Pjesë të zgjedhura nga Arben Orhani/6
Jump to navigation
Jump to search
Pjesë të zgjedhura nga Arben Orhani
< Hija >
Hija | |||
Unë eci me shumë kujdes nëpër rrugët e qytetit. Shmangem me zotësi majtas e djathtas, që njerëzit e shumtë, të cilët nuk e kanë mendjen kur ecin me kokën lart, të mos më shkelin hijen. Kohët e fundit është bërë shumë e gjatë dhe e ngathët. Mund t’i ndodhë gjithçka nëpër rrugë, sidomos në ato më të ngushtat, ku me vështirësi këmbehen dy hije. Sa herë që e shkelin ndjej dhimbje të tmerrshme, sikur më shkelin mua vetë. Fajin e kanë edhe dritat e shumta anash rrugëve, që e shumëfishojnë aq shumë, sa më merren mendtë. Në fakt, me hijen time të vërtetë, ndihesha edhe më keq: kjo që përdor nuk është hija ime. E vërteta është se këtë ia kam marrë një të vdekuri, ndërsa timen e fsheha në një nga varret e mia, të cilat i njoh vetëm unë dhe as hijes sime të vërtetë nuk ia kam treguar; kur i gërrmova e vura në gjumë në shtëpi dhe ika fshehurazi. Ishte natë pa hënë dhe nuk besoj të më këtë parë ndokush, sepse, sikur të më ketë përgjuar ndonjë i paskrupullt, mbarova: deri në fund të jetës nuk do të mund ta ndërroj përsëri hijen, ai do të ma ketë vjedhur dhe nuk do të isha i pari që do t’i ndodhte kjo. Dikujt, që e kishin parë ku e kishte fshehur hijen e vet, ia kishin vjedhur e ia kishin çjerrë me thonj, pastaj ia kishin flakur përpara derës së shtëpisë. Kur i zoti pa hijen e çjerrë barbarisht vdiq në vend nga hidhërimi. Unë dua ta ndërroj patjetër hijen para se të vdes, dua të varrosem me hijen time të vërtetë. Do ta lidh ose ngjit fort pas trupit, që të mos ma marrin. Uroj vetëm që të kem kohë ta bëj ndërrimin para se të vdes, pra, ta kuptoj se kur do të më vijë vdekja, gjë që është pak e vështirë, por jo e pamundur, sepse, fundja, veten në dorë e kam. Pasi ta kem lidhur mirë hijen në trup, do t’u lutem të tjerëve të më mbërthejnë mirë pas arkivolit, që të jem më i sigurt. Mbase do të përpiqen të ma shkulin, pasi të kenë hapur arkivolin, por, e shumta, mund të këputin vetëm ndonjë copë pa rëndësi dhe do të marrin nga pas si një mallkim erën e keqe të kufomës sime. Unë vetë, kur bëra këtë punë, ia kisha blerë hijen atij njeriu që kur ishte gjallë, prandaj e mora të gjithën, ai nuk e kishte lidhur apo ngjitur pas vetes. Kur i hapa arkivolin, hija e tij sorrollatej atje e mërzitur. Sapo më pa, u ngjit te mua me vërtik, pa hequr ende hijen time, e cila, megjithëse e përgjumur, mundi të më gjente. Ndjeva keqardhje, pasi ishte nata e fundit me të derisa të isha gjallë, por nuk mund të bëja ndryshe: me hijen e të vdekurit ndjeja më pak dhimbje. Tani jetoj i qetë, megjithëse hija e re më rri pak e madhe, por nuk ka shumë rëndësi, se do të mësohem me kalimin e kohës. Më rri pak e madhe te koka, përshembull: zgavrat e syve të saj mua më rrinë te veshët dhe goja te gurmazi im; kur përtypem duket sikur më është shqyer gryka, por janë gjëra që kanë pak rëndësi për mua. E vetmja e metë e pandreqshme e hijes është se ajo qesh shumë, pothuajse gjithmonë vetëm gajaset me të madhe. Mbase i vdekuri do të ketë qenë ndonjë klloun ose budalla. Qesh me një hi-hi-hi të zgjatur, por që, kur jam në qejf, më pëlqen. Ndonjëherë zgjohet në mesnatë dhe më bën të ngrihem vërtik nga të qeshurat. Unë, si tip, jam shumë serioz dhe më vjen keq për hijen time të vërtetë, e cila po vuan mbyllur atje, në arkivolin e dikujt që nuk e meriton, dhe që tashmë ka nxjerrë dhëmbët. Shpresoj të mos mërzitet shumë atje, derisa të shkoj e ta marr përsëri. Tani për tani e ndjej veten mirë, megjithatë, varrin e kam bërë gati. Në të vërtetë janë disa, ku do të shkruaj emrin tim, te të gjithë, në mënyrë që të mos ma gjejnë varrin për të vjedhur hijen e vërtetë. Nëpër varre do të vendos të tjerë njerëz, pasi t’i kem masakruar, që të mos njihen, por hijet nuk do t’ua prek. Do të vras njerëz që mundësisht të kenë hije të ngathëta, që zvarriten, kështu që mund të kapen lehtë. Ata do të mendojnë se është hija ime e vërtetë dhe do të largohen mendjefjetur, ndërsa unë do të prehem i qetë, me hijen time, në ndonjë qoshe të humbur të këtij planeti. Uroj vetëm që hija, të cilën po përdor tani, të mos bjerë në dashuri me mua e të mos ketë dëshirë të vijë tek unë, pasi do të më zbulonte varrin e vërtetë (hijet nuk mashtrohen aq kollaj sa njerëzit) dhe do të grindej me hijen time. Do të bëhej një zhurmë aq e madhe, sa, patjetër, dikujt do t’i tërhiqej vëmendja: ka shumë njerëz që enden natën nëpër varreza.
|