të an­gazhuar në rrugë të All-lla­hut dhe nuk mund të puno­jnë tokën, i painformuari i konsideron këta si të pasur, për shkak të modestisë së tyre (varfanjakëve). Do t'i njohësh sipas pamjes së tyre, ata nuk u mërziten njerëzve duke lypur.” (el-Bekare, 273)

“Edhe ata, të cilët kur shpenzojnë nuk shpërder­dhin e as nuk janë tepër dorështrënguar; por, në këtë mbajnë mesataren”. (el-Furkan, 67)

“Kurse exhinët dhe njerëzit nuk i kam krijuar për tjetër vetëm se të më adhurojnë. Nuk kërkoj prej tyre furnizim as që dëshiroj të më ushqejnë”. (edh-Dharijat, 56-57)

Ndërsa sa u përket haditheve, shumica e tyre u theksuan në dy kaptinat paraprake, kurse prej të patheksuarave ja disa:

300. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Nuk është pasuri malli i shumtë, por pasuri është pasuria e shpirtit”. (Mutte­fekun alejhi)

Faqe 5
faqe
- 6 -

Faqe 7