Pjesë të zgjedhura nga Arben Orhani/4
Jump to navigation
Jump to search
Pjesë të zgjedhura nga Arben Orhani
< Fantazmat e një epoke të mërzitshme >
Fantazmat e një epoke të mërzitshme | |||
(…hodha një hap, që, gjysmëloja kushtuar atyre rastësisht, të humbë në fundin e përcaktimit që u bën përkëdheljeve të fundit të zemrës, këllirës së keqkuptuar nga i tremburi që varroset zakonisht me një fund të frikshëm, duke përpëlitur varrmihësin lakuriq e të gjymtuar, humusin gjithmonë të zgjuar…) - E di kë pashë dje? - Jo, cilin? - Gjyshin tonë. Ishte lakuriq dhe po recitonte monologun e famshëm të Hamletit, ndërsa të vdekurit e tjerë të fisit ishin ulur këmbëkryq rreth e rrotull dhe dëgjonin të mërzitur… - Edhe sa do të rrish këtu? - Dy javë… …edhe e ëma e … dikujt, s’ia mbaj mend emrin tani, ishte atje. Kishte hipur në majë të një thane, ku dhisnin të gjithë qentë e fshatit dhe mbante fjalime për zgjedhjet e ardhshme, kurse njerëzit, me motorrë e biçikleta, e dëgjonin me vëmendje. I biri mbante shënime, i ulur mbi mutin e qenve, me një stilolaps ku shkruhej Love +, në një bllok kamarieri, i cili priste më këmbë të merrte ndonjë porosi të çastit…gjyshja, ishte mbuluar me batanije dhe më përgjonte nga gishtat pakëz të hapur të duarve të palara, me të cilat kishte mbuluar fytyrën e rrudhur. “Taaaaaa!”, i’u hodha unë si macja miut, dhe ajo kërceu përpjetë e trembur, gjoja flinte, si bukuroshja. Gjeti përtokë një cigare të ndezur dhe ma ngjeshi në gojën pak të hapur. Dhëmbin e thyer ma zëvendësoi me filtrin e cigares, ishte me dhe e me shije si mut qeni…e ëma e atij debilit nuk pi, më ngjan, por sytë i flakërojnë e fillon të rrokulliset si e çmendur mbi kashtë po të shikojë tym. Në kashtë, atje po e përgjoja një herë, kishte hapur këmbët dhe ia kishte rrethuar belit të kamarierit dembel. Nuk ia hoqi derisa i erdhën flakët afër dhe i përcëlluan leshin, kurse ai tjetri, me pamje prej shpëtimtari hipur mbi kalë të bardhë, filloi t’i bënte shurrën zjarrit, por ai flakëroi më shumë, sikur të ishte alkool, fundja kamarier ishte, pinte…një sy e kishte të nxirë, të zi nga jashtë e të kuq nga brenda, ngjante si zog bufi me atë hundë në surrat, si zog haleje, hale fshati…gropë e madhe me mut, ku futen pulat e qentë e uritur. Njerëzit nuk guxojnë të ulin brekët se…gropa të mëdha, nejse, si syri i zi i kamarierit: pak i kuq, në mes të së kuqes një e zezë tjetër, bebja e syrit…vrimë e zezë që thith fort, e etur për gjithçka…edhe gjyshja ime, kur ishte e re dhe e bukur në gjumë, ashtu bënte: mbante fjalime në majë të gjyshit, i hipte në qafë që të ishe më lart…gjyshi, si thanë, vdiq…kishte flokë të gjata, shumë të gjata, dhe i ngelën jashtë varrit…mbi beton…dhisnin gjithmonë qentë, sapo dilnin nga gropa e madhe, atje ku mbijnë shumë thana…dikush ndezi motorrin dhe iku me shpejtësi. Ose u mërzit ose shkoi të lajmërojë të tjerët për të dëgjuar fjalimin…të gjitha gratë, pa përjashtim, depilohen…të gjitha i kanë sytë të nxirë, natën nuk flenë, nuk dihet nga zhduken, pastaj shkojnë te varri i gjyshit dhe marrin nga një tufë lesh…gjyshi e tradhëtonte gjyshen me të gjitha gratë e fshatit që kishin biçikleta: të kuqe, të zeza, të verdha, pa kolltukë; ua shkulnin sapo i blinin, pastaj ua jepnin nga një xhiro burrave, pastaj ata rrinin më shumë mbi biçikletat pa kolltukë, sesa me gratë e tyre shtatzëna synxira, dhe pastaj shkonin atje, te thana, ku kishte hipur e ëma e atij kopilit, që ishte më i madh se kamarieri, i cili e qëllonte në vesh duke nxjerrë jashtë gjuhën e duke u zgërdhirë, kurse e ëma pirdhte që nga maja e thanës zëçjerrë e duke nxjerrë stërkala pështyme që u binin në fytyra dëgjuesve gojëhapur e dhëmbëprishur…i hanin krimbat…një herë, gjyshi më gjeti një krimb në brekë: ishte askarid i ngordhur. Dy javë në brekët e mia, domosdo që do të ngordhte…po sikur…një qen, ta kapja e ta fusja në brekë, sa do të duronte, vallë??? - Dy orë, jo më shumë! Qenit do t’i bllokohej frymëmarrja dhe do të pësonte atak…ose nga frika, do ta ngacmonin receptorët e qeses së urinës dhe do të…mjaft, trap, shko bëje në banjë, merr me vete edhe regjistruesin, shpejt… …gjyshja e shkretë, ka mbetur vetëm me minifundet e saj ngjyrë rozë dhe zien gështenja, kapulit sytë e qan për gjyshin me flokë të gjata…kaçurrelsi im, eh…e di kë pashë tjetër? Komshiun me biçikletë…vetëm gjyshi im nuk kishte biçikletë, por një gomar të zi, të cilin e ngiste më shumë gjyshja. Shkonte për të prerë dru bashkë me t’ëmën e atij që gjuante kamarieri në vesh, ajo me biçikletën e të birit, të cilin e detyronte të përgjonte kamarierin kur futej në kashtë ose në banjë…sa shumë krimba kishte patur varri i gjyshit!!! Mbase ishte shumuar krimbi që gjeti në brekët e mia dhe e futi në xhep, pastaj shkoi t’ia tregonte gjyshes…diku ku e fshehën ata të dy…edhe dhëmbët i kishin rënë gjyshit, vetëm njëri, i krimbur, i dilte përpara si trim. E ngacmova me gjilpërë, por gjyshi nuk lëvizi fare, madje as gojën nuk e mbylli; sa herë flinte gojëhapur i ngacmoja dhëmbin e prishur, që të ulërinte, por më përpara e lidhja mirë pas karrikes ku e zinte gjumi…jam si merimangë, me këmbë të pushitura, të padepiluara. Po të lidha, nuk të zgjidh dot…gjyshi ulërinte, kur nga dritarja u fut një vajzë, e cila mbështeti biçikletën poshtë dritares. Gjyshi pushoi së ulërituri dhe buzëqeshi. Vajza, me sy të nxirë nga jashtë e brenda të kuq, ngriti fustanin e madh dhe mbuloi, veç gjyshit, edhe karriken. Pastaj filloi të ulërinte, megjithëse dhëmbët i kishte të gjithë të rregullt. Si të mos i kishte: 19 vjeç ishte, edhe zërin e kishte të fortë, aq të fortë, sa, po të thërriste që nga maja e thanës, do t’i shurdhonte qentë poshtë saj. Kurse gjyshi vetëm rënkonte, i gjori! Çiklistja iku me vrap nga dritarja, kurse gjyshi me kaçurrelat e gjata varur supeve, pushoi së rënkuari. Dola nga vrima ku isha fshehur dhe iu afrova. I ngacmova dhëmbin me gjilpërë, por nuk lëvizi fare, madje edhe kur i thashë se kisha një krimb tjetër në brekë, kësaj radhe të gjallë…më shumë nga të gjitha qante ajo çiklistja me dhëmbë të bukur e të rregullt, e veshur me të zeza. Edhe biçikletën e kishte lyer me kongjij të zinj. Pastaj u rreshtuan të gjitha të më puthnin mua. Më jargosën gjithë surratin me gojët e shpifura dhe disa prej tyre më prekën me dorë krimbin duke qeshur kur u thashë se ishte ende gjallë. Vetëm kur erdhi të më puthte ajo që qante më shumë, më ndritën sytë. Futa dorën në brekë, kapa krimbin, i cili kishte një javë që përpëlitej atje, dhe ia futa në gojën e bukur që po i afrohej gjysmëhapur hundës sime plot qurra…le t’i krimben edhe asaj dhëmbët si të gjyshit, i cili, edhe në brekët e saj, mbase ndonjë krimb po kërkonte. U mblodhën qentë duke ngrënë si të babëzitur ujëvarën e të vjellave e të jargëve që dilte nga stomaku i çiklistes 19 vjeçare me dhëmbë të bukur e të rregullt. Pastaj i hipi biçikletës dhe iku, ndërsa gratë e tjera shkallmonin dheun e lagësht, nga ku dilnin ca krimba të ngjashëm me krimbin e brekëve të mia. …ku e ke besën që na dhe?!, qanin gratë te varri i gjyshit, por ai ishte tre metra nën dhe, me flokët jashtë mbi beton. Gratë nuk depiloheshin më dhe kishin shtuar orët e xhirove me biçikleta, sidomos ajo që…u mbyt në lumë dhe leshi i sqetuallve i dukej si lleshterik i madh i vjetër, ku mund të fshihej fare mirë një ngjalë e madhe e dhjamur…sa herë që binte shi, ai debili i dhjamur, e ëma e të cilit rrinte majë thanës duke u çjerrë si sorrë, merrte një sapun e lahej. Një herë, kur e ëma po shurronte si lopë që nga maja e thanës, ai mendoi të lahej, më në fund, dhe mori një copë dhjamë e filloi të fërkonte kokën. Flokët iu ngritën përpjetë, sikur të donin t’i iknin nga koka e të shkonin majë thanës, pranë s’ëmës. Që atëherë, kamarieri nuk iu afrua dot që ta gjuante në vesh, pastaj ku të linin qentë t’i afrohej kush atij debilit: e lëpinin si të babëzitur ngado, sidomos flokët, ia hëngrën të gjitha duke ia shkulur, kurse ai u thoshte qenve duke ulëritur të mos ia prishnin vezët e morrave, që ngjanin si perla të mëdha të bardha në një pe të hollë të zi, i pafund në atë mori dhëmbësh qensh lara-lara; jo nga ngjyra e lëkurës, por nga një sëmundje e re që u kishte rënë kohët e fundit të gjithëve duke i lënë pa qime vende-vende, madje dhe pa lëkurë. U dukej mishi si i çjerrë nga dhjetëra dhëmbë të prishur, si dhëmbi i gjyshit tim, madje, njëri kishte ca krimba të vegjël të bardhë të ngulur në mishin e kurrizit…unë, njëherë, mbylla në kasollen e qenit maçokun sterrë të zi, një rosë, ca pula dhe komshiun tim, të cilin e gënjeva duke i thënë se qeni kishte bërë vezë të kuqe. Mbylla fort e mirë derën dhe mbajta frymën për të dëgjuar. Dukej si diçka që vinte duke u zmadhuar nga fundi i ndonjë shpelle, si kometë, si orkestër e çakorduar: çjerrje, ulërima, kakarisje, përplasje, mjaullima, kafshime, pordha…tërmet! Hapa derën: që andej fluturoi një maçok i zi, i zbukuruar me krahë e pendë të bardha, si dashnore faraoni, pula e rosa me papionka dhe brirë, bythëjashtë; më në fund komshiu im, me mustaqe të zeza, sy të nxirë nga jashtë e të kuq nga brenda, me një vesh mangët, nga ku i dilte gjak, dhe qeni, i cili i kishte shqyer pantallonat komshiut tim dhe, si i mërzitur e i zgjebosur që ishte, po e përdhunonte me një furi të papërmbajtshme. Gjyshi im doli me nxitim nga shtëpia me pushkë në dorë, duke iu valëvitur flokët e gjata e duke marrë shenjë nga kolibja e qenit…bam…klithmat ngjethëse të qenit zgjebarak u ngritën në qiell, kurse komshiu mori frymë i lehtësuar, megjithëse plumbi i përcëlloi bythën dhe brenda saj i ngeli një pjesë e qenit, që gjyshi ia këputi pa mëshirë...qeni vajtonte me zë dhe lëpinte gjakun që i dilte nga fundi i barkut; fluskat e gjakut përzjeheshin me ulërima në gojën e qenit, ndërsa sytë e mëdhenj të habitur të komshiut, si sy struci, u ngulën atje, duke marë një formë të zbutur e mëshiruese, një dritë të brendshme pëlqyese e të paturpshme epshi…një gojë e mbushur me makarona të zeza ose me lesh, lëshonte që nga maja e thanës tinguj me ndikim të fuqishëm te njerëzit, të cilët ishin shtuar aq shumë, sa që poshtë thanës shërbenin tashmë edhe dy kamarierë të tjerë, që mbllaçiteshin gjithë kohën duke u krruajtur…aq të shpeshta i kishte njëri prej tyre këto krruarje, sa shkoi e u mbështet pas një muri të pambaruar e u bë njësh me të, duke u fërkuar nga të gjitha anët e trupit: kur mbaroi dukej sikur ishte holluar…u përplasa me të birin e asaj llafazanes së thanës, kockat delikate të kafkës sime imcake u përplasën me dhëmbët e tij të verdhë, të trashë e të fortë, që mbanin erë djathi të prishur, por ngjanin më shumë si krimba mëndafshi të ngrirë. Këmbët më morën me vete disa hapa mbrapa dhe rashë bythazi, ndërsa rreth e rrotull kokës sime filluan të vraponin si të çmendur disa minj, pastaj ikën dhe erdhën zhabat, më vonë sorrat që hëngrën zhabat, pastaj ca “Mercedes Benz” me targa CD…isha perandor dhe po ecja në rrugë, nga të dyja anët e së cilës ushtarë të gjatë e të drejtë mbanin nga një fshesë në dorë, që e zgjatnin mbi kokën time…m’u thye një vezë në kokë dhe vura dorën: ishte glasë, e lëshuar nga një korb, banor i pemës-ushtar mbjellë anash rrugës. Nga pamja dhe era dukej se kishte 100 vjet peng, kapsë tek ai korb i stërzi e i stërmadh…ai debili i qeshi pemës, sikur të ishte përplasur me të, dhe e puthi me dorë: mbase i ngjante me t’ëmën e dashur, e cila ishte bërë njësh me shtëpinë-thanë, madje kishin filluar t’i mbinin edhe disa pendë nëpër krahë e bythë, t’i rritej leshi si majmun etj, etj, etj, (2000 vjet më vonë e kishin gjetur të fosilizuar nën një mullar kashte, me të birin afër, dhe tani është në një muze të famshëm të botës) me një fjalë: gjysmëzvarranikegjysmëzog, një gjë e tillë pak a shumë…i biri, megjithëse shumë kohë nën dhe, ishte i paprishur; toka e kishte ruajtur të virgjër, ashtu, të ngrirë në mes të atyre lëvizjeve idiote që bënte gjithmoë kur përzinte qentë, macet, zogjtë ose mizat, që e ndiqnin gjithmnë kudo. Nëpër trup kishte të ngjitura shumë nga ato gjallesa, që nuk iu ndanë edhe nën tokë. Sapo u dëgjuan tinguj muzike moderne lëvizi dhe filoi të kërcente si robot fantastiko-shkencor… …po pse ti i pari, më mirë unë se…jo, unë…pse?!…unë…më hëngsh…epo mirë, kthehu…shtyva ngadalë derën e sallës së konferencave për shtyp dhe pashë fillimin e një akti seksual, sa për të thënë, midis një prifti dhe një hoxhe, të dy pleq të nderuar që u ishin ndryshkur kockat (edhe spermatozoidët e shenjtë) …na fal, se…ne atëherë kujtuam se me dy-tre herë nuk do të arrinim deri këtu, por…ja, fjala nxjerr fjalën…unë, i hutuar pas portretit të presidentit të varur në mur, hoqa mendjen që atje dhe u përgjigja i bezdisur: ëëë?!…pastaj, pa pritur përgjigje, hodha sytë me nxitim mbi fytyrën e zverdhur të presidentit, të cilës i ishin shtuar me kongjill të zi një palë mustaqe të gjata simentrike dhe brirë lope, ndërsa në qafë varur një palë çorape të qelbura. Poshtë çorapeve ca minj, aq të mëdhenj, sa mund t’i mbaje për të ruajtur shtëpinë, jo vetëm nga kafshët, por edhe nga hajdutët më të rrezikshëm, të cilët urreheshin nga minjtë, sepse, kur vidhnin, gërrmonin edhe në vrimën e miut duke marrë çorapet e qelbura, të përdorura si pasuri e paluajtshme nga ky i fundit në ankandet e shumta të zhvilluara gjirizeve të botës, ku rridhte gjithë kohën, në mes të jashtëqitjeve e lëndës së ndyrë të përgjithshme, edhe ndonjë shishe bosh me tapë të mbyllur mirë, për të mos u hapur rastësisht gjatë udhëtimit, e flakur qëllimisht nga ndonjë poet i dashuruar, që më shëmbëllen gjithmonë me komshiun tim, është bërë edhe ai poet…thes me gurë, si i vdekur, u plandosa mbi krevat dhe, duke kërkuar me dorë nënkresën, kapa diçka të fortë: kama e ndryshkur e gjyshit… …edhe gjyshi u përpoq disa herë: sapo hidhej nga kati i 99 i Kullës së Babelit e prisnin gratë me sustën e krevatit, dhe gjithmonë përfundonte i çjerrë e i përdhunuar, por më duket se ligji nuk e njeh këtë lloj krimi, dhe ai nuk kishte ku të ankohej, përveçse tek e ëma e dikujt që rrinte poshtë thanës dhe të të s’ëmës. Ajo e shprehte këtë shqetësim përpara njerëzve, të cilët, ose kuptonin gjithçka që llomotiste dhe ngeleshin gojëhapur nga zgjuarsia e saj, ose nuk kuptonin asgjë dhe hapnin gojën se mbase u dukej sikur ajo do t’u hidhte diçka për të ngrënë; të ishin të përgatitur…gjyshi u hidhte fara kungulli, si të ishin majmunë, dhe luante me ta duke u kënaqur…për mendimin tim, fjala e duhur është i vetmi shërim për të çmendurit, aty qëndron i gjithë sekreti, te përdorimi i fjalës… rep për të kapur në kafkat misterioze atë të fshehtë, misteri më i madh i gjithë kohërave, të cilave ato kafka u kanë hyrë në pjesë…mos vdis, o trap, mos vdis se na duhesh për të luajtur futboll; mbetemi dhjetë vetë…merrni të ëmën e atij debilit për portiere se i pret mirë topat…edhe dy javë portier, booo…krimbi duron dy javë në brekët e mia: merr frymë me lëkurë, qeni dy orë: me mushkëri…edhe në Trojë, te kushërinjtë e mi të largët, kishte shumë thana; atje shkonte për pushime ajo gruaja, merrte me vete edhe të birin…njëherë, u kujtuan për të ca tipa, nuk më kujtohet mirë nga erdhën, duke ulëritur se kushërinjtë e mi kishin rrëmbyer atë me gjithë të birin. Ata tipat erdhën me një ushtri të madhe: helikopterë, llastiqe, gurë të rrumbullakosur dhe një mushkë prej druri. Brenda saj fshehën një pervers, i cili la gruan në shtëpinë e komshiut dhe vetë la mendtë pas fustanit të thanëlartës; bënte edhe veprime të turpshme me trungun e thanës (mbase e ngatërronte me padronen: psikologët këtë e quajnë zhvendosje, thjesht zhvendosje, as edhe me një fjalë tjetër nga mbrapa). Ai tipi, me shumë mundime, gjeti rrugën e shtëpisë për nja 10 vjet (mbase 11), sepse nuk la bordello e pijetore pa hyrë rrugës; më në fund, pasi provoi të ngiste edhe një biçiketë pa kolltuk, e gjeti shtëpinë me të shoqen brenda, që ishte bërë pornstar, dhe ia fali të gjitha mëkatet duke e detyruar të bënte gargarë me ujë të bekuar; pastaj rrojtën të dy lumtur…ata tipat kishin sjellë me vete edhe një qorr bejtexhi, nuk më kujtohet emri tani. Pastaj filluan të grindeshin me njëri-tjetrin përpara mureve të Trojës për një biçikletë pa kolltuk të vizatuar me kongjill të zi, të cilën e kishin gjetur rrugës për në Trojë, të ngjitur pas një skeleti me dhëmbë të mprehtë. Kushërinjtë e mi nuk e vrisnin shumë mendjen dhe argëtoheshin si gjithmonë: shkonin në disko e kërcenin deri natën vonë, bashkë me atë shëmtirën e të birin. Kur bënin dritat fap-fap në të qindat e sekondës, fytyra e saj dukej aq e shëmtuar, sa njëri nga ata i theu shishen kokës: iu duk si dordolec që donte t’i hante të gjithë. Ajo nuk shkulej nga Troja pa mbaruar plazhin dhe thanat…mashkull…femër…mashkull…femër… kushërinjtë e mi grindeshin me njëri-tjetrin për seksin e mushkës prej druri që ndodhej jashtë mureve. Një polic, të cilin më vonë e hëngrën ca krimba të mëdhenj, që dolën nga sistemi i ri i ujërave të zeza të Trojës, i paralajmëroi të gjithë se mushka vuante nga sëmundje seksualisht të transmentueshme, por askush nuk ia vuri veshin, madje e shanë edhe nga nëna…vunë alarmin e orës në tre të mëngjesit të së premtes dhe u zgjuan të vidhnin mushkën prej druri për ta futur brenda në qytet: po të ishte femër do ta nxirrnin në rrugë, që të punonte si prostitutë për 13 euro nata, po të ishte mashkull do ta tridhnin e t’ia falnin asaj që mbante fjalime nga maja e thanës dhe të birit debil, të cilin e qëllonte gjithmonë në vesh një kamarier me sy të nxirë anash e të kuq në mes. Vunë maskat e zeza në kokë, rrëmbyen kallashnikovët dhe hapën portat e mëdha, që kërrkëllinë…ata tipat: diku luanin të mërzitur me letra, ca të tjerë bënin gara me biçikletën e gjetur (e kishin zgjidhur problemin e pronësisë: e përdornin sipas përqindjes së aksioneve që kishte secili në një firmë të madhe ndërtimi në Egjipt), kurse ca të tjerë luanin symbyllazi me bejtexhiun, që zgjaste duart e i fuste ngado: nëpër pantallonat e tyre, nëpër flokë, gojë e rrotat e biçikletës, derisa u përplas me një thanë e ra përtokë i vdekur. Nuk ia vari asnjëri, përveç një tipi, të cilin, kohë më vonë, e therri e shoqja me thikën e bukës, sepse kishte përdorur perzevativ të vjetër para se të shkonte në luftë, dhe kur u kthye që andej, jo vetëm që gjeti një tufë kalamanj që po hanin kos, por hyri dhe me këpucët gjithë baltë në shtëpinë e pastër…nejse…mushka ngjante si gjel me sisë dhe i kishte të dyja sekset: ndoshta kishte bërë operacione transseksuale, ku di unë… - Më jep një copë gazetë? - Pse? - ?! …në hale, shpejt…më zuri barku nga thanat… …brenda mushkës prej druri kishe ca qese me gjak të infektuar me SIDA…kushërinjtë e mi e ngatëruan me verë të kuqe dhe e pinë, pastaj vdiqën…kur u zgjuan ata tipat i vunë flakën gjithçkaje dhe pas dy javësh vendi ngjante me një pjatë të madhe duhani të mbushur me hi, këmbët e mushkës të lyera me gjak, si bishta cigaresh të futura përgjysmë në hi, cigare të pira prej prostitutash buzëlyera vesh më vesh, ose buzëgjakosura nga kushërinjtë e mi, mbrojtësit e tyre…pastaj, ca njerëz me brekë të gjera e çorape të mbështjella pas kokës…shkulën hekurat e murit rrethues të shkollës dhe iu vërsulën kushërinjve të gjyshit tim, por ai nuk i lejoi, se, fundja, kushërinj i kishte, por ata ishin shumë pordhacë dhe e mbanin veten për të ditur…ai debili flokëkuq, e ëma e të cilit shpëtoi gjallë nga pushimet verore, kishte shumë qejf të peshkonte. Sytë e peshqve i ngjiste në ballë dhe i linte të thaheshin atje. Kur nuk kapte asgjë, shfrynte qurrat dhe i vinte në ballë, që të ndritnin në dritën e diellit…përvëlues të shkretëtirës…vetëm në hijet e piramidave mund të shikoje ndonjë hienë, nga bajgat e të cilave bëheshin parfumet më të mira të botës për të mbytur erën e djersës së sqetullave faraonike… sy peshqish nëpër mjegull...një mumje mashkull, që ia kishin prerë e ia kishin vënë në gojën e tharë e të fishkur, ngjante si polic rrugor me bilbil në gojë…i ishte tharë goja për një pikë ujë…t’i bëjmë shurrën, të mbijë, ta vaditim; për dy javë do të japë fruta, kokrra, kaktuse a papiruse, diçka e tillë…dy javë duron krimbi në brekët e mia, merr frymë me lëkurë…pore fantastike…një qen, dy orë, me mushkëri…lëkurë pa pore…daulle fantastike, për valle burrash, në disko…ca tipa të plevitosur që hanin vetëm patate, shkulën thanat nga rrënjët dhe panë njëri-tjetrin në sy të çmeritur. Pastaj përplasën këmbët përtokë dhe filluan t’u rrëmbenin njerëzve biçikletat e t’u hanin telat e hekurt, pastaj u futën te kolibja e qenit të gjyshit tim dhe fjetën gjumë, pasi e hëngrën edhe qenin e bërë synet me armë zjarri; të gjithë ngjanin si ameba e paramecë të dhjamosur, të cilët kishin zënë pleshta e morra të kuq…edhe rrotull thanës, kishte aq shumë njerëz, sa dukeshin si milingona që gëlonin vetëm aty, për shumë kohë, pa lëvizur nga vendi, kamarierët mbllaçiteshin e kruheshin ngado, sidomos te sytë e nxirë si vula të lagura nga lotët e shkaktuar prej qepëve që kishte vënë në veshët e skuqur i biri i asaj që fliste dhe çdo gjë e bënte që nga maja e thanës, për të cilën thuhej se ishte mbjellë për herë të parë prej jashtëtokësorëve, apo…më duket se dikush ishte urdhëruar atje me nja dhjetë fatura pagesash, diçka e tillë, nuk më kujtohet mirë…sa shumë që harroj…booo, edhe dy javë…po sikur të rri përgjithmonë?!…mos vdis këtu, o debil, shko në banjë, merr edhe një copë letër me vete që të shkruash testamentin… …rrija shtrirë në krevat, me sytë lart në tavanin e pistë. Sipër meje qëndronte kokëposhtë një mizë e madhe, shumë e madhe; mbase kishte pirë shumë gjak. Lëviza vendit, edhe ajo lëvizi: bënte të njëjtat lëvizje që bëja unë. Mendova: sikur të isha unë ngjitur pas tavanit dhe t’i bija mizës përsipër do të më bënte pis me lëngun e saj dhe gjakun e thithur nga ndonjë kufomë. Tavani më afrohej, mbase nga pesha e njerëzve që ishin sipër, afrohej bashkë me mizën dhe me gjumin. U mundova të rrija zgjuar derisa ta kapja me dorë e ta hiqja që andej. Zgjata pëllëmbën dhe e shtypa fort pas tavanit: kërciti duke nxjerrë gjak të zi. Mora frymë thellë dhe mbylla sytë. Kur të zgjohem do të mendohem sesi t’i shpëtoj tavanit, të cilin e kishin parë të gjitha gratë e fshatit dhe e kishin ndyrë me këmbë, këllirë…se nuk më tremb vrasësi, por viktimat. Jam njeri, prandaj gjithçka duhet të më hapë rrugën. Nuk dua asgjë në rrugë, as njerëz, kuptohet për cilët njerëz e kam fjalën. Kurat e ndryshme më tmerrojnë, më trembin, më ngrejnë nervat, më bëjnë keq…nuk dua të të mbroj më, nuk ia vlen…sytë e kuq nuk i duroj dot, jam njeri më shumë se kurrë dhe nuk duroj dot më, po pëlcas. Është diçka më shumë se ngulitja e syve dhe lëvizja e ndyrë e buzëve. Megjithatë, tani për tani, nuk pres asgjë, asnjë që të më thotë se jam i keq e i poshtër, këllirë, fundërrinë. Po, jam! E pastaj, çfarë?! Vazhdoj të hedh poshtë gjithçka dhe duroj deri në pikën e fundit. Tani kam një dëshirë të papërmbajtur të mbars vdekjen duke e shkërdhyer egërsisht, derisa të thërrasë: “Mjaft, mjaft më, se më çmende!”. Pastaj ta përzë me shkelma bythëve hollake, ashtu, lakuriq, dhe mantelin e saj të zi erëkeq ta mbaj për vete…mos kujto se është shpëtim, as llum, as dëshpërim. Do t’jua them vetëm po të më puthni bythën, por vetëm një herë, se pastaj ma ndotni me jargët tuaja. Ose duroni derisa të fle dhe ma puthni tre herë, që të kënaqeni! Jam i mirë? Po, jam! E çfarë pastaj? Mua më pëlqen shumë të qesh si i çmendur, bëj gjithçka që të jem ashtu, të eksitohem në kulm. Të qeshurat e tjera më duken si tingujt e ndonjë simfonie të Inkuizicionit. Jam gati të rend rrugëve të pista duke i lëpirë, derisa gjuha të më bëhet e zezë dhe pastaj t’i pështyj njerëzit me të qeshur e duke i treguar me gisht, derisa ndonjë vdekje tjetër të vijë që mbrapa kurrizit tim dhe t’i shikojë ngultas, pastaj të buzëqeshë e të vazhdojë rrugën, por tani kam vetëm një dëshirë: të më puthin bythën, se pastaj do t’i tregoj të gjitha, edhe vendin ku kam patur orgazmën e parë me vdekjen e i mora mantelin e zi famëkeq. Jam njeri, më ka mbetur edhe një botë e tërë për të dhjerë me shenjtin tim. Kam kaq shumë punë, është botë e madhe, më hapni rrugën se po më shpëton… …para se të vdisja, i lashë hijes sime porositë e fundit. Deri tani, ajo m’i ka kryer të gjitha porositë me besnikërinë më të madhe, ashtu siç askush nuk do ta bënte. Sapo nxora frymën e fundit, më rrëmbeu në krahët e hollë, më hoqi rrobat nga trupi dhe më hodhi në kurrizin e saj të brishtë. Njerëzit ngelën gojëhapur, por hija nuk i la t’i mbyllnin e t’i hapnin përsëri: ia mbathi, me mua në krahë dhe me kokën duke m’u tundur, pa zhurmë dhe shumë e shpejtë, si vdekja ime (lloji më i mirë i vdekjes). U drejtua e heshtur drejt një pirgu të madh plehërash që digjeshin dhe më hodhi në flakët lëpirëse. Priti gjersa u bëra hi duke mbajtur duart te goja që të mos i shpëtonte ndonjë psherëtimë keqardhjeje. Pastaj u largua me hap të ngathët e të pasigurt. Në të vërtetë, më erdhi shumë keq: s’kishte ku të shkonte, s’kishte asnjë vend ku mund të rrinte, sepse unë nuk do të kisha një varr me fotografi, ku mund të kisha pozuar duke qeshur kot, dhe me budallallëqe të shkruara sipër. Do të endej kot nëpër botë, duke mos kërkuar e pritur asgjë, ashtu si bëja unë njëherë e njëkohë. Hija ime ka mësuar shumë gjëra prej meje dhe gjithçka e kemi bërë bashkë, por tani ajo do të jetë diçka tjetër: si mua, por pa hije. Do të jetë fare vetëm, madje një gjysmë e vetes. Do të ketë vetëm një të mirë: nuk do të ketë probleme për t’u djegur në zjarr, që të mos ketë varr, si mua, sepse nuk do të ketë njerëz që ta duan, si mua, ose kokëçarje të tilla. Do të jetë pothuajse një kufomë pa erë të keqe, që nuk i prish punë askujt dhe që do të donte vetëm të integrohej në ndonjë varrezë (fundja, vetëm një banesë e fundit ku të futë kokën i duhet, asgjë më tepër). Ose, po të dëshirojë, mund të gjejë ndonjë njeri pa hije (të tillë ka sa të duash) dhe, fundja ai tjetri do të ngelet i kënaqur, sepse do të fillojë të bëjë hije mbi tokë. Ajo mund t’i mësojë shumë gjëra të thëna prej meje, por, nëqoftëse është e zgjuar, nuk duhet t’ia tregojë të gjitha, sepse ai tjetri mund të veprojë njësoj si mua dhe hija do të ngelej përsëri vetëm, duke nisur gjithçka nga fillimi dhe duke i bërë të tjerët të bëjnë hije mbi tokë me hijen time. Dhe mundimi i testamentit tim do të shkonte kot… …pres qetësinë, pastaj sjell përpara pasqyrës, në të cilën jam zhytur i pari…pashë një fytyrë të zhubrosur nxitimthi; ca dele kullotnin mbi kokën me xhunga; flokët binin një nga një, si kalatë e dikujt që nuk ia mbaj mend emrin tani; erdhën ata me brekë të gjera, morrat…zorrët e morrit, hematoma nëpër brinjët e pleshtit që nga epoka e gurit: paleoliti, mezoiti, neoliti…edhe Prometeu, shkërdhatë u tregua; na dha vetëm një gur, por thuaj “sa mirë që gjetëm gurin që harruar në mes të rrugës njëfarë Sizifi, i cili shkoi të jetonte në bordello…po morrin, pse e krijoi ai i madhi fare? Të gjithë na e kanë futur sa krahu: fundja, pa ne, ata nuk do të mund të bëheshin dot kurrë heronj, vetëm për këtë na duan…përplasa gurin që më dha njëfarë Prometeu me atë të njëfarë Sizifi dhe shkëndijat i mbajta për veten time, për të djegur qentë morracakë që më zënë rrugën e lehin kotsëkoti, sa lehtë marrin flakë, si fitilë më barut; janë të lyer me llak, shkumë flokësh, lloj-soj parfumesh të nxjerra nga bajgat e hienave kërrmëngrënëse…booo, metan, sikur të haja edhe unë gjëra të ngordhura mbetur anash rrugës, kushedi ç’parfum të mrekullueshëm do të bënin shkencëtarët me bajgat e mia, femrat marsiane do të çmendeshin pas meje, pastaj do të më kërkonin autografe, por nuk do t’ua jepja, pa ma dhënë njëherë… - Më kanë humbur çelësat e depos së vjetërsirave! - Të depos sime? Ku? - Më ranë në vrimë të hales, më fal! - S’ka gjë, se e shqyej derën me shkelma! …në depon e vjetërsirave; dikush kishte parë atje cigaren e ndezur të ndonjë kovaçi pijanec dhe shpiku një histori me fantazma, lugetër e perëndi: e bëri vetëm për të dalë në televizor. Depos sime i vunë edhe një emër: Olip…Polip…Pilo…Pi…Pi…Olimp më duket se ishte…nga emri: si vend i denjë për të bërë orgji…si gjyshi…edhe ai, gruas së kushedisekujt, i mbështeti kokën pas kolonave dhe e pyeti në fund, duke u tallur e mbërthyer ngeshëm pantallonat: “Hë, i dëgjove lajmet, të rëntë kanceri me ngjyra të rëntë. S’ka gjë, pi shurup minjsh dhe të ikën, shërohesh për dy javë, ose pi raki thane që të harrosh”…më mirë gjysmëbudallenj; të paktën nuk kuptonim ç’bëhej rreth e rrotull dhe do të zhgërryheshim lëndinave, të ngopur e të lumtur si zogj haleje… - Po ti, kur e ke datën e skadencës? Unë nuk e shikoj dot timen, se e kam në qafë, njëherë që doja të shikoja desh e theva, qafën… - Nuk e di, edhe unë atje e kam të shtypur. Sikur ta kisha të shtypur në tapën e ndonjë vrime të trupit, të paktën të isha gati…edhe sa do të qëndrosh këtu? - Edhe dy javë! …dy javë: dalin e teprojnë për të përdhunuar Zeusin dhe gjithë sojin e sorrollopin e tij, komshijtë, shokët, vartësit, madje edhe ata që kanë të njëjtën nënshtetësi me të, pastaj t’ia futësh vetes me kënaqësinë më të madhe, duke bërë harakiri me zorrë të lidhura në qafë, si gjyshi im, që përdori thikën e bukës, megjithëse e pamprehur, e ndryshkur e gjysmë e thyer në thembrën e një gogoli që mbajta dy javë peng në brekët e mia, bashkë me Zeusin dhe sojin e sorrollopin e vet, duke ndjekur njëri-tjetrin vërdallë, si pordhët nëpër brekë. Kush duron dy javë do të jetë i pavdekshëm, por varet se me çfarë do të marrin frymë: mushkëri, lëkurë apo me të dyja bashkë, si amfibë. Ndokush edhe mund të ngordhë nga mërzia, kështu që do të detyrohen të flasin gjersa t’u zërë goja lesh, do të lodhen duke u vërdallosur, do t’i marrin këmbët në krahë dhe do të enden plot dy javë…duke bërë shurrën në vrimën e hales, se jam me kulturë, vura re një mizë të madhe jeshile, e cila i vinte korthi litarit të verdhë që bëhej lëmsh në vrimën e zezë. E lëviza litarin, jo drejtpërdrejt, dhe e lidha mizën pas lëmshit të zi brenda në vrimë. Unë, unë, që nuk kisha vrarë as edhe një mizë deri atëherë (vetëm një, por gabimisht, jo për fajin tim). Bashkë me mizën u mbyt edhe Zeusi, i cili pa litarin e u kap pas tij për të zbritur fshehurazi nga brekët e mia, dhe të mendosh që i kishte mbetur vetëm një javë…le ta hanë minjtë tani, po s’pati ngelur te shpikja më e madhe e njeriut, te sifoni, duke e bllokuar përgjithmonë: jo për gjë, por nuk kanë me çfarë të ushqehen qentë, zogjtë e haleve, mizat, etj. Edhe mushkonjat do të detyrohen të thithin gjak heronjsh të zënë kaps, që do të jenë duke u munduar me një bisht fshese në dorë e të djersitur të zhbllokojnë sifonin, shpikjen më të madhe të njeriut (këtu mund të bëjnë përjashtim vetëm disa gjëra, si, p.sh., rrota, filozofia ose prerësja e thonjve, por që përsëri nuk qëndrojnë mbi të), kush ka qenë urith e di më mirë se mua, dhe heronjve do t’u vijnë ndërmend ditët e lavdishme, kur e kalonin kohën duke kapur miza e duke u këputur kokat, për të vënë bast se miza e kujt do të gjente e para atë pisanjosin, e ëma e të cilit fliste dhe çdo gjë tjetër e bënte që nga maja e thanës. Kush fitonte i ftonte shokët për akullore. Kamarierët, vetëkrruajtësit synxirë e syskuqur mbllaçitës, përfitonin nga rasti që heronjtë nuk dinin ç’ishin akulloret e vërteta dhe u jepnin dhjamë qeni ose sapun, pastaj i ngulnin përsëri sytë turmës gojëhapur e të disiplinuar, por paksa të shtangur nga britmat ngadhënjyese të zëdhënëses së thanës. Fytyrave të verdha gjatoshe, pa vetulla e qerpikë, si pubisë të depiluar, u rrinte bukur nga një gjerdan me sy të tharë peshqish, vezë morrash e sysh të nxirë anash e të kuq në mes, ku kishte një vrimë tjetër të zezë, si çdo sy. Ata burra të lodhur, mbështetur pas biçikletave, që i donin më shumë se gratë e tyre…”Polli, polli, polli!- klithte dikush, për nder të të cilit bëhen çdo vit ca gara vrapimi…polli që nga maja e thanës, por kopili ra mbi flokët e butë të gjyshit tim dhe shpëtoi, fat kurve. Pastaj ai dikushi vdiq, sapo u dha lajmin kushërinjve të pjellëses në Trojë: nxori gjuhën si kafshë e therur dhe kërkoi ujë, por askush nuk i dha; e pyetën nëse ishte mashkull apo femër;ai u përgjigj: - Mushkë! Ata i dhanë shëllirë, dhe ai, pasi gogësiu aq fort sa u shpupuriti flokët njerëzve, vdiq, ishte nekrofil. Punonte në një morg, ku eksperimentonte seksualisht me të vdekurit. Kur i sollën një çikliste 20-vjeçare të vdekur, filloi ta përdhunonte rregullisht, gjersa ajo një ditë u ngjall dhe ia ngjeshi me shpulla…budalla, turp të kesh, ha-ha-ha, pastaj e kafshoi me dhëmbët e rregullt e të bardhë në vendin që u bë shkas i ringjalljes…kur ulërinte ai vrapuesi nga dhimbja, më ngjante si qeni i gjyshit tim pasi përdhunoi komshiun e padjallëzuar, të cilin e përdorja si lodër kur kisha kohë të lirë…diku andej nga fundi filloi të mbinte një kërpudhë e stërmadhe…turma e përgjumur shkëmbente shenja me kamarierët, duke porositur pije alkoolike me shumicë, përplasnin gotat me njëri-tjetrin dhe buzëqeshnin mirësjellshëm me fytyrat e përborura (kur gjyshi donte t’u bërtiste u binte me thupër ballit, se ishin shurdhmemecë). Pastaj nxiheshin nga një hije serioziteti dhe ngulnin sytë nga thana, ndërsa nga rrugicat e shumta derdhej zgjebja në formën e turmave të qenve…dy javë zi…njerëz pa ngjyra, mbi shina metali rrëzëllitës, retëbrekë që mbështjellin planetin si angullima fantazmash…të gjitha galaktikat brenda breçkave të mia… - Do të bjerë shi, se janë nxirë retë…! - Janë nxirë?
|