Jump to content

Rijadu Salihin I/7

Nga Wikibooks

Pjesë nga Rijadu Salihin I nga Imam Neveviu


Faqe 6
faqe
- 7 -

Ballina
Nr. Hadithi
301. Trans­me­tohet nga Hakim ibn Hizam r.a. se ka thënë: “Kërk­ova nga i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. dhe ai më dha. Pastaj prap i kërkova dhe ai prap më dha. Dhe përsëri i kërkova, dhe ai përsëri më dha. Pastaj më tha: “O Hakim, vërtet kjo pasuri është e këndshme (për sy) dhe e ëmbël (për zemër), andaj kush e merr me bujari do të begatohet, kurse kush e mban me kryelartësi nuk do të begatohet. I atilli do të jetë si ai që han e nuk ngihet. Dhe dora e epërme është më e mirë se dora e poshtme”. Hakimi thotë: “Pastaj i thashë: Pa­sha Atë që të ka dërguar me të Vërtetën, unë prej askujt pas teje nuk do të pranoj asgjë deri të nda­hem prej kësaj bote”. Njëherë Ebu Bekri r.a. e ftoi Hakimin për t'ia dhënë ndonjë dhuratë, por ky refu­zoi të pranojë gjë prej tij. Pastaj, po ashtu, edhe Umeri r.a. e ftoi t'i japë por ky e refuzon. Pastaj (Umeri) tha: “O muslimanë, bëhuni dëshmitarë për Hakimin se po ia ofroj të drejtën (pjesën) e tij që ia ka caktuar All-llahu në këtë plaçkë (lufte) dhe se ai (Hakimi) po e refuzon”. Hakimi prej asnjë njeriu nuk ka pranuar asgjë pas Pej­gam­be­rit s.a.v.s. derisa vdiq”. (Muttefekun alejhi)
302. Trans­me­tohet nga Amr ibn Taglib r.a. se i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. solli një pasuri apo ro­bër (lufte) dhe i ndau. Disa njerëzve u dha kurse disave jo, an­daj i shkoi lajmi se ata që nuk u dha u hidhëruan dhe e qortuan. (Pej­gam­be­ri u ngrit dhe pasi) E falënderoi dhe e lavdëroi All-lla­hun, e tha. “Pasha All-llahun, unë i kam dhënë ndonjë njeriu kurse ndonjë e kam lënë. Atë që e kam lënë, e dua më shumë se atë të cilit i kam dhënë. Unë vërtet u kam dhënë disave, sepse kam parë në zemrat e tyre mosdurim, mospajtim dhe shqetësim kurse i kam lënë disa njerëz që All-llahu ua ka bërë zemrat të pasura dhe të hajrit. Prej këtyre është Amr ibn Taglib”. Amr ibn Taglibi ka thënë: “Pasha All-llahun, më tepër e kam dashur atë fjalë të të Dërguarit s.a.v.s. se sa pasurinë më të çmueshme”. (Buhariu)

All-llahu i Madhëruar thotë:

“Dhe kur të kryhet namazi atëherë shpërndahuni nëpër tokë dhe kërkoni mirësinë e All-llahut.” (el-Xhum'a, 10)

303. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Davudi alejhis-selam nuk është ushqyer përveç nga puna (fitimi) me dorë të vet”. (Buhariu)

All-llahu i Madhëruar thotë:

“...Çkado që ju të jepni (dhuroni) Ai atë e kompen­son.” (Sebe', 39)

“...Çkado që shpenzoni nga mirësia, e keni për vete dhe çkado që t'u jepni të tjerëve le të jetë vetëm për hir të All-llahut dhe ajo që e shpenzoni për të mirë, do t'ju kompensohet dhe nuk do të jeni të dëmtuar”. (el-Bekare, 272)

“...Dhe çkado që jepni për të mirë, All-llahu me siguri e di”. (el-Bekare 273)

304. Trans­me­tohet nga Abdull-llah ibn Amr ibn el-As r.a. se një njeri e pyeti të Dërguarin e All-lla­hut s.a.v.s.: “Cili Islam është më i mirë? Tha: “Ta ushqesh tjetrin dhe t'i japësh selam të njohurit e të panjohurit”. (Muttefekun alejhi)
305. Trans­me­tohet nga Abdull-llah ibn Amr ibn el-'As r.a. (po ashtu) se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Ekzistojnë dyzet (40) mirësi; më e larta është t'i jepet dikujt dhia (që të shërbehet me qumështin e saj e pastaj t'ia kthejë). Kushdo që e bënë një prej këtyre mirësive, duke shpresuar shpërblim dhe me besim në të premtuarën (e All-llahut), All-llahu i Madhëruar për të do ta dërgojë në Xhennet”. (Buhariu)
306. Trans­me­tohet nga Ebu Um­ame Sudejj ibn 'Axhlan r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “O biri i Ademit, ti nëse e shpenzon tepricën, më mirë është për ty, kurse nëse e mban është më keq për ty. Askush nuk të qorton nëse jeton në mënyrë modeste. Dhe fillo (me rastin e shpenzimit) prej atyre që janë të varur prej teje. Dora e epërme është më e mirë se dora e poshtme”. (Muslimi)
307. Trans­me­tohet nga Umeri r.a. se ka thënë: “E ndau i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. një ditë një pasuri, e unë i thashë: “O i Dër­guari i All-llahut, të tjerët veç këtyre kanë pasur më shumë të drejtë në të!” Tha: “Këta më kanë vënë në pozitë që të zgjedh; o të kërkojnë tepër e t'u japë, o të më cilësojnë si koprrac, (u dhashë më tepër) e unë nuk jam koprrac”. (Muslimi)
308. Trans­me­tohet nga Esma, bija e Ebu Bekër es-Siddikut r.a. se ka thënë: “Më ka thënë i Dërguari i All-llahut s.a.v.s.: “Mos u bëj dorëmbledhur e të bëhet dorëmbledhur (All-llahu) ndaj teje”. Në një trans­metim tjetër: “Shpenzo apo bëj mirë apo flijo por mos njehso (të mirat që i bënë) e të t'i njehsojë edhe ty All-llahu (të mirat e Tij) e as mos i mbajë mend e të ti mbajë mend edhe ty All-llahu (të mirat e Tij)”. (Mutte­fekun alejhi)

All-llahu i Madhëruar thotë:

“...Dhe u japin përparësi, madje edhe kur kanë nevojë për vete.” (el-Hashr, 9)

“Dhe ushqejnë me bukë për hir të Tij të varfërin, bonjakun dhe të ro­bëruarin”. (ed-Dehr, 8); dhe ajete të tjera.

309. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. ka thënë: “Ushqimi i përgatitur për dy, është i mjaftueshëm edhe për tre, kurse ushqimi i përgatitur për tre, mjafton për katër”. (Muttefekun alejhi)

Në një transmetim të Muslimit nga Xhabiri r.a. thuhet se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Ushqimi i njërit, u mjafton dyve, ushqimi i dyve u mjafton katërve, kurse ush­qimi i katërve mjafton për tetë”.

310. Trans­me­tohet nga Ebu Se'id el Hudrij r.a. se ka thënë: “Duke qenë njëherë në rrugë me Pej­gam­be­rin s.a.v.s, erdhi një njeri i hipur në kafshën e tij - filloi ta hedhë shikimin e tij majtas dhe djathtas, atëherë i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. tha: “Kush ka kafshë tepër për kalërim, le t'i japë atij që nuk ka, kush ka ushqim (të rrugës) tepër, le t'i japë atij që nuk ka ushqim” - dhe i përmendi llojet e ndryshme të pasurisë saqë vërejtëm se askush prej neve nuk ka të drejtë në tepricë”. (Muslimi)

All-llahu i Madhëruar thotë:

“Sa i përket atij që jep edhe ruhet. Edhe e dëshmon më të bukurën. Atij do t'ia lehtësojmë (rrugën) për le­htësim”. (el-Lejl, 5-7)

“Do të jetë larg tij ai që ruhet. Ai që jep (sadaka) nga pasuria e vet, e pastrohet. Dhe jo atij prej të cilit do të shpërblehet me ndonjë dhunti. Por vetëm që të për­fitojë afërsinë e Zotit të vet të lartmadhërishëm. Dhe ai, pa mëdyshje, do të kënaqet”. (el-Lejl, 17-21)

“Bukur është kur jepni lëmoshë haptazi, por ëshë më mirë për ju nëse ua jepni të varfërve fshehurazi. Dhe Ai do t'ua falë disa vepra tuaja të këqija. All-llahu është i in­formuar se ç'bëni”. (el-Bekare, 271)

“Nuk do të arrini mirësinë e plotë derisa të mos ndani një pjesë të asaj që e keni më të dashur. Ju çkado qoftë të ndani, ani, All-llahu me siguri e di atë”. (Ali 'Imran, 92) Ajetet mbi vlerën e shpenzimit në dëgjueshmëri të All-llahut janë të shumta dhe të njohura.

311. Trans­me­tohet nga Ebu Hurej­re r.a. se të varfërit e të muha­xhirëve erdhën tek i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. dhe i thanë: “Pasanikët na i morën gradat e larta dhe shpërblimin e përher­shëm!” (Pej­gam­be­ri) Tha: “Ç'është ajo?” Ata thanë: “Ata falin namaz si ne, agjërojnë si ne, ata ndajnë sadaka, kurse ne nuk mundemi, ata lirojnë robër, kurse ne nuk mundemi”. Atëherë i Dër­guari i All-llahut s.a.v.s. u tha: “A doni t'ju mësoj diç me çka do t'i arrini ata që ju kanë kaluar dhe me çka do t'i tejkaloni ata që janë pas jush dhe nuk do të jetë askush më i vlefshëm se ju përveç atij që vepron sikur ju?” Thanë: “Gjith­sesi, o i Dërguari i All-llahut!” Tha: “Shqiptoni tesbih (subhanall-llah, Lavdi All-llahut), tekbir (All-llahu ekber: All-llahu është më i madhi) dhe tahmid (Elhamduli-l-lah: Falënderimi All-llahut) pas çdo namazi nga 33 herë”. (Pas një kohe) U kthyen tek i Dërguari i All-llahut të varfërit e muhaxhirë­ve dhe i thanë: “Kanë dëgjuar vëllezërit tanë pasanikë, se ç'po veprojmë, dhe ata po bëjnë të njëjtën!” I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. tha: “Ajo është dhunti e All-llahut që ia jep kujt të dojë”. (Muttefekun alejhi)

Këtë citat e trans­me­ton Mus­limi. All-llahu e di më së miri.

All-llahu i Madhëruar thotë.

“Çdo qenie e gjallë do ta përjetojë vdekjen, dhe vetëm në Ditën e Kijametit do të fi­toni në tërësi shpërblimet tuaja. Kush do të jetë i lar­guar nga zjarri dhe i futur në Xhennet ai ka arritur sukses, sepse jeta në këtë botë nuk është asgjë tjetër veçse kënaqësi mashtruese”. (Ali Imran, 185)

“...Kurse njeriu nuk e di se ç'do të bëjë nesër dhe askush nuk e di se në ç'vend do të vdesë”. (Lukman, 34)

“...E kur u vjen çasti për asnjë moment nuk munden as ta vonojnë e as ta shpe­jtojnë”, (en-Nahl, 61)

“O besimtarë, pasuria dhe fëmijët tuaj të mos ua lar­gojnë vëmendjen nga All-llahu. Kush bën ashtu, hej, ata janë të humbur. Dhe shpërndani prej asaj që ne ju furnizojmë, para se t'i vijë vdekja ndonjërit prej jush, e të thotë: “O Zot, sikur të më presësh edhe pak do të jap lëmoshë dhe të bëhem nga të mirët”. All-llahu me siguri nuk do t'ia vonojë askujt kur t'i vijë momenti i vet, dhe All-llahu e di mirë se çka punoni”. (el-Munafikun, 9-11)

“Kur dikujt prej tyre i vjen vdekja, ai thërret, “O Zoti im më kthe, mbase do të bëj ndonjë vepër të mirë në atë që e kam lëshuar! Kurrë! Kjo është fjalë që do ta flasë Ai e prapa tyre do të ketë një pengesë deri në ditën kur do të ringjallen. E kur të fryhet në sur, atëherë nuk do të ketë lidhje familjare ndërmjet atyre as që do të pyesin për njëri-tjetrin. Kujt i peshojnë më rëndë (veprat e mira) ata do të jenë të shpëtuar. Kurse ata, veprat e të cilëve nuk peshojnë, ata e kanë humbur vetveten në Xhehennem, ku do të mbesin përgjithmonë. Zjarri do t'ua djegë atyre fytyrat dhe do të mbesin aty dhëmbzgërdhirë. Po a nuk u janë lexuar ajetet e mia, dhe ju i mohonit?! “O Zoti ynë” - do të thonë - na ka mundur mjerimi ynë prandaj jemi bërë popull i humbur. Zoti ynë, na shpëto prej tij (mjerimit), e nëse prapë bëjmë keq, atëherë me të vërtetë ne jemi kriminelë. Rrini aty dhe asgjë mos më folni, u thotë Ai. Ka pasur një grup nga robërit e mi që thonë: “O Zoti ynë! Ne be­suam, prandaj na fal dhe na mëshiro se Ti je më i miri i mëshiruesve!” Ju i keni marrë për tallje, si të ma­gjepsur, saqë patët harruar vërejtjen time dhe i keni për­qeshur. Sot Unë i kam shpërblyer për atë që kanë duruar, ata me të vërtetë kanë arritur ç'kanë dëshi­ruar. Po sa vjet keni kaluar në tokë? - do të pyesë Ai. Kemi kaluar një ditë ose një pjesë të ditës - do të përgji­gjen. Pyeti ata që kanë numëruar. Po si! - do të thotë Ai, kohë të shkurtër keni kaluar, sikur vetëm ta dinit! A keni menduar se ju kemi krijuar kot dhe se nuk do të ktheheni te ne?” (el-Mu'minun, 99-115)

“A nuk është koha që be­simtarëve t'u zbutet zemra kur përmendet All-llahu dhe çka ka zbritur nga e vërteta (Kur'ani), e të mos jenë sikur ata të cilëve qysh më herët u është dhënë Libri. Atyre u është zgjatur koha, andaj zemrat e tyre janë bërë të ashpra, dhe shumica prej tyre janë të mbrapshtë”. (el-Hadid, 16)

Ajetet mbi këtë temë janë të shumta dhe të njohura.

312. Trans­me­tohet nga Ibni Umeri r.a. se ka thënë: “Më kapi i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. për krahu dhe më tha: “Jeto në këtë botë si të jesh i huaj apo kalimtar rruge”. Kurse vetë Ibni Umeri r.a. thoshte: “Kur të ngrysesh, mos e prit mëngjesin, kurse kur të gdhihesh, mos e prit mbrëmjen. “Merr nga shëndeti yt për në rast sëmundje dhe nga jeta yte për në rast vdekje”. (Buhariu)
313. Trans­me­tohet nga Enesi r.a. se ka thënë: “Pej­gam­be­ri s.a.v.s. i bëri disa vija, pastaj tha: “Këto (vija) janë shpresa e njeriut (për jetë të gjatë), kurse kjo është exhe­li. Pastaj duke qenë ashtu në këtë gjendje, e bëri një vijë edhe më të shkurtë”. (Buhariu)
314. Trans­me­tohet nga Burejde r.a. se ka thënë: “Pej­gam­be­ri s.a.v.s. i ka mësuar që kur t'i vizi­tojnë varrezat të thonë: “Paqja dhe shpëtimi qofshin mbi ju, o banorë të këtyre shtëpive që jeni besimtarë dhe muslimanë. Edhe ne, nëse do All-llahu, do të vijmë te ju. Kërkojmë nga All-llahu për ne dhe për ju falje”. (Muslimi)
315. Trans­me­tohet nga Ibni Ab­basi r.a. se ka thënë: “Kaloi i Dër­guari i All-llahut s.a.v. pranë va­rrezave në Medine, pastaj u kthye me fytyrë kah ata dhe tha: “Paqja dhe shpëtimi qofshin mbi ju, o banorë të këtyre varrezave. All-llahu na faltë neve dhe juve. Ju jeni të parët tanë, kurse ne jemi në gjurmët tuaja”. (Tirmidhiu thotë: hadith hasen)
316. Trans­me­tohet nga Kajs ibn Ebu Hazim se ka thënë: “Hymë te Habbab ibn el-Eretti r.a. për ta vizituar që u pat djegur me shtatë djegie (vende), e ai tha: “Vërtet shokët tanë që kanë vdekur kanë shkuar dhe kjo botë aspak nuk ua ka munguar (shpërblimin), kurse ne kemi grumbulluar aq pasuri sa nuk kemi vend t'i vendosim, për­veç në dhé, dhe sikur të mos na kishte ndaluar Pej­gam­be­ri s.a.v.s. që ta dëshirojmë vdekjen, unë do ta dëshiroja”. Pastaj kur i erdhëm herën tjetër, ai po e ndërtonte një mur për vete, tha: “Vërtet, musli­mani do të shpërblehet për çdo gjë që e harxhon, përveç atë që e fut në këtë dhé”. (Muttefekun alejhi)

Këtë citat e trans­me­ton Bu­ha­riu.

All-llahu i Madhëruar thotë:

“...E keni konsideruar imtësi, por ajo tek All-llahu është e madhe”. (en-Nur, 15)

“Sepse Zoti yt është një­mend në pritë”. (el-Fexhr, 14)

317. Trans­me­tohet nga en-Nev­vas ibn Sem'an r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Bamirësi është sjellja dhe karakteri i mirë, kurse mëkat është ajo që të ngacmonte në vetvete, e urreje që ta hetojnë njerëzit”. (Muslimi)
318. Trans­me­tohet nga Ebu Sir­vea Ukbe ibn el-Harith r.a. se ai u martua me vajzën e Ebu Ihab ibn Azizit, pastaj erdhi një grua dhe i tha: “Unë i kam dhënë gji Ukbës dhe asaj me të cilën është mar­tuar”. Ukbe i tha asaj: “Unë nuk e di se ti më ke dhënë gji, e as që ti më ke informuar për këtë”. Pastaj i hipi (kafshës për hipje) dhe erdhi në Medine tek i Dërguari s.a.v.s. dhe e pyeti. I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. tha: “Si jo, pasi që është thënë!” Pastaj Ukbe e shkurorëzoi atë dhe ajo u martua me tjetër burrë”. (Buhariu)
319. Trans­me­tohet nga Hasan ibn Ali r.a. se ka thënë: “Kam mbajtur në mend nga i Dërguari i All-llahut s.a.v.s.: “Atë që je i dyshimtë zavendësoje me atë që nuk je i dyshimtë”. (Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih)

All-llahu i Madhëruar thotë:

“Prandaj shpejtoni te All-llahu, unë nga ai jam (i dër­guar) t'ju tërheq vërejtjen haptazi”. (edh-Dharijat, 50)

320. Trans­me­tohet nga Ebu Se'id el-Hudrij r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Së shpejti do të vijë koha kur musli­manit do t'i janë pasuria më e mirë delet me të cilat do të shkojë nëpër maje të bjeshkëve dhe pas rrjedha­ve të ujit, duke ikur me fenë e tij nga sprovat e ndryshme”. (Buhariu)

Dije se shoqërimi me njerëz në mënyrën e sipërtheksuar është i lavdëruar, sepse ashtu ka vepruar edhe vetë i Dërguari i All-llahut, por edhe të gjithë pej­gam­berët tjerë, salavatull-llahi ve selamuhu alejhim, pastaj hulefaurr-rrashidinët, sahabët tjerë, tabiinët dhe dijetarët e të zgjedhurit e mus­limanëve pas tyre. Kjo ka qenë rruga dhe drejtimi në të cilin kanë ecur shumica e tabiinëve, këtë e kanë rekomanduar Shafi'iju, Ah­medi dhe shumica e fukahave r.a. (Për të gjitha këto tema ekzistojnë kaptina të veçanta në këtë libër, ndaj këtu do të lëshohet theksimi i ajeteve dhe haditheve në detaje).

Do të kufizohemi vetëm në thek­simin e një ajeti kur'anor, për të parë dhe kuptuar rëndësinë e sho­qërimit ndërmjet masave njerëzore. All-llahu i Madhëruar thotë:

“Ndihmojeni njëri-tjetrin në bamirësi dhe de­vot­shmë­ri.” (el-Maide, 2)

All-llahu i Madhëruar thotë:

“Dhe bëhu më i afërt ndaj besimtarëve që të pasojnë!” (esh-Shuara, 215)

“O besimtarë, nëse dikush prej jush i shmanget fesë së vet, ani, se All-llahu në vend të tyre do të sjellë njerëz që i do Ai dhe që e duan Atë; të përulur ndaj besimtarëve dhe kryelartë ndaj mosbesim­tarëve;.” (el-Maide, 54)

“O njerëz, Ne ju kemi kri­juar juve prej një mashkulli dhe një femre dhe ju kemi bërë popuj e fise që ta njihni njëri-tjetrin. Më fisniku tek All-llahu është ai, i cili më së shumti i ruhet Atij.” (el-Huxhurat, 13)

“Prandaj mos mburreni fort me vetveten. Ai e di më mirë atë që ruhet”. (en-Nexhm, 32)

“Banorët e Fortifikatës do t'i thërrasin njerëzit, të cilët do t'i njohin sipas karakter­istikave të tyre, dhe do t'u thonë: “Nuk u bëri kurrfarë dobie tu­bimi juaj e as mendjemadhësia. A janë këta për të cilët keni bërë be se nuk do t'i mbërrijë mëshira e All-llahut? Hyni në Xhennet, për ju nuk ka frikë dhe ju mos u brengosni fare!” (el-A'raf, 48-49)

321. Trans­me­tohet nga Enesi r.a. se kaloi pranë famijëve dhe u dha selam, pa­staj tha: “Kështu ka vepruar Pej­gam­be­ri s.a.v.s”. (Mutefekun alejhi)
322. Trans­me­tohet nga Enesi r.a. se ka thënë: “Sikur ndonjë ro­bëreshë e Me­dines të kërkonte nga Pej­gam­be­ri s.a.v.s. (ndonjë ndihmë a shërbim) do të shkonte për të ku të dojë (ajo)”. (Buhariu)
323. Trans­me­tohet nga el-Esved ibn Jezid se ka thënë. “Është pyetur Aishe r.a. se ç'bënte Pe­j­gam­be­ri s.a.v.s. në shtëpi? Tha: “Ka qenë gjithmonë në ndihmë të familjes, kurse kur vinte koha e namazit, shkonte në namaz”. (Buhariu)
324. Trans­me­tohet nga Ebu Rif'ate Temim ibn Usejd r.a. se ka thënë. “Erdha tek i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. i cili ishte duke e mbajtur hutben dhe i thashë: “O i Dërguari i All-llahut, ka ardhë një njeri i panjohur dhe po pyet për fenë sepse nuk di se ç'është feja?” Atëherë i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. u kthye kah unë, e la hut­ben dhe erdhi tek unë. Pastaj ia sollën një karrige në të cilën u ul dhe filloi të më mësojë atë që All-llahu ia ka mësuar. Pastaj iu kthye hutbes së vet (të filluar) dhe e për­fundoi”. (Muslimi)
325. Trans­me­tohet nga Enesi r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. kur hante ndonjë ushqim i lëpinte tre gishtat e vet. Ka thënë (Enesi): “Ka thënë (Pej­gam­be­ri): “Kur ndonjërit prej jush i bie kafshata, le t'ia largojë papastërtinë dhe pastaj le ta hajë e mos t'ia lë dja­llit”. Dhe ka urdhëruar që të fshi­het (me gishta) ena, pastaj ka thënë: “Sepse nuk e dini se në cilin ush­qim gjendet begatia (bereqe­ti)”. (Muslimi)

All-llahu i Madhëruar thotë:

“Atë botën tjetër do t'Ua japim atyre, të cilët nuk lak­mojnë madhështinë në këtë botë, as duan çrregullime, se ardhmëria është e atyre që i frikësohen All-llahut”. (el-Kasas, 83)

“Mos ec mendjemadh nëpër tokë.” (el-Isra', 37)

“Dhe nga arroganca mos ua kthe njerëzve fytyrën tënde dhe rrugës mos ec kryelartë e me arrogancë, se All-llahu nuk e do arrogan­tin e lavdëraçin”. (Lukman, 18)

“Karuni ka qenë nga populli i Musaut dhe e ka shtypur (atë popull) dhe ne i patëm dhënë aq pasuri sa çelësat e tij me vështirësi i kanë bartur disa vetA të fortë; prandaj populli i thoshte: Mos u entuziazmo, sepse All-llahu nuk i do ata që janë shumë të gëzuar. Dhe përpiqu me sa të ka dhënë All-llahu të fitosh botën tjetër, por mos e harro as pjesën tënde (përgjegjësi­në tënde) në këtë botë dhe bën mirë si të ka bërë ty mirë All-llahu, e mos bëj çrregu­llime në Tokë, sepse All-llahu nuk i do ata që bëjnë çrregullime. Ai tha, ajo që më është dhënë, më është dhënë me dijen time. A nuk e ka ditur se All-llahu para atij ka shfarosur disa popuj, të cilët kanë qenë më të fortë se ai (Karuni), ose edhe më shumë; Prandaj mëkatarët as që do të merren në pyetje për mëkatet e veta. Dhe doli para popullit të vet me stolitë e tij e ata të cilët adhuronin jetën e kësaj bote thoshin: Eh sikur edhe ne të kishim atë që iu dha Karunit! Ai është, njëmend, fatlum. Të mjerët ju - thoshin të diturit. Për atë që beson dhe bën vepra të mira më i mirë është shpërblimi i All-llahut, por do t'u jipet vetëm durimtarëve. Dhe ne, atë dhe pallatin e tij e shafuam në dhe.” (el Kasas, 76-81)

326. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. ka thënë: “Me tre All-llahu nuk do të flasë në Ditën e Gjykimit, nuk do t'ua falë e as s'do t'i mbrojë me rahmetin e tij. Për ta është caktuar dënim i rëndë e i dhembshëm. Ata janë: - plaku që bën zina; - sunduesi që gënjen (dhe e mashtron popullin) dhe - i varfëri që është mendjemadh”. (Muslimi)
327. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. ka thënë: “Derisa një njeri me petka të bukura, i kënaqur në vetvete, me flokë të krehura, ecte me mendjemadhësi, në atë çast All-llahu i Madhëruar e fundosi në dhe, ku do të thellohet deri në Ditën e Gjykimit!” (Muttefekun alejhi)
328. Trans­me­tohet nga Seleme ibn el-Ekva r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Njeriu vazhdon duke ecur me kryelartësi derisa të shkruhet me tiranët, e pastaj e godet çka i ka goditur edhe ata”. (Tirmidhiu thotë: hadith hasen)

All-llahu i Madhëruar thotë:

“Sepse ti je me të vërtetë lart me virtyte të larta”. (el-Kalem, 4)

“...Të cilët e mposhtin hi­dhërimin dhe i falin njerëzit.” (Ali Imran, 134)

329. Trans­me­tohet nga Sa'b ibn Xheth-thame r.a. se ka thënë: “Ia dhurova të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s. një gomar të egër, por ai ma ktheu prapë. Kur vërejti (ndry­shimin) në fytyrën time tha: “Ne nuk po ta kthejmë për tjetër arsye, por pse e kemi të ndaluar (haram - mbajtjen e kafshëve të egra)”. (Muttefekun alejhi)
330. Trans­me­tohet nga Nevvas ibn Sem'an r.a. se ka thënë: “E kam pyetur të Dërguarin e All-lla­hut s.a.v.s. për mirësinë dhe për mëkatin, e ai më tha: “Mirësi është të jesh me karakter të mirë, kurse mëkat (keqveprim) është ajo që të ngacmonte në gjoksin tënd, e urreje që ta hetojnë njerëzit”. (Muslimi)
331. Trans­me­tohet nga Ebu ed-Derda r.a. se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Asnjë send nuk do të jetë më i rëndë në peshojën e besim­tarit në Ditën e Gjykimit sesa karakteri i mirë. Dhe, vërtet, All-llahu e urren të pamoralshmin dhe fjalëndytin”. (Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih)
332. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se ka thënë: “Është pyetur i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. se çka i shpie më së shumti njerëzit në Xhennet, dhe ka thënë: “Devotshmëria ndaj All-llahut dhe karakteri i mirë”. Pastaj është pyetur çka i shpie më së shumti njerëzit në Xhehennem, dhe ka thënë. “Goja dhe organet seksu­ale”. (Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih)
333. Trans­me­tohet nga Ebu Hurejre r.a. se i Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. ka thënë: “Më i ploti besimtar me iman është ai që është më i mirë në moral kurse më të sjellshmit prej jush janë ata që janë më të sjellshëm ndaj grave të tyre”. (Tir­midhiu thotë: hadith hasen sa­hih)
334. Trans­me­tohet nga Aisheja r.a. se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “Vërtet besimtari me karakter të mirë arrin gradën e atij që vazhdimisht agjëron dhe që fal namaz”. (Ebu Davudi)
335. Trans­me­tohet nga Ebu Um­ame el-Bahilij r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Unë i jam garant (dorëzan) për një shtëpi në oborr të Xhennetit atij (besimtari) që e flak grindjen (me tjetrin) edhe nëse ka të drejtë. Dhe për një shtëpi në mes të Xhen­netit, atij që e lë rrenën, qoftë edhe në mahi. Dhe për një shtëpi në Xhennetin më të lartë, atij që e ka moralin më të mirë”. (Hadith sa­hih, trans­me­ton Ebu Davudi me sened sahih)
336. Nga Xhabiri r.a. trans­me­to­het se i Dërguari i All-llahut ka thënë: “Vërtet më i dashuri te unë prej jush dhe më afër meje Ditën e Gjykimit do të jetë ai që është me moral më të lartë. Më të urrejturit te unë dhe më të largët prej meje, Ditën e Gjykimit do të jenë llomotitësit, imponuesit (në fjalë) dhe mendjemëdhenjtë (në fjalë)”. Shokët (as-habët) i thanë: “O i Dërguari i All-llahut, ne i njohim 'thartharët' (që flasin shumë) dhe 'mutesheddikët' (ata që imponohen), por kush janë 'mutefejhikët'?” Pej­gam­be­ri s.a.v.s. u përgjigj: “Mendjemë­dhenjtë!” (Tirmidhiu thotë: ky është hadith hasen)

Tirmidhiu trans­me­ton gjithashtu mendimin e Abdull-llah ibni Mubarekut, rreth shpjegimit të karakterit të mirë (morali i lartë), i cili përbëhet prej fytyrës së ndritshme, vazhdimësisë së përhershme në vepra të mira dhe largimit nga ato vepra të cilat i shqetësojnë të tjerët.

All-llahu i Madhëruar thotë:

“Ata të cilët e mposhtin hidhërimin dhe i falin njerëzit. Edhe All-llahu i do bamirësit”. (Ali Imran:134)

All-llahu i Madhëruar gjithashtu thotë:

“Ti merri me të mirë! Urdhëro për vepra të mira dhe largohu nga injorantët”. (el-A'raf:199) All-llahu i Madhëruar prapë thotë:

“E mira dhe e keqja nuk janë të barabarta. Të keqen ktheje me të mirë, andaj ar­miku yt do të bëhet mik i sinqertë. Atë nuk mund ta arrijë tjetërkush veçse durimtarët, dhe atë nuk mund ta arrijë tjetër veçse ai që ka shumë fat”. (Fus­silet:34-35)

All-llahu xh.sh. thotë:

“Vërtet ai që duron dhe falë, posedon virtyte më të larta”. (esh-Shurâ:43)

337. Aisheja r.a. thotë se Pe­j­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Vërtet All-llahu është i butë dhe Ai e do butësinë në të gjitha sendet”. (Muttefekun alejhi)
338. Aisheja r.a. thotë se Pe­j­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Vërtet All-llahu është i butë dhe Ai e do butësinë dhe me butësi fitohet ajo që nuk fitohet me vrazhdësi si dhe ajo që nuk fitohet ndryshe”. (Mus­limi)
339. Ebu Hurejre r.a. thotë: “Një beduin arab hyri në xhami dhe fi­lloi ta kryejë nevojën e vogël. Njerëzit u çuan në këmbë që ta sulmojnë për këtë vepër të tij, ndërsa Pej­gam­be­ri s.a.v.s. tha: “Lëreni, e në vendin e urinës së tij qiteni një kovë me ujë ose një kusi me ujë. Vërtet ju jeni dërguar për lehtësim e jo për vështirësim (komplikim)”. (Buhariu)
340. Nga Enesi r.a. trans­me­tohet se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Lehtësoni e mos vështirësoni, përgëzoni e mos tmerroni”. (Mut­tefekun alejhi)
341. Xherir ibni Abdull-llahu r.a. thotë: “E kam dëgjuar të Dër­guarin e All-llahut duke thënë: “Atij të cilit i mungon butësia i mungojnë të gjitha të mirat”, ose “Ai që është i ndaluar nga butësia, është i ndaluar nga të gjitha të mi­rat”. (Muslimi)
342. Ebu Hurejre r.a. thotë se një njeri i ka thënë Pej­gam­be­rit s.a.v.s.: “Më këshillo!” Pej­gam­be­ri s.a.v.s. i tha: “Mos u zemëro!” Njeriu këtë e përsëriti disa herë për këshillë, por Pej­gam­be­ri s.a.v.s. çdoherë ia përsëriste: “Mos u zemëro!” (Buhariu)
343. Nga Ebu Ja'la Sheddad bin Evs r.a. tregohet se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Vërtet All-llahu ka obliguar mirësinë për çdo gjë, prandaj kur të vritni, vritni me njerëzi, dhe kur të preni, preni me njerëzi. Çdokush prej jush duhet së pari ta mprehë thikën dhe ta qetësojë kafshën për therje”. (Muslimi)
344. Aisheja r.a. thotë: “Asnjëherë Pej­gam­be­ri s.a.v.s. nuk ka zgjedhur në mes dy gjërave e të mos ketë zgjedhur më të lehtën, nëse nuk ishte mëkat. Nëse një gjë ishte mëkat, atëherë Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ishte njeriu më i largët prej saj. I Dërguari i All-llahut asnjëherë nuk i është hakmarrë askujt për vetveten (nuk e ka dënuar askënd për vetveten), për­veç atëherë kur shkileshin ndalesat e All-llahut, atëherë është hak­marrë për hir të All-llahut”. (Mu­ttefekun alejhi)
345. Ibnu Mes'udi r.a. tregon se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “A doni t'ju tregoj se kush ndalohet prej zjarrit - ose kujt i është ndaluar zjarri - ? Zjarri i është ndaluar atij që është njeri i afërt, i lehtë, i dashur, i sjellshëm dhe i butë”. (Tirmidhiu thotë se është hadith hasen)

All-llahu i Madhëruar në Kur'an thotë:

“Ti merri me të mirë! Urdhëro për vepra të mira dhe shmangiu injorantëve”. (el-A'raf:199)

All-llahu xh.sh. prapë thotë:

“Pra, ti përmbahu mirë kundër teprimeve të tyre!” (el-Hixhr:85)

All-llahu xh.sh. thotë:

“Le t'ua falin dhe të nda­hen butësisht. A nuk dëshi­roni ju që All-llahu t'ju falë juve?” (en-Nur:22)

All-llahu i Madhëruar përsëri thotë:

“Ata që i falin njerëzit. Edhe All-llahu i do bamirësit”. (Ali Imran:134)

All-llahu xh.sh. përsëri thotë:

“Por, kush duron dhe falë, ajo është nga punët e men­çura”. (esh-Shurâ:43)

Ajetet e Kur'anit që flasin rreth kësaj teme janë të shumta dhe të njohura.

346. Aisheja r.a. tregon se i ka thënë Pej­gam­be­rit s.a.v.s.: “A ke pasur në jetën tënde ndonjë ditë më të vështirë se ditën e Uhudit?” Pej­gam­be­ri s.a.v.s. u përgjigj: “Dita më e vështirë që e kam përjetuar është kur kam shkuar te populli yt ditën e Akabes ngaqë iu paraqita birit të Abdi Jalile ibnu Abdi Kulale, por ai refuzoi të përgjigjet në atë që dëshiroja. Atëherë vazhdova udhëtimin dhe shenjat e shqetësimit dukeshin në fytyrën time, nuk kam ardhur në vete derisa kam arritur në Karnith-thealibe. Aty e kam ngritur kokën, kur një re mbi mua më bën hije. Kur e kam shikuar atë, kam vëre­jtur në të Xhibrilin a.s., i cili atëherë thirri dhe më tha: Vërtet All-llahu i ka dëgjuar fjalët e popullit tënd që t'i thanë, dhe e ka parë sulmin e tyre ndaj teje. All-llahu e dërgoi melaqen e kodrave që ta urdhërosh të veprojë me ta si të dëshirosh ti. Atëherë më ka thirrë melaqja e kodrave, më ka përshëndetur me selam e pastaj ka thënë: O Muhammed, vërtet unë jam melaqja e kodrave dhe All-llahu më dërgoi te ti që të më ur­dhërosh të veproj ashtu si dëshiron ti. Nëse ti dëshiron, këto dy kodra do t'i hedh mbi ta”. Atëherë Pe­j­gam­be­ri s.a.v.s., ashtu siç tregon Aisheja r.a., ka thënë: “Jo. Por, dëshira ime është që All-llahu të falë prej tyre pasardhës, të cilët do ta adhurojnë vetëm All-llahun xh.sh. dhe nuk do t'i bëjnë Atij shok tjetër”. (Muttefekun alejhi)
347. Aisheja r.a. thotë: “Pej­gam­be­ri s.a.v.s. asnjëherë nuk e ka rra­hur askënd me dorën e vet, asnjë grua, asnjë shërbëtor, përveç në xhihad për hir të All-llahut. Ai asnjëherë nuk e ka dënuar askënd për diçka apo nuk është hakmarrë ndaj dikujt, përveç atëherë kur janë shkelur ndalesat e All-llahut. Atëherë është dënuar vetëm për hir të All-llahut xh.sh”. (Muslimi)
348. Ibnu Mes'udi r.a. thotë: “Sikur tash jam duke e parë të Dërguarin e All-llahut duke treguar për një pej­gam­ber prej pej­gam­berëve, mbi të gjithë qoftë paqja dhe shpëtimi i Zotit, se si e kishte rrahur populli i vet, derisa i kishte rrjedhur gjaku. Dhe ai, duke e fshirë gjakun prej fytyrës, thoshte: “O Zoti im, falja popullit tim, sepse vërtet ata nuk dinë”. (Mutte­fekun alejhi)

All-llahu i Madhëruar thotë: “Me moral të lartë dhe të devotshëm (muttekin) janë ata që e mposhtin hidhëri­min dhe i falin njerëzit. Dhe All-llahu i do bamirësit”. (Ali Imran: 134)

All-llahu xh.sh. gjithashtu thotë:

“Por, kush duron dhe fal, ajo është nga punët e men­çura”. (esh-Shurâ: 43)

All-llahu xh.sh. thotë:

“Kush i madhëron shenj­tëritë e All-llahut është mirë për të ndaj Zotit të vet”. (el-Haxhxh:30)

All-llahu xh.sh. përsëri thotë:

“Nëse ndihmoni All-lla­hun edhe Ai do t'u ndihmojë juve, dhe do t'ua forcojë këmbët tuaja”. (Muhammed:7)

349. Ebu Mes'ud, Ukbe bin Amr El-Bedri r.a. thotë: “Erdhi një njeri te Pej­gam­be­ri s.a.v.s. dhe tha: “Unë e vonoj faljen e namazit të sabahut, për shkak të filanit që e zgjat tepër namazin!” Ebu Mes'udi pastaj tregon: “Unë asnjëherë më parë nuk e kisha parë Pej­gam­be­rin s.a.v.s. gjatë dhënies së këshillave më të zemëruar se atë ditë. Pe­j­gam­be­ri s.a.v.s. pastaj iu kthye të pranishmëve dhe u tha: “O ju njerëz, vërtet disa prej jush i lar­gojnë të tjerët. Prandaj, ai i cili prej jush iu prin të tjerëve le ta shkurtojë namazin, sepse pas tij është plaku, fëmija si dhe ai që ka nevojë për diçka tjetër”. (Mutte­fekun alejhi)
350. Aisheja r.a. thotë: “Erdhi Pej­gam­be­ri s.a.v.s. prej një udhë­timi, dhe unë e kisha mbuluar një dollap me një perde, në të cilin kishte figura. Kur e pa Pej­gam­be­ri s.a.v.s. e bëri atë copë-copë dhe iu skuq fytyra (nga zemërimi) dhe tha: “Oj Aishe, dënimi më i ashpër i All-llahut Ditën e Gjykimit do të jetë për ata të cilët i imitojnë krije­sat e All-llahut”. (Muttefekun alejhi)

Faqe 6
faqe
- 7 -

Ballina