Jump to content

Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë/6

Nga Wikibooks

Mejetet rrugore me motor dhe rimorkiot e tyre


Faqe 5
faqe
- 6 -

Faqe 7
PJESA 1 - NORMAT KONSTRUKTIVE TE PAJIMIT DHE KONTROLLET TEKNIKE PER QARKULLIMIN


NENI 71 - KARAKTERISTIKAT KONSTRUKTIVE DHE FUKSIONALE TE MJETE ME MOTOR DHE RIMORKIOVE TE TYRE

1. Karakteristikat e përgjithshme konstruktive dhe funksionale të mjeteve me motor dhe rimorkiove të tyre, që kanë lidhje me sigurinë e qarkullimit dhe mbrojtjen e mjedisit nga çdo lloj ndotjeje, duke përfshirë edhe sistemin e frenimit, janë subjekte të kontrolleve të përcaktuara nga aktet në zbatim.

2. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, me udhëzime të veçanta, në marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ministri të tjera të interesuara, përcaktojnë në mënyrë periodike karakteristikat konstruktive dhe funksionale, të cilat duhet t'u korrespondojnë automjeteve dhe rimorkiove për transporte të veçanta ose për përdorime të veçanta, si dhe mjeteve të blinduara.

3. Ministria, që mbulon veprimtarinë përkatëse, me udhëzime të veçanta, së bashku me ministritë e tjera të interesuara, përcakton në mënyrë periodike normat teknike, sipas karakteristikave të përshkruara në pikat 1 dhe 2, si dhe mënyrat për vërtetimin e tyre.

4. Udhëzimet e përmendura në pikën 3 duhet t'u referohen marrëveshjeve ndërkombëtare.

5. Cilido që qarkullon me mjete me motor ose rimorkio, në kundërshtim me rregullat e përcaktuara në aktet në zbatim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë. Nëse mjetet me motor dhe rimorkiot përdoren për transportin e mallrave të rrezikshme, masa administrative është me gjobë nga njëqind mijë deri në dyqind mijë lekë dhe zbatohet masa administrative plotësuese e bllokimit të mjetit derisa të plotësohen kërkesat e pikave 1,2 e 3.


NENI 72 - SISTEMET E PAJIMIT TE MJETEVE RRUGORE ME MOTOR DHE RIMORKIOVE TE TYRE

1. Ciklomotorët, motomjetet dhe automjetet duhet të jenë të pajisura me:

a) sistem drejtimi;
b) sistem frenimi;
c) sistemin e sinjaleve pamore dhe ndriçuese;
d) sistemin zhurmëmbytës dhe të shkarkimit, në qoftë se kanë motor me djegie të brendshme;
e) sistemin e sinjalizimit zanor;
f) sistemin e shikimit prapa;
g) gomat ose sistemin ekuivalent me to.

2. Automjetet dhe motomjetet me peshë pa ngarkesë mbi 0.35 tonë, duhet të pajisen me sistemin e marsheve të lëvizjes prapa.

3. Automjetet duhet të pajisen edhe me:

a) mekanizmin e qëndrimit (freni i dorës) dhe mekanizmin e mbrojtjes (bllokazhin) për mjetet që janë konstruktuar në mënyrë të tillë, duke pasur edhe vendet përkatëse të mbërthimit, që kanë karakteristikat e treguara në aktet në zbatim për çdo kategori mjetesh;
b) sinjalin e lëvizshëm për të treguar rrezikun, sipas nenit 160;
c) treguesin kilometrik të dyllosur, sipas karakteristikave të përcaktuara në aktet në zbatim;
d) sinjalin e lëvizshëm shumëfunksionesh për ndihmë, karakteristikat e të cilit dhe mënyra e përdorimit përcaktohen në aktet në zbatim;
e) kutinë e ndihmës së shpejtë.

Automjetet mund të pajisen me aparaturë për mbledhjen atuomatike të taksave rrugore ose për marrjen e sinjaleve dhe informacioneve për gjendjen e trafikut.

4. Trolejbuset duhet të pajisen me sistemet dhe mekanizmat e treguar në pikat 1, 2 dhe 3, të përshtatura për mjete të këtij tipi.

5. Rimorkiot duhet të jenë të pajisura me sistemet e treguara në pikën 1, shkronjat "b", "c" dhe "g". Mjetet e afta për të tërhequr rimorkiot dhe vetë rimorkiot të jenë të pajisura me mekanizma të përshtatshëm për lidhje.

6. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, duke marrë mendimin e Ministrisë së Rendit Publik, me udhëzime të veçanta, përcakton sistemet shtesë, me të cilat duhet ose mund të pajisen mjetet e treguara në pikat 1 dhe 5, në lidhje me destinacionin e tyre të veçantë, ose me normat e veçanta të sjelljes së tyre.

7. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, me udhëzime të veçanta, nxjerr norma të posaçme për mbi sistemet e mjeteve të destinuara për invalidët (që drejtohen nga invalidët) ose për transportin e tyre.

8. Sistemet, për të cilat është folur në pikat e mësipërme, janë subjekt për homologim nga ana e Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse.

9. Në aktet në zbatim janë përcaktuar, për sistemet e treguara në pikat e mësipërme, kushtet teknike në lidhje me numrin, karakteristikat konstruktive, funksionale dhe të montimit, karakteristikat e shenjës dalluese që tregon përputhjen e këtyre sistemeve me normat e këtij neni dhe aktet në zbatim të tij, si dhe mënyrën e vendosjes.

10. Normat e përshkruara në pikën 9 duhet t'u referohen marrëveshjeve ndërkombëtare.

11. Homologimi i lëshuar nga një shtet i huaj për një nga sistemet e sipërpërmendura, mund të bëhet i vlefshëm në Shqipëri, në qoftë se ka reciprocitet, duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare.

12. Cilido që qarkullon me një nga mjetet e lartpërmendura në këtë nen, në të cilin mungon ndonjë sistem, ose ky sistem nuk është në përputhje me aktet në zbatim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.


NENI 73 - MJETET MBI SHINA NE RRUGE TE PERBASHKETA

1. Mjetet mbi shina, për të qarkulluar në rrugë të përbashkëta me mjetet rrugore me rrota, duhet të jenë të pajisura me sisteme ndriçimi dhe sinjalizimi pamor e zanor të ngjashme me ato të automjeteve. Gjithashtu, duhet të jenë të pajisura me sisteme të tilla që i lejojnë drejtuesit të mjetit lehtësi shikimi edhe nga pas. Fushëpamja e drejtuesit të mjetit, përpara dhe anash, duhet të jetë e tillë që të lejojë drejtim të sigurt të mjetit.

2. Me udhëzim të ministrit të Punëve Publike dhe Transportit përcaktohen karakteristikat dhe mënyrat e vendosjes së sistemeve të përmendura në pikën 1 dhe karakteristikat e fushëpamjes së drejtuesit të mjetit.

3. Cilido që qarkullon në rrugë të përbashkëta, me një mjet mbi shina, që i mungojnë një ose disa prej sistemeve të parashikuara nga ky nen, ose në të cilin disa prej sistemeve, duke përfshirë edhe fushëpamjen, nuk janë në përputhje me karakteristikat a mënyrat e vendosjes sipas pikës 2, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.


NENI 74 - TE DHENA PER IDENTIFIKIMIN

1. Ciklomotorët, motomjetet, automjetet dhe rimorkiot duhet të pajisen që në konstruksion me:

a) një tabelë identifikimi të fiksuar fort në automjet;
b) një numër identifikimi të stampuar në shasi, në mënyrë të tillë që të mos fshihet ose të mos ndryshohet.

2. Tabela dhe numri i identifikimit duhet të vendosen në vende të dukshme mbi një pjesë të mjetit, që normalisht nuk zëvendësohet gjatë përdorimit të mjetit.

3. Në rastet kur numri i identifikimit është i falsifikuar, mungon, është i ndryshuar ose është i palexueshëm, pasi të jetë verifikuar shkaku nga organet përkatëse, duhet të ribëhet nga zyra e homologimit, e cila lëshon një akt për zyrën që bën regjistrimin.

4. Në aktet në zbatim janë përcaktuar karakteristikat, mënyrat e zbatimit dhe treguesit që duhet të përmbajë tabela e identifikimit, si dhe karakteristikat e numrit të identifikimit, për çka u fol në pikën 3.

5. Normat e përcaktuara në pikat e këtij neni duhet të përputhen me marrëveshjet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe të drejtën e të interesuarit për të kërkuar homologimin.

6. Cilido që falsifikon, heq, zëvendëson, ndryshon, fshin ose e bën të palexueshme tabelën e konstruktorit apo numrin e identifikimit të shasisë, dënohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë, deri në njëqind mijë lekë, përveç rasteve kur përbën krim më të rëndë.


NENI 75 - CERTIFIKATA E MIRATIMIT CERTIFIKATA E ORIGJINES DHE DEKLARATA E PERPUTHJES

1. Organi përkatës i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, pas kontrollit të kërkesave të aftësisë për qarkullim dhe homologim, sipas akteve në zbatim, i jep konstruktorit të mjetit certifikatën e miratimit.

2. Kërkesës për kontroll duhet t'i bashkangjitet certifikata e origjinës së mjetit lëshuar nga konstruktori i tij. Kur bëhet fjalë për mjete të tipit të homologuar, që i nënshtrohen kontrollit të kërkesave të përshtatshmërisë ndaj qarkullimit, certifikata e origjinës zëvendësohet nga deklarata e përputhjes, sipas pikës 6.

3. Lëshimi i certifikatës së miratimit pezullohet për kontrollet e nevojshme, kur dalin elemente që të bëjnë të mendosh se mjeti apo pjesët e tij janë me prejardhje të ndaluar. 4. Në aktet në zbatim përcaktohen karakteristikat dhe përmbajtja e certifikatës së miratimit dhe të certifikatës së origjinës.

5. Organet përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, me të parë rezultatin pozitiv nga kontrolli mbi prototipin, sipas akteve në zbatim, i lëshojnë konstruktorit certifikatën e homologimit dhe certifikatën që përmban përshkrimin e elementeve që karakterizojnë mjetin.

6. Për çdo mjet të ndërtuar në përputhje me tipin e homologuar, konstruktori i jep blerësit deklaratën e përputhjes. Kjo deklaratë, e përpiluar sipas modelit të miratuar nga Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, provon që mjeti është në përputhje me tipin e homologuar. Me një deklaratë të tillë konstruktori merr përgjegjësinë e plotë përpara ligjit. Konstruktori duhet të mbajë një regjistër progresiv të deklaratave të lëshuara të përputhjes.

7. Në rast se mjetet, karroceria e të cilave ose pajisjet e tyre janë realizuar nga konstruktor tjetër nga ai i shasisë, dokumentacioni i origjinës lëshohet nga konstruktori që ka realizuar pajisjen e mjetit. Ky dokument duhet të shoqërohet me deklaratën e përputhjes ose certifikatën e origjinës që i përket shasisë.

8. Cilido që lëshon deklarata përputhjeje, të treguara në pikat 6 dhe 7, për mjete jo në përputhje me atë të tipit të homologuar, kur nuk përbën krim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në dyqind mijë lekë.


NENI 76 - KONTROLLET E PERPUTHJES ME TIPIN E HOMOLOGUAR

1. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit ka të drejtë të ushtrojë kontroll në çdo kohë për përputhjen me tipin e homologuar të mjeteve me motor, të rimorkiove dhe të sistemeve për të cilat është lëshuar deklarata përkatëse e përputhjes. Ka të drejtë, gjithashtu, të pezullojë vlefshmërinë e homologimit të mjeteve dhe të sistemeve ose të zhvleftësojë vetë homologimin, nëse nga kryerja e kontrollit del se mungon përputhja përkatëse me tipin e homologuar.

2. Me udhëzime të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, duke marrë mendimin e ministrive të interesuara, përcaktohen kriteret dhe mënyrat e kontrollit e të shqyrtimit të mundshëm të mjeteve dhe sistemeve që prodhohen e importohen. Detyrimet përkatëse janë në ngarkim të titullarit të homologimit.

3. Ndaj secilit që prodhon ose tregton një mjet jo në përputhje me tipin e homologuar, në qoftë se nuk përbën krim, merret masa administrative e pagesës së gjobës nga pesëdhjetë mijë deri në dyqind mijë lekë.

4. Respektohen kompetencat e Ministrisë së Shëndetësisë.


NENI 77 - NDRYSHIMET E KARAKTERISTIKAVE KONSTRUKTIVE TE MJETEVE NE QARKULLIM DHE AZHURNIMI I LEJES SE QARKULLIMIT

1. Në aktet në zbatim përcaktohen karakteristikat konstruktive e funksionale dhe sistemet e pajisjeve që mund të modifikohen vetëm pas paraqitjes së dokumenteve. Janë përcaktuar, gjithashtu, mënyrat për kontrollin dhe azhurnimin e lejes së qarkullimit.

2. Mjetet me motor dhe rimorkiot e tyre duhet t'u nënshtrohen kontrollit dhe provës pranë organeve kompetente të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, kur janë bërë një a më shumë ndryshime të karakteristikave konstruktive ose funksionale apo të sistemeve të pajisjeve, të treguara në nenet 71 dhe 72, si dhe kur është ndërruar ose modifikuar shasia. Brenda 15 ditëve nga miratimi i ndryshimeve, organi përkatës i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor njofton për këtë zyrat kompetente për efekt të ndryshimeve në librin e regjistrimit, taksave dhe tatimeve.

3. Cilido që qarkullon me një mjet, të cilit i janë ndryshuar karakteristikat e treguara në certifikatën e homologimit dhe në lejen e qarkullimit, ose i është modifikuar shasia dhe nuk ka marrë pëlqimin pas kontrollit dhe provës ose cilido që qarkullon me një mjet që i është ndërruar shasia dhe që nuk ka marrë pëlqimin pas kontrollit të provës, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë.

4. Shkeljet e rregullave të mësipërme çojnë në masën administrative plotësuese të heqjes së lejes të qarkullimit.


NENI 78 - GJENDJA TEKNIKE E MJETEVE RRUGORE ME MOTOR DHE RIMORKIOVE TE TYRE NE QAEKULLIM

1. Mjetet me motor dhe rimorkiot e tyre duhet të mbahen gjatë qarkullimit në efektivitet të lartë, që të garantojnë sigurinë e të kufizojnë zhurmat dhe ndotjen brenda kufijve të përmendur në pikën 2.

2. Në aktet në zbatim janë përcaktuar kushtet teknike në lidhje me karakteristikat funksionale të sistemeve dhe të pajisjeve, të cilat duhet t'u korrespondojnë mjeteve, veçanërisht për sa u përket gomave dhe sistemeve ekuivalente me to, frenimit, sistemeve të sinjalizimit pamor e ndriçues, kufizimit të zhurmës dhe ndotjes së mjedisit.

3. Normat e treguara në pikën 2 duhet të përputhen me marrëveshjet ndërkombëtare.

4. Cilido që qarkullon me një mjet, i cili ka ndryshime në karakteristikat konstruktive dhe funksionale të përcaktuara, ose qarkullon me sistemet e përmendura në nenin 72, që nuk funksionojnë apo që nuk janë instaluar siç duhet, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në dhjetë mijë lekë dhe zbatohet masa administrative plotësuese e bllokimit të mjetit deri në plotësimin e kërkesave teknike e funksionale.


NENI 79 - KONTROLLI TEKNIK

1. Kontrolli teknik është shtetëror. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse përcakton me udhëzim të veçantë kriteret, kohët dhe mënyrat për kryerjen e kontrollit teknik të kategorive të mjeteve me motor dhe të rimorkiove, me qëllim që të kontrollohet nëse ato garantojnë sigurinë dhe qetësinë në qarkullim dhe që ndotja e tyre nuk i kalon kufijtë e përcaktuar. Kontrollet teknike vjetore dhe ato periodike kryhen në qendrat e kontrollit teknik të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Në udhëzim përcaktohen elementet, mbi të cilat duhet të kryhet kontrolli teknik i sistemeve të mjeteve, që kanë rëndësi për sigurinë e tyre.

2. Përmbajtja e udhëzimeve të nxjerra në zbatim të pikës 1 t'iu referohet direktivave të Komunitetit Europian, në lidhje me kontrollin teknik të mjeteve motorike.

3. Të gjitha mjetet që qarkullojnë dhe hyjnë në territorin e Republikës së shqipërisë, janë të detyruara të kalojnë në kontrollin teknik vjetor dhe atë periodik. Kontrolli teknik vjetor do të kryhet një herë në vit, për të gjitha mjetet me motor dhe rimorkiot. Për mjetet e reja me motor që hyjnë në Shqipëri, kontrolli i parë teknik do të kryhet brenda dy vjetëve nga data e regjistrimit. Pas kësaj periudhe ky kontroll kryhet për çdo vit.

4. Kontrolli teknik periodik do të kryhet për të gjitha mjetet me motor të transportit rrugor, pasi të jetë kryer më parë kontrolli i përgjithshëm vjetor sipas udhëzimeve që nxjerr Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse.

5. Drejtuesi i mjetit është i detyruar të kontrollojë gjendjen teknike të mjetit para nisjes dhe gjatë udhëtimit për të shmangur aksidentet e mundshme. Qarkullimi i mjetit me të meta teknike ndëshkohet me masë administrative me gjobë sipas pikës 5 të nenit 71.

6. Organet e shërbimeve të policisë rrugore, për të cilat flitet në nenin 12, nëse kanë dyshime për gjendjen e sigurisë, zhurmshmërisë dhe ndotjes për mjete me motor ose rimorkio të veçantë, mund të urdhërojnë në çdo kohë ndalimin e tyre, duke bërë shënimin në librezën e mjetit, për një kontroll teknik të menjëhershëm jashtë radhe.

7. Udhëzimet për kontrollet për zhurmat dhe ndotjet atmosferike i nxjerr Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.

8. Në raste aksidentesh rugore, në të cilat automjetet ose rimorkiot kanë pësuar dëme të rënda dhe mund të lindin dyshime mbi gjendjen e sigurisë për qarkullim, organet e policisë rrugore, për të cilat flitet në nenin 12, pikat 1 dhe 2, të ardhura në vendngjarje, janë të detyruara të njoftojnë zyrën kompetente të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor për marrjen e masave për kontroll të veçantë jashtë radhe për mjetet.

9. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit përcakton tarifat për kontrollet teknike vjetore dhe ato periodike.

10. Cilido që qarkullon me një mjet, të cilit nuk i është kryer kontrolli teknik, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë, që dyfishohet në rast të tejkalimit të afatit të kontrollit teknik më shumë se një muaj. Për mjetet e transportit të mallrave të rrezikshme tejkalimi i ofertave të kryerjes së kontrollit teknik ndëshkohet me masa administrative me gjobë nga njëqind mijë deri në dyqind mijë lekë. Për këto shkelje merret edhe masa administrative plotësuese e tërheqjes së lejes të qarkullimit deri në kryerjen e kontrollit teknik. Për mosparaqitje brenda afateve të çdo kategorie mjetesh në qendrat e kontrollit teknik të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor me mbi 10 ditë, për çdo mjet paguhet një gjobë prej një mijë lekësh dhe për ato transporte të rrezikshme - pesë mijë lekë. Arkëtimi i gjobës bëhet nga vetë qendrat e kontrollit teknik.

11. Cilido që prodhon dëshmi kontrolli teknik false, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë, kur nuk përbën vepër penale. Për këtë shkelje merret edhe masa administrative plotësuese e tërheqjes së lejes së qarkullimit të mjetit, për të cilin është lëshuar dëshmi false e kontrollit teknik.


NENI 80 - KOMPETENCAT E FUKSIONAREVE TE MINISTRISE SE PUNEVE PUBLIKE DHE TRANSPORTIT DHE ORGANEVE TE SAJ.

1. Kontrollet teknike të parashikuara nga ky Kod për mjetet me motor dhe mjetet që ato tërheqin, kryhen nga nëpunësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, të diplomuar inxhinierë mekanikë para vitit 1974 dhe inxhinierë mekanikë transporti ose teknikë mekanikë transporti.

2. Nëpunësit e zyrave të treguar në pikën 1, aftësohen për kryerjen e kontrolleve teknike nëpërmjet një kursi kualifikimi me provime përfundimtare, sipas mënyrave të përcaktuara me udhëzim të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse.

3. Në aktet në zbatim përcaktohen profilet profesionale të nevojshme për kryerjen e kontrolleve teknike, të treguara në pikën paraardhëse.

4. Me udhëzim të ministrit të Punëve Publike dhe Transportit fiksohen normat dhe mënyrat e kryerjes së kurseve të kualifikimit të parashikuara nga pika 2.


PJESA II - DESTINACIONI DHE PERDORIMI I MJETEVE
NENI 81 - DESTINACIONI DHE PERDORIMI I MJETEVE

1. Me destinacion të mjetit nënkuptohet përdorimi i tij në bazë të karakteristikave teknike.

2. Me përdorim të mjetit nënkuptohet shfrytëzimi i tij ekonomik.

3. Mjetet mund të caktohen për përdorim vetjak ose për përdorim nga të tretët.

4. Quhet përdorim nga të tretët kur mjetet shfrytëzohen, kundrejt pagesës përkatëse, nga persona të tjerë të ndryshëm nga titullari i lejes së qarkullimit. Për rastet e tjera nënkuptohet përdorimi vetjak i mjetit.

5. Përdorimi nga të tretët përfshin:

a) dhënien me qira pa drejtues mjeti;
b) dhënien me qira me drejtues mjeti dhe shërbimi taksi për transport njerëzish;
c) shërbimin e linjës për transport pasagjerësh;
d) shërbimin e transportit të mallrave për llogari të të tretëve;
e) shërbimin e linjës për transportin e mallrave;
f) shërbimin taksi për transportin e mallrave për llogari të të tretëve.

6. Pas marrjes së lejes së përkohshme të transportit nga organet e Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse në rreth, mjetet e transportit të mallrave mund të shfrytëzohen në raste të jashtëzakonshme dhe përkohësisht për transport njerëzish. Leja e përkohshme e transportit lëshohet vetëm mbi bazën e kërkesës së titullarit të pushtetit lokal. Leja e përkohëshme e transportit lëshohet nga organet përkatëse në varësi të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, për autobuzët e destinuar për t'u dhënë me qira me drejtues mjeti, të cilët mund të përdoren në raste të jashtëzakonshme dhe me urdhëresë të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse në shërbime në linjë dhe anasjelltas.

7. Në aktet në zbatim janë përcaktuar karakteristikat konstruktive të mjetit në lidhje me destinacionin ose përdorimet, për të cilat ai mund të caktohet.

8. Duke përjashtuar dispozitat e ligjeve të posaçme, cilido që shfrytëzon një mjet me një distinacion ose për një përdorim të ndryshëm nga ato të treguara në lejen e transportit, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.

9. Cilido që, pa pasur lejen e transportit të përkohshme të përmendur në pikën 6, përdor për transport njerëzish një mjet të destinuar për transport mallrash, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë.

10. Mosrespektimi i pikave 8 dhe 9 çon në masën administrative plotësuese të pezullimit të lejes së qarkullimit nga 1 deri me 6 muaj. Në rast përsëritjeje pezullimi i lejes së qarkullimit shkon nga 6 muaj deri në 12 muaj.


NENI 82 - PERDORIMI VETJAK

1. Për autobuset dhe mjetet e destinuara për transport njerëzish, të caktuara për përdorim vetjak, leja e transportit mund t'u lëshohet vetëm enteve publike, sipërmarrësve dhe kolektivave për plotësimin e nevojave të lidhura ngushtë me veprimtarinë e tyre, pas kontrollit të kryer mbi qënien e këtyre nevojave, sipas udhëzimeve të nxjerra nga Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse.

2. Leja e transportit për mjetet e transportit të mallrave për llogari të vet lëshohet në bazë të lejes për ushtrimin e transportit të mallrave për llogari të vet. Në lejen e transportit duhet të shënohen data dhe numri i licencës, ku cilësohet për ushtrimin e autotransportit për llogari të vet, siç parashikohet në aktet në zbatim. Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për automjetet, të cilat kanë kapacitet transportues deri në 500 kg. Bëhen përjashtime për disa mallra të veçanta, të cilat përcaktohen me udhëzimin e Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse.

3. Për dokumentet e tjerë, me të cilat duhet të jetë pajisur mjeti i caktuar për transportin e mallrave për llogari të vet, mbeten në fuqi dispozitat e përcaktuara nga normat e veçanta në këtë fushë.

4. Cilido që shfrytëzon për përdorim vetjak një mjet të caktuar për transportin e njerëzve, me përjashtim të autoveturave për përdorim vetjak të përcaktuara në lejen e qarkullimit, pa lejen përkatëse ose nuk respekton kushtet dhe kufizimet e përcaktuara në lejen e qarkullimit, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.

5. Mosrespektimi i dispozitave të pikës 4, çon në masa administrative plotësuese të pezullimit të lejes së transportit për një periudhë nga 6 deri në 12 muaj.

6. Cilido që shfrytëzon një mjet të përdorimit vetjak për transportin e mallrave pa lejen përkatëse, ose nuk respekton kushtet dhe kufizimet e përcaktuara në licencë, ndëshkohet sipas sanksioneve të parashikuara nga nenet përkatëse të ligjit për transportin automobilistik.


Neni 83 - DHENIA ME QIRA DREJTUES MJETI

1. Për zbatimin e këtij neni, një mjet quhet i caktuar për dhënie me qira pa drejtues mjeti kur qiradhënësi, kundrejt pagesës, detyrohet të verë në dispozicion të qiramarrësit, me kërkesën e këtij të fundit, vetë mjetin.

2. Mund të caktohen për dhënie me qira të gjitha mjetet me motor dhe rimorkiot e tyre, duke përfshirë edhe mjetet e caktuara për transportin e mallrave me ngarkesë të plotë mbi 500 kg, si dhe mjetet e ndryshme nga autoveturat, të caktuara për transportin e njerëzve.

3. Leja e transportit e mjeteve të tilla lëshohet mbi bazën e licencës përkatëse.

4. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, me urdhëresë të tij, është i autorizuar të përcaktojë kriteret dhe mënyrat për lëshimin e lejes së transportit.

5. Cilido që jep me qira, pa drejtues mjeti, një mjet jo të caktuar për këtë punë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë, për automjetet ose rimorkiot dhe nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë, për mjetet e tjera. Gjithashtu, zbatohet edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejes së transportit nga 2 deri në 8 muaj.


NENI 84 - SHERBIMI I QIRADHENIES ME DREJTUES MJETI PER TRANSPORTIN E NJEREZVE

1. Shërbimi i marrjes me qira me drejtues mjeti për transportin e njerëzve disiplinohet me aktet përkatëse.

2. Mund të destinohen për të kryer shërbimin e qiradhënies me drejtues mjeti për transportin e njerëzve:

- motorët me kosh;
- autoveturat;
- autobuset;
- motomjetet dhe automjetet për transport të përzier ose për transport të veçantë njerëzish;
- mjetet e tërhequra nga kafshët.

3. Leja e transportit e mjeteve të tilla lëshohet mbi bazën e licencës për ushtrimin e transportit.

4. Cilido që shfrytëzon për qiradhënie me drejtues mjeti një mjet që nuk është caktuar për një shërbim të tillë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë dhe, kur bëhet fjalë për autobuset, nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë. Kjo shkelje çon në masën administrative plotësuese të pezullimit të lejes së transportit nga 6 deri në 12 muaj.


NENI 85 - SHERBIMET ME TAKSI ME AUTOVETURA ME DREJTUES MJETI

1. Shërbimi taksi me autovetura me drejtues mjeti ose shërbimi taksi, rregullohet nga aktet në zbatim që veprojnë në këtë sektor transporti.

2. Cilido që drejton një taksi i papajisur me licencën përkatëse, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në njëqind mijë lekë. Për këtë shkelje zbatohet edhe masa administrative plotësuese e tërheqjes së lejes së qarkullimit dhe konfiskim i mjetit.

3. Cilido që, megjithëse i pajisur me licencën përkatëse, drejton një taksi jo në përputhje me normat në fuqi ose me kushtet e përcaktuara në licencë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë. Për këtë shkelje zbatohet edhe masa administrative plotësuese e tërheqjes së licencës.


NENI 86 - SHERBIMI I LINJES PER TRANSPORTIN E PASAGJEREVE

1. Për zbatimin e këtij neni, një mjet do të quhet i caktuar në shërbimin në linjë kur ushtruesi i këtij transporti, që shpërblehet për punën e realizuar, kryen rrugë të një destinacioni të paracaktuar dhe në itinerare të autorizuara, si dhe me ofertë të padiferencuar për publikun, edhe kur ky publik përbëhet nga një kategori e veçantë njerëzish.

2. Mund të caktohen për shërbimin në linjë të transportit të njerëzve autobuset, autobuset artikulare, trolejbuset artikulare, trolejbuset me dhe pa rimorkio, të destinuar për një transport të tillë.

3. Leja e transportit për këto mjete lëshohet mbi bazën e miratimit paraprak nga organet kompetente që lëshojnë licencat përkatëse për ushtrimin e këtyre transporteve.

4. Mjetet e mësipërme mund të përdoren vetëm në linjat, për të cilat mbajtësi i lejes së transportit ka marrë licencën, duke përjashtuar kufizimet e mundshme të përcaktuara në këtë licencë. Lëshuesi i licencës për linjën, mund të autorizojë përdorimin e mjeteve të destinuara për shërbimin në linjë në shërbimin me qiradhënie të mjeteve, me kusht që të garantohet rregullshmëria e shërbimit në linjë. Për këtë qëllim leja e transportit duhet të shoqërohet nga një dokument i lëshuar nga autoriteti që lëshon licencën e shërbimit në linjë, në të cilin tregohen linjat ose zonat e trafikut ose qiradhënia, për të cilat mund të përdoren mjetet.

5. Pronarët e automjeteve të regjistruara për t'u përdorur në shërbimin në linjë të transportit të pasagjerëve, mund t'u japin me qira ushtruesve të tjerë të transporteve në linjë të pasagjerëve, përkohësisht dhe në raste të jashtëzakonshme, sipas udhëzimeve të shpallura nga Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, një pjesë të mjeteve të tyre me autorizim të autoriteteve kompetente për lëshimin e lejeve përkatëse të transportit.

6. Cilido që përdor në shërbimin në linjë një mjet që nuk është caktuar për një shërbim të tillë, apo përdor një mjet në linja të ndryshme me ato, për të cilat ka lejen e transportit, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë. Gjithashtu, zbatohet edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejes së transportit nga 6 deri në 12 muaj.


NENI 87 - SHERBIMI I TRANSPORTIT TE MALLRAVE PER LLOGARI TE TE TRETEVE

1. Për zbatimin e këtij neni, një mjet quhet i caktuar për transportin e mallrave për llogari të të tretëve, kur sipërmarrësi detyrohet, kundrejt pagesës përkatëse, të kryejë transportin e urdhëruar nga kërkuesi i transportit.

2. Leja e transportit lëshohet mbi bazën e licencës së caktuar për kryerjen e shërbimit dhe shoqërohet me një dokument të posaçëm të përcaktuar nga aktet përkatëse që disiplinojnë këtë veprimtari dhe që është pjesë përbërëse e lejes së transportit. Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për automjetet, të cilat kanë kapacitet transportues deri në 500 kg. Bëjnë përjashtim disa mallra të veçanta, të cilat përcaktohen me udhëzim të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse.

3. Cilido që përdor në shërbimin e transportit të mallrave për llogari të të tretëve një mjet që nuk është caktuar për një shërbim të tillë apo që shkel kushtet dhe kufizimet e përcaktuara në licencë ose në lejen e transportit, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë.


NENI 88 SHERBIMI NE LINJE PER TRANSPORTIN E MALLRAVE

Shërbimi në linjë për transportin e mallrave disiplinohet nga ligjet përkatëse të këtij sektori transporti.


NENI 89 - TRANSPORTI I MALLRAVE PER LLOGARI TE TE TRETEVE NE SHERBIMIN TAKSI

1.Shërbimi taksi i transportit të mallrave për llogari të të tretëve, që kryhet me mjete me peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë jo më të madhe se 6 tonë, disiplinohet nga normat e veçanta të sektorit; leja e transportit lëshohet mbi bazën e licencës së parashikuar për kryerjen e këtij shërbimi.

2. Cilido që përdor në shërbimin taksi të transportit të mallrave për llogari të të tretëve një mjet që nuk është caktuar për një shërbim të tillë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë.


NENI 90 - QIRADHENIE MJETI ME KESTE PA DREJTUES MJETI ME TE DREJTEN E BLERJES DHE SHITJES SE MJETEVE ME KESTE, ME MARREVESHJE PER T'IA RIKTHYER PRONARIT KUR NUK PAGUHET KESTI

1. Motomjetet, automjetet dhe rimorkiot që jepen me qira me të drejtën e blerjes, regjistrohen në emër të qiradhënësit, por me shënimin në lejen e qarkullimit të emrit të qiramarrësit dhe datës së skadimit të kontratës përkatëse. Në raste të tilla regjistrimi i mjetit bëhet në përputhje me përdorimin që do t'i bëjë atij qiramarrësi dhe me kusht që ky qiramarrës të jetë zotërues i lejeve përkatëse dhe të plotësojë kushtet e parashikuara në nenet 82 dhe 90. Në këto raste konsiderohet titullar i lejes së qarkullimit edhe qiradhënësi. Treguesit e sipërpërmendur psqyrohen në regjistrat e degës përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

2. Për efekt të zhdëmtimit të dëmeve, të shkaktuara nga qarkullimi i mjetit ndaj personave ose sendeve, qiramarrësi është përgjegjës solidar së bashku me drejtuesin e mjetit.

3. Në rastet e shitjes së mjeteve me marrëveshje për t'ia rikthyer pronarit, kur nuk pagohen këstet, mjeti regjistrohet në emër të blerësit, por me shënimin në lejen e qarkullimit të emrit të shitësit dhe të datës së pagimit të këstit të fundit. Të njëjtit tregues shënohen edhe në regjistrat e degës përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

4. Për efekt të shkeljeve administrative, ndaj qiramarrësit me këste të mjetit ose blerësit me këste me marrëveshje për t'ia rikthyer mjetin pronarit, kur nuk paguhen këstet, zbatohen sanksionet përkatëse sipas kapitullit VI.


NENI 91 - KOPJET PERMBLEDHESE TE DOKUMENTEVE TE QARKULLIMIT OSE DREJTIMIT TE MJETIT

Kur për motive zyrtare, dokumentet e qarkullimit, leja e drejtimit ose një nga dokumentet e tjera të parashikuara në nenin 178, dorëzohen në zyrat që i kanë lëshuar ato sipas kërkesave të procedurave të përcaktuara, këto zyra lëshojnë një kopje përmbledhëse të dokumentit që kryen plotësisht rolin e atij origjinal për një afat maksimal prej tridhjetë ditësh.


PJESA III - DOKUMENTET E QARKULLIMIT DHE REGJISTRIMIT


NENI 92 - FORMALITETET E NEVOJSHME PER QARKULLIMIN E AUTOMJETEVE TE MOTOMJETEVE DHE RIMORKIOVE

1. Automjetet, motomjetet dhe rimorkiot për të qarkulluar duhet të jenë të pajisura me një leje qarkullimi dhe të jenë të regjistruara pranë degëve përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

2. Degët e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor marrin masa për regjistrimin dhe lëshojnë lejen e qarkullimit ndaj atij që vërteton se është pronar i mjetit, duke treguar, kur duhet, edhe gjeneralitetet e shfrytëzuesit ose të qiramarrësit me të drejtë blerjeje ose të shitësit me marrëveshje me të drejtë rikthimi, kur nuk paguhen këstet, siç është treguar në nenin 90.

3. Leja e qarkullimit nuk mund të lëshohet kur nuk plotësohen kërkesat për kryerjen e shërbimit ose transportit sipas destinacionit, kur këto kërkohen nga dispozitat ligjore.

4. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse përcakton me udhëzim të veçantë procedurat dhe dokumentacionin e nevojshëm për regjistrimin, përmbajtjen e lejes së qarkullimit, duke parashikuar veçanërisht për rimorkiot shënimet e nevojshme për lejimin e tërheqjes së tyre.

5. Për automjetet dhe rimorkiot e treguara në nenin 10, pika 1, lëshohet një leje e veçantë qarkullimi që duhet të shoqërohet me autorizimin përkatës, kur ky autorizim parashikohet po nga ky nen. Në mënyrë të ngjashme, dokument i veçantë lëshohet edhe për makinat bujqësore, kur për to veprojnë kushtet sipas nenit 103, pika 8.

6. Cilido që qarkullon me një mjet, për të cilin nuk është lëshuar lejeqarkullimi, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë. Këtij sanksioni i nënshtrohet më vete pronari i mjetit ose përdoruesi i mjetit a qiramarrësi me të drejtë blerjeje ose blerësi me marrëveshje rikthimi të mjetit pronarit, kur nuk paguhen të gjitha këstet. Për këtë shkelje zbatohet masa administrative plotësuese e konfiskimit të mjetit.

7. Cilido që qarkullon me një rimorkio të ganxhuar te një mjet me motor, karakteristikat e të cilit nuk janë pasqyruar në lejen e qarkullimit, kur pasqyrimi i tyre është i domosdoshëm, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.

8. Cilido që nuk merr masa për të kërkuar në afatet e përcaktuara certifikatën e pronësisë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë. Leja e qarkullimit i merret menjëherë atij që kryen shkeljen, dërgohet në zyrën e regjistrit automobilistik shqiptar dhe i kthehet vetëm pasi të ketë plotësuar të gjitha kushtet e shkelura.

9. Normat e mësipërme nuk zbatohen për mjetet e Forcave të Armatosura, sipas nenit 136, pika 1; për këto mjete zbatohen dispozitat e nenit 136.

10. Për të arritur një thjeshtim maksimal të procedurave dhe për të siguruar raporte të kënaqshme me qytetarët, veprimet zyrtare të parashikuara nga ky nen dhe nga neni 93 duhet të kryhen nga degët e rretheve me ndihmën e sistemeve informatike të përshtatshme.


NENI 93 - FORMALITETET PER NDRYSHIMIN E PRONESISE SE AUTOMJETEVE , MOTOMJETEVE DHE RIMORKIOVE DHE PER NDRYSHIMIN E VENDBANIMIT TE PRONARIT

1. Në rast ndryshimi pronësie të automjeteve, motomjeteve dhe rimorkiove ose në rastin kur i jepen në përdorim të tjerëve a kur lidhen marrëveshje për qiradhënie me të drejtë blerjeje, dega përkatëse e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, sipas kërkesës së paraqitur nga ana e interesuar, brenda 10 ditëve nga data kur nënshkrimi i aktit është vërtetuar ose është gjykuar i rregullt, merr masa për regjistrimin e ndryshimit të pronësisë ose të ndryshimeve të tjera, si dhe për lëshimin e certifikatës së re të pronësisë.

2. Zyra e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, sipas kërkesës së paraqitur nga pronari brenda afateve të përcaktuara në pikën 1, merr masa për rinovimin ose azhurnimin e lejes së qarkullimit që pasqyron ndryshimet e treguara në pikën e mësipërme. Në mënyrë të ngjashme veprohet edhe për ndryshimin e vendbanimit.

3. Cilido që nuk respekton dispozitat e përcaktuara nga ky nen, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.

4. Cilido që qarkullon me një mjet, për të cilin nuk është kërkuar, brenda afatit të caktuar në pikën 1 dhe 2, azhurnimi ose rinovimi i lejes së qarkullimit dhe i certifikatës së pronësisë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.

5. Leja e qarkullimit i merret menjëherë atij që kryen shkeljet e parashikuara në pikën 3 dhe i dërgohet zyrës së Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, që merr masa për rinovimin e saj pas zbatimit të dispozitave që janë shkelur.


Neni 94 - LEJA E PERKOHSHME E QARKULLIMIT

1. Në rast humbjeje, vjedhjeje ose shkatërrimi të lejes së qarkullimit, zotëruesi i saj duhet që, brenda 24 orëve nga konstatimi i faktit, të bëjë denoncim në organet e policisë, të cilat bëjnë shënimet përkatëse dhe lëshojnë një vërtetim.

2. Zyra e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, pasi i është paraqitur vërtetimi i denoncimit dhe deklarata e marrjes së përgjegjësisë administrative, lëshon lejen e përkohshme të qarkullimit me afat vlefshmërie maksimumi për 30 ditë.

3. Pasi të kenë kaluar 30 ditë nga paraqitja e denoncimit sipas pikës 2 dhe leja e qarkullimit nuk është gjetur ose dorëzuar, zotëruesi i lejes së qarkullimit duhet të kërkojë një regjistrim të ri.

4. Cilido që qarkullon me një mjet, për të cilin nuk është lëshuar leja e përkohshme e qarkullimit, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë. Për këtë shkelje zbatohet edhe masa administrative plotësuese e ndalimit administrativ të mjetit.


NENI 95 - KRIJIMI I SHOQATAVE TE TRANSPORTUESVE AUTOMOBILISTIKE DHE TE KLUBIT TE AUTOMOBILIZIMIT

Përdoruesit e mjeteve të transportit automobilistik kanë të drejtë të organizohen në shoqata dhe në Klubin e Automobilizmit për të kontribuar, mbrojtur dhe zhvilluar transportin rrugor kombëtar dhe ndërkombëtar, si edhe për të ndihmuar e përkrahur interesat e transportit rrugor për llogari të të tretëve dhe për llogari të vet. Shoqata e transportuesve dhe Klubi i Automobilizmit janë persona juridikë të pavarur dhe nuk kanë qëllime fitimi.


NENI 96 - FORMALITETE TE NEVOJSHME PER QARKULLIMIN E CIKLOMOTOREVE

1. Ciklomotorët, për të qarkulluar, duhet të jenë të pajisur me:

a) një certifikatë të përshtatshmërisë teknike që përmban të dhënat e identifikimit dhe ato konstruktive, lëshuar nga një zyrë e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, mbi bazën e deklaratës së përputhjes ose të certifikatës së miratimit, sipas nenit 75;
b) një shenjë dalluese identifikimi që lejon të përcaktohet pronari i ciklomotorit dhe rrethi përkatës.

2. Fabrikimi dhe shitja e shenjave dalluese të identifikimit bëhet vetëm nga shteti.

3. Ndryshimi i vendbanimit të zotëruesit të shenjës dalluese të identifikimit, kur nuk rezulton i regjistruar në arkivin e përgjithshëm të Qendrës së Informacionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, duhet të njoftohet nga i interesuari, brenda 10 ditëve dhe sipas dokumentacionit të përcaktuar, një zyre të rrethit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, e cila regjistron ndryshimin dhe lëshon dokumentin përkatës.

4. Në aktet e zbatimit të këtyre normave përcaktohen, mbi bazën e kritereve ekonomike dhe të procedurave sa më të thjeshta, karakteristikat e shenjave dalluese të identifikimit, mënyrat e përdorimit të tyre dhe procedurat përkatëse të shënimit dhe shpërndarjes te përdoruesi, si edhe procedurat për ndryshimin e pronësisë.

5. Cilido që fabrikon, prodhon, tregton ose shet ciklomotorë që zhvillojnë një shpejtësi më të madhe se ajo e përcaktuar në nenin 52, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë. Të njëjtit sanksion i nënshtrohet edhe ai që modifikon ciklomotorët për të arritur shpejtësi më të madhe se sa ajo e përcaktuar në nenin 52.

6. Cilido që qarkullon me një ciklomotor që ka një ose më shumë karakteristika, të cilat nuk përputhen me karakteristikat ose kushtet teknike të përcaktuara në nenin 52, ose që zhvillojnë një shpejtësi më të madhe se ajo e përcaktuar në nenin 52, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.

7. Cilido që qarkullon me një ciklomotor, për të cilën nuk është lëshuar certifikata e përshtatshmërisë teknike ose është i papajisur me shenjën dalluese të identifikimit, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.

8. Cilido që në mënyrë abuzive fabrikon a shet shenja dalluese identifikimi për ciklomotorë ose qarkullon me një ciklomotor me shenjë dalluese identifikimi të falsifikuar, ndëshkohet sipas nenit 99, pika 12.

9. Cilido që qarkullon me një ciklomotor të papajisur ose të pajisur me shenjën dalluese të identifkimit, të dhënat e së cilës nuk duken qartë, ose nuk njofton në afatin e caktuar për ndryshimet sipas pikës 3, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.

10. Në rast humbjeje, vjedhjeje ose shkatërrimi të shenjës dalluese të identifikimit, për zotëruesin e saj zbatohen normat dhe sanksionet e parashikuara në nenin 101. Për shkeljet e parashikuara në pikat 5 dhe 6, zbatohet masa administrative plotësuese e konfiskimit të ciklomotorit.


NENI 97 - QARKULLIMI I PROVES

1. Fabrikat që prodhojnë mjete me motor me rimorkio, përfaqësuesit e tyre, koncesionerët, komisionerët dhe agjentët e shitjes, tregtarët e autorizuar për të tilla mjete, fabrikat prodhuese të karrocerive e të gomave, punonjësit e ofiçinave të riparimit e të modifikimeve, edhe kur punojnë për vete, nuk janë të detyruar të pajisen me lejen e qarkullimit sipas neneve 92, 109 dhe 113 për mjete që qarkullojnë për prova teknike, eksperimentale ose konstruktive, demonstrime ose transferime për arsye shitjeje a kolaudime. Megjithatë këto mjete duhet të jenë të pajisura me një autorizim për qarkullime prove, që lëshohet nga zyra e rrethit e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Në mjetin që qarkullon për provë duhet të jetë i pranishëm zotëruesi i autorizimit ose një varës i deleguar prej tij.

2. Vlefshmëria e autorizimit është njëvjeçare; ky autorizim mund të konfirmohet nëpërmjet verifikimit të plotësimit të kërkesave të nevojshme.

3. Cilido që përdor për qëllime të tjera një mjet të caktuar për qarkullime prove, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë. I njëjti sanksion zbatohet edhe kur në mjet nuk është i pranishëm zotëruesi i autorizimit apo i deleguari i tij. Në qoftë se kryhen më shumë se dy shkelje, sipas pikës 3, ndëshkimi me masë administrative është me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë; zbatohet, gjithashtu, edhe masa administrative plotësuese e konfiskimit të mjetit


Neni 98 - FLETEUDHETIMI

1. Automjetet, motomjetet dhe rimorkiot që qarkullojnë për qëllime verifikimi dhe kontrolli të përshtatshmërisë teknike, për të shkuar në pikat tranzitë të kufirit për t'u eksportuar, për të marrë pjesë në parada të parashikuara nga autoritetet ushtarake, në panaire apo ekspozita të autorizuara për mjete të reja ose të përdorura, për të cilat nuk është paguar taksa e regjistrimit, duhet të pajisen me një fletudhëtimi dhe një targë të përkohshme, të lëshuar nga një zyrë e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

2. Fletudhëtimi duhet të tregojë itinerarin, afatin e vlefshmërisë dhe kushtet teknike, në qoftë se është e nevojshme. Afati i vlefshmërisë gjithsesi nuk mund t'i kalojë të 30 ditët. Sidoqoftë, për kërkesa të veçanta eksperimentimi mjetesh të reja që ende nuk janë regjistruar, zyra e rrethit e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor mund t'i lëshojë fabrikës konstruktuese një fletudhëtimi të veçantë, pa kufizime itinerari, me afat vlefshmërie maksimumi 180 ditë.

3. Cilido që qarkullon pa pasur e pa respektuar kushtet teknike të fletudhëtimit, itinerarin e lëvizjes dhe nuk është i pajisur me targën e përkohshme sipas pikës 1, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.

4. Kur shkeljet e parashikuara nga pika 3, përsëriten më shumë se dy herë, masa administrative është me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë, si dhe zbatohet masa administrative plotësuese e konfiskimit të mjetit.


NENI 99 - TARGAT E REGJISTRIMIT PER AUTOMJETET MOTOMJETET DHE RIMORKIOT

1. Automjetet duhet të jenë të pajisura në pjesën e përparme dhe të prapme me një targë që përmban të dhënat e regjistrimit.

2. Motomjetet duhet të pajisen në pjesën e prapme me një targë që përmban të dhënat e regjistrimit.

3. Rimorkiot dhe gjysmërimorkiot duhet të pajisen në pjesën e prapme me një targë që përmban të dhënat e regjistrimit.

4. Rimorkiot dhe karrelat me një aks, kur janë të ganxhuara me një mjet me motor, duhet të jenë të pajisura në pjesën e prapme me një targë që përsërit të dhënat e regjistrimit të targës së mjetit me motor që i tërheq.

5. Targat e treguara në pikat 1, 2, 3 dhe 4 duhet të kenë karakteristika reflektuese për dritën.

6. Mjetet që qarkullojnë për prova duhet të pajisen në pjesën e prapme me një targë që është e transferueshme nga mjeti në mjet; për rastet e autotrenave ose të gjysmërimorkiatorëve targa duhet të vendoset në pjesën e prapme të mjetit që tërhiqet.

7. Në aktet në zbatim jepen kriteret e përcaktimit të targave të regjistrimit, përsëritëse, të provës dhe të njohjes.

8. Në aktet në zbatim jepet shenja zyrtare që duhet të kenë targat e çdo lloji, duke përjashtuar targat përsëritëse.

9. Aktet në zbatim përcaktojnë për targat sipas këtij neni:

- kriteret për formimin e të dhënave të regjistrimit;
- vendin e vendosjes dhe mënyrat e vendosjes;
- karakteristikat konstruktive, përmasore, fotometrike, kromatike dhe të dallueshmërisë, si dhe kërkesat e verifikimit, nëse targa është e përshtatshme për t'u pranuar.

10. Mbi automjetet, motomjetet dhe rimorkiot është e ndaluar të vendosen shkrime, distinktiva ose shenja që mund të krijojnë keqkuptime në identifikimin e mjetit.

11. Cilido që shkel dispozitat e pikave 1, 2, 3 dhe 4 ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.

12. Cilido që qarkullon me një mjet të pajisur me një targë që nuk është e vetja ose është e falsifikuar, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë.

13. Cilido që shkel dispozitat e pikave 5, 6 dhe 10 ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.

14. Cilido që falsifikon, ndryshon ose ndërron targën automobilistike apo përdor targa të modifikuara, të falsifikuara a të ndërruara, kur nuk përbën vepër penale, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë.

15. Për shkeljet e parashikuara në pikat e mësipërme, zbatohet edhe masa administrative plotësuese e tërheqjes së targës që nuk i përgjigjet kërkesave të përcaktuara. Për shkeljet e parashikuara në pikën 12 zbatohet masa administrative plotësuese e konfiskimit të mjetit.


NENI 100 - PRODHIMI SHPERNDARJA KTHIMI DHE TERHEQJA E TARGAVE

1. Prodhimi dhe shpërndarja e targave të mjeteve me motor ose të mjeteve të tërhequra prej tyre, bëhet vetëm nga shteti. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, me udhëzim të tij, pasi ka marrë mendimin e ministrit të Financave, përcakton çmimin e shitjes së targave.

2. Targat i jepen zotëruesit të mjetit nga zyra e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, pas kryerjes së regjistrimit të mjetit.

3. Cilido që prodhon ose shpërndan në mënyrë abuzive targa për automjete, motomjete dhe rimorkio, ndëshkohet, kur kjo shkelje nuk përbën krim, me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë dhe zbatohet edhe masa administrative plotësuese e konfiskimit të targave.


NENI 101 - HUMBJA , VJEDHJE , DEMTIMI DHE SHKATERIMI I TARGES

1. Në rast humbjeje, vjedhjeje ose shkatërrimi të ndonjërës prej targave të treguara në nenin 99, zotëruesi i lejes së qarkullimit duhet të bëjë denoncim brenda 24 orëve në organet e policisë, të cilat mbajnë shënimet e duhura dhe lëshojnë vërtetimin përkatës.

2. Pasi të kenë kaluar 15 ditë nga denoncimi i humbjes ose vjedhjes së targave dhe këto targa ende nuk janë kthyer a gjetur, zotëruesi i lejes së qarkullimit duhet t'i kërkojë degës përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor një regjistrim të ri për mjetin, sipas procedurave të treguara në nenin 92.

3. Gjatë periudhës kohore, për të cilën flitet në pikën 2, lejohet qarkullimi i mjetit vetëm pasi zotëruesi i lejes së qarkullimit të ketë vendosur në mjet një tabelë me sfond të bardhë, që përmban të gjitha të dhënat e targës së tij origjinale. Pozicioni dhe përmasat e tabelës dhe shkronjat e saj duhet të jenë të njëjta me ato të targës origjinale.

4. Të dhënat e regjistrimit të treguara në targë duhet të jenë gjithmonë të lexueshme. Kur për shkak të dëmtimeve këto të dhëna nuk janë më të lexueshme, zotëruesi i lejes së qarkullimit duhet t'i kërkojë zyrës kompetente të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor një regjistrim të ri të mjetit, sipas procedurave të treguara në nenin 92.

5. Në rastet e shkatërrimit të një prej targave të treguara në nenin 99, pika 1, zotëruesi i lejes së qarkullimit, mbi bazën e vërtetimit të denoncimit sipas pikës 1, duhet të kërkojë një regjistrim të ri të mjetit.

6. Zotëruesi i lejes së qarkullimit që, në rast humbjeje, vjedhjeje ose shkatërrimi të targës së regjistrimit ose të targës së mjeteve që qarkullojnë për prova, nuk përmbush detyrimet sipas pikës 1 ose qarkullon me tabelën e treguar në pikën 3, pa përmbushur detyrimet sipas pikave 1 dhe 2, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.

7. Cilido që qarkullon me një targë që nuk është plotësisht dhe qartësisht e lexueshme, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.


NENI 102 - DETYRIMET QE RJEDHIN NGA HEQJA PREJ QARKULLIMIT E MJETEVE ME MOTOR DHE RIMORKIOVE

1. Ana e interesuar, zotëruese e një automjeti, motomjeti ose rimorkioje, ose që mban titullin e zotëruesit, duhet që brenda 10 ditëve të njoftojë degën e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor për shkatërrimin, skrapimin ose eksportimin përfundimtar jashtë shtetit të mjetit, duke kthyer certifikatën e pronësisë, lejen e qarkullimit dhe targat. 2. Targat dhe dokumentet e qarkullimit merren gjithashtu zyrtarisht nëpërmjet organeve të policisë që kujdesen për dorëzimin e tyre në degën e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në rast se kanë kaluar 30 ditë nga heqja e mjetit nga qarkullimi, sipas nenit 157, dhe nuk është denoncuar mungesa e tij, ose vetë mjeti nuk është reklamuar nga zotëruesi i dokumenteve të sipërpërmendura apo që ka titullin e zotëruesit, ose është skrapuar apo tjetërsuar, sipas kuptimit të këtij neni.

3. Administratorët e qendrave të mbledhjes dhe shitjes së motomjeteve, automjeteve dhe rimorkiove për t'i çmontuar dhe kthyer në skrap, nuk mund t'i tjetërsojnë, çmontojnë ose shkatërrojnë këto mjete pa përmbushur detyrimet e përcaktuara në pikën 1, për rastet kur zotëruesi ose ai që ka titullin e zotëruesit, nuk i ka përmbushur më parë këto detyrime.

4. Të njëjtat detyrime të përcaktuara në pikën 3 kanë edhe përgjegjësit e qendrave të mbledhjes, ose të vendeve të tjera ku ruhen mjetet e hequra nga qarkullimi sipas nenit 157, në rastin

e skrapimit të mjetit të parashikuar nga neni 211, pika 4. 5. Cilido që shkel dispozitat e pikave 1 dhe 2 ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë. Ky sanksion është me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë, në qoftë se shkelja është kryer sipas pikave 3 dhe 4.


Faqe 5
faqe
- 6 -

Faqe 7