Jump to content

Ezekieli - Kapitulli 27

Nga Wikibooks
Dhjata e Vjetër
< EZEKIELI >
Kapitulli 27
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36 | 37 | 38 | 39 | 40 | 41 | 42 | 43 | 44 | 45 | 46 | 47 | 48


1 Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:

2 "Ti, bir njeriu, ngri për Tiron një vajtim,

3 dhe i thuaj Tiros: O ti që je vendosur në hyrje të detit, ti që bën tregti me popujt në shumë ishuj, kështu thotë Zoti, Zoti: O Tiro, ti ke thënë: "Unë jam i një bukurie të përsosur".

4 Kufijtë e tu janë në zemër të deteve; ndërtuesit e tu të kanë dhënë një bukuri të përsosur.

5 E kanë bërë tërë lëndën e anijeve të tua me qipariset e Senirit, kanë marrë kedra të Libanit për të bërë direkun tënd kryesor;

6 dhe i kanë bërë lopatat e tua me lis të Bashanit, e kanë bërë urën tënde me dru pylli të inkrustuar me fildish të sjellë nga ishujtë e Kitimit.

7 Ishte prej liri të hollë të Egjiptit, e punuar me qëndisje, vela që ke shpalosur, që të të shërbente si flamur; ajo që të mbulonte ishte prej hiacinti dhe prej purpre dhe vinte nga ishujt e Elishahut.

8 Banorët e Sidonit dhe të Arvadit ishin vozitësit e tu; të urtët e tu, o Tiro, ishin te ti; ata ishin pilotët e tu.

9 Te ti ishin pleqtë e Gebalit dhe specialistët e tij për të riparuar tërë të çarat e tua; te ti ishin tërë anijet e detit dhe detarët e tyre për të shkëmbyer mallrat e tua.

10 Ata të Persisë, të Ludit dhe të Putit ishin në ushtrinë tënde, si luftëtarë; ata varnin te ti mburojën dhe përkrenaren dhe të jepnin shkëlqim.

11 Bijtë e Arvadit dhe ushtria jote ishin përreth mureve të tua dhe njerëz trima qëndronin mbi kullat e tua; ata i varnin mburojat e tyre përreth mureve të tua; ata e bënin kështu të përsosur bukurinë tënde.

12 Tarshishi tregtonte me ty për shkak të bollëkut të pasurive të tua; në këmbim të mallrave të tua të jepte argjend, hekur, kallaj dhe plumb.

13 Edhe Javani, Tubali dhe Mesheku bënin tregti me ty; në këmbim të mallrave të tua të jepnin njerëzore dhe vegla prej bronzi.

14 Ata të shtëpisë së Togarmahut të jepnin në këmbim të mallrave të tua kuaj qëniet për tërheqje, kuaj vrapimi dhe mushka.

15 Bijtë e Dedanit bënin tregti me ty; tregtia e shumë ishujve kalonte nga duart e tua; si shpërblim të jepnin dhëmbë fildishi dhe abanoz.

16 Siria bënte tregti me ty për shkak të bollëkut të prodhimeve të tua; në këmbim të mallrave të tua të jepnin gurë të çmuar, purpur, stofa të qëndisur, pëlhura hiri të hollë, koral dhe rubin.

17 Juda dhe vendi i Izraelit tregtonin me ty; në këmbim të mallrave të tua të jepnin grurë të Minithit, parfume, mjaltë, vaj dhe balsam.

18 Damasku bënte tregti me ty për shkak të numrit të madh të prodhimeve të tua dhe për bollëkun e pasurive të tua me verë të Helbonit dhe me lesh të bardhë.

19 Vedani dhe Javani sillnin nga Uzahu prodhime në këmbim të mallrave të tua; hekuri i punuar, kasia dhe kallami aromatik ishin ndër mallrat e tua të këmbimit.

20 Dedani tregtonte me ty veshje për të kalëruar.

21 Arabia dhe tërë princat e Kedarit bënin tregti me ty, duke bërë me ty shkëmbime në qengja, deshë dhe cjep.

22 Tregtarët e Shebas dhe të Ramahut bënin tregti me ty; në këmbim të mallrave të tua ata të jepnin të gjitha aromat më të mira, lloj lloj gurësh të çmuar dhe ar.

23 Herani, Kanehu, Edeni, tregtarët e Shebas, të Asirisë dhe të Kilmadit bënin tregti me ty.

24 Në këmbim të mallrave të tua shkëmbenin me ty sende luksi, mantele të purpurta, stofa të qëndisura, arka rrobash të ndryshme, të lidhura me litarë.

25 Anijet e Tarshishit transportonin mallrat e tua. Kështu u mbushe dhe u pasurove me të madhe në zemër të deteve.

26 Vozitësit e tu të kanë çuar mbi shumë ujra, por era e lindjes të ka shkatërruar në zemër të deteve.

27 Pasuritë e tua, mallrat e tua, prodhimet e tua, detarët e tu, pilotët e tu, ata që ndreqnin të çarat, trafikantët e mallrave të tua, tërë luftëtarët që janë te ti dhe gjithë ajo mori që është mes teje do të bien në zemër të deteve ditën e shkatërrimit tënd.

28 Nga zhurma e britmës së pilotëve të tu fushat e hapura do të dridhen;

29 tërë ata që përdorin lopatën, detarët dhe tërë pilotët e detit do të zbresin nga anijet e tyre dhe do të mbeten në breg.

30 Do të bëjnë që të dëgjohet zëri i tyre mbi ty; do të klithin me trishtim, do të hedhin pluhur mbi kokën e tyre, do të rrokullisen në pluhur.

31 Për shkakun tënd do të rruajnë kokën, do të vishen me thasë dhe do të qajnë për ty me trishtim të shpirtit, me një dhembje të thellë.

32 Në ankthin e tyre do të ngrenë për ty një vajtim dhe do të vajtojnë për ty: "Kush është si Tiro, e shkatërruar në mes të detit?".

33 Kur mallrat e tua dilnin nga detet, ngopje shumë popuj; me bollëkun e pasurive dhe të mallrave të tua pasuroje mbretërit e tokës.

34 Por kur u theve nga detet në thellësinë e ujrave, mallrat e tua dhe tërë moria e njerëzve në mes teje kanë rënë.

35 Të gjithë banorët e ishujve janë habitur prej teje; mbretërit e tyre i ka zënë një frikë e madhe, pamja e tyre është e tronditur.

36 Tregtarët midis popujve fishkëllejnë mbi ty; je bërë një llahtarë dhe nuk do të ekzistosh më".