NËN PUSHTETIN E URDHRAVE/12

Nga Wikibooks
      Ndonëse kufijtë e saktë të komandave e kontrollit mbi këto forca paraushtarake mbeten të paqartë, bashkëpunimi i tyre me ushtrinë jugosllave e policinë serbe ishte evident. Pjesëtarët e forcave paraushtarake, të cilët folën pas luftës me shtypin ndërkombëtar, thanë se zyrtarët lokalë u jepnin atyre shpesh listat me emra shqiptarësh etnikë, të cilët ishin planifikuar të vriteshin. Shumë persona ishin liruar nga burgu, me kushtin që ata të luftonin në Kosovë. Në atë kohë, individë të veçantë në përbërje të ushtrisë apo policisë u përpoqën të sinjalizonin apo të merrnin në mbrojtje civilët shqiptarë që kërcënoheshin nga paraushtarakët, ndonëse kjo gjë ndodhte rrallë; më shpesh ndodhte që policët të bashkëpunonin ngushtë me njësitë paraushtarake, shpesh duke formuar një kordon rrotull komuniteteve të planifikuar për t’u sulmuar, ndërkohë që trupat paraushtarake nisnin të vepronin.
      Njësi dhe grupe të ndryshme brenda MUP-it e bëjnë hierarkinë e komandave më pak të qartë se sa atë të VJ-së, ndonëse është e qartë se autoriteti më i lartë i MUP-it ishte Presidenti jugosllav Sllobodan Milosheviç. Sipas ligjit jugosllav, kur deklarohet gjendja e luftës, policia serbe është nën jurisdiksionin e ushtrisë jugosllave, gjë që e bënte Sllobodan Milosheviçin de facto e de jure komandant të policisë në periudhën e bombardimit të NATO-s. Zëvendës Kryeministri i atëhershëm jugosllav Nikolla Shahinoviç luajti gjithashtu një rol të rëndësishëm.
      Ligji ndërkombëtar është i qartë kur flet për përgjegjësinë individuale kriminale të udhëheqësve, që organizojnë apo tolerojnë kryerjen e krimeve të luftës. Edhe autorët e drejtpërdrejtë të krimeve, edhe udhëheqësit ushtarakë apo politikë, të cilët kanë urdhëruar kryerjen e krimeve, edhe ata që nuk kanë marrë masa për parandalimin e krimeve apo që nuk kanë ndëshkuar autorët, mund të konsiderohen përgjegjës.
      Siç provon ky raport, gjeografia e natyra sistematike e krimeve në Kosovë e bëjnë të pagjasë që udhëheqësit serbë e jugosllavë të mos kenë qenë në dijeni mbi atë që ndodhte, pavarësisht se këta kanë mbrojtur tezën e kundërt. Vetëm në shumë pak raste janë dënuar pjesëtarë të forcave të sigurimit për kryerjen e krimeve të rënda, siç është vrasja. Në të kundërt, periudha e pasluftës na ballafaqoi me gradime, shpërblime e emërime të personelit policor e ushtarak, ku u përfshinë edhe zyrtarët më të lartë, si Dragoljub Ojdaniç, Nebojsha Pavkoviç, Vladimir Llazareviç, Obrad Stevanoviç, Sreten Lukiç, Vlastimir Gjorgjeviç dhe Zhivko Trajkoviç, si dhe shumë prej komandantëve të brigadave të korpusit të Prishtinës. Një listë e plotë e të graduarve dhe e të shpërblyerve është përfshirë në shtesën e kapitullit Forcat në Konflikt.

< 11
faqe
- 12 -

13 >