Ezekieli - Kapitulli 39
|
1 "Ti, bir njeriu, profetizo kundër Gogut dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o princ i Roshit, i Meshekut dhe i Tubalit.
2 Unë do të të bëj të kthehesh prapa, do të të josh, do të të bëj të ngjitesh në pjesët e skajshme të veriut dhe do të të çoj në malet e Izraelit.
3 Do ta shkund harkun nga dora jote e majtë dhe do të bëj që të të bien shigjetat nga dora e djathtë.
4 Do të rrëzohesh mbi malet e Izraelit, ti me gjithë ushtrinë tënde dhe me popujt që janë me ty; do të bëj që të të hanë shpendët grabitqarë, shpendët e çfardo lloji dhe kafshët e fushës.
5 Do të rrëzohesh në fushë të hapur, sepse unë fola", thotë Zoti, Zoti.
6 "Dhe do të dërgoj zjarr mbi Magogun dhe mbi ata që jetojnë të sigurt në ishuj, dhe do të pranojnë që unë jam Zoti.
7 Kështu do ta bëj të njohur emrin tim të shenjtë në mes të popullit tim të Izraelit dhe nuk do të lejoj më të përdhoset emri im i shenjtë, dhe kombet do të pranojnë që unë jam Zoti, i Shenjti në Izrael.
8 Ja, kjo do të ndodhë dhe do të kryhet", thotë Zoti, Zoti; "kjo është dita për të cilën kam folur.
9 Atëherë banorët e qyteteve të Izraelit do të dalin, do t'i vënë zjarrin dhe do të djegin armët, mburojat e mëdha dhe të vogla, topuzet dhe ushtat dhe me to do të bëjnë zjarr shtatë vjet.
10 Nuk do t'u duhet të marrin dru në fushë dhe as të presin në pyll, sepse do të bëjnë zjarr me ato armë; kështu do të zhveshin ata që i zhvishnin dhe do të plaçkitin ata që i plaçkitnin", thotë Zoti, Zoti.
11 "Atë ditë do të ndodhë që do ti jap Gogut, atje në Izrael një vend për varrim, luginën e Abarimit, në lindje të detit; ai do t'u zërë kalimin shtegtarëve, sepse aty do të varroset Gogu me gjithë turmën e tij; dhe ai vend do të quhet Lugina e Hamon-Gogut.
12 Shtëpia e Izraelit, për të pastruar vendin, do të përdorë shtatë muaj të plota për t'i varrosur.
13 Do t'i varrosë gjithë populli i vendit, dhe ata do të fitojnë nam ditën në të cilën unë do të përlëvdohem", thotë Zoti, Zoti.
14 "Do të zgjedhin disa burra që do të përshkojnë pa pushim vendin për të varrosur, me ndihmën e shtegtarëve, trupat e atyre që kanë mbetur mbi faqen e dheut, për ta pastruar; kur të kalojnë shtatë muajt do të bëjnë këtë kërkim.
15 Kushdo që do të përshkojë vendin, kur të shohë një kockë njeriu, do t'i vërë afër një shenjë treguese deri sa varrmihësit nuk do ta varrosin në Luginën e Hamon-Gogut.
16 Hamonahu do të jetë gjithashtu emri i një qyteti. Kështu do ta pastrojnë vendin.
17 Sa për ty, bir njeriu", kështu thotë Zoti, Zoti: "U thuaj zogjve të çdo lloji dhe të gjitha kafshëve të fushave: Mblidhuni dhe ejani. Grumbullohuni nga çdo anë në vendin e masakrës që unë do të kryej për ju, një masakër të madhe në malet e Izraelit, që të hani mish dhe të pini gjak.
18 Do të hani mish njerëzish të fuqishëm dhe do të pini gjak princash të dheut: sikur të ishin të gjithë desh, qengja, cjep dhe dema të majmur në Bashan.
19 Do të hani dhjamë sa të ngopeni dhe do të pini gjak sa të deheni, nga flijimi që kam flijuar për ju.
20 Në tryezën time ju do të ngopeni me kuaj dhe kalorës, me njerëz të fuqishëm dhe me luftëtarë të çdo lloji", thotë Zoti, Zoti.
21 "Do të shfaq lavdinë time midis kombeve dhe tërë kombet do të shohin gjykimin tim që kam zbatuar dhe dorën time që kam vënë mbi ta.
22 Kështu që nga ajo ditë e tutje shtëpia e Izraelit do të pranojë që unë jam Zoti, Perëndia i tij;
23 dhe kombet do të pranojnë që për shkak të paudhësisë së tij shtëpia e Izraelit shkon në robëri, sepse ishte treguar e pabesë me mua; prandaj u'a fsheha atyre fytyrën time, i dhashë në dorë të armiqve të tyre dhe ata ranë të gjithë nga shpata.
24 I trajtova sipas papastërtisë së tyre dhe sipas shkeljeve të tyre dhe ua fsheha atyre fytyrën time".
25 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Tani do ta kthej Jakobin nga robëria, do të më vijë keq për tërë shtëpinë e Izraelit dhe do të jem xheloz për emrin tim të shenjtë,
26 mbasi ata kanë bartur turpin e tyre dhe ndëshkimi për të gjitha pabesitë që kanë kryer kundër meje, ndërsa banonin të sigurtë në vendin e tyre dhe askush nuk i trembte.
27 Kur t'i çoj përsëri nga popujt dhe kur t'i mbledh nga vendet e armiqve të tyre dhe të shenjtërohem te ata në sytë e shumë kombeve,
28 ata do të pranojnë që unë jam Zoti, Perëndia i tyre, që i çoi në robëri midis kombeve, por që i ka mbledhur gjithashtu në vendin e tyre, duke mos lënë jashtë asnjë prej tyre.
29 Nuk do t'ua fsheh më fytyrën time, sepse do ta përhap Frymën time mbi shtëpinë e Izraelit", thotë Zoti, Zoti.