Jump to content

Origjina e fjalës Kosovë/3

Nga Wikibooks

Etniku dardan dhe horonimi Dardania


Sami dhe Naim Flamuri


Etniku dardan dhe horonimi Dardania

Në studimet albanistike hasen mendime të ndryshme rreth dardanëve, të cilët heqin origjinën e tyre që nga kohët mitologjike, duke u dëshmuar, krahas peonëve, një fis fqinj i tyre, siç mësojmë nga "Iliada" e Homerit, edhe në luftën e Trojës. Prandaj, zbërthimin dhe kuptimi i etimonit dard mund t'i çojë shumë larg studimet jo vetëm gjuhësore.

1.1. Hani për Dardaninë. Lidhur me kuptimin e këtij emri, Çabej vë re se është J.G. von Hani nga të parët që në Albanische Studien, I (1854) emrin e dardanëve e lidhi me apelativin e shqipes dardhë, duke shënuar në atë mes që në Shqipëri janë të shpeshta emrat e viseve të formuara nga emra drurësh, ku ai përmend bash edhe një emër katundi e mali në Shqipëri të Mesme të quajtur Dardhë. Ky dijetar, në veprën e tij Udhëtimi prej Beogradi në Selanik (Reise von Belgrad nach Salonik), botimi i dytë (1868), i risillet edhe një herë kuptimit të emrit të dardanëve dhe të Dardanisë: "Poroshtica na dha një vërtetim të papritur të shpjegimit që jemi përpjekur të japim për emrin Dardania në veprën "Studime shqiptare" sepse ne, përsa mundnim të shohim, pamë se sidomos shpati i saj lindor ishte i veshur plot me dardha të egra, që ne i kishim ndeshur edhe më parë, të përziera me pemë të tjera, por që kështu grumbull gjer më sot nuk i kishim gjetur me një shumicë kaq të madhe. Dardha e egër është e përhapur në mbarë Gadishullin Ballkanik, dhe, nga sa dimë ne, është e vetmja pemë frutore me farë që rritet në ato anë, dhe sikurse dihet, ajo i ka dhënë emrin një malësie të tërë që gjendet në këndin veriperëndimore të Gadishullit; kështu pra rrjedhimi i emrit Dardania prej shq. dardhë. na duket shumë afër mendsh dhe kuptimi i kryehershëm ngjan të jetë "vend dardhash" (f. 389). Këtë mendim, sipas Çabejt, e përkrah nga pikëpamja botanike edhe mendimi i A. Baldecit se kjo trevë është shumë e pasur me pemët e egra Pirus amygdaliformis".

1.2. Durham për Dardaninë. Lidhur me horonimin a emrin e krahinës Dardania, nga të parët, që u mor shumë seriozisht me etimonin "kuptimin e vërtetë" të saj, qe studiuesja e dëgjuar angleze, Edith Durham, e njohur edhe si mbretëreshë e pakurorëzuar e Shqipërisë. Në veprën e saj "Prejardhja e disa fiseve dhe disa kanune e zakone të Ballkanit" (më pas PFKZB), ajo, lidhur me dardanët dhe Dardaninë, thotë: "Më pas Dardaninë e gjejmë në hartat e Ptolomeut (140 e.r.). Skica nga botimii Manxhinit më 1621, pavarësisht nga shtrembërimet, na jep një ide mjaft të mirë për pozicionin e saj, duke treguar se shtrihej në veri të Nishit. Nën Dioklecianin e gjejmë Dardaninë si provincë me kryeqytet Nishin. Vetë Diokleciani ishte me gjak ilir, fakt i cili mund ta ketë bërë ta mbante emrin ilir. Perandori Justinian ka lindur atje dhe thuhet se ka qenë me gjak vendas. I ungji (e ka fjalën për perandorin Justin, v.j.), fshatar, shkoi në Bizant dhe u regjistrua në Gardën perandorake, ku, si mjaft të tjerë të rangut të ulët, shpejt u ngrit në postin e lartë dhe pati trashëgimtar nipin e tij të ndritur. Vetëm kohët e fundit, emri i Dardanisë është fshirë nga hartat tona. Në një që kam vetë, nga Xhon Spid i vitit 1610, e hasim këtë emër. Në një botim të Nuremburgut, më 1770, mbi një rrip toke në qendër të gadishullit shkruhet 'Dardania deserta'. Mendoj se emri i saj nuk është shkruar në hartat e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Këta Dardanë, që luftuan kundër Maqedonisë dhe Romës dhe nga gjaku i të cilëve ishte Justiniani, a kanë lën ndonjë gjurmë në trojet e sotme?" (f. 497-498). Pasi shtron këtë pyetje retorike, ajo shton: "Në qoftë se fjalën 'Dardani' e nxjerrim me prejardhje nga fjala ilire që do të thotë 'dardhë' dhe që është e njëjtë me fjalën e sotme shqipe 'dardhë', atëherë sigurisht që kanë lënë gjurmë. Pranë Drinit ka tre vende, në Shqipëri, që quhen Dardhë. Këtu vendi është tej mase malor dhe sipas të gjitha gjasave, në vazhdimësi ka qenë banuar prej një popullsie pak a shumë me gjak ilir (shqiptar). Përtej Drinit, tokat fushore u serbizuan në fillim të mesjetës, por emri nuk humbi. Atë e gjejmë edhe në trajtat e serbishtes Krushevo, Krushevas dhe Krushenica. Një fshat afër Prizrenit, kur kam kaluar më 1908, kishte emër të përzier: Krusha (serbisht) dhe e vogël (shqip). Ndoshta tani që u është dhënë serbëve, quhet Krusha mala (dardha e vogël). Një tjetër shenjë që Dardania do të thotë 'dardhishte' gjendet në hartën e P. B. Bertius, hartograf i Luigjit III të Francës. Ai i shënon 'Pirustët' lart, mbi Drin dhe thekson se ata janë 'shqiptarë'. 'Pirusi' gjithashtu gjendet në një botim të Ptolomeut, që ka dalë më 1462. Duke pranuar shtrembërimet e këtyre hartave, këto vende janë të gjitha në po atë krahinë, ku janë edhe sot në Shqipërinë e sotme ato vende që quhen 'Dardhë'. 'Pirustë ' mund të jetë veç forma latine e emrit dardhë" (f. 498). Dhe, në fund, me një zhbirim të habitshëm, shton: "Së fundi, emri i dardhës na vjen në një tjetër formë. Emri i familjes së të madhit papë Sikstit (Sixtius, 1585-9) ka qenë Pereti. Ai ishte fëmijë i refugjatëve, siç thuhet, të cilët ikën 'nga një vend në Schiavonia i quajtur Krushevo'. Një njoftim e identifikon këtë me Krushevicën në Grykat e Kotorrit. Ata u vendosën si fshatarë në Itali dhe e italianizuan emrin e mëparshëm të vendit të tyre. Do të ishte e dëshirueshme ta dinim nëse fëmija fshatar që u bë papë, ka pasur ndonjë lidhje me gjakun ilir, ashtu siç pati Justiniani, i cili u end që nga Dardania deri në fronin e Bizantit. Papa ndërtoi kolonadën madhështore të Shën Pjetrit, Justiniani ndërtoi Shën Sofinë".


< 2
faqe
- 3 -

Ballina