Jump to content

Rijadu Salihin I/5

Nga Wikibooks

Pjesë nga Rijadu Salihin I nga Imam Neveviu


Faqe 4
faqe
- 5 -

Faqe 6
Nr. Hadithi
201. Trans­me­tohet se Ebu Dherri r.a. ka thënë: “Më ka thënë i Dër­guari i All-llahut s.a.v.s.: “O Ebu Dherr, kur të ziesh çorbë, shto në të ujë dhe kujdesu për fqinjin”. (Muslimi)

Në një transmetim tjetër, po ashtu nga Ebu Dherri, thuhet: “Vërtet, miku im sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem më ka poro­situr: “Kur të ziesh çorbë, shtoja pak ujin, e pastaj shikoi familjet e fqinjve dhe ndaj një pjesë prej saj”.

202. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Pasha All-llahun nuk beson, pasha All-llahun nuk beson, pasha All-llahun nuk beson!” I thanë: “Kush o i Dërguari i All-llahut? Tha: “Ai, fqinji i të cilit nuk është i sigurt nga të këqijat e tij!”. (Muttefekun alejhi)

Në një transmetim të Mus­limit thuhet: “Nuk do të hyjë në Xhennet ai, fqinji i të cilit nuk është i sigurt prej të këqijave të tij”.

203. Trans­me­tohet po ashtu nga Ebu Hurejre r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kush i beson All-llahut dhe Ditës së mbramë, mos ta shqetësojë fqinjin e vet, kush i beson All-llahut dhe Ditës së mbramë le ta nderojë mi­kun (musafirin) e vet dhe kush i beson All-llahut dhe Ditës së mbramë, le të flasë mirë ose le të heshtë”. (Muttefekun alejhi)
204. Trans­me­tohet nga Abdull-llah ibn Umeri r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Shokë më të mirë tek All-llahu i Madhëruar janë ata që janë më të mirë për shokun e vet, dhe fqinj më të mirë tek All-llahu janë ata që janë më të mirë për fqinjin e vet”. (Tir­midhiu thotë: hadith hasen)

All-llahu i Madhëruar thotë:

“Adhurojeni All-llahun dhe asnjë send mos e trajtoni të barabartë me Të!Jini të mirë me prindërit dhe të afërmit, edhe me bonjakët dhe të varfërit e ngratë, edhe me fqinjët e afërt edhe me fqinjët e largët, edhe me shokët përreth, edhe me udhëtarët edhe me ata që janë nën kujdesin tuaj” (en-Nisa, 36)

“..Frikësojuni All-llahut, në emër të të Cilit betoheni dhe mbani lidhjet familjare.” (en-Nisa, l);

“Edhe ata që respektojnë atë çka ka urdhëruar All-llahu, që të respektohet (për mbajtjen e lidhjeve famil­jare)” (err-Rra'd, 2l) “Ne e kemi porositur njeriun të sillet mirë ndaj prindërve të vet.” (el-Anke­but, 8)

“Zoti yt ka përcaktuar që të mos adhuroni tjetër përveç Atij dhe të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre, ose të dy, përjetojnë pleqëri te ti, mos u thuaj “of!” e as mos u fol me zë të lartë, por t'u drejtohesh me fjalë respekti të plotë. Shtrij përpara tyre krahët e përulshmërisë dhe thuaj: “O Zoti im, ki mëshirë ndaj tyre, siç kanë pasur kujdes ata ndaj meje në vegjëli!” (el-Isra, 23-24)

“Ne e kemi porositur njeriun për prindërit e vet të sillet mirë, se nëna e vet e ka bartur në dëm të shëndetit të saj, kurse nga gjiri e ndan brenda dy vjetëve. Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe prindërve tu!.” (Lukman, l4)

205. Trans­me­tohet nga Ebu Ab­durrahman Abdull-llah ibn Mes'ud r.a. se ka thënë: “E kam pyetur Pej­gam­be­rin s.a.v.s.: “Cila punë është më e dashur tek All-llahu i Madhëruar?” Tha: “Namazi në ko­hën e vet”. I thashë: “Pastaj cila?” Tha: “Bamirësia ndaj prindërve”.I thashë: “Pastaj cila?” Tha: “Xhi­hadi (lufta) në rrugë të All-llahut”. (Muttefekun alejhi)
206. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. ka thënë: “Fëmija prindin e vet nuk mund ta shpër­blejë përveç nëse e gjen në pro­nësi të dikujt dhe e blen prej tij pastaj e liron (nga robëria)”. (Muslimi)
207. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. që ka thënë: “Erdhi një njeri tek i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. dhe i tha: “O i Dërguari i All-llahut, kush është më i meritu­ari i njerëzve për shoqërimin tim të mirë?” Tha: “Nëna jote”. Tha: “Pastaj kush?” (Pej­gam­be­ri) Tha: “Nëna jote”, tha: “Pastaj kush?” Tha: “Nëna jote”, tha: “Pastaj kush?” Tha: “Babai yt”. (Mutte­fekun alejhi)

Kurse sipas një transmetimi tjetër thuhet: “O i Dërguari i All-llahut, kush është më i merituar për shoqërim të mirë?” Tha: “Nëna jote, pastaj nëna jote, pastaj nëna jote, pastaj babai yt e pastaj më të afërmit me radhë”.

208. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a.se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “I përbuzur është, i për­buzur është, i përbuzur është ai që e arrin pleqërinë e njërit apo të dy prindërve të tij dhe (për shkak të mospërkujdesjes së tij ndaj tyre) nuk hyn në Xhennet”. (Muslimi)
209. Trans­me­tohet nga Enesi, r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kush dëshiron që t'i shtohet furnizimi dhe t'i zgjatet jeta, atëherë le të kujdeset dhe le t'i mbajë lidhjet farefis­nore”. (Muttefekun alejhi)
210. Trans­me­tohet se Abdull-llah ibn Amr ibn el-'As ka thënë: “Erdhi një njeri te Pej­gam­be­ri s.a.v.s. dhe i tha: “Të zotohem ty për hixhret dhe xhihad dhe kërkoj shpërblimin nga All-llahu i Madhëruar”. (Pej­gam­be­ri) Tha: “A e ke ndonjërin prej prindërve gjallë?” Tha: “Po, madje të dy i kam gjallë”. Tha: “Dhe po kërkon shpërblim nga All-llahu i Madhëruar?” Tha: “Po”.(Pej­gam­be­ri) Tha: “Kthehu te prindërit tu dhe bërju shoqërim e shërbim të mirë”. (Muttefekun alejhi)

Kjo është shprehja e Mus­limit, kurse një transmetim tjetër i Buhariut dhe Muslimit thekson: “Erdhi një njeri dhe kërkoi leje prej Tij për xhihad. (Pej­gam­be­ri) Tha: “A i ke prindërit gjallë?” Tha: ”Po”. (Pej­gam­be­ri atëherë) Tha: “Ktheju atyre, aty është xhi­hadi yt!”

211. Trans­me­tohet, po ashtu, nga Abdull-llah ibn Amr ibn el-'As r.a., se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Nuk është lidhës i marëdhënieve farefisnore ai që kthen (vizitat) por lidhës i marrëdhënieve është ai që kur i ndërpritet farefisnia i rivendos lidhjet (me ta)”. (Buha­riu)
212. Trans­me­tohet nga Aisheja r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Afria (e gjakut) varet në Arsh dhe thotë: “Kush i mban lidhjet me mua, All-llahu do t'i mbajë me të, ndërsa kush i ndërpret lidhjet me mua, All-llahu do t'i ndërprejë lidhjet me të”. (Muttefekun alejhi)
213. Trans­me­tohet nga Esma, bija e Ebu Bekër es-Siddikut r.a., se ka thënë: “Më erdhi nëna ime që ishte ende idhujtare (mushrike) në kohën kur i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ishte në marrëveshje (me idhujtarët në marrëveshjen e Hu­dejbisë), unë i kërkova sqarim duke i thënë: “Më ka ardhur nëna ime që më do dhe është përmallu­ar, andaj a të mbaj lidhje me të?” Tha: “Po, mbaj lidhje me të”. (Muttefekun alejhi)
214. Trans­me­tohet nga Ebu Ejjub Halid ibn Zejd el-Ensarij r.a. se një njeri ka thënë: “O i Dërguari i All-llahut, më trego për një punë që do të më shpie në Xhennet dhe do të më largojë nga Xhehen­nemi?” Pej­gam­be­ri s.a.v.s. tha: “Ta adhurosh All-llahun dhe të mos i shoqërosh asgjë, ta falësh namazin, ta ndash zekatin dhe t'i mbash lidhjet farefisnore”. (Mut­tefekun alejhi)
215. Trans­me­tohet nga Selman ibn'Amir, r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Kur të bëjë iftar ndonjëri prej jush, le ta bëjë këtë me hurmë, sepse ajo është begati (bereqet), nese atë nuk e ka, atëherë me ujë, sepse ai është pastërti”. Dhe ka thënë: “Sadakaja ndaj të varfërit është sadaka, kurse ndaj të afërmit është dy herë, sadaka dhe ndihmë”. (Tirmidhiu thotë: hadith hasen)
216. Trans­me­tohet nga Ibni Umeri r.a. se ka thënë: “Unë e kam pasur një grua të cilën e doja, kurse Umeri (babai i tij) e urrente dhe më tha: “Shkurorëzoje!” Unë refuzova. Pastaj Umeri r.a. shkoi te Pej­gam­be­ri s.a.v.s. dhe i tregoi për këtë. Pej­gam­be­ri s.a.v.s. tha: “Shkurorëzoje!” (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu dhe thonë hadith hasen sahih)
217. Trans­me­tohet nga Ebu ed-Derda r.a. që ka thënë se i ka ardhur një njeri dhe i ka thënë: “E kam një grua, kurse nëna ime po më urdhëron që ta shkurorëzoj!? (Ebu ed-Derda) Tha: “E kam dë­gjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “Prindi është dera e mesme e Xhennetit, nëse do humbe atë derë, ose përndryshe ruaje”. (Tirmidhiu thotë: ha­dith hasen sahih)

All-llahu i Madhëruar thotë:

“A mos edhe ju, po të ki­shit marrë pushtet, do të shkaktonit trazira në tokë dhe do të shthurnit lidhjet tuaja familjare? Ata janë, të cilët All-llahu i mallkoi dhe i bëri të shurdhër dhe të ver­bër” (Muhammed, 22-33)

“Kurse ata, të cilët e thejnë besën e All-llahut, edhe pasi e kanë dhënë seriozisht fjalën, dhe atë që u ka ur­dhëruar All-llahu të respek­to­het, e mënjanojnë dhe bëjnë trazira në tokë; ata i pret mallkimi dhe vendba­nimi më i keq!” (err-Rra'd,25)

“Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni tjetër përveç Atij dhe të silleni mirë me prindërit.Nëse njëri prej tyre, ose të dy, përjetojnë pleqëri te ti, mos u thuaj “of!” e as mos u hidhëro, por t'u dre­jtohesh me fjalë respekti të plotë. Shtrij përpara tyre krahët e përulshmërisë dhe thuaj: “O Zoti im, ki mëshirë ndaj tyre, siç kanë pasur kujdes ata ndaj meje në vegjëli!” (el-Isra, 23-24)

218. Trans­me­tohet nga Ebu Bek­rete Nufej ibn el-Harith r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “A doni t'ju njoftoj për mëkatet më të mëdha?” - tri herë - Ne i thamë: “Gjithsesi, o i Dër­guari i All-llahut!” Tha: “All-lla­hut nëse i përshkruhet shok (shirk) dhe mosdëgjimi i prindërve”. Ishte (ulur) i mbështetur, pastaj u drejtua dhe tha: “Veni re, edhe rrena, edhe dëshmia e rrejshme”, dhe vazhdimisht e përsëriti këtë saqë thamë: “Ah, sikur të heshtte!” (Muttefekun alejhi)
219. Trans­me­tohet nga Abdull-llah ibn Amr ibn el-'As r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Mëkatet e mëdha janë: All-llahut nëse i përshkruhet shok (shirk); mosdëgjimi i prindërve; vrasja e njeriut dhe betimi i rrejshëm (kur të bëhet me qëllim dhe me vetëdije rrejshëm)”. (Buhariu)
220. Trans­me­tohet nga Ebu Muhammed Xhubejr ibn Mut'im r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Nuk do të hyjë në Xhennet ai që i ndërpret lidhjet”. Sufjani në transmetimin e tij thotë: “Do të thotë lidhjet fa­miljare”. (Muttefekun alejhi)
221. Trans­me­tohet nga Ebu Isa el-Mugire ibn Shu'be r.a. se Pe­j­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Vërtet All-llahu i Madhëruar ua ka nda­lu­ar (haram) mosdëgjuesh­mërinë ndaj nënave; moskryerjen e obli­gi­mit dhe kërkimin e asaj që nuk ju takon; dhe nëpërkëmbjen e vajzave (varrimi për së gjalli) dhe ua ka bërë të urrejtur (mekruh) tha­she­the­met (kur flitet gjithçka që dë­gjo­ni); pastaj pyetjet e shumta ( për çka s'ka nevojë) dhe humbjen e pasurisë (harxhimin e tepërt në diçka të paparaparë fetarisht)”. (Muttefekun alejhi)

Kësaj teme i përket edhe hadithi i theksuar në temën e kaluar (nr.142)

222. Trans­me­tohet nga Ibni Umeri r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Ba­mirësi më e mirë është që njeriu të mbajë lidhje me dashamirin e ba­bait të vet”.

Abdull-llah ibn Dinari nga Abdull-llah ibn Umeri r.a. thotë se një beduin e kishte ta­kuar atë në rrugë për në Mekke, të cilit Abdull-llah ibn Umeri i kishte dhënë selam dhe e kishte hipur në gomarin në të cilin vet ishte i hipur, pastaj ia kishte dhënë edhe shallin që e kishte në kokën e tij. Ibni Dinari thotë, atëherë ne i thamë atij: “All-llahu të dhashtë të mira, ata janë beduinë dhe kënaqen me pak”. Abdull-llah ibni Umeri atëherë tha: “Vërtet, babai i këtij ka qenë dashamir i Umer ibn el-Hattabit r.a., kurse unë e kam dëgjuar të Dërguarin e All-lla­hut s.a.v.s. duke thënë: “Vër­tet, bamirësi më e mirë është që njeriu të mbajë lidhje me dashamirët e babait të vet”.

Një transmetim tjetër nga Ibni Dinari thotë: “Kur dilte Ibni Umeri në Mekke, i hipte gomarit të tij që e kishte - kur mërzitej nga deveja - dhe me një shall e mbulonte dhe forconte kokën dhe duke qenë kështu hipur mbi gomar, kaloi aty­pari një beduin të cilit i tha: ”A nuk je ti i biri i filanit?” (Beduini) Tha: “Po, unë jam”. (Ibni Umeri) Pastaj ia dha gomarin dhe i tha: “Hipi këtij!” dhe ia dha edhe shallin duke i thënë: “Me këtë mbështille kokën”. Disa shokë të tij i thanë: “All-llahu të faltë, ia dhe këtij arabi gomarin mbi të cilin ishe hipur vet dhe shallin me të cilin pate mbështjellur kokën tënde?” (Ibni Umeri) Tha: “Vërtet, unë e kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “Vërtet, bamirësi më e mirë është që njeriu t'i mbajë lidhjet me dashamirët e babait të vet pas vdekjes së tij”. Vërtet, babai i tij ka qenë shok i Umerit r.a”.. (Të gjitha transmetimet janë nga Muslimi)

223. Trans­me­tohet nga Enes ibn Maliku r.a. se ka thënë: “Dola në udhëtim bashkë me Xherir ibn Ab­dull-llah el-Bexhel-lij r.a. dhe filloi të më shërbejë. Unë i thashë: “Mos vepro kështu!” Kurse ai m'u përgjigj: “Vërtet, unë i kam parë ensarët, kështu vepronin me të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. dhe unë jam zotuar në vetvete që asnjërin prej tyre mos ta shoqëroj e të mos i shërbej”. (Muttefekun alejhi)

All-llahu i Madhëruar thotë:

“...All-llahu, me të vërtetë, dëshiron që nga ju - o fa­milja e Pej­gam­be­rit, - t'i lar­gojë mëkatet dhe t'ju pas­trojë plotësisht”. (el-Ahzab, 33),

Dhe thotë:

“...E kush madhëron dis­pozitat e All-llahut, ajo është shenjë e zemrës fisnike”. (el-Haxhxh, 32)

224. Trans­me­tohet nga Jezid Hajjan se ka thënë: “U nisëm unë, Husajn ibn Sebre dhe Amr ibn Muslimi për te Zejd ibn Erkami r.a. dhe pasi u ulëm, i tha atij Husajni: “O Zejd, ti ke arritur shumë të mira; e ke parë të Dër­guarin e All-llahut s.a.v.s., i ke dëgjuar fjalët e tij, me të ke luftuar bashkë dhe je falur pas tij. Ti, vërtet o Zejd, ke përjetuar shumë të mira, andaj na thuaj diç nga ajo që ke dëgjuar nga i Dërguari i All-llahut s.a.v.s.?” Tha: “O djali i vëllait, pasha All-llahun, tashmë jam plakur, ka kaluar koha ime, diçka edhe kam harruar nga ajo që mbaja në mend nga i Dërguari i All-llahut s.a.v.s., andaj atë që ua them - pranojeni, kurse atë që nuk ua them mos më obligoni për të”, e pastaj tha: “Një ditë, u ngrit i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. dhe na mbajti një fjalim te një ujë që qu­het “Humma” në mes të Mekkes dhe Medines. Aty ai e falënderoi dhe la­vdëroi All-llahun, pastaj këshilloi dhe tërhoqi vërejtje e pastaj tha: “O njerëz, kujdes, vërtet unë jam njeri, është afruar që të vjen i dërguari i Krijuesit tim dhe unë do t'i përgjigjem, andaj po ua lë dy gjëra madhështore: e para është Libri i All-llahut, në të cilin gjenden udhëzimi dhe drita, andaj merreni Librin e All-llahut dhe përmbajuni atij”. Nxiti dhe inku­rajoi për Librin e All-llahut e pastaj tha: “Dhe familja ime; ua përkujtoj (ua tërheq vërejtjen) All-llahun për familjen time, ua përkujtoj All-llahun për familjen time!” Atëherë Husajni i tha: “E kush janë familja e tij, o Zejd? A nuk janë gratë e tij prej familjes së tij?” (Zejdi) tha: “Gratë e tij janë prej familjes së tij, por edhe të gjithë ata që u është ndaluar marrja e sadakasë pas tij, janë të familjes së tij”. Tha: “E kush janë ata?” (Zejdi) Tha: “Ata janë familja e Aliut, familja e Akilit, familja e Xhaferit dhe familja e Abbasit”. Tha: “Të gjithë këtyre u është e ndaluar marrja e sadakas?” Tha: “Po”. (Muslimi)

Sipas një transmetimi tjetër ky hadith citohet kështu: “Kujdes, unë po ua lë dy gjëra madhështore: E para është Li­bri i All-llahut. Ai është lidhja (litar) e All-llahut, kush e pa­son atë është i përudhur, ndërsa kush e braktis, do të jetë në lajthitje”.

225. Trans­me­tohet nga Ibni Umeri r.a. e ky nga Ebu Bekër es-Siddiku r.a. se ka thënë: “Ku­jdesuni për Muhammedin s.a.v.s. nëpërmjet familjes së tij”. (Buhariu)

Fjala “kujdesuni” do të thotë: ruajeni, respektojeni, nderojeni. All-llahu e di më së miri!

All-llahu i Madhëruar thotë:

“...Thuaj: “A janë njëlloj ata që dinë dhe ata që nuk dinë? Mësim marrin vetëm të mençurit”. (ez-Zumer, 9)

226. Trans­me­tohet nga Mes'ud Ukbe ibn Amr el-Bedrij el-Ensarij r.a. se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. na i prekte supet e krahëve tona (me duart e tij) gjatë namazit dhe na thoshte: “Barazo­huni - drejtohuni, mos jini të pa­barazuar (në saff), pastaj dhe zem­rat tuaja do të janë të padrejtuara. Le të më pasojnë (afrohen) mua të mençurit dhe më të aftit, pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vi­jnë pas tyre”. (Muslimi)
227. Trans­me­tohet nga Ibni Umeri r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Kam parë ëndërr se po e përdorja misvakun, kur më erdhën dy njerëz, njëri ishte më i vjetër se tjetri. Unë ia dhashë misvakun atij më të riut, kurse m'u tha: “Të vjetrit së pari”, atëherë ia dhashë atij më të vjetrit”. (Muslimi me sened, kurse Buhariu pa sened)
228. Trans­me­tohet nga Amr ibn Shuajb, nga babai i tij, kurse ai nga babai i vet r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që nuk është i mëshir­shëm ndaj të vegjëlve tanë dhe kush nuk ua di respektin e duhur të vjetërve tanë”. (Hadith sahih. Trans­me­tojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu të cilët thonë se është hadith hasen sahih. Ndërkaq në transmetimin e Ebu Davudit thu­het: “të drejtën e të vjetërve tanë”).
229. Trans­me­tohet nga Mejmun ibn Ebi Shebib, All-llahu e mëshi­roftë, se Aisheja r.a. një lypësi që kaloi njëherë ia dha një copë bukë, kurse kur kaloi një tjetër, që ishte më i veshur dhe më i pashëm, i ofroi të ulet, e pastaj i dha të hajë. Kur e pyetën për këtë, ajo tha: “I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Vlerësoni njerëzit sipas vlerave të tyre”. (Ebu Davudi, i cili thotë: megjithatë Mejmuni nuk e ka mbërritur Aishen)

Muslimi në fillim të Sahihut të tij e ka theksuar pa sened ku thotë: “Trans­me­tohet nga Ai­sheja r.a. që ka thënë: “Na ka urdhëruar i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. që t'i vlerësojmë njerëzit sipas vlerave të tyre”. Kurse el-Hakim Ebu Abdull-llah në librin e tij “Ma'rifetu ulumi-l-hadith” (Njohja e shkencave të hadithit), e thek­son këtë hadith dhe thotë se është hadith sahih. All-llahu i Madhëruar thotë: “Dhe kur i tha Musa djalit të vet: “Do të shkoj derisa të arrij aty ku bashkohen dy dete, ose do të eci dhe vetëm do të eci. Dhe kur ata dy arritën deri në vendin ku ata dy duhej të bashkohen, e harruan peshkun e tyre, e ai u nis rrugës së vet nëpër det. Po kur u largua, (Musa) i tha djalit të vet: “Na jep të hamë mëngjesin, sepse nga kjo rrugë jona jemi lodhur. A e sheh? - i tha ky. Kur u ndalëm në atë breg, e unë e harrova peshkun, këtë s'e ka bërë tjetërkush përpos vetë djallit, që ta përmend atë. Ai patjetër do të jetë zhytur në det, për çudi! Tha: Kjo është ajo që na duhet, dhe u kthyen të dy rrugës prej nga kishin ardhur. Dhe e gjetën një njeri nga robërit tanë, të cilit i patëm dhënë mëshirë nga ana jonë dhe i mësuam atë që e dimë vetëm Ne. “A mund të të bëj shoqëri?” i tha Musa. “Por të ma mësosh tërë atë drejtësi që e ke mësuar ti”. (el-Kehf, 60-66)

Dhe ka thënë:

“Qëndro vendosmërisht në anën e atyre, të cilët i luten Zotit të vet në mëngjes dhe në mbrëmje me dëshirë që të meritojnë simpatinë e Tij.” (el-Kehf, 28)

230. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Një njeri e vizitoi një vëlla të vetin në një fshat tjetër. All-llahu i Madhëruar ia cakton një engjëll për ta vëzhguar gjatë rrugës së tij dhe kur erdhi tek ai (engjëlli) i tha: “Ku po do?” Tha: “Te një vëlla imi në këtë fshat”. Tha: “A mos ke ti tek ai ndonjë levërdi e don ta fitosh atë prej tij?” Tha: “Jo, përpos që unë atë e dua për All-llahun!” (Engjëlli) Tha: “Unë jam i dër­guar nga All-llahu te ti për të njoftuar se All-llahu të do ty ashtu siç e do ti atë njeri”. (Muslimi)
231. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. ka thënë: “Kush e vizi­ton një të sëmurë ose e viziton vëllain e tij për All-llah, do të thë­rras një thirrës (engjëll) se ti je i mirë dhe është e mirë ecja yte dhe po ashtu ke përgatitur një vend në Xhennet”. (Tir­midhiu thotë: hadith hasen)
232. Trans­me­tohet nga Ebu Musa el-Esh'arij r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Shembulli i ndejës me njerëz të mirë dhe nde­jës me njerëz të këqij është si­kurse shitorja e miskut (parfume­ria) dhe farkëtorja. Shitësi i miskut ose të jep (të eros) ose të shet, ose së paku prej tij kundërmon erë e këndshme. Kurse farkëtari ose t'i djeg teshat, ose prej tij do të vjen erë e pakëndshme (nga thëngji­lli)”. (Muttefekun alejhi)
233. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Femra martohet për katër gjëra: për pasurin e saj, prej­ardhjen e saj, bukurinë e saj dhe fenë e saj. An­daj, zgjidhe atë që është dhënë në fe që të të lumin duart”. (Muttefekun alejhi)
234. Trans­me­tohet nga Ibni Ab­basi r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. i ka thënë Xhibrilit: “Çka po të pengon ty që nuk po na viziton më shpesh?” Pastaj u shpall ajeti: (Xhibrili tha) “Dhe Ne, zbresim (në Tokë), vetëm me urdhrin e Zotit tënd. Atij i përket ajo që është para nesh, dhe që është pas nesh, dhe ajo që është në mes këtyre dyjave.” (Merjem, 64) (Buhariu)
235. Trans­me­tohet nga Ebu Musa el-Esh'arij r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Njeriu në botën e ardhshme do të jetë me atë që e ka dashur”. (Muttefekun alejhi)

Në një transmetim tjetër thuhet: “I është thënë Pej­gam­be­rit s.a.v.s.: “Njeriu i do të vetët, por nuk mundet t'u bashkohet?” Tha: “Njeriu është me atë që e do”.

236. Trans­me­tohet nga Enesi r.a. se një beduin i tha të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s.: “Kur është Ki­jameti?” I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. tha: “Çka ke përgatitur për të?” Tha: “Dashurinë për All-lla­hun dhe të Dërguarin e Tij”. (Pej­gam­be­ri) Tha: “Ti (do të) jesh me atë që e ke dashur”. (Muttefekun alejhi)

Ky është citat i Muslimit, kurse sipas një transmetimi tjetër të Buhariut dhe Mus­limit: “Nuk kam përgatitur shumë agjërim, as namaz, as sadaka, por e dua All-llahun dhe të Dërguarin e Tij”.

237. Trans­me­tohet nga Ibni Mes'udi r.a. se ka thënë: “Erdhi një njeri tek i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. dhe i tha: “O i Dërguari i All-llahut, çfarë thua për një njeri i cili i do të vetët, por nuk mund t'i arrijë ata?” I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. tha: “Njeriu do të jetë me atë që e ka dashur”. (Muttefekun alejhi)
238. Trans­me­tohet nga Usejr ibn Amr e i thuhet Ibni Xhabir se ka thënë: “Umer ibn el-Hattabi r.a. kur i erdhën atij njësitë (luftarake) nga Jemeni i pyeti: “A është në mesin tuaj Uvejs ibn Amir?” De­risa erdhi te Uvejsi r.a. dhe i tha: “A je ti Uvejs ibn 'Amir?” (Uvejsi) Tha. “Po!”. “A je nga (fisi) Muradi dhe nga (familja) Karani?” (Uve­jsi) Tha: “Po”. (Umeri prapë vazhdoi) “A e ke pasur gërbulën e pastaj je shëruar prej saj përveç një vendi sa një dirhem?” Tha: “Po”. (Umeri) Tha: “A ke nënë?” Tha: “Po”. Tha (Umeri): “E kam dëgju­ar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “Do t'ju vjen juve Uvejs ibn 'Amiri me njësitë e Je­menit nga Muradi pastaj nga Karani, ai e ka patur sëmundjen e gërbulës dhe është shëruar, përveç nga vendi sa një dirhem. Ai e ka nënën ndaj së cilës është shumë bamirës, sikur ta luste ai All-lla­hun diç, do t'ia plotësojë, andaj nëse mundesh (lute) që ai të kërkojë falje (magfiret) për ty, bëre!” (Umeri i tha): “Kërko mag­firet për mua!” (Dhe Uvejsi) kërkoi falje për të. Pastaj Umeri i tha: “Ku po do?” Tha: “Në Kufe”. (Umeri) Tha: “A t'i shkruaj mëkëmbësit të atjeshëm?” (Uvejsi) Tha: “Unë do të jem me njerëz të parëndësishëm, këtë e kam qejf më tepër!”

Në vitin e adhshëm në Haxhxh vjen një njeri i dalluar nga Kufa i cili takohet me Umerin e ky e pyet për Uvejsin. Ai tha: “E kam lënë me një shtëpi të keqe me pak gjësende. (Umeri) Tha: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “Do t'ju vjen Uvejs ibn 'Amir me njësitë e Je­menit nga Muradi, nga Karani, që ka qenë i sëmurë nga gërbula e pastaj është shëruar përveç një vendi sa një dirhem. E ka një nënë ndaj së cilës sillet me shumë bamirësi. Nëse i lutet All-llahut diçka, ia pranon - andaj, nëse mundesh, kërko që të lutet ai për ty”. (Ky njeri nga Kufa) Shkon te Uvejsi dhe i thotë: “Kërko falje për mua!” (Uvejsi) Tha: “Ti ke qenë më vonë në udhëtim të mirë, andaj ti lutu për mua!” Pastaj i tha: “A e ke takuar Umerin?” Tha: “Po”. (Më në fund Uvejsi) iu lut (All-llahut) për faljen e atij. Pas kësaj njerëzit filluan t'ia mësyejnë Uvejsit kurse ky u largua (me të shpejtë). (Mus­limi)

Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: Nga Usejr ibn Xhabir r.a. trans­me­tohet se banorët e Kufes dërguan një delegacion për te Umeri r.a., në mesin e të cilëve ndodhej një njeri nga ata që e përbuzën Uvejsin. Umeri tha. “A ka këtu ndonjë nga Karani?” dhe vjen ai njeriu, ndërsa Umeri i tha: “Vërtet, i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Vërtet, do t'ju vie një njeri nga Jemeni, do ta quajnë Uvejs, nuk ka lënë asgjë në Jemen përveç nënës së tij. E ka pasur sëmundjen e gër­bulës, por kur i lutet All-lla­hut, Ky e shëroi përveç një vendi sa një dinar apo një dirhem, andaj kush ta takojë prej jush le ta lusë për t'i bërë lutje All-llahut për falje”.

Në një transmetim tjetër nga Umeri r.a. thuhet se ka thënë: “Unë vërtet e kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “Vërtet tabiiju më i mirë është një njeri i quajtur Uvejs, që ka një nënë, ka qenë i sëmurë nga gërbula, andaj thuani të bëjë lutje për ju për magfiret”.

All-llahu i Madhëruar thotë:

“Muhammedi është pe­j­gam­ber i All-llahut, kurse ata që janë me të janë të ashpër ndaj mosbesimtarëve, por të mëshirshëm ndërmjet veti; i sheh si përkulen dhe bien me fytyrë për toke (se­xhde), duke dëshiruar mirësinë e All-llahut dhe kënaqësinë e Tij. Në fytyrë kanë shenjat, gjurmët nga të rënat me fytyrë për toke (sexhde). Ai është përshkrimi i tyre në Tevrat, kurse përshkrimi i tyre në Inxhil: ata janë si bima, kur lëshon filizin e vet e pastaj e forcon, trashet dhe e pjek frytin e vet, duke nxitur entuziazëm tek mbjellësit e për t'i zemëruar me të mosbesim­tarët. All-llahu u ka prem­tuar atyre, të cilët besojnë dhe bëjnë vepra të mira, falje dhe shpërblim të madh”. (el-Fet'h, 29),

Dhe thotë:

“Edhe ata, të cilët e kanë përgatitur shtëpinë dhe be­simin përpara atyre, i duan ata që kanë ardhur te këta.” (el-Hashr, 9)

239. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se Pej­gam­be­ri s.av.s. ka thënë: “Shtatë persona (lloje njerëzish) All-llahu do t'i vendosë nën hijen (mbrojtjen) e Tij atë ditë kur nuk do të ketë tjetër përveç hijes së Tij. Ata janë: - Imami (udhëheqësi) i drejtë; - një i ri i cili është rritur në ibadet dhe res­pekt të All-llahut të Madhëruar; - një njeri, zemra e të cilit është e lidhur për xhamitë; - dy njerëz të cilët në emër të All-llahut duhen, janë sho­qëruar dhe të tillë kanë mbetur gjer në ndarje (vdekje); - një njeri të cilin e ka thirrë një grua auto­ritative dhe e bukur, kurse ai e re­fuzon duke i thënë se i frikësohet All-llahut; njeriu i cili ndan sadaka fshehurazi, ashtu që dora e majtë nuk e di çka jep e djathta; dhe njeriu që në vetmi e përmend All-llahun dhe i mbushen sytë me lot”. (Muttefekun alejhi)
240. Nga Ebu Hurejre r.a. trans­me­tohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s ka thënë: “All-llahu i Madhëruar në Ditën e Gjykimit do të thotë: “Ku janë ata që janë dashur në emër të Madhërisë Sime? Sot do t'i vendos nën hijen Time, në ditën kur nuk do të ketë hije (mbrojtje) tjetër përveç hijes Sime”. (Muslimi)
241. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. ka thënë: “Nuk do të hyni në Xhennet derisa të besoni, dhe nuk do të besoni derisa të du­heni ndërmjet veti. A doni t'ju udhëzoj në diç për çka - nëse i përm­baheni do të duheni në mes veti? Atëherë jepni ndërmjet veti selam”. (Muslimi)
242. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Një njeri e vizitoi vë­llain e vet në një fshat tjetër. All-llahu i Madhëruar ia cakton një engjëll për ta vëzhguar gjatë rrugës së tij dhe kur erdhi tek ai (engjëlli) i tha: “Ku po do?” Tha: “Te një vëlla imi në këtë fshat”. Tha: “A mos ke ti tek ai ndonjë levërdi e don ta fitosh atë prej tij?! U tha: “Jo, përpos që unë atë e dua për All-llahun!” (Engjëlli) Tha: “Unë jam i dër­guar nga All-llahu te ti për të njoftuar se All-llahu të do ty ashtu siç e do ti atë njeri”. (Muslimi)
243. Trans­me­tohet nga Enesi r.a. që ka thënë se një njeri ishte te Pej­gam­be­ri s.a.v.s. kur kalon aty një njeri tjetër kurse (ky që ishte te Pej­gam­be­ri) tha: “O i Dërguari i All-llahut, unë vërtet e dua këtë njeri”. Pej­gam­be­ri s.a.v.s. tha: “A e ke informuar atë (se e do)?” Tha: “Jo”. (Pej­gam­be­ri) Tha: “Infor­moje”. (Ky) E takon dhe i thotë: “Unë të dua për hir të All-llahut”. (Ai) Tha: “All-llahu të dashtë, që të ka bërë të më duash për Të”. (Ebu Davudi me isnad sahih)

All-llahu i Madhëruar thotë:

“Thuaj, nëse e duani All-llahun, pasomëni, edhe juve All-llahu do t'ju dojë dhe do t'ua falë mëkatet. All-llahu fal dhe është mëshirëplotë”. (Ali Imran, 31)

“O besimtarë, kush prej jush i shmanget fesë së vet, All-llahu në vend të tyre do të sjell njerëz që i do Ai dhe që e duan Atë; të përulur ndaj besimtarëve dhe kryelartë ndaj mosbesim­tarëve; ata do të luftojnë në rrugë të All-llahut dhe nuk do t'i frikësohen kërcënimit të kurrfarë kërcënuesi. Ajo është mirësi e All-llahut, të cilën Ai ia jep kujt të dojë - dhe All-llahu ka dije shumë të gjerë”. (el-Maide, 54)

244. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Kur All-llahu i Madhëruar e do robin (e vet) e thërret Xhibrilin: “Vërtet All-llahu i Madhëruar e do filanin, ndaj duaje edhe ti, dhe Xhibrili e do. Pastaj e shpall te banorët e qiellit: “Vërtet All-llahu e do filanin, ndaj duajeni edhe ju. Pastaj banorët e qiellit e duan dhe i sigurojnë pranim në Tokë”. (Muttefekun alejhi)

Kurse sipas një transmetimi të Muslimit: I Dërguari i All-llahut s.av.s. ka thënë: “All-llahu i Madhëruar nëse e do një rob, e fton Xhibrilin dhe i thotë: “Unë vërtet e dua fi­lanin, andaj duaje edhe ti, dhe Xhibrili e do. Pastaj do të thërrasë në qiell dhe do të thotë: “Vërtet, All-llahu e do filanin, ndaj duajeni edhe ju - dhe do ta duan banorët e qie­llit dhe pastaj i sigurohet atij pranim në Tokë. Kurse nëse e urren një rob, e fton Xhibrilin dhe i thotë: “Unë, vërtet e urrej filanin, ndaj urreje edhe ti. Dhe Xhibrili e urren, pastaj thërret në banorët e qiellit: “Vërtet, All-llahu e urren fi­lanin, andaj urrejeni edhe ju. Pastaj atij i përgatitet urrejtje edhe në Tokë”.

All-llahu i Madhëruar thotë:

“Kurse ata, të cilët i ofen­dojnë besimtarët dhe besim­taret për diçka që nuk e meritojnë, ngarkohen vetë me shpifje dhe mëkat hap­tazi” (el-Ahzab, 58)

Dhe thotë:

“Prandaj bonjakun mos e nënçmo. Dhe lypësin mos e refuzo”. (ed-Duha, 9-10)

Sa u përket haditheve për këtë temë, ato janë shumë. Prej tyre është ha­dithi i transmetuar nga Ebu Hurejre r.a. në kaptinën paraprake që fillon me fjalët: “Kush i bën armiqësi një mikut tim, do t'i shpall luftë”. Hadithi tjetër (i kësaj teme) është ai që trans­me­tohet nga Sa'd ibn Ebi Vekkas r.a., i cili nga fundi thekson: “O Ebu Bekër, nëse ti i hidhëron ata, e ke hidhëruar Krijuesin tënd”.

245. Trans­me­tohet nga Xhundub ibn Abdull-llah r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kush e fal namazin e sabahut, ai është nën mbrojtjen e All-llahut, andaj mos t'i kundërvihet askush kësaj (mbrojtjeje) me diçka, sepse kush i kundërvihet kësaj (mbrojtjes së All-llahut), do ta arrijë atë All-llahu, dhe pastaj do ta gjuajë me fytyrë në zjarr të Xhehennemit”. (Muslimi)

All-llahu i Madhëruar thotë:

“...Nëse pendohen, e kryejnë namazin dhe japin zekatin, atëherë lini të qetë.” (et-Tewbe, 5)

246. Trans­me­tohet nga Abdull-llah Tarik ibn Eshjem r.a. që ka thënë: “E kam dëgjuar të Dër­guarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “Kush thotë: LA ILAHE IL-LALL-LLAH (Nuk ka zot tjetër përveç All-llahut) dhe mo­hon hy­jninë e gjithçka që adhurohet, pos All-llahut - atij i sigurohet pasuria dhe gjaku i tij, kurse llogaria (e tij definitive) është tek All-llahu”. (Muslimi)
247. Trans­me­tohet nga Ebu Ma'bed el-Mikdad ibn el-Esved r.a. që ka thënë: “I thashë të Dër­guarit të All-llahut s.a.v.s.: “Çfarë mendon Ti nëse unë e takoj një njeri mosbesimtar (kafir), ne luftojmë mes veti dhe ai ma pret njërën dorë me shpatë, pastaj stre­hohet te një lis dhe thotë: “Iu dorëzova All-llahut (u bëra musli­man), a mund ta vras, o i Dërguar i All-llahut, pasi ta thotë këtë? (Pej­gam­be­ri) Tha: “Mos e vrit!” I thashë: “O i Dërguari i All-llahut, ai ma ka prerë (këput) njërën dorë, e pastaj e ka deklaruar atë!” (Pej­gam­be­ri) Tha: “Mos e vrit atë, sepse nëse e vret, atëherë ai është në pozitën tënde para se ta vrasish dhe ti do të biesh në pozitën e tij para se ta thotë deklaratën të cilën e ka thënë”. (Muttefekun alejhi)
248. Trans­me­tohet nga Usame ibn Zejd r.a. se ka thënë: “I Dër­guari i All-llahut s.a.v.s na dërgoi në Hurek (lagje e fisit) të Xhuhe­jnes, e ne herët në mëngjes i ta­kuam në ujin e tyre. Unë dhe një njeri prej Ensarëve e kapëm njërin prej tyre, e pasi që e paaftësuam, ai tha: “LA ILAHE IL-LALL-LLAH” (Nuk ka zot tjetër përveç All-lla­hut), atëherë ensariu u përmbajt, kurse unë gjuajta me shigjetën time dhe e vrava. Kur u kthyem në Medine, Pej­gam­be­ri s.a.v.s. mësoi për këtë ngjarje dhe më tha: “O Usame, a e vrave pasi që ka thënë: La ilahe il-lall-llah?” I thashë: “O i Dërguari i All-llahut, ai këtë e ka thënë për t'u mbrojtur”. (Pej­gam­be­ri) Më tha: “A e ke vrarë pasi që ka thënë: La ilahe il-lall-llah?” Atëherë këtë fjalë e ka përsëritur aq shumë, saqë dëshirova të mos e kisha pranuar Islamin deri atë ditë”. (Muttefekun alejhi)

Kurse sipas një transmetimi: “Pastaj i Dërguari i All-llahut s.av.s. tha: “A tha: La ilahe il-lall-llah, dhe ti e vrave?” I thashë: “O i Dërguari i All-llahut, ai këtë e ka thënë nga frika prej armës”. Tha: “A mos ia hape zemrën e tij që ta dije a e ka thënë apo jo?!” Vazhdimisht këtë e përsëriti saqë dëshirova që Islamin ta kisha pranuar atë ditë”.

All-llahu i Madhëruar thotë:

“...Frikësomuni vetëm Mua!” (el-Bekare, 40)

“Njëmend, hakmarrja e Zotit tënd është shumë e fortë.” (el-Buruxh, 12)

“Ja, ashtu dënon Zoti yt kur dënon qytetet që kanë bërë mizori. Dënimi i tij është, njëmend, fort i dhembshëm. Në këtë ka, pa dyshim, argumente për atë që i frikësohet dënimit në botën tjetër; e ajo është ditë kur të gjithë njerëzit do të tubohen dhe ajo është ditë e dëshmuar. Dhe ne e shtyjmë vetëm deri në një kohë të caktuar. Kur të vijë ajo ditë asnjë nuk do të flasë pa lejen e tij. Prej atyre do të ketë të mjerë dhe fatlumë. Sa u përket të këqijve, ata do të jenë në zjarr, ku merret frymë rëndë”. (Hud. 102-106)

“All-llahu u bën vërejtje për pezmin e tij” (Ali Imran, 28)

“Atë ditë, kur njeriu ik nga vëllai i vet. Edhe nga nëna edhe nga babai i vet. Edhe nga shoqja e vet dhe djemtë e vet. Atë ditë secilit njeri do t'i mjaftojë çështja e vet”. (Abese, 34-37)

“O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj! Me të vërtetë dridhja e fundit (e Ditës së Kijametit) është ngjarje e madhe. Atë ditë kur shihni që secila femër me fëmijë për gjiri do ta lë atë, dhe secila shtatzënë do ta hedhë frytin e vet (dështojë) dhe do shohësh njerëz të dehur; e ata nuk janë të dehur, por dënimi i All-llahut është i tmerrshëm”. (el-Haxhxh, 1-2)

“Kurse ai që i është frikësuar forcës së Zotit të vet, do të ketë dy Xhennete”. (err-Rrahman, 46)

“Do t'i qasen njëri-tjetrit duke u pyetur. Dhe duke thënë: “Më herët kemi pasur kujdes në familjen tonë. E All-llahu na dhuroi mëshirë dhe na ruajti nga vuajtja në zjarr. Ne i jemi lutur edhe më parë, Ai është me të vërtetë bamirës dhe i mëshir­shëm”. (et-Tur, 25-28)

Për këtë temë ka shumë ajete të njohura. Qëllim yni ka qenë të japim shenjë në disa sosh, dhe e bëmë. Sa u përket haditheve, po ashtu janë shumë, por ne do t'i theksojmë vetëm disa sosh.

Suksesi është me ndihmën e All-llahut.

249. Trans­me­tohet nga Ibni Mes'udi r.a. se i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. ka thënë: “Në atë ditë (Ditën e Gjykimit) do të sillet Xhe­hennemi me shtatëdhjetë mijë frena, Në çdo fre do të ketë shtatëdhjetë mijë engjëj të cilët e tërhe­qin”. (Muslimi)
250. Trans­me­tohet nga Ebu Dherri r.a. se i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. ka thënë: “Unë vërtet shoh atë që ju nuk e shihni. Qielli krikëllon dhe i takon (i ka hije) që të krikëllojë. Në të nuk ka vend në madhësi të katër gishtave e të mos ketë një engjëll me fytyrë në se­xhde për All-llahun e Madhëruar. Pasha All-llahun, sikur të dinit ju çka di unë, do të qeshnit pak e do të qanit shumë dhe as që do të dëfreheshit me gratë në shtrat, por do të ngjiteshit nëpër lartësira duke iu përkushtuar All-llahut të Madhëruar (me lutje të pandërprera)”. (Tirmidhiu thotë: hadith hasen)

Faqe 4
faqe
- 5 -

Faqe 6