Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë/5

Nga Wikibooks

Mejetet e tërhequra me kafshë, slitat dhe biçikletat


Faqe 4
faqe
- 5 -

Faqe 6
NENI 64 Pajisjet e frenimit të mjeteve që tërhiqen nga kafshët dhe të slitave

1. Mjetet që tërhiqen me kafshë dhe slitat, duhet të jenë të pajisura me sisteme frenimi të efektshme dhe të vendosura në mënyrë të tillë që të mund të manovrohen lehtësisht në çdo rast.

2. Janë të ndaluara sistemet e frenimit që veprojnë drejtpërdrejt në sipërfaqen e rrugës.


NENI 65 PAJISJET E SINJALIZIMIT PAMOR TE MJETEVE TE TERHEQURA NGA KAFSHET DHE TE SLITAVE

1. Në orët dhe në rastet e parashikuara në nenin 150, pika 1, mjetet e tërhequra me kafshë dhe slitat duhet të jenë të pajisura me dy fenerë të përparmë që lëshojnë dritë të bardhë përpara dhe me dy fenerë të prapmë që lëshojnë nga pas dritë të kuqe; fenerët janë vendosur në anët e mjetit. Duhet të jenë të pajisur edhe me dy sinjale reflektuese të bardha në pjesën e përparme, dy të kuqe nga pas dhe nga një sinjal reflektues ngjyrë portokalli në çdo anë. Këto mjete duhet të jenë të pajisura me sinjale rreziku të lëvizshme.

2. Cilido që qarkullon me një mjet që tërhiqet nga kafshët ose me një slitë të papajisur me sistemet e frenimit dhe sinjalizimin pamor të parashikuar nga nenet 64, 65 dhe 69, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.


NENI 66 RRATHET METALIKE TE RROTAVE

1. Mjetet që tërhiqen nga kafshët, me peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë deri në 6 tonë, mund të pajisen me rrathë metalikë, me kusht që kjo peshë të mos jetë më e madhe se 15/100 e vlerës numerike të gjerësisë së rrethit metalik të rrotës, të shprehur në centimetra. Në çdo rast tjetër mjetet duhet të jenë të pajisura me rrota gome.

2. Gjerësia e çdo rrethi rrote nuk mund të jetë kurrë më e vogël se 50 mm; buzët e rrathëve në kontakt me rrugën duhet të jenë të rrumbullakuara me rreze jo më të vogël se trashësia e rrethit metalik; gjatë përcaktimit të gjerësisë së rrethit metalik të rrotës duhet të zbriten 5 mm për anë si efekt i rakordimeve.

3. Sipërfaqja e rrotullimit të rrethit metalik duhet të jetë cilindrike dhe pa të dala, rrudhosje a ndërprerje.

4. Bashkitë dhe komunat bëjnë verifikimin e gjerësisë së rrathëve metalikë të rrotave, si dhe përcaktojnë peshën e përgjithshme me ngarkesë të plotë të lejuar për çdo mjet që tërhiqet nga kafshët, i destinuar për transport mallrash.


NENI 67 TARGAT E MJETEVE TE TERHEQURA NGA KAFSHET DHE TE SLITAVE

1. Mjetet që tërhiqen me kafshë dhe slitat duhet të jenë të pajisura me një targë që tregon pronarin e mjetit, bashkinë ose komunën ku ai banon, destinacionin e përdorimit të mjetit, numrin e regjistrimit dhe, për mjetet e destinuara për transport mallrash, peshën e përgjithshme të lejuar me ngarkesë të plotë, si dhe gjerësinë e rrethit metalik të rrotës.

2. Targa rinovohet vetëm kur duhet të modifikohet ndonjë prej treguesve të targës ose kur këta tregues nuk janë më të lexueshëm.

3. Dhënia e targave bëhet nga bashkitë dhe komunat që ua japin të interesuarve me gjithë treguesit e përcaktuar në pikën 1. Modeli i targave dhe çmimi përcaktohen në rregulloren e zbatimit të këtij Kodi.

4. Mjetet që tërhiqen me kafshë dhe slitat regjistrohen në regjistrin e posaçëm të bashkisë apo komunës ku banon pronari i mjetit.

5. Cilido që qarkullon me një mjet që tërhiqet nga kafshët dhe që nuk plotëson kushtet e neneve 66, 67 dhe 69, ose qarkullon me një slitë të papajisur me targën e përcaktuar, apo që nuk i plotëson kërkesat e parashikuara në pikën 2, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.

6. Cilido që në mënyrë abuzive prodhon ose shet targa për mjete që tërhiqen me kafshë, slita, ose që përdor targa të prodhuara në mënyrë abuzive, për rastet kur nuk përbën krim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.

7. Shkeljet, për të cilat flitet në pikat 5 dhe 6, shoqërohen me masën administrative plotësuese të konfiskimit të targës që nuk i përgjigjet kërkesave të përcaktuara, ose që është prodhuar në mënyrë abuzive.


NENI 68 PAJISJET E FRENIMIT DHE TE SINJALIZIMITPAMOR E ZANOR TE BICIKLETAVE

1. Biçikletat duhet të jenë të pajisura me rrota pneumatike, si dhe

a) për frenimin: me sistem të pavarur për çdo aks, që vepron shpejt dhe me efektshmëri në rrotat përkatëse;
b) për sinjalizimin zanor: me një zile;
c) për sinjalizimin pamor: në pjesën e përparme me një dritë

të bardhë ose të verdhë, në pjesën e prapme me dritë të kuqe dhe sinjale reflektuese të kuqe; gjithashtu te pedalet duhet të kenë sinjale reflektuese të verdha dhe të tilla, të ngjashme, duhet të ketë edhe anash.

2. Pajisjet e sinjalizimit sipas shkronjës "c" të pikës 1 duhet të mos mungojnë dhe të jenë funksionuese në rastet dhe orët e parashikuara nga neni 150, pika 1.

3. Pajisjet e sinjalizimit të parashikuara në shkronjat "b" dhe "c" të pikës 1, nuk përdoren në biçikletat, kur këto përdoren në garat sportive.

4. Cilido që qarkullon me biçikletë që nuk ka goma pneumatike ose në të cilën, pajisjet e frenimit a të sinjalizimit pamor zanor mungojnë ose nuk plotësojnë kushtet e përcaktuara në këtë nen dhe në nenin 69, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.


NENI 69 KARAKTERISTIKAT E PAJISJEVE TE SINJALIZIMIT DHE TE FRENIMIT TE MJETEVE TE TERHEQURA NGA KAFSHET DHE TE TERHEQURA NGA KAFSHET DHE TE SLITAVE E BICIKLETAVE

Në aktet në zbatim të këtij Kodi, për mjetet e përmendura në nenet 49, 50 dhe 51, janë përcaktuar: numri, ngjyra, karakteristikat dhe mënyrat e përdorimit të pajisjeve të sinjalizimit pamor, karakteristikat dhe mënyrat e përdorimit të pajisjeve të frenimit për mjetet e tërhequra nga kafshët, biçikletat, si dhe karakteristikat e pajisjeve të sinjalizimit zanor të biçikletave.


NENI 70 SHERBIME TAKSI ME MJETE TRANSPORTI QE TERHIQEN ME KAFSHE

1. Bashkitë dhe komunat janë të autorizuara të lëshojnë leje për shërbime taksi me mjete që tërhiqen me kafshë. Një shërbim i tillë zhvillohet në territorin e bashkisë dhe bashkitë përcaktojnë vendet dhe zonat ku mund të lejohen këto shërbime për interesa turistikë e kulturorë. Mjetet që tërhiqen me kafshë, të destinuara për shërbime taksi, përveç targës së treguar në nenin 67, duhet të pajisen me një targë tjetër, me shënimin "SHERBIM TAKSI". Bashkitë dhe komunat mund të përcaktojnë zona të veçanta, të kufizuara dhe të piketuara, për vendqëndrimin e mjeteve të tërhequra me kafshë, të destinuara për shërbimet taksi.

2. Aktet në zbatim përcaktojnë:

a) tipat e mjeteve që tërhiqen nga kafshë, të destinuara për shërbimin taksi;
b) kushtet dhe kërkesat për të marrë lejen për një shërbim të tillë;
c) mënyrat e kontrollit të këtij shërbimi;
d) mënyrat e dhënies së lejeve, për të cilat është folur në pikën 1.

3. Në vendet dhe në periudhat e kohës, në të cilat lejohet përdorimi i slitave, mund të caktohen slita për shërbime taksi. Zbatohen po ato norma të shërbimit taksi të mjeteve që tërhiqen nga kafshë.

4. Çdo mjet ose slitë që tërhiqet nga kafshë e që kryen shërbim taksi pa pasur lejen përkatëse, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë; si dhe zbatohet masa administrative plotësuese e konfiskimit të mjetit. Në qoftë se leja është marrë, por nuk janë respektuar kushtet e kësaj leje, masa administrative është me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë. Një shkelje e tillë shoqërohet me masën administrative plotësuese të heqjes së lejes.


Faqe 4
faqe
- 5 -

Faqe 6