Pjesë të zgjedhura nga Arben Orhani/3
Jump to navigation
Jump to search
Pjesë të zgjedhura nga Arben Orhani
< Lojëzhytje >
Lojëzhytje | |||
Mjafton një litar i varur diku dhe, duke e pikasur, kushdo bie në mendime. Rilind një ndjenjë detyre për të bërë patjetër diçka me atë copë litar. Ndërrohet rrugë dhe ecet me kokën mbrapa, por, sapo rihidhet vështrimi përpara, pritet rruga nga një litar tjetër, që del para syve e mbulon fytyrën, madje më i fortë e i mirëmbajtur se i pari. Në çdo rrugë ndodhet një litar i varur. Diku bëhet përpjekje për të mos vënë re, por një frymëmarrje e lehtë e litarit mbi sup, duke rrëshqitur pranë padashur, tund zërin, me të cilin provohet të flitet për zemërimin, që nuk dihet se kujt t’i shkarkohet. Nga të gjitha anët ushtojnë të qeshurat e jehonat e tyre dhe zemërimi fillon të ulet. Bie përtokë e thyhet, bëhet copë, pis, ngatërrohet, (tani zemërimit i vihet edhe datë skadimi), lyroset e ftohet, pastaj tretet në të qeshurat acide. Bëhet një rrotullim i paparashikuar i kokërdhokëve synorë dhe gjithçka ndalet, shtangur thinjshëm, duke jehonizuar të qeshurat, zërat, zhurmat, thirrjet, kurse gjetiu rirefrenizohet në goditje këmbanash. Dikush, ndërkaq, pyet veten me kokën ndër shalë: Për kë bien kaq fort këmbanat, vallë? Ndokush mund të mendojë se është loja më e bukur, fantastike, e pabesueshme dhe marramendëse që mund të ekzistojë. Kur thuhet fshehtazi në vesh se kush e organizon, nuk besohet, por në tru të mykur diçka fillon të lëvizë skuthërisht. Vështrohet naivisht, duke buzëqeshur, edhe kur tradhëtohen lojtarët. Pasi mbaron dëgjimi, kryhen përshëndetjet dhe largimet me kruarje koke, të pasuara nga thënie të tilla si: “Sa keq, paska rrjedhur!”, madje edhe me keqardhje. Në mbrëmjë flihet dhe ëndërrohet. Gjithçka krimbëzohet, duke gjethuar kukulshëm. Ndjenja e zgjimit përfshihet nga gojë të plotëmëndafshuara. Nga shtresat e bardha nxiton një merimangë, e cila kishte përfituar nga hapësira dhëmbore dhe keqajrosja gojore për të bërë çka di të bëjë më mirë (edhe ajo lojëzohet, mjaft që t’i krijohen kushtet). Është lojë e stërmadhe, thith papërfillshëm, e parevënë, por vetëm kur fillon të shfaqet, shihen sytë e saj, tmerrësim gogolesk. Pranë humnerës shihen njerëz që ecin shkujdesshëm, sikur shkojnë drejt koshit të plehrave për të hedhur diçka, duarkryq. Diçka trunore ftillohet për dobishmërinë e tyre. Thirren dhe kthejnë kokën me përtesë. Ngrejnë një vetull dhe vështrojnë nga kokakëmbazi. Pastaj zgjatin dorën, ku ndriçon një çelës. “Është imi!”, dhe duart fshihen pas kurrizit me përtesë. Megjithëse nuk parashikohet gjë për momentin, nuk pëlqehet. Papritur, fillojnë dënesat, duarmbulim i fytyrës dhe tokëpërplasje këmbësh, si fëmijët e sëmurë tullacë vdekjeprurës. Pritja për të ndalur zgjat shumë. dhe, pas një lotëfshirjeje të ngeshme, sa për mosqejfmbetje, rifillon mbyllja e syve dhe lëshimi i trupit në boshllëkun humnerizues duke marrë frymë thellë, me synimin për të futur gjithë atë hapësirë të zezë në mushkëri, dhe, ndodh aq shpejt, sa shkakton vetëm gojëhapje. Zgjaten koka që shoqërojnë me vështrim trupin zvogëlues, i cili, kur kthen kurrizin, mbështjell të dyja duart në gjoks, mendjendërruar, dhe vë dorën te goja sikur gëlltit diçka ose zë gojën që të mos dëgjohen klithmat. Mbyllen sytë ngadalë, jo tmerrshëm e me nxitim, të mëdhenj, të pambyllshëm e të zakonshëm. Pas syzhdukjes imagjinohet zhytja deri në fund. Trupi përplaset fort, duke ngritur pak pluhur. Nga gjithë ai shformim, vetëm sytë ngelen gjithmonë ashtu si janë. | |||
Ëndërr gënjeshtarësh | |||
Gënjen! Ti gënjen kaq shumë, sa i beson edhe vetë ato që thua. Ti flet për shumë gjëra, por vetëm flet. Mohon! Mohon gjithçka dhe beson vetëm gënjeshtrat. Vë në provë veten para pasqyrës, por asnjëherë nuk mbetesh i kënaqur. Atëherë fillon të shtrembërosh çdo pasqyrë në të cilën shihesh. Dhe ata që shihen pas teje bëhen si ty. Shihesh në ujin e një pellgu me ujë të ndotur anash rrugës dhe shtrembëron ujin, duke hedhur gurë. Shihesh në sy fëmijësh dhe i mëson të shohin vetëm me mosbesim. Vazhdon të mohosh veten në pasqyrën e kohës, por atë pasqyrë nuk e shtrembëron dot. Mendon dhe me mendim gënjen veten. Flet dhe gënjen njerëzit që të vënë në mendime duke të thënë të vërtetën. Por unë pres të vetmen të vërtetë që goja jote do të nxjerrë, qoftë edhe në gjumë, dhe do të të mohoj me të njëjtat fjalë që ti ke mohuar. Do të bëhem si ty, por jo me ty. Nuk ka rëndësi sa e madhe është gënjeshtra. Ti do mbetesh vetëm një hallkë e zinxhirit të gjatë që po formoj unë. Sepse unë jam i vetmi, dora e të cilit tërheq me zhurmën ndjellëse ato hallka që shtohen dita-ditës. Dhe ti mbetesh i vetëm duke sajuar veten në hiç. Dhe ke vetëm një emër: i mashtruar. | |||
Grabitja | |||
Në të dalë të një fshati të madh, brenda një guroreje të braktisur shumë kohë më parë, në vitin 198…, dikush gjeti disa fletë prej një lënde të çuditshme, të vjetra dhe mbase të shkëputura nga ndonjë lloj ditari, të paktën ashtu dukej. Dukej sikur kishin ngelur rastësisht në një të çarë të thellë shkëmbi. Ja çfarë shkruhej nëpër ato fletë të kafshuara e të çjerra me thonj, fjalë për fjalë: …dhe njëri prej tyre, ai më i gjati, më drejtoi një kazmë e lopatë që nga errësira, pastaj më urdhëroi të filloja punën atë çast. Ngrita supet dhe hapa pëllëmbët e duarve, por më hodhën te këmbët një kufomë dhe ikën nxitimthi, pa u ndjerë fare. Nata ishte e qetë dhe dëgjoheshin vetëm goditjet e kazmës sime që shkallmonin dheun e fortë e të thatë. E futa kufomën në gropë dhe e mbulova me dhe, por gurin, që duhej t’ia vija te koka, ia vendosa nga këmbët; harrova, por edhe errësira ishte e tepër e thellë për sytë e mi të pamësuar me… …ndërsa unë rendja nëpër natë me qiri në dorë duke parë mbrapa. E flaka në një gropë të sapohapur dhe ika përsëri duke vrapuar. Atje u afruan disa të vdekur dhe rrethuan qiririn, duke e vështruar dritën e vogël qetësisht me sytë e tyre të fishkur e fytyrat e kalbura. Trupin e kishin mbuluar me çarçafët e bardhë të vdekjes. U ndala mbrapa një trungu peme dhe i përgjova. Njëri prej tyre, që m’u duk i njohur, ktheu kokën nga unë dhe më tha: “Qiririn do ta mbajmë ne, ti nuk na e merr dot përsëri”. Papritur, u dëgjuan disa këmbana. Të vdekurit vështruan njëri-tjetrin të trembur dhe u zhdukën në terr. Pasi u sigurova që kishin ikur u afrova te gropa, hyra brenda dhe zgjata dorën drejt qiririt që po shuhej. Dëgjova një përplasje gurësh dhe gropa u përqarkua nga të vdekurit, të cilët mbanin mbi supe gurët e varreve të tyre. M’i hodhën përsipër, duke qeshur pa zhurmë me gojët e të zeza… U zgjova i tmerruar, duke u stërbetuar se që nga ai çast e tutje do t’i mbaja mend të gjitha fytyrat e të vdekurve dhe anën nga do të kishin kokën. M’u duk vetja përsëri në ëndërr kur pashë gjithë ato varre, që dukeshin sikur sapo ishin kthyer në formën e tyre të zakonshme nga ndonjë përçudnim i frikshëm. …këmbët m’u lagën nga gjaku i një gruaje të shtrirë përtokë. Ata u zhdukën menjëherë për të mos ua parë fytyrat. I rridhte gjak nga çdo vrimë e trupit, madje edhe nga sytë dhe lëkura, që ishte si e plasaritur. Dukej sikur qante me lot gjaku. E tërhoqa nga këmbët drejt një grope të gatshme. Pasi mbarova me të, fillova të hapja një gropë tjetër, thjesh për të shtyrë kohën. Është e vetmja gjë që mund të bëj në këtë jetë, në të vërtetë është gjë e thjeshtë… Nuk jam mësuar…me pamjen e njerëzve që u kanë bërë autopsi: sot sollën një të tillë. Barku i dukej si gropë, trupi si thes i qepur keq, edhe koka e qepur pas trupit me qafën mangët, e hodha në gropë, si të tjerët … e kishin sjellë me litar, se nuk mund të kapej me duar: nga i gjithë trupi i dilte qelb me erë të pështirë, që të hiqte çdo dëshirë për të marrë frymë ... e tërhoqa zvarrë nëpër bar, ku dukej sikur kishte shëtitur ndonjë kërrmill i stërmadh i qelbur. Varreza po zmahohet, dalngadalë… …megjithëse ishte akoma i gjallë, me sa dukej ishin të sigurt se do të vdiste, dhe vërtet: dha shpirt në duart e mia…zorrët i vareshin nga barku i çarë dhunshëm, patjetër me diçka të fortë, dhe i dukeshin si mëngë të shthurura të një bluze të vjetër. Sapo iu var koka anash, sytë i morën ngjyrë bënë gri. Ngjante sikur vështronte larg, i qetësuar nga gjithë ajo dhimbje… …erdhi njëri pa plagë dhe gjak. Çudi! Mbase kishte vdekur nga frika, ose kot, mbase...nuk e di, ndoshta ishte budalla, ku di unë…i volla mbi fytyrë dhe lëkura, nga e ftohtë dhe e lyrosur, u duk sikur mori jetë për një çast… ...dikujt i kishin nxjerrë sytë dhe shqyer zemrën. Mizat e ndiqnin kudo nga pas. U mundova t’i trembja, por ato nuk i ndaheshin dhe vendosa t’i varrosja bashkë me të, duke i lënë të përzjeheshin e të bëheshin një…megjithatë, kisha frikë se mos i vdekuri çohej vetë për t’i larguar, aq shumë miza kishte… ...një sakat pa këmbë e duar. Sytë i kishin mbetur të hapur fort, sikur po kërkonte gjymtyrët e tij. Ia mbylla me dorë, por përsëri iu hapën, madje m’u duk sikur i lëvizi pak në atë drejtim ku duhej të kishte këmbët. Gjeta dy gurë dhe ia vendosa mbi sy… ...atë natë sollën dy njëherësh. I kishte kafshuar një gjarpër në grykë. Goja u ishte mbushur me shkumë jeshile, që dukej si sekrecion orgazmash të vdekjes ku ishin përpëlitur... …nata - natës po kuptoj rëndësinë e kësaj pune, e cila ka filluar të më pëlqejë më tepër se ç’duhet… ...në mesnatë. Në katër qoshet e varrezës u dukën disa drita të vogla. U afrova, por u larguan menjëherë, duke lënë mbrapa përshpëritje shqetësuese të largëta... ...nata filloi me një kufomë të djegur, që lëshonte ende tym. Nuk njihej fare; i dukeshin vetëm dhëmbët e skërmitur dhe brinjët... …një i dënuar me vdekje në litar. Gjuha e tij, si këmbë oktapodi, më lagu duart. Para se ta varrosja ia mbështolla rreth qafës... …një i vetëmbytur në gropën e ujërave të zeza. Ishte nxirë i gjithi: duhej të kishte shumë kohë në ujë, i fryrë, sy të kuq në jeshilë, dhe ngado i dilte ujë, që i bëri mirë bimësisë gjembore të varrezës… …ftohtë, shumë ftohtë. Binte shi i çmendur. Dikë, që nuk i kishin lënë as rrobat në trup, e kishin bërë copë - copë me një dorezë thike të ndryshkur, të cilën ia gjeta brenda mëlçisë. E tërhoqa nga flokët e lagur që i kërcisnin. Fytyra e tij dukej sikur më thoshte të mos e zvarritja më, por ta mbuloja shpejt me baltë për t’u ngrohur nën tokë... …më dorëzuan një njeri pa kokë që më çuditi. Kishte kapur fort me duar pjesën e qafës që i kishte mbetur. Koka ishte prerë mjeshtërisht: një prerje e menjëhershme, e sigurt, e ftohtë. I pyeta se ku ishte koka dhe më thanë se nuk e dinin. Duke parë trupin pa kokë më vinte keq ta varrosja dhe vendosa të mos e kallja në dhe pa ia gjetur… ...pas dy javëve ende nuk e kisha gjetur kokën e humbur. Besoja se edhe ajo do të ishte qelbur poaqsa trupi, që kishte zënë krimba, aq shumë krimba sa nuk dukej më trupi. Mbante erë të tmerrshme dhe vendosa ta varrosja. Fundja, edhe po të gjeja ndonjë kokë, nga ta dija se ishte e tij... …përsëri dritat e vogla dhe përshpëritjet e largëta, që u larguan sapo u afrova. Mendova t’i ndiqja, por nuk doja t’i kaloja muret, madje nuk kisha dëshirë të dilja që atje. Gjithë natën e kalova duke fishkëllyer... …duart më kishin marrë një ngjyrë të kuqërremtë nga gjaku që prekja çdo natë. Në dritën e hënës ngjyra bëhej akoma më e bukur dhe mendova të lyeja edhe fytyrën e trupin, që të gjithë të më kenë zili, madje edhe… …një klithmë e tërhequr zvarrë nëpër natë më bëri të rendja varr më varr për të parë se mbase ndokush i kishte shpëtuar vdekjes. Njëri ishte vërtet bosh. Hodha sytë rreth e rrotull dhe pashë, shumë larg, dritat e vogla që po rendnin bashkë me… …shumë net që përsëritej e njëjta gjë: më vidhnin të vdekurit. Nëse do të vazhdonte ende ashtu, vendi nuk do të ishte më varrezë. Ata pak që kishin mbetur i ruaja ditë e natë, por, sapo më zinte gjumi, dëgjoja atë klithmë gjithë dhimbje. Vrapoja deri te muret dhe ndaloja i dëshpëruar, duke nuhatur kutërbimin e qelbur të kufomave, që mbetej pas dhe përhapej në të gjithë vendin. Vetëm ajo po më mbetej… …por sot më vodhën të vdekurin e fundit. Kam kohë pa kallur ndonjë. Dritat e vogla ngjyrë blu vetëm ikin dhe nuk dihet se ç’janë. Ndonjëherë hungërijnë frikshëm, ndonjëherë blegërijnë, pastaj zhduken aq shpejt, sa dhe vetë…që lëshojnë… …që pashë një ëndërr, por kur u zgjova vendosa të ikja…po flija në varrin tim, ashtu si bëja çdo natë. Bënte ftohtë dhe isha mbuluar i tëri me dhe, përveç syve dhe hundës. Pranë meje vigjëlonte ndezur një qiri. Papritur, nga muret hynë disa të vdekur dhe u afruan te qiriri. Ecnin ngadalë që të mos zgjonin njerëzit, që flinin secili në varret e tyre. Fytyrat e kalbura ua ndriçoi drita e dobët. Njëri syresh zgjati dorën drejt flakës së vogël. Hapa sytë dhe nxorra dorën që poshtë pirgut me dhe. U zgjuan të gjithë, duke vështruar egërsisht të vdekurit e zënë gafil. Ra këmbana dhe qiriri u shua. Të vdekurit u zhdukën duke përfituar nga errësira, ndërsa unë lëshoja klithma triumfi… …me qirinjtë ndezur në dorë u nisa drejt varrezave. Të vdekurit më vunë re u nisën pas meje. Vazhdova t’i tërhiqja derisa arrita në varrezën time. U futa brenda dhe të vdekurit më ndoqën me ndrojtje. Hodha qiririn përtokë, ndërsa grumbulli i të vdekurve vështronte dritën e vogël që tretej ngadalë duke… …njerëzit më përzunë nga varret e tyre, por duke u endur vetëm nëpër natë…vetëm…nuk besoja se do t’ia tregoja të gjitha vetes kur… Post Scriptum. Pjesët nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën, p.sh: një faqe ka numrin 19, tjetra pas saj 23, dhe vetëm në njërën prej tyre është shënuar viti 197…, kohë në të cilën mbase është shkruar. Dikush, që i lexoi rastësisht, pasi dëgjoi hamendjet e shumta të një grupi të vogël njerëzish që dinin përmbajtjen e atyre fletëve, tha me gjysmë zëri se gjëra të tilla ndodhnin shpesh. Në çastin që ky njeri po hapte gojën, nxorri disa fjalë pa lidhje me njëra-tjetrën, pësoi diçka dhe u plandos përtokë i vdekur në çast. Pas disa ditësh, çuditshëm, u zhduk edhe grupi i njerëzve që bisedoi me të.
|