Pjesë të zgjedhura nga Arben Orhani/5
Jump to navigation
Jump to search
Pjesë të zgjedhura nga Arben Orhani
< Njerëz >
Njerëz | |||
…një tingull i shtrirë kudo, që vjen nga një vrimë e zezë mbi kokat e njerëzve, ë cilët e shohin të frikësuar. Uri e madhe për siguri. Vetmi e mbështjellë nga paranoja. Më në fund, Skizofrenia endet lirshëm. Vrima e zezë qëndron sikur edhe vetë nuk di ç’të bëjë. Dikush beson se kur tingulli të mos dëgjohet më ajo do të zhduket. Pëpiqen ta rrethojnë tingullin me zbrazëtirë dhe ai zhduket dalngadalë në ajrin e heshtur, por vrima është atje. Kur hesht është më e frikshme se kurrë. Heshtja mbivlerësohet. Diku bëhet një marrëveshje viktimash. Faji i mendimit. Për një çast vihet në dyshim rrëmuja njerëzore, e justifikuar nga dhimbja dhe dëshpërimi, por qëllimi është të gabohet, duke fajësuar mospërputhjet. Vrima e zezë nuk ngjall më frikë, por neveri. Duket si një pjesë e tepërt, e flakur në skutat e kujtesës. Halucinacion i pavarur nga agonia. Vendimi është larg. Ai do të shpallë shanset e mashtrimit. Një iluzion i fundit, që përforcon shqetësimin për kumtet e neveritshme të së ardhmes. Por të gjitha këto nuk durohen, sidomos qëllimi i fundit. Dyshim pa fund, i mbyllur përmes labirintesh nënvlerësimi, piramidë ndjenjash, fytyrë e askujt… | |||
Trajtë | |||
I fundit gabim i madh. Jo më nxitimthi. Një e nga një, të gjitha, nga të gjitha anët, me kureshtje të frikshme. Hollësitë nguliten në tru, ngjiten, mbeten, saldohen. Sytë duan të kapin vetëm të zi. Kudo që shkelet vetëm rrëshqitet. - Mbahesh dot? Ha-ha-ha! Jo? Jam këtu! Do të të mbyt në të zi! Çdo gjë rrëshqet nga duart e bie, por nuk thyhet, asgjë nuk thyhet, vetëm shformohet e lodron, pastaj rrëshqet e vetëm rrëshqet. Mbërrin nëpër pellgje, te zhabat. Ato shohin me inat. - Tani nuk na bën dot asgjë! Ik! Zhdukuuu! Dhe vazhdon rrëshqitja e madhe. Gabimet ndjekin njëri-tjetrin. Mos! Zhurma e këmbëve nëpër baltë! Erdhi përsëri! Ku të fshihem? Asnjë vend i fshehtë. Më mirë në baltë. Mbuluar me baltë, duart, këmbët, trupin, flokët. Balta hyn në sy, hundë, veshë, gojë. Tani shkon poshtë, pushton stomakun…Ku? - Nuk iki, jo! Jam këtu! Do të të vras! (Sa mirë!) - Jooo! Nuk të vras! Do të të ha të gjallë, por jo tani, pastaj! - Krrau-krriu! Kuak-kuak! - Të kaaapaaaaaa! Po tani, ku do të shkosh? Të thashë që do të të ha? Ik edhe një herë! Po të kapa përsëri nuk të lëshoj më! Ik tani, rrëshqit! - Ding-dong? Ding-dong! Ja edhe patrulla, vazhdon saldimi. | |||
Zemra | |||
Kohët e fundit nuk ndihesha mirë. Diçka më mundonte përbrenda, sidomos gjatë gjumit. Më dukej sikur lëvizte edhe nëpër krevat, kur flija. Shikoja ëndrra të çuditshme. Një natë, ëndërrova atë gjënë me sy e veshë dhe në mëngjes, sapo u zgjova, volla Tokën. E njoha menjëherë tek fluturonte drejt vrimës së zezë në banjë. Pasi u rrotullua disa herë atje, rryma e ujit e mori me vete. U çlirova dhe mora frymë thellë, duke çliruar djersë të ftohta. Mendova se nuk do të më ndodhnin më gjëra të tilla dhe e hoqa nga mendja, por s’kaloi shumë dhe filloi të më përzihej përbrenda. Vrapova drejt banjës me dorën te goja. Sytë më lotuan dhe dukej sikur zorrët nuk i kisha brenda barkut. Turbull, pashë dikë në miniaturë, që më doli nga goja, dhe, duke u fshehur nëpër të vjellat e mia, u përpoq të hidhej në vrimën e zezë. U tregova më i shkathët dhe e kapa në ajër. Filloi të përpëlitej për të shpëtuar, por e shtrëngova aq fort sa për pak i mora frymën. Ishte aq i vogël, sa e mbaja me një dorë. Më vështroi hetueshëm nga koka te këmbët. Ngrita dorën tjetër për ta goditur, por ai mbuloi fytyrën me duar: - Më fal, më fal!- tha me të shpejtë. - Kush je ti?- e pyeta i xhindosur. Nuk m’u përgjigj. Ngrita përsëri dorën ta godisja, por ai belbëzoi pa i hequr duart nga fytyra: “Mbikqyrës!...” Papritur, filluan të më binin djersë të ftohta dhe gjithçka të rrotullohej marramendthi. Vura dorën atje ku duhej të ishte zemra, por nuk ia dëgjova rrahjet. - Po zemrën, ku e kam zemrën?! - e pyeta i shqetësuar dhe kërcënueshëm njëherësh. Ai ngriti supet dhe vuri duart në fytyrë, megjithëse unë s’isha bërë gati ta godisja. Dukej që gënjente. E pështyta me neveri. Pickova veten, por nuk ndjeva gjë. Përbrenda isha i ftohtë akull. Sapo mbikqyrësi hapi gojën për të thënë diçka e ngjita me grusht pas murit, si insekt. Ngordhi. Fillova të ecja i shqetësuar nëpër shtëpi. Kushedi edhe sa organe të tjera më ishin shkëputur nga trupi kur kisha vjellë! Duhej të gjeja zemrën me çdo kusht. Shpresoja të ishte ende nëpër tubat e ujrave të zeza, se po të kishte përfunduar në gropën e madhe të qytetit, atje s’mund ta gjeja dot kurrë. Mbylla sytë, mbajta frymën dhe u zhyta poshtë në vrimën e vogël të zezë. Rrëshqita me shpejtësi nëpër tubat e zinj e të ngushtë. Larg, pashë një dritë të vogël. Ishte fundi i tubit. Kur u afrova vura re zemrën time që kishte mbetur atje, duke vazhduar rrahjet si zakonisht. Zgjata dorën ngadalë, por një valë e pistë uji e mori me vete dhe zemra ime përfundoi në gropën e madhe të gjërave më të ndyra të qytetit. Nxorra kokën jashtë për ta parë, por ishte zhdukur. U ktheva mbrapsht dhe dola përsëri në shtëpinë time. Nuk e dija ç’të bëja, por më duhej zemra, patjetër. Po të futesha ta kërkoja në atë gropë, edhe sikur ta gjeja, do të humbja pëgjithmonë, bashkë me të. Vendosa të duroj edhe pa zemër, do bëj si do bëj, por, nëqoftëse diçka nuk do të shkojë mirë, do të hidhem në vrimën e zezë për ta gjetur. Tani për tani jam mirë. | |||
Përkëdhelja e fundit | |||
Kur të gjeta, të kishin lidhur te një pemë e vogël e vetmuar në mes të një lëndine. Mua nuk më vure re se po gulçoje kokëposhtë dhe vështroje telat e gjembuar që të shtrëngonin fort trupin. Ata sapo kishin ikur. Kur ngrite kokën, buzëqeshe dhe u gëzove si gjithmonë. Të gjithëve që u binte rruga andej duhej të të goditnin me shpullë fytyrës, pastaj të vazhdonin rrugën pa kthyer kokën. Nuk e di se si më erdhi, por edhe unë të godita, madje fort. Doja të më vështroje si gjithë të tjerët: me urrejtje pa fund, duke shtrënguar dhëmbët. Druaja vetëm mos ulje kokën, por nuk e bëre. Ftohtë, hodhe sytë nga një kalimtar i rastit, i cili lexoi njoftimin dhe t’u afrua. Shpullën e tij e prite gjithashtu ftohtë, madje pa ia hedhur sytë. Vështrove edhe njëherë dorën time, e cila kishte mbetur e hapur, pastaj ngule shikimin në boshllëk, pa lëvizur, sikur unë të mos ekzistoja. | |||
Fund i frikshëm | |||
Lëvizte duke rrëshqitur nëpër këmbët e njerëzve që ecnin rrugës. Në fillim ndjeva keqardhje. Dukej sikur kërkonte mëshirë me atë si buzëqeshje të lehtë dhe sy të ftohtë e paksa të qullur. Sa vinte e lëvizte më shpejt, si për të m’u fshehur. Mendova ta merrja në duar për ta përkëdhelur e për t’i thënë ca fjalë të mira, të cilat e dija që nuk do t’i kuptonte, megjithatë doja patjetër t’ia thoja. Iu afrova ngadalë, por filloi të më rrëshqiste nxitimthi nëpër trup, duke u munduar të ikte. U përpoqa ta mbaja duke e shtrënguar me thonj. Fshiva buzëqeshjen nga fytyra dhe e vështrova me inat. Ndali, m’i nguli sytë e ftohtë pa formë dhe filloi të më afrohej duke u zmadhuar e deformuar. Më hipi një dëshirë e çmendur për ta përypur fort nëpër dhëmbë e ta gëlltisja; pas disa kohësh do ta kisha tretur dhe mbeturinat do t’i kisha jashtëqitur. Nuk do t’i mbetej më as ndonjë lloj shpirti që mund të kishte. Vazhdonte të më afrohej ngadalë, ndërsa unë shtanga. I bashkoi sytë me sytë e mi dhe hapi fort atë që duhej të ishte goja. E hapi aq shumë, sa filloi të më gëlltiste të gjithin, ngadalë e me një zhurmë jarguese që më kalli krupën. Nuk kuptova si u gjenda në mes të asaj gjëje gri të butë rrëshqitëse që më përtypte pa zhurmë. Pata ftohtë në mes të atij lëngu që filloi të më grryente. Për një çast u duk sikur do të më villte, por jo; vazhdova të rrëshqisja nga të gjitha anët, pa u kapur dot diku nëpër ato jargë të pista. Duhej të bëja patjetër diçka, përndryshe do të tretesha. Fillova të përpiqesha e të përpëlitesha me gjithë forcën, duke u munduar të godisja e të çirrja pisllëkun. Nuk kisha ku të mbahesha dhe rrëshqisja pa pushim, megjithatë vazhdova ashtu derisa më shterruan forcat.
|