NËN PUSHTETIN E URDHRAVE
OFENSIVA E VITIT 1999
- Ofensiva e qeverive serbe e jugosllave në Kosovë që filloi më 20 mars 1999, vetëm katër ditë para se të fillonte bombardimi i NATO-s, ishte një fushatë metodikisht e planifikuar dhe e mirëzbatuar. Shkarkime dhe emërime të rëndësishme në aparatin e sigurimit të Jugosllavisë nga fundi i vitit 1998, përfshirë kreun e sigurimit shtetëror serb dhe shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, të bëjnë të mendosh se përgatitjet për ofensivën po bëheshin në atë kohë. Në fillim të vitit 1999, u vu re përqendrimi ushtarak i konsiderueshëm në Kosovë dhe armatosja e civilëve serbë. Aksionet policore e ushtarake nga fundi i shkurtit dhe fillimi i marsit në rrethinat e Vushtrrisë e Podujevës, të emërtuara nga qeveria “stërvitja e dimrit” siguruan lidhjet hekurudhore e rrugore të veriut të Kosovës me Serbinë.
- Edhe ofensivat e mëparshme qeveritare ishin shoqëruar nga dhunime serioze të ligjit humanitar ndërkombëtar, por periudha e bombardimit të NATO-s solli sulme të papara mbi civilë dhe dëbimin e dhunshëm të më shumë se 850,000 shqiptarëve etnikë të Kosovës. Për herë të parë në konflikt, luftimet u spostuan nga zonat rurale në qytete.
- Ndërsa fushata qeveritare duket se ka qenë një përpjekje për të dërrmuar UÇK-në, ajo, me të filluar bombardimi i NATO-s, mori një zhvillim tjetër. Ndërsa ofensiva kryesore po merrte rrugë, Presidenti i atëhershëm jugosllav Slobodan Milosheviç shfrytëzoi bombardimin e NATO-s për të zbatuar planin e mposhtjes së rebelëve dhe të bazave të tyre të mbështetjes popullore, si dhe për të dëbuar me dhunë një përqindje të madhe të popullsisë kosovare.
- Askush nuk parashikoi shpejtësinë dhe shkallën e dëbimeve. Sipas komisionarit të lartë të Kombeve të Bashkuara për refugjatët (UNHCR), brenda tri javësh nga fillimi i bombardimit të NATO-s mbërritën në vendet fqinjë 525,787 refugjatë. Ndërsa në tërësi, forcat qeveritare dëbuan nga Kosova 862,979 shqiptarë etnikë, ndërsa qindra mijëra të tjerë u zhvendosën brenda për brenda, dhe këtu nuk llogariten ata që ishin zhvendosur para marsit 1999. Më shumë se 80% e tërë popullsisë së Kosovës – 90% e shqiptarëve – u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
- Zona të shquara për lidhje historike me UÇK-në u goditën më ashpër. Komunat e Gllogocit dhe të Skenderajt në rajonin e Drenicës – djepi i UÇK-së – ishin skena të masakrave të shumëfishta mbi civilët, si dhe të para burgosjeve arbitrare, torturave, shkatërrimit sistematik të shtëpive dhe të pronave të civilëve. Vrasjet në masë, dëbimet e dhunshme dhe
|