Jump to content

NËN PUSHTETIN E URDHRAVE/11

Nga Wikibooks
      Struktura e Ministrisë Serbe të Punëve të Brendshme (Ministarstvo Unustrasnjih Posllova, ose MUP), e drejtuar gjatë luftës nga Ministri Vllajko Stojiljkoviç, është më e komplikuar se sa ajo e VJ-së, e cila ka një zinxhir transparent komandash. Brenda MUP-it ishin policia e rregullt e Kosovës e komanduar nga Sreten Lukiç, policia speciale (Posebne Jedinice Policije, ose PJP) e komanduar nga Lejtënant gjeneral Obrad Stevanoviç, dhe forcat antiterroriste (Specijalna Antiteroristicka Jedinica, ose SAJ) të komanduara nga kolonel Zhivko Trajkoviç. Kolonel gjeneral Vlastimir Gjorgjeviç ishte kreu i sektorit të sigurimit publik të MUP-it, si dhe ndihmës i Ministrit të Punëve të Brendshme. Qeveria e re serbe i zëvendësoi Gjorgjeviçin e Stevanoviçin në janar të vitit 2001, por gradoi Lukiçin si shef të sigurimit publik si dhe si zv. Ministër i Punëve të Brendshme.
      Ministria Serbe e Punëve të Brendshme përmban gjithashtu shërbimin e sigurimit të shtetit, apo policinë sekrete, e cila luajti një rol të dorës së parë në Kosovë. Përveç aktiviteteve të fshehta, siç ishin survejimi e gjurmimi i veprimtarëve politikë shqiptarë dhe i pjesëtarëve të UÇK-së, sigurimi i shtetit dislokoi njësitë e veta të operacioneve speciale, JSO-në (Jedinica za Specijalne Operacije), dhe ndihmoi organizata të ndryshme paraushtarakësh. E njohur edhe me emrat “Beretat e Kuqe” apo “Djemtë e Frenkit” (për t’i bërë homazh Frenki Simatoviçit, një personalitet i rëndësishëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili njihet si themeluesi i këtij grupi), JSO u komandua gjatë luftës nga Milorad Lukoviç, i njohur ndryshe me emrin “Legija”. Deri në janar të vitit 2001, kreu i sigurimit shtetëror serb ishte kolonel gjeneral Radomir Markoviç. Ai u shkarkua nga fundi i janarit dhe u arrestua një muaj më vonë nga policia serbe për përfshirjen e tij në sulmin që ju bë më 1999 politikanit serb Vuk Drashkoviç. David Gajiç ish kreu i sigurimit të shtetit në Kosovën e gjatë luftës.
      Së fundi, forca të ndryshme paraushtarake, ashtu si edhe mercenarë të huaj lufte, ishin aktivë në Kosovë, dhe ç’është më e rëndësishmja, ishin nën kontrollin e qeverisë qendrore. Duke lënë mënjanë faktin, që këta të fundit përbënin forcat më të dhunshme në Kosovë, duhet thënë se aktiviteti kryesor i paraushtarakëve ishte plaçkitja dhe vjedhja.

< 10
faqe
- 11 -

12 >