Jump to content

Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë/4

Nga Wikibooks

Mjetet rrugore në përgjithësi


Faqe 3
faqe
- 4 -

Faqe 5
NENI 46 PERKUFIZIMI I MJETIT RRUGOR

1. Sipas këtij Kodi, quhen mjete rrugore të gjitha llojet e mjeteve që qarkullojnë në rrugë dhe që drejtohen nga njeriu. Nuk quhen mjete rrugore mjetet që përdoren nga fëmijët ose invalidët që, edhe pse mund të kenë motor, nuk i kalojnë kufijtë e përcaktuara nga aktet në zbatim.


NENI 47 KLASIFIKIMI I MJETEVE RRUGORE

1. Mjetet, sipas qëllimeve të përcaktuara në këtë Kod, klasifikohen si vijon:

a) mjete që lëvizin me forcën e krahut;
b) mjete të tërhequra me kafshë;
c) biçikleta;
d) slita;
e) ciklomotori;
f) motomjete;
g) automjete;
h) trolejbusë;
i) rimorkio;
j) makina bujqësore;
k) makina teknologjike;
l) mjete rrugore të veçanta.

2. Mjete me motor dhe rimorkiot e tyre sipas pikës 1, shkronjat "e", "f", "g", "h", "i" dhe "l", klasifikohen, gjithashtu, në bazë të kategorive ndërkombëtare si vijon:

a)
- kategoria L1: mjete me dy rrota, cilindrata e motorit (kur flitet për motor me djegie të brendshme) të mos i kalojë 50 cc (centimetra në kub) dhe me shpejtësi maksimale të projektuar (për çdo lloj sistemi motorik) jo më të madhe se 50 km/h;
- kategoria L2: mjete me tri rrota, cilindrata e motorit (kur flitet për motor me djegie të brendshme) të mos i kalojë të 50 cc dhe me shpejtësi maksimale të projektuar (për çdo lloj sistemi motorik) jo më të madhe se 50 km/h;
- kategoria L3: mjete me dy rrota, cilindrata e motorit (kur flitet për motor me djegie të brendshme) është më e madhe se 50 cc dhe me shpejtësi maksimale të projektuar (për çdo lloj sistemi motorik) më të madhe se 50 km/h;
- kategoria L4: mjete me tri rrota asimetrike ndaj aksit gjatësor të mesit, cilindrata e motorit (kur flitet për motor me djegie të brendshme) është më e madhe se 50 cc dhe me shpejtësi maksimale të projektuar (për çdo lloj sistemi motorik) më të madhe 50 km/h (motorë me kosh);
- kategoria L5: mjete me tri rrota simetrike ndaj aksit gjatësor të mesit, cilindrata e motorit (kur flitet për motor me djegie të brendshme) është më e madhe se 50 cc dhe me shpejtësi maksimale të projektuar (për çdo lloj sistemi motorik) më të madhe se 50 km/h;

b)

- kategoria M: mjete me motor të destinuara për transport njerëzish dhe që kanë të paktën katër rrota;
- kategoria M1: mjete të destinuara për transport njerëzish

dhe që nuk kanë më shumë se tetë ndenjëse, përeç ndenjëses së drejtuesit të mjetit;

- kategoria M2: mjete të destinuara për transport njerëzish dhe që kanë më shumë se tetë ndnejëse, përveç ndenjëses së drejtuesit të mjetit dhe peshë maksimale me ngarkesë deri 5 tonë;
- kategoria M3: mjete të destinuara për transport njerëzish dhe që kanë më shumë se tetë ndenjëse, përveç ndenjëses së drejtuesit të mjetit dhe peshë maksimale me ngarkesë më të madhe se 5 tonë;
c)
- kategoria N: mjete me motor të destinuara për transport mallrash dhe që kanë të paktën katër rrota;
- kategoria N1: mjete të destinuara për transport mallrash dhe që kanë peshë maksimale me ngarkesë jo më të madhe se 3,5 tonë;
- kategoria N2: mjete të destinuara për transport mallrash, me peshë maksimale me ngarkesë më të madhe se 3,5 tonë, por jo më të madhe se 12 tonë;
- kategoria N3: mjete të destinuara për transport mallrash, me peshë maksimale me ngarkesë më të madhe se 12 tonë;

d)

- kategoria O: rimorkiot (përfshirë edhe gjysmërimorkiot);
- kategoria O1: rimorkio me peshë maksimale me ngarkesë jo më të madhe se 0,75 tonë,
- kategoria O2: rimorkio me peshë maksimale me ngarkesë më të madhe se 0,75 tonë, por jo më të madhe se 3,5 tonë;
- kategoria O3: rimorkio me peshë maksimale me ngarkesë më të madhe se 3,5 tonë, por jo më të madhe se 10 tonë;
- kategoria O4: rimorkio me peshë maksimale me ngarkesë më të madhe se 10 tonë.


NENI 48 MJETE QE LEVIZIN ME FORCEN E KRAHUT

Mjete që lëvizin me forcën e krahut, janë ato mjete që:

a) shtyhen ose tërhiqen nga njeriu në këmbë;
b) vihen në lëvizje nga forca muskulare e drejtuesit të tyre.


NENI 49 MJETE TE TERHEQUAR ME KAFSHE

1. Mjetet të tërhequra me kafshë janë mjete që tërhiqen nga një ose më shumë kafshë dhe që ndahen në:

a) mjete të destinuara kryesisht për transport njerëzish;
b) mjete të destinuara kryesisht për transport mallrash;
c) karro bujqësore të destinuara vetëm për përdorim në bujqësi.

2. Mjetet që tërhiqen nga kafshët dhe që janë të pajisura me rrëshqitëse quhen slita.


NENI 50 BICIKLETAT

1. Biçikletat janë mjete me dy ose me më shumë rrota që vihen në lëvizje vetëm në sajë të veprimit të muskujve, nëpërmjet pedaleve ose sistemeve të ngjashme dhe që drejtohen nga njerëzit e hipur në to.

2. Biçikletat nuk mund të tejkalojnë 1.30 m gjerësi, 3 m gjatësi dhe 2.20 m lartësi.


NENI 51 SLITAT

1. Qarkullimi i slitave dhe i të gjitha mjeteve të pajisura me rrëshqitëse lejohet vetëm kur rrugët janë të mbuluara me akull ose me borë me trashësinë e duhur për të mos lejuar dëmtimin e mbishtresës së rrugës.

2. Cilido që qarkullon me slita në mungesë të kushteve për të cilat u fol në pikën 1, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë.


Neni 52 CIKLOMOTORET

1. Ciklomotorët janë mjete me motor, me dy ose tri rrota, që kanë këto karakteristika:

a) motor me cilindrat jo më të mëdha se 50 cc, në qoftë se është motor me djegie të brendshme;
b) aftësi lëvizëse mbi rrugë horizontale me një shpejtësi deri në 50 km/h;
c) ndenjëse njëvendëshe që nuk lejon transportin e një njeriu tjetër, përveç drejtuesit të mjetit.

2. Ciklomotorët me tri rrota, në sajë të ndërtimit të tyre, mund të përdoren për transport mallrash; pesha e përgjithshme me ngarkesë të plotë dhe përmasat gabaritë nuk mund të jenë më të mëdha se sa kufijtë e përcaktuar me udhëzim të veçantë të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, në përputhje me normativat e Komunitetit Europian.

3. Karakteristikat, për të cilat bëhet fjalë në pikat 1 dhe 2, janë karakteristikat konstruktive të mjetit. Në aktet në zbatim janë përcaktuar kriteret për përcaktimin e karakteristikave të sipërtreguara dhe mënyrat për kontrollin e tyre, si dhe udhëzimet teknike për verifikimin e tyre me gjendjen faktike.

4. Mjetet e mësipërme, kur e kalojnë kufirin e përcaktuar, qoftë edhe për njërën prej karakteristikave të treguara në pikat 1 dhe 2, konsiderohen si motomjete.


Neni 53 MOTOMJETET

1. Motomjetet janë mjete me motor, me dy, tri ose katër rrota dhe ndahen në:

a) motorë: mjete me dy rrota, të destinuara për transport njerëzish, në numër jo më të madh se dy veta, duke përfshirë edhe

drejtuesin e mjetit;

b) motorë me kosh: mjete me tri rrota, të destinuara për transport njerëzish, të pajisura me karroceri të përshtatshme dhe të afta të mbajnë deri në katër njerëz, duke përfshirë edhe drejtuesin e mjetit;
c) motomjetet për transport të përzier: mjete me tri rrota të destinuara për transport njerëzish ose mallrash, kanë maksimumi katër ndenjëse, duke përfshirë edhe atë të drejtuesit të mjetit;
d) motokarro: mjet me tri rrota, i destinuar për transport malli;
e) mototërheqës: motokarro me tri rrota, e destinuar për tërheqjen e gjysmërimorkiove;
f) motokarro për transporte të veçanta: mjete me tri rrota, të destinuara për transportin e disa mallrave ose njerëzve të caktuar në kushte të veçanta dhe karakterizohen nga pajisja, në mënyrë të përhershme, me mekanizma specialë që i shërbejnë këtij qëllimi;
g) motokarro për përdorim të veçantë: mjete me tri rrota dhe të pajisura me mekanizma të veçantë që qëndrojnë gjithmonë mbi to; në këto mjete lejohet transporti i personelit dhe materialeve që lidhen me ciklin operativ të këtyre mekanizmave;
h) autokarro: mjet me katër rrota i destinuar për transport mallrash, me maksimumi një njeri në kabinë përveç drejtuesit të mjetit; kryen transport të veçantë dhe përdoret në raste të veçanta; pesha e mjetit pa ngarkesë nuk i kalon 0,55 tonët, duke përjashtuar peshën e baterive nëse ka tërheqje elektrike; i aftë të lëvizë në rrugë horizontale me një shpejtësi maksimale deri në 80 km/h; karakteristikat konstruktive janë përcaktuar në aktet në zbatim; mjete të tilla, në qoftë se kalojnë edhe vetëm njërin prej kufijve të mësipërm, konsiderohen automjete.

2. Gjithashtu, konsiderohen motokarro edhe motoartikularet që janë: komplekse mjetesh, të përbëra nga një mototërheqës dhe nga një gjysmërimorkio, të destinuara për transportin, për të cilin bëjnë fjalë shkronjat e mësipërme "d", "f" dhe "g".

3. Në aktet në zbatim përcaktohen tipat e motokarrove që regjistrohen si motokarro për transport të veçantë dhe për përdorim të veçantë.

4. Motomjetet nuk mund t'i kalojnë 1.60 m gjerësi, 4.00 m gjatësi dhe 2.50 m lartësi. Pesha e përgjithshme me ngarkesë të plotë e një mjeti të tillë nuk duhet t'i kalojë 2.5 tonët.

5. Motoartikularët mund të kenë një gjatësi maksimale deri në 5 m.

6. motokarrot, për të cilat flasin shkronjat "d", "e", "f" dhe "g", mund të kenë deri në dy ndenjëse për njerëzit që merren me transportin, duke përfshirë edhe drejtuesin e mjetit.


NENI 54 AUTOMJETET

1. Automjetet janë mjete me motor me të paktën katër rrota, me përjashtim të autokarrove. Automjetet ndahen në:

a) autovetura: mjete të destinuara për transport njerëzish, që kanë maksimumi nëntë ndenjëse, duke përfshirë edhe ndenjësen e drejtuesit të mjetit;
b) autobus: mjet i destinuar për transport njerëzish me më shumë se nëntë ndenjëse, duke përfshirë edhe ndenjësen e drejtuesit të mjetit;
c) automjet për transport të përzier: mjet që ka një peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë jo më të madhe se 3.5 tonë, ose 4.5 tonë kur ka tërheqje elektrike a me bateri; janë të destinuara për transport njerëzish dhe mallrash me kapacitet maksimal nëntë ndenjëse, duke përfshirë edhe ndenjësen e drejtusit të mjetit;
d) kamion: mjet i destinuar për transportin e mallrave dhe të njerëzve të caktuar me përpunimin ose transportin e këtyre mallrave;
e) tërheqës: mjet i destinuar vetëm për tërheqjen e rimorkiove ose gjysmërimorkiove;
f) automjet për transport të veçantë: mjet transporti i destinuar për transportin e disa mallrave ose njerëzve të caktuar në kushte të veçanta dhe karakterizohet nga pajisja në mënyrë të përhershme, me mekanizma specialë që i shërbejnë këtij qëllimi;
g) automjet që përdorim të veçantë: mjete të pajisura në mënyrë të përhershme me mekanizma të veçantë dhe të destinuar përgjithësisht për transportin e këtyre makanizmave; mbi këto automjete lejohet transporti i personelit dhe materialeve që kanë lidhje me ciklin operativ të këtyre mekanizmave, si dhe transporti i njerëzve dhe mallrave që kanë lidhje me destinacionin e përdorimit të këtyre mekanizmave.
h) Autotrenat: komplekse mjetesh të përbëra nga dy njësi të veçanta të lidhura bashkë, nga të cilat njëra është udhëzuese; vetëm për zbatimin e nenit 61, pikat 1 dhe 2, autotrenat që kanë në mënyrë të përhershme pajisje të veçanta për transportin e mallrave të përcaktuar në aktet në zbatim, do të përbëjnë një njësi të vetme. Në çdo rast, nëse tejkalohen përmasat gabaritë kufitare të përcaktuara në nenin 61, mjeti ose transporti konsiderohet jashtë norme;
i) gjysmërimorkiatorë: mjete të përbëra nga një tërheqës dhe nga një gjysmërimorkio;
j) artikular: është autobus i përbërë nga dy pjesë të ngurta të lidhura ndërmjet tyre nëpërmjet një mekanizmi të artikuluar; në këta tipa mjetesh pasagjerët e secilës pjesë qarkullojnë lirisht nga njëra te tjetra; ndarja ose lidhja e të dy pjesëve të mjetit me njëra-tjetrën bëhet vetëm në ofiçinë;
k) autokampe: mjete që kanë një karroceri speciale dhe janë të pajisur në mënyrë të përhershme për t'iu përshtatur transportit dhe strehimit të deri shtatë njerëzve, duke përfshirë edhe drejtuesin e mjetit;
l) makina ngarkim-stransporti: mjete ose komplekse mjetesh që kanë pajisje të veçanta për ngarkimin dhe transportin e materialeve që përdoren, ose janë produkt i punimeve të ndërtimit dhe të gërmimeve në miniera, si dhe të materialeve që plotësojnë gjatë ecjes ciklin e prodhimit të tyre; këto mjete ose komplekse mjetesh mund të përdoren në transporte që kalojnë kufirin e ngarkesës të përcaktuar në nenin 62, por jo atë të nenit 10, pika 8; në çdo rast nuk duhet të kalojnë përmasat gabaritë kufitare të përcaktuara në nenin 61; makinat e ngarkim-transportit duhet, gjithashtu, të jenë të përshtatshme për t'u përdorur në kantiere ose për përdorim të përzier në rrugë dhe jashtë saj.

2. Në aktet në zbatim përcaktohen, sipas pajisjeve të tyre shoqëruese, tipat e automjeteve që regjistrohen si automjete për transporte të veçanta dhe si automjete për përdorime të veçanta.


NENI 55 TROLEJBUSET

1. Trolejbuset janë mjete me motor elektrik, që e marrin energjinë me kontakt nga linja ajrore elektrike dhe që lëvizin mbi rrota të zakonshme gome. Trolejbusi mund të ketë edhe një motor me djegie të brendshme ndihmës për lëvizje, ose të jetë i pajisur me bateri për ushqimin e motorit elektrik në mungesë të ushqimit nga linjat ajrore të kontaktit.

2. Trolejbuset mund të ndahen sipas kategorive të parashikuara në nenin 54 për automjetet.


NENI 56 RIMORKIOT

1. Rimorkiot janë mjete të destinuara për t'u tërhequr nga automjetet, për të cilat flitet në nenin 54, dhe nga trolejbuset për të cilët flitet në nenin 55, duke përjashtuar artikularet.

2. Rimorkiot ndahen në:

a) rimorkio ose gjysmërimorkio për transport pasagjerësh, ku përfshihen rimorkiot me të paktën dy akse;
b) rimorkio për transport mallrash;
c) rimorkio për transport të veçantë, sipas kuptimit përkatës që është dhënë në shkronjën "f" të nenit 54;
d) rimorkio për përdorim të veçantë, sipas kuptimit të dhënë në shkronjat "g" dhe "h" të nenit 54;
e) rimorkio kamp: rimorkio me një aks ose me dy akse të vendosura në një largësi jo më shumë se një metër, që kanë një karroceri të veçantë dhe të pajisur për t'u përdorur si vendstrehim, por vetëm kur mjeti është i ndalur;
f) rimorkio për transportin e pajisjeve turistike dhe sportive: rimorkio me një aks ose me dy akse të vendosura në një largësi jo më shumë se një metër, të cilat kanë pajimin e nevojshëm për transportimin e pajisjeve turistike dhe sportive, si barka, planera etj.

3. Gjysmërimorkiot janë mjete të ndërtuara në mënyrë të tillë që një pjesë e tyre t'i mbivihet njësisë motorike dhe që një pjesë e konsiderueshme e ngarkesës së saj të mbahet nga kjo njësi.

4. Karrelat janë mjete shtojcë që nuk kanë më shumë se dy rrota dhe janë të destinuara për transport bagazhi, pajisjesh etj. si këto; tërhiqen nga automjetet, për të cilat flitet në nenin 54, pika 1, duke përjashtuar ato për të cilat flitet te shkronjat "h", "i" dhe "l". Karrelat konsiderohen pjesë përbërëse e automjeteve, kur hyjnë brenda përmasave gabaritë kufitare dhe të ngarkesës së lejuar të përcaktuar nga nenet 61 dhe 62.


NENI 57 MAKINAT BUJQESORE

1. Makinat bujqësore janë makina me rrota ose me zinxhirë, të destinuara për t'u përdorur në bujqësi dhe pylltari, dhe mund të lëvizin mbi rrugë njëlloj si mjetet e tjera për të kaluar nga një vend pune te një tjetër, ose për të transportuar mallra bujqësore etj.

2. Sipas qarkullimit mbi rrugë makinat bujqësore ndahen në:

a) vetëlëvizëse:
1) traktorë bujqësorë: makina me motor me ose pa vend ngarkimi që kanë të paktën dy akse, të destinuara përgjithësisht për tërheqje, por që shërbejnë edhe për shtytje ose për të vënë në lëvizje mekanizma të caktuar; mund të jenë të pajisur me mekanizma që mbarten plotësisht ose jo plotësisht nga traktori dhe që konsiderohen pjesë përbërëse të tij;
2) makina bujqësore teknologjike me dy ose më shumë akse: janë makina të pajisura ose të destinuara për përdorim të mekanizmave speciale për kryerjen e operacioneve të caktuara bujqësore;
3) makina bujqësore teknologjike me një aks: janë makina që drejtohen nga toka prej drejtuesit të mjetit dhe mund të jenë të pajisura me karrel të shkëputshëm dhe të destinuar vetëm për transportin e drejtuesit të mjetit. Pesha e përgjithshme e mjetit nuk duhet t'i kalojë 0,7 tonët, duke përfshirë edhe drejtuesin e mjetit;
b) të tërhequra:

1) makina bujqësore teknologjike: janë makina për kryerjen e operacioneve bujqësore dhe për transportin e mekanizmave dhe pajisjeve funksionale për punimet mekaniko-bujqësore; janë mjete që tërhiqen nga makina bujqësore vetëlëvizëse, me përjashtim të atyre për të cilat flitet në shkronjën "a", pika 3;

2) rimorkio bujqësore: mjete të destinuara për ngarkesë dhe të tërhequra nga traktorë bujqësorë; mund të jenë të pajisura me mekanizmat e nevojshme për punime bujqësore. Ngarkesa e përgjithshme e mjetit me ngarkesë të plotë nuk duhet t'i kalojë 1.5 tonët. Rimorkiot konsiderohen pjesë përbërëse të traktorit që i tërheq;

3) për t'iu përshtatur qarkullimit rrugor, makinat bujqësore vetëlëvizëse me rrota pneumatike ose sistem ekuivalent me to, nuk duhet të jenë të afta ta kalojnë shpejtësinë 40 km/h, kur lëvizin në rrugë horizontale; makinat bujqësore me rrota metalike, gjysmëpneumatike ose me zinxhirë metalikë, me kusht që të kenë veshje mbrojtëse, si dhe makinat bujqësore teknologjike me një aks dhe me karrel për drejtuesin e mjetit, nuk duhet të jenë të afta ta kalojnë shpejtësinë 15 km/h, kur lëvizin në rrugë horizontale.

4) makinat bujqësore, për të cilat flitet në shkronjën "a", pikat 1 dhe 2, si dhe në shkronjën "b", pika 1, mund të kenë maksimumi tri ndenjëse për personelin e shërbimit, duke përfshirë edhe drejtuesin e mjetit; rimorkiot bujqësorë mund të përdoren edhe vetëm për transportin e personelit të sipërpërmendur, mjafton që të pajisen jo në mënyrë të përhershme me mjetet e nevojshme.


NENI 58 MAKINAT TEKNOLOGJIKE

1. Makinat teknologjike janë makina vetëlëvizëse ose që tërhiqen, me rrota ose me zinxhirë. Këto makina janë të destinuara të operojnë mbi rrugë dhe në kantiere dhe mund të jenë të pajisura me mekanizma specialë. Këto mjete mund të lëvizin në rrugë për të kaluar nga një vend pune në tjetrin ose për të zhvendosur sende që lidhen me ciklin e punës së vetë makinës ose të kantierit, sipas kufizimeve dhe mënyrave të përcaktuara nga aktet në zbatim.

2. Sipas qëllimeve të qarkullimit rrugor, makinat teknologjike ndahen në:

a) makina që përdoren për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e veprave ndërtimore a të infrastrukturës rrugore ose për rivendosjen e trafikut;
b) makina që zhbllokojnë rrugën nga bora ose ndihmëse që shpërndajnë rërë a gjëra të këtij lloji;
c) motopirunët dhe elektropirunët: mjete të destinuara për lëvizjen e sendeve.

3. Makinat teknologjike vetëlëvizëse, sipas karakteristikave që kanë, mund të kenë jo më shumë se tri ndenjëse për personelin e shërbimit, duke përfshirë edhe drejtuesin e tyre.

4. Për t'iu përshtatur qarkullimit rrugor, këto makina nuk duhet të jenë të afta ta kalojnë shpejtësinë 40 km/h, kur lëvizin në rrugë horizontale, kurse makinat teknologjike vetëlëvizëse me rrota jopneumatike a me zinxhirë nuk duhet të jenë të afta ta kalojnë shpejtësinë 15 km/h, kur lëvizin në rrugë horizontale.


NENI 59 MJETE RRUGORE TE VECANTA

1. Quhen mjete rrugore të veçanta, ato që për karakteristikat e tyre të veçanta nuk bëjnë pjesë në mjetet e kategorizuara nga neni 52 deri te neni 58. 2. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, në marrëveshje me ministrat që interesohen për këto probleme, përcakton me urdhër të tij:

a) kategoritë e treguara në nenet e mësipërme, ku duhet të futen mjetet e veçanta sipas qëllimeve të qarkullimit dhe të drejtimit të tyre;
b) kërkesat teknike të përshtatshmërisë së këtyre mjeteve ndaj qarkullimit, duke i identifikuar, sipas kritereve të ekuivalentimit, me kërkesat përkatëse të përcaktuara për kategoritë e sipërpërmendura të mjeteve.


NENI 60 CIKLOMOTORE DHE AUTOMJETE TE HERSHME ME INTERES HISTORIK DHE KOLEKSIONIMI

1. Janë futur në kategorinë e mjeteve të veçantë ciklomotorët, motomjetet dhe automjetet e prodhimeve të hershme, si edhe ciklomotorët, motomjetet dhe automjetet me interes historik dhe koleksionimi.

2. Hyjnë në kategorinë e prodhimeve të hershme ciklomotorët, motomjetet dhe automjetet që janë hequr nga përdorimi i zakonshëm, sepse janë të destinuara për t'u ruajtur në muze ose në lokale publike e private dhe që nuk lejohet të përdoren pasi nuk plotësojnë kërkesat e normave në fuqi për qarkullimin rrugor. Mjete të tilla janë regjistruar në listën e qendrës historike të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.


NENI 61 PERMASAT GABARITE KUFITARE

1. Me përjashtim të rasteve të përcaktuara në nenin 10 dhe në pikat e tjera të këtij neni, çdo mjet rrugor, duke përfshirë edhe ngarkesën e tij, duhet të ketë:

a) gjerësi maksimale jo më të madhe se 2.50 m; në llogaritjen e kësaj gjerësie nuk futen pasqyrat ke lëvizshme të shikimit prapa;
b) lartësi maksimale jo më të madhe se 4 m; për autobuset dhe trolejbuset e destinuar për linjat e shërbimeve publike urbane dhe interurbane, lejohet të kenë lartësi deri 4.30 m;
c) gjatësi të përgjithshme, duke përfshirë dhe mekanizmat e tërheqjes, jo më të madhe se 7.50 m për mjetet me një aks dhe 12 m për mjetet teke me dy e më shumë akse.

2. Gjysmërimorkiatorët dhe artikularët mund të kenë, duke përfshirë dhe mekanizmat e tërheqjes, gjatësi maksimale 16.50 m, me kusht që të jenë respektuar edhe kufizimet e tjera të përcaktuara në aktet në zbatim; autobuset dhe trolejbuset artikulare të linjave të shërbimit publik të pasagjerëve, që qarkullojnë në itinerare të përcaktuara, mund të kenë gjatësi maksimale deri 18 m; autotrenat dhe trolejbuset me rimorkio mund të kenë gjatësi maksimale deri 18.35 m, me kusht që të jenë respektuar edhe kufizimet e tjera të përcaktuara në aktet në zbatim.

3. Gjatësia e autokampeve nuk mund të jetë më e madhe se 8 m. Gjatësia e rimorkiove kamp, duke përfshirë dhe mekanizmat e tërheqjes, nuk mund të jetë më e madhese 6.50 m, kur janë me një aks dhe 8 m, kur janë me dy akse. Gjerësia e autokampeve dhe rimorkiove kamp nuk duhet të jetë më e madhe se 2.50 m dhe lartësia maksimale nga toka nuk duhet ta kalojë 1.8 herë largësinë minimale (në aksin tërthor) midis rrotave të mjetit.

4. Gjerësia maksimale e mjeteve të transportit me regjim temperature të kontrolluar të mallrave që prishen, mund të arrijë në 2.60 m; në llogaritjen e kësaj gjerësie nuk futen pasqyrat e lëvizshme të shikimit prapa.

5. Për të siguruar lëvizje të rregullt në kthesë të mjeteve dhe komplekseve të mjeteve, aktet në zbatim përcaktojnë kushtet që duhet të plotësojnë ato dhe mënyrën e kontrollit.

6. Mjetet që për kërkesa të veçanta funksionale, vetëm ose së bashku me ngarkesën e tyre, i tejkalojnë përmasat gabaritë kufitare të përcaktuara në pikat e mësipërme, mund të qarkullojnë vetëm si mjete jashtë norme ose si transporte në kushte jonormale.

7. Cilido që qarkullon me mjete ose komplekse mjetesh, duke përfshirë edhe ngarkesën, që tejkalojnë përmasat gabaritë kufitare të përcaktuara në këtë nen, ndëshkohet me sanksione sipas nenit 10.


NENI 62 NGARKESAT KUFITARE

1. Pesha kufitare e përgjithshme me ngarkesë të plotë e një mjeti, që përbëhet nga pesha e vetë mjetit të gatshëm për lëvizje dhe nga ajo e ngarkesës së tij, duke përjashtuar rastet e përcaktuara në nenin 10 dhe në pikat 2, 3, 4, 5 e 6 të këtij neni, nuk mund të jetë më e madhe se 5 tonë për aks për mjetet me një aks, 8 tonë për aks për ato me dy akse dhe 10 tonë për aks për ato me 3 e më shumë akse.

2. Pesha e përgjithshme me ngarkesë të plotë e një rimorkioje me një aks nuk mund të jetë më e madhe se 6 tonë.

3. Duke përjashtuar rastet e përcaktuara ndryshe nga neni 104, për mjetet teke me motor me rrota pneumatike, që ushtrojnë një ngarkesë mesatare njësi mbi rrugë jo më të madhe se 8 daN/cm2 (dekanjuton për centimetër katror) dhe që, kur kanë tri ose më shumë akse, largësia midis dy akseve njëri pas tjetrit nuk është më e vogël se një metër, pesha e përgjithshme me ngarkesë të plotë nuk mund të jetë më e madhe se 18 tonë për mjetet me dy akse dhe 25 tonë për ato me 3 akse; 26 dhe 32 tonë përkatësisht për mjete me 3 dhe 4 akse, kur aksi i udhëzuar ka rrota të dyfishta dhe sistem varjeje pneumatik ose një sistem tjetër ekuivalent me të, sipas normave të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse.

4. Pesha e përgjithshme me ngarkesë të plotë e një gjysmërimorkiatori ose autotreni, kur plotësojnë kushtet e pikës 3, nuk duhet të jetë më e madhe se 40 tonë, kur kanë 4 akse dhe 44 tonë, kur kanë 5 e më shumë akse.

5. Cilido qoftë tipi i mjetit, pesha për aksin më të ngarkuar nuk duhet të jetë më e madhe se 10 tonë. Për rrugët a korridoret ndërkombëtare, që përcaktohen si të tilla me urdhëresë të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, ky kufi është 11.5 tonë për aks.

6. Në rastet e dy akseve afër njëri-tjetrit, shuma e peshave mbi dy akset nuk duhet të jetë më e madhe se:

- 12 tonë, kur largësia aksiale është më e vogël se një metër;
- 16 tonë, kur largësia aksiale është një ose më e madhe se një metër dhe më e vogël se 1.30 m;
- 18 tonë, kur largësia aksiale është e barabartë ose më e madhe se 1.30 m dhe më e vogël se 1.80 m.

Në rastin e fundit kufiri rritet deri në 19 tonë, kur aksi i udhëzuar ka rrota të dyfishta dhe sistem varjeje pneumatik ose sistem tjetër ekuivalent me të, sipas normave të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse.

7. Kushdo që qarkullon me një mjet, i cili me ngarkesën i tejkalon kufijtë e peshave të përcaktuara nga ky nen, i nënshtrohet sanksioneve sipas nenit 10, me përjashtim të rasteve të parashikuara në nenin 165.


NENI 63 TERHEQJA E MJETEVE

1. Asnjë mjet nuk mund të tërheqë ose nuk mund të tërhiqet nga më shumë se një mjet, përveç rasteve të nevojshme të parashikuara për transporte jashtë norme, për të cilat flitet në nenin 10, si dhe përveç atyre të parashikuara nga dispozitat e nenit 103.

2. Një automjet mund të tërheqë një mjet që nuk është rimorkio, vetëm kur ky i fundit nuk është i aftë të qarkullojë si pasojë e një avarie ose për mungesë të agregateve të rëndësishme, si dhe sipas rasteve të parashikuara në nenin 157. Qëndrueshmëria e lidhjes, mënyrat dhe kujdesi në tërheqje gjatë drejtimit të mjetit duhet t'u përgjigjen kërkesave të sigurisë së qarkullimit rrugor.

3. Përveç rasteve të treguara në pikën 2, Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse mund të autorizojë për raste të veçanta tërheqjen me automjete të mjeteve që nuk janë rimorkio.

4. Në aktet e zbatimit të këtij Kodi jepen kriteret për përcaktimin e peshave kufitare për mjetet e rimorkiueshme, si dhe mënyrat dhe procedurat e ganxhimit.

5. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.


Faqe 3
faqe
- 4 -

Faqe 5