Jump to content

NËN PUSHTETIN E URDHRAVE/10

Nga Wikibooks
NËN PUSHTETIN E URDHRAVE
HIERARKIA DHE ZINXHIRI I KOMANDAVE
      Forcat qeveritare të përfshira në konflikt ishin një kombinacion kompleks i policëve të Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme dhe i policëve specialë, i ushtarëve dhe njësive speciale të Ushtrisë Jugosllave, i forcave paraushtarake, i milicëve lokalë dhe i një shumëllojshmërie luftëtarësh të huaj. Që të gjithë vepronin nën urdhrat e qeverisë në Beograd.
      Ushtria jugosllave kish komandën e përgjithshme gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s. Forcat policore e paraushtarake, në përputhje me ligjin, ishin nën urdhërat e ushtrisë. Sidoqoftë, duhet përmendur që zyrtarët e lartë të Ministrisë Serbe të Punëve të Brendshme ushtronin një ndikim të madh në zhvillimin e fushatës. Ushtria kontrollonte rrugët e kufijtë kryesorë, duke koordinuar e lehtësuar procesin e “spastrimit etnik”. Forcat policore e paraushtarake ishin drejtpërdrejt më të përfshira në dëbimin e civilëve dhe shkatërrimin e fshatrave, ndërsa ushtria bënte vetëm mbështetjen me artileri. Pikërisht gjatë këtyre operacioneve burrat ndaheshin shpesh herë nga gratë e fëmijët, pyeteshin rreth UÇK-së, dhe ekzekutoheshin pa asnjë shkak.
      Sipas ligjit jugosllav, Ushtria Jugosllave (Vojska Jugosllavije, ose VJ) është nën komandën e Presidentit të Jugosllavisë, si në kohë lufte, edhe në kohë paqeje. Deri në tetor të vitit 2000, ky ishte Sllobodan Millosheviçi. Struktura kontrolluese e VJ-së është Këshilli i Lartë i Mbrojtjes, i përbërë nga Presidentët e Serbisë, Malit të Zi e Jugosllavisë, dhe i drejtuar nga Presidenti i Jugosllavisë. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë gjatë luftës ishte gjeneral Dragoljub Ojdaniç, i cili u emërua pas luftës për të shërbyer si Ministër i Mbrojtjes – pozicion që ai e mbajti deri në tetor të vitit 2000.
      VJ-ja është e ndarë në tri armata. Armata e tretë e komanduar gjatë luftës nga kol.gjen. Nebojsha Pavkoviç ishte përgjegjëse për Kosovën e Serbinë e Jugut. Deri në gusht të vitit 2001, Pavkoviçi ishte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave. Gjatë luftës, një shkallë më poshtë se Pavkoviçi ishte major gjen. Vladimir Llazareviç, i cili komandoi korpusin e Prishtinës së armatës së tretë, që ish e stacionuar në Kosovë. Nën urdhrat e Llazareviçit ishin pesë brigada, një njësi e policisë ushtarake, dhe një regjiment i aviacionit. Komandantët e strukturave të sapo përmendura janë emërtuar në kapitullin Forcat në Konflikt.

< 9
faqe
- 10 -

11 >