Mesele/5

Nga Wikibooks
Sa dhâmbë i ka kali

Ishin tubue do burra t'ndigiuem n'nji odë e po kuvendoshin. Dikur u çil llafi rreth punës, sa dhâmbë i ka kali. Nji burrë i mençëm diftoi, qysh e paska ndigiue filan pleqnarin tue thânë, kështu-kështu për kêtë punë. Nji tjetër u gjegj, qi filan prifti me shkollë t'madhe i kish thânë njiherë n'filan vênd njikëto llafe. Nji tjetri i kish râ me ndigiue nji hoxhë hafiz, qi paska thânë, se në Kuran shkruen njikështu për kêtë punë. Muerën e dhânë tue diftue llafe pleqnarësh t'ndigiuem, fretnish t'shkolluem, dervishash t'mbrrimë, po kurrqysh s'mund rânë n'ujdi, tuk Leka vetë s'kish lânë kurrgjâ për kêtë çâshtje kaq t'rândë. Nji djalë i ri ungjun n'trapazan dikur e çeli gojën e tha: "Burra, a dalim deri n'ahër e i njehim dhâmbët, se i kemi do kuaj njikëtu?" Për nji çast mbetën shtang njata burra dheu prej këtij llafi t'papritun. Kur u bânë medije për hatanë, qi kish bâ vaki, fort ish dridhë xhezvja e kafes; fletë e sylahit çatallue i kênka fort t'zotit t'shpisë e mu n'sedër t'çartun marazi ishin çue njata burra: pa, ta kishin shtrue m'dru pishpirikun, qi prej trapazani kish guxue kështu, me u bâ mâ i mênçëm se ai i moçmi me llafet, qi na'i ka lânë ky, me i trashëgue na brez mbas brezi, der' qi jeta mos t'u shuete.

Kur flet trapazani

Ish nisë nji i makërmalas me shkue te nji mik i vedi në nahije t'Kaçanikut. E kish pasë fort jaran at shoqin e fort me gëzim ish bâ gadi me njet me ndejë nja nji javë. Kur u kthye mbas tri ditësh ish râ fort mazun. Gjindja e shpisë zunë me shoshitë tue pvetë, qysh kish kapërcye, se e panë, qi diçka nuk i kish pilqye, tukse ish kthye aq shpejt. "Mirë", tha, "muhabet m'kanë bâ fort e tepër bile". "He", e ngucshin ata me kallëzue mâ shum. "O mirë, bre, mirë, po, po flitte trapazani atje", e ju diftoj dikur plot idhnim, qi fëmijët e shpisë (qi ulen te trapazani nëpër oda) kishin folë shum e s'i kishin lânë mâ t'moçmit as me çilë gojën.


< 4
faqe
- 5 -

6 >