Ilirët/Faqe 24

Nga Wikibooks
Jump to navigation Jump to search
Ilirët
(Pjesa e pestë)
< Antika  

< Bardhyli >
< Sovraniteti i Dyrrahut dhe Apolonisë >


Tre vjet mbas kësaj ngjarjeje, në vitin 314, Kasandri, duke u nisur nga Epiri, sulmoi nga deti Apoloninë, pastaj Dyrrahun dhe u fut në Iliri. Në këtë luftë Glaukia u mund dhe Kasandri u bë zot i dy qyteteve të mëdha të Adriatikut. Trazirat politike e detyruan të kthehej në Greqi pasi la këtu garnizone të fuqishme. Një vit më vonë, më 313 p.e.sonë, Glaukia rrethoi Apoloninë, por pa sukses. Sipas Diodorit, me ndërmjetësinë e spartanëve ai pranoi të heqë rrethimin dhe të përfundojë një traktat paqeje me apoloniatët. Kushtet e paqes nuk dihen dhe as që bëhej fjalë për vendosjen e ndonjë forcë maqedone në qytet; por ngjarjet e mëpastajme, të vitit 312 p.e.sonë, tregojnë se të dy qytetet mbroheshin nga garnizonet maqedone. Në këtë vit apoloniatët dhe dyrrahasit ngritën krye dhe i dëbuan forcat e Kasandrit nga qytetet e tyre. Një rol të veçantë u atribuon Diodori në këtë ngjarje korkyrasve, të cilët kishin ardhur për ndihmë. Sipas tij ata “çliruan Apoloninë dhe Dyrrahun ia dorëzuan Glaukisë, mbretit të ilirëve”. Burimet nuk japin një përgjigje të drejtpërdrejtë për çështjet se përse korkyrasit ua dorëzuan Dyrrahun ilirëve, cili ishte roli i ilirëve në këtë ngjarje, cilat kishin qenë raportet e tyre me Dyrrahun dhe ç’raporte u vendosën me Apoloninë. Megjithatë nuk është vështirë të kuptohet se korkyrasit në këtë rast vepruan si aleatë jo vetëm të apoloniatëve dhe të dyrrahasve, por edhe të ilirëve. Dalja e Maqedonisë në brigjet e Adriatikut cenonte interesat ekonomikë e politikë si të shtetit ilir, ashtu edhe të Dyrrahut, Apolonisë e të Korkyrës, prandaj ato u bashkuan kundër rrezikut maqedon. Dy qytetet e mëdha ishin, siç duket, për ruajtjen e marrëdhënieve të vjetra me shtetin ilir dhe nuk dëshironin t’i nënshtroheshin me dhunë mbretit të Maqedonisë. Dyrrahu duket se kishte qenë para kësaj në duart e ilirëve ose kishte njohur sovranitetin e mbretit ilir. Kundërshtimi që i bënë apoloniatët Glaukisë më 313 p.e.sonë tregon për një mbizotërim të përkohshëm në këtë qytet të një grupi promaqedon, i cili më vonë u përmbys nga kryengritja e qytetarëve që dëbuan forcat e Kasandrit. Mbreti maqedon u shpejtua të vijë me forcat e tij përsëri para mureve të Apolonisë për të rivendosur gjendjen e mëparshme. Diodori pohon se “apoloniatët ishin lidhur me ilirët”. Megjithatë, nuk dihet nëse ishte kjo një aleancë e thjeshtë ushtarake apo diçka më tepër, por duhet nënkuptuar se ilirëve u ishte caktuar një rol i dorës së parë qëkurse forcat që mbronin qytetin “ishin më të mëdha” se ato maqedone. Kasandri u thye keqas dhe u detyrua të largohej, pasi kishte humbur një pjesë të mirë të ushtrisë. Përpjekjet e tij për t’u ngulur në Ilirinë bregdetare dështuan dhe pas kësaj ai nuk provoi më të kthehej në këto anë. Luftërat me Kasandrin tregojnë se fuqia e shtetit ilir ishte rritur aq shumë saqë ai mundi të matej me sukses me Maqedoninë për zotërimin e bregdetit Adriatik. Qytetet e mëdha të këtij bregdeti prej kohësh kishin njohur sovranitetin e mbretit ilir; të paktën mbi Dyrrahun ishte vendosur ky sovranitet, por që nga viti 312 p.e.sonë edhe ndikimi mbi Apoloninë nuk duhet të ketë qenë më i vogël, megjithëse pozita juridike e këtij qyteti ndaj shtetit ilir formalisht mund të ketë qenë pak e ndryshme nga ajo e Dyrrahut. Pas fitores mbi Kasandrin dhe forcimit të pozitës së tij në Dyrrah e në Apoloni, Glaukia u mor me përgatitjen e ekspeditës që do të vinte Pirron në fronin molos. Nuk ishte zemërgjerësia ndaj tij, as lidhjet që kishte me të nëpërmjet së shoqes, Berojës, bijë nga dera molose, ato që e shtynë Glaukinë në këtë ndërmarrje të guximshme. Epiri në këtë kohë ishte pika më nevralgjike e kontaktit dhe hallka më e rëndësishme në kontradiktat iliro-maqedone. Glaukia duhej ta shkëpuste këtë vend nga ndikimi maqedon dhe t’i rikthente shtetit ilir aleatin e humbur. Për këtë qëllim, në vitin 309 p.e.sonë, në krye të një ushtrie të madhe, ai hyri në Epir dhe pasi mposhti kundërshtimin e grupit promaqedon që përfaqësohej nga mbreti Alketa (ungji i Pirros), vuri në krye të shtetit molos 12-vjeçarin Pirro. Me këtë akt konflikti me Maqedoninë u zgjidh në favor të ilirëve. Veprimtaria politike dhe ushtarake e Glaukisë për rimëkëmbjen e forcimin e pozitave të shtetit ilir u kurorëzua me sukses. Gjatë sundimit të Glaukisë, shteti ilir jetoi ditë lavdie; ai u bë një shtet i fuqishëm, duke përfshirë në gjirin e tij edhe qytetet Dyrrah e Apoloni. Ai ishte e vetmja forcë serioze që iu kundërvu Maqedonisë në këtë pjesë të Ballkanit, dhe u bë një faktor i rëndësishëm që ushtroi një ndikim të fuqishëm në ngjarjet politike të kohës.


<23 faqe 24 25>