Ezekieli - Kapitulli 15
|
1 Fjala e Zotit m'u drejtua përsëri, duke thënë:
2 "Bir njeriu, ç'është vallë druri i hardhisë në krahasim me gjithë drurët e tjerë ose me çfarëdo dege që ndodhet në drurët e pyllit?
3 A mund ta marrësh drurin për të bërë ndonjë punë? A mund të përftosh prej tij një kunj për të varur ndonjë send?
4 Ja, e hedh në zjarr për t'u djegur; zjarri djeg dy anët e tij dhe pjesa e tij qendrore karbonizohet. A mund të jetë vallë i dobishëm për ndonjë punë?
5 Ja, në se edhe kur ishte i plotë nuk vlente për asnjë punë, aq më pak do të mund të vlejë për ndonjë punë kur zjarri e ka djegur dhe karbonizuar.
6 Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti: Ashtu sikur, ndër drutë e pyllit, kam caktuar që druri i hardhisë të digjet në zjarr, kështu do të veproj edhe me banorët e Jeruzalemit.
7 Do të kthej kundër tyre fytyrën time. Kanë dalë nga një zjarr, por një zjarr tjetër do t'i gllabërojë. Atëherë do të pranoni që unë jam Zoti, kur të kthej kundër tyre fytyrën time.
8 Kështu do ta bëj vendin të shkretë sepse kanë qenë vazhdimisht jobesnikë", thotë Zoti, Zoti.