E mira dhe e keqja/28

Nga Wikibooks

Imani është kusht për t’u pranuar veprat


Faqe 27
faqe
- 28 -

Faqe 29
A mund të konsiderohet e mira e kësaj bote, si e mirë absolute? Apo, ajo duhet të jetë e lidhur me imanin? Nëse ne bëjmë një të mirë, duke mos patur iman (besim) në All-llahun xh.sh., dhe duke mos i besuar të gjithë të dërguarit e Tij (pejgamberët), a na llogaritet kjo vepër si e mirë tek All-llahu i Lartëmadhëruar?

Kemi shumë njerëz që janë të angazhuar me veprime humane bamirëse. Si të tillë mund të përmendim, p.sh. shpikësit (novatorët), të cilët kanë zbuluar gjëra të ndryshme, prej të cilave ka dobi mbarë njerëzimi. Kemi prej tyre, që kanë shpikur barërat e disa sëmundjeve të rënda, prej së cilave vuajnë shumë njerëz. Dhe jo vetëm që i kanë shpikur, por ato ilaçe (barëra) i kanë dhënë donacione nëpër spitale, apo edhe kanë shkuar personalisht në vendet e rrezikuara prej sëmundjeve të rënda, për t’a dhënë kontributin e tyre humanitar. Dikush tjetër ka paraparë, që për të kontribuar me akte bamirësie, të bëjë aktivitete në nivel shoqatash, dhe në sajë të tyre ka arritur të bëjë grumbullimin e të mirave materiale, ushqimore etj, dhe ato i ka dërguar në vendet, ku është paraqitur skamja ekstreme, pra, aty ku njerëzit vdesin nga uria. Ose, ka njerëz që bëjnë veprave të tjera të mira, që All-llahu xh.sh. ua ka urdhëruar robërve të Tij besimtarë. Këtyre, i Lartësuari, u ka premtuar shpërblime (sevape) të mëdha në ahiret.

Nëse, këta që kanë bërë mirë, nuk e kanë bërë atë (mirësi) me ndjenjën e imanit, por ajo bamirësi ka rrjedhur nga logjika e tyre e ndjenjës humanitare (njerëzore), apo nga përpjekjet për t’ua zbutur dhembjet njerëzve, apo thjesht për t’i ndihmuar ata, atëherë cili është gjykimi për ta?

Përgjigja e kësaj pyetjeje është: të gjithë këtyre bamirësve, nuk iu shkruhet asnjë sevap tek All-llahu xh.sh., edhe pse ata kanë dhënë mundin dhe djersën e tyre për vepra bamirësie, por, ata, nuk e kanë bërë ato, në emër të All-llahut. Pra, puna e tyre nuk ka dalë si rezultat i imanit të pastër.

Për këtë, i Lartësuari, në Kuranin Kerim, thotë:

" و من يعمل من الصالحات و هو مؤمن فلا يخاف ظلما و لا هضما "
“Ndërsa kush bën vepra të mira dhe është besimtar, të mos frikësohet nga mizoritë (e mundshme), e as nga humbjet (e kompetencave).” [1]

Pra, kusht për t’u pranuar një bamirësi, është imani. Së pari, duhet të kesh iman, e pastaj të drejtohesh drejt veprave bamirëse, në emër të All-llahut të Lartëmadhëruar. Së dyti, nëse dikush jep donacion, ndoshta një shumë të madhe parash për një shoqatë bamirëse, për shkak se, kryetarja e asaj shoqate, e ka burrin në një pozitë të lartë, duka shpresuar që të ndihmohet prej tij, gjithashtu, edhe kjo vepër, nuk është e pranuar tek All-llahu xh.sh.

Ose ai, që e jep pasurinë ose donacionin, me qëllim që të tjerët t’i thonë ‘bamirës i madh’, apo njeri bujar, apo takva[2] , apo të ngjajshme me këto. Nëse ai e bën këtë vetëm me qëllim që t’i dalë (ngrihet) emri, dhe nuk e bën për hir të All-llahut xh.sh., ky njeri nuk ka për t’u shpërblyer tek All-llahu xh.sh.

Të gjithë ata, që bëhen bashkëpjesëmarrës me All-llahun, ndërsa qëllimet i kanë për përfitime të kësaj bote, atyre, kjo vepër, nuk iu regjistrohet si vepër e mirë. Ata, janë përpjekur që të arrijnë deri tek qëllimet e tyre, me anën e këtyre veprimeve. All-llahu i Lartëmadhëruar është më i pasur se të gjithë bashkëpjesëmarrësit, në një punë bamirësie.

Por, a i lë All-llahu këta persona pa sevape?

Nga drejtësia e Tij, Ai do t’u japë atyre sevape për aq sa ata kanë punuar. Ky sevap duhet të jetë i të njëjtit llojit, sikurse ai i punës së tyre. Pra, atyre sevapi do t’u shpaguhet në këtë botë, por, në ahiret, ata nuk do të gjejnë asnjë sevap, e as ndonjë vepër të mirë.

Për këtë arsye, shohim se Kur’ani Kerim thotë:

" من كان يريد العاجلة عجلنا له فيها ما نشاء لمن نريد ثم جعلنا له جهنم يصلاها مذموما مدحورا "
“Kush dëshiron (kënaqësi) të përshpejtuar (në këtë botë)[3] , ia përshpejtojmë atë që Ne duam, dhe kujt të duam, më pastaj ia përgatisim xhehennemin, në të cilin do të digjet i turpëruar dhe i nënçmuar.” [4]

Pra, këta që merren me bamirësi, por që nuk besojnë në All-llahun xh.sh., ose nuk kanë për qëllim që, atë vepër bamirësie, t’a bëjnë për hir të All-llahut xh.sh., atyre të mirat që bëjnë, iu shpaguhen në këtë botë. Emrat e tyre i sheh nëpër rrugët e qyteteve, ngrihen përmendore për hir të tyre, vendosen lapidare madhështorë nëpër qendrat e qyteteve, dekorohen me tituj të shumtë nderi, emrat e tyre mbeten në histori, jetëshkrimet e tyre mësohen nëpër klasa të ndryshme të shkollave, pra, ata bëhen të njohur e të famshëm. Ky do të ishte sevapi tyre (në këtë botë), pra do të jetë i të njëjtit lloj, sikurse ai i veprave të tyre.

All-llahu xh.sh. dëshiron që ne (besimtarët) të përballemi me ndodhitë e botës me ndjenjën ose fuqinë e imanit tonë. Të mos zemërohemi dhe pikëllohemi prej ndodhive të ndryshme, sado shtrenjtë që të na kushtojnë. Për këtë arsye, i Lartëmadhëruari, na ka dhënë standartet dhe normativat, me të cilat ne duhet t’i peshojmë ngjarjet dhe rëndësitë e tyre. Kjo, nuk do të thotë se, veprat tona i merr era. Ndodhitë, vërtet, na i mbushin zemrat plot zemërim dhe pikëllim, por në anën tjetër, All-llahu na ka dhënë standartet e vërteta, me të cilat ne duhet të punojmë, dhe ato, me të cilat ne duhet të masim.

Prej kërkesave të para të All-llahut xh.sh. ndaj nesh, është që të jemi shumë të kujdesshëm nga pasionet dhe emocionet e gjërave që na ndodhin në këtë botë. Ne ato duhet t’i marrim, si sprova. Pra, duhet t’a kuptojmë se jemi duke u sprovuar me to, drejtëpërdrejt nga All-llahut xh.sh.

Ne besojmë se këto ndodhi ishin të shkruara tek Ai, para se të krijohej toka dhe ç’ka në të. Se ato janë kadere[5] prej All-llahut, të cilat zbresin në kohëra të ndryshme. Për këtë arsye, prej nesh kërkohet, që ato të mos t’i përjetojmë me zemërim të thellë, mërzi apo vajtim, në mënyrë që me sjelljet tona prej besimtari, të mos t’a ç’ekuilibrojmë besimin tonë dhe, kështu, All-llahu të hidhërohet me ne. Gjithashtu, duhet edhe të mos gëzohemi shumë në raste të veçanta. Këtë gëzim duhet t’a shfaqim vetëm atëherë, kur e ndiejmë se do të marrim sevape prej All-llahu xh.sh. Ky pra, do të ishte një standart i vërtetë, në bazë të të cilit duhet t’i masim detyrimisht ndodhitë tona.

I Lartësuari thotë:

" ما أصاب من مصيبة في الأرض و لا في أنفسكم الا في كتاب من قبل أن نبرأها ان ذلك علي الله يسير لكيلا تأسوا علي ما فاتكم و لا تفرحوا بما ءاتاكم و الله لا يحب كل مختال فخور"
“Nuk e godet fatkeqësia askënd në tokë, e as juve, e të mos jetë (e shkruar) në libër, para se t’a zbatonim (në vepër). Ajo, njëmend, është e lehtë për All-llahun. Që ju t’a harroni atë, ç’ka ju ka kaluar (nga pikëllimi-mërzitja), por as të mos i gëzoheni tepër asaj, çka ju është dhënë (prej mirësive). All-llahu nuk i do lavdëruesit mendjemëdhenj.” [6]

Pra, këto janë karakteristikat, të cilat i posedon njeriu i pajisur me iman. Këto cilësi dëshiron, All-llahu xh.sh., që t’i shohë prej nesh. Ai na ngacmon, ose na sprovon me lloj-lloj ndodhish, sepse kjo botë është botë mashtrimesh. Sot je i pasur, nesër bëhesh i varfër, sot ndjehesh i fuqishëm, nesër dobësohesh, sot je krenar, nesër mbetesh i poshtëruar...

Këto mashtrime naive janë prej cilësive të kësaj bote, prandaj ato duhet të pranohen ashtu siç janë. Nëse tani koha është e errët, nesër bëhet dritë. Nëse sot dita ishte e vështirë, nesër bëhet më e lehtë. Kështu duhen përjetuar ngjarjet, të gjitha gjërat ndryshojnë, por gjëja që nuk ndryshon është vepra, e cila bëhet për (t’u shpërblyer në) ahiret. Prandaj, i Lartëmadhëruari kërkon që ne t’i kushtojmë vëmendje kësaj. Kjo arrihet vetëm atëherë, kur mendjet tona preokupohen për bamirësitë që shpaguhen edhe në ahiret.

Ishte një herë një njeri i mirë, i cili sa herë që i shkonte lypsari për t’i kërkuar para, ose ushqim, ai e përgëzonte se do të merrte atë që kishte për t’ia dhënë. Ky njeri e priste atë (lypsarin) me shumë mirëseardhje. Atij i thoshte: mirëse erdhe o ti, që i bart të mirat e mia deri në ahiret. Ai ishte i bindur se shkuarja e lypsarit tek ai, ishte një e mirë e madhe për të. Ai e dinte se, pasuri e tij e depozituar ishte ajo, që ai ia jepte lypsarit, ndërsa pasuri të humbur ai e konsideronte atë, që e hante vetë, apo ato para që ai shpenzonte. Pra, sadakaja konsiderohet pasuri e depozituar, sepse këtë të mirë, njeriu shpreson se All-llahu do t’ia kompensojë shumëfish, në ahiret.

All-llahu xh.dh. na ka këshilluar që, ndodhive të ndryshme, të mos t’u japim ngjyrime të shumta, të cilat zakonisht qarkullojnë brenda nesh. Ne duhet t’i lëmë ashtu siç janë, e mos t’i komentojmë me filozofira të ndryshme.

Për këtë, i Lartësuari, në Kur’anin Kerim, thotë:

" و عسي أن تكرهوا شيئا و هو خير لكم "
““Ndodh që ju t’a urreni ndonjë gjë, por ajo (në realitet) është (përcaktuar të jetë) e mirë për ju.” [7]

dhe ajeti tjetër:

" فعسي أن تكرهوا شيئا و يجعل الله فيه خيرا كثيرا "
“...ndodh që ju t’a urreni ndonjë gjë, por All-llahu (në realitet) në të sjell të mira të shumta.” [8]

All-llahu xh.sh. me këtë, sikur do të na japë realitetin imanor të ndodhisë, e cila po na përcjell. Nëse na ndodh diçka, që do të ishte e urryer për ne, ne menjëherë duhet t’i përkujtojmë këto ajete, dhe të themi: mbase, i Lartësuari ka paraparë me këtë ndodhi “të urryer”, diçka shumë më të mirë për ne. Nuk i dihet, sepse ndoshta kjo ngjarje e vështirë do të zëvendësohet me shumë ngjarje të tjera më të mira. Kjo formë e të menduarit ia lehtëson dhembjet qenies njerëzore, kur atë e godet një ndodhi tmerruese. Me këto ajete, Ai na bën, që të jemi gjithmonë optimistë në jetë. Gjithashtu, i Lartësuari, me këto ajete na bën të kuptojmë, se sjelljet tona e përcaktojnë të keqen.

Shumë pej njerëzve pyesin: a nuk është televizioni një e keqe e madhe? Njerëzit do të merren në pyetje, në bazë të veprave të tyre. Ata do të pyeten prej Zotit për namazin, lutjet, dhe veprat e tjera që bëjnë. Njerëzve që pyesin në lidhje me televizionin u themi: ne nuk mund t’a gjykojmë televizionin se është i keq, por mënyra se si e përdor njerëzimi atë, është e mirë ose e keqe.

Sikur televizioni t’u mësonte njerëzve fenë e tyre të vërtetë, t’iu sillte argumente se duhet të falen, se duhet të japin zeqatin[9] , e të tjera prej dispozitave të Islamit, ai do të ishte i mirë. Por, nëse programi i televizionit mbushet me këngë, spektale, apo me lojëra të diskotekave, apo me jetën e klubeve të natës, pra shkurt, me ato që e largojnë njeriun nga feja e tij, kuptohet së është i dëmshëm.

Pra, vetë televizioni nuk është as i mirë, e as i keq, por mënyra se si e përdor atë, ia jep atij, kuptimin dhe përgjigjen, njëkohësisht. Njëlloj sikur thika. Me të, mund të bëhesh kriminel dhe, me të, mund shërbehesh në kuzhinë, për nevoja të ndryshme. Nëse atë e përdor për nevojat e kuzhinës, në të ka të mira, por nëse atë e përdor për qëllime kriminale, atëherë është e keqe.

All-llahu xh.sh., në Kur’anin Kerim, na ka dhënë shumë shembuj, që ne të bëhemi prej atyre, që secilit send t’i japim kuptimin e vet ekzistues.

I Lartësuari thotë:

" و من ثمرات النخل و الأعناب تتخذون منه سكرا و رزقا حسنا ان في ذلك لأية لقوم يعقلون "

“Edhe prej frutave të hurmës dhe të rrushit, po nxirrni lëngun dehës, si dhe ushqim shumë të mirë. Vërtetë, në të ka argumente, për ata njerëz që mendojnë.” [10]

Me këtë, Lartëmadhëria e Tij, dëshiroi të na tregojë se kuptimin e së mirës apo së keqes, e jep përdorimi i një sendi, e jo vetë ai send apo mjet. P.sh. rrushin dhe hurmën, All-llahu xh.sh. i krijoi si risk të mirë për njeriun. Ato na shijojnë, na japin kalori, dhe kanë të tjera mirësi për ne. Në to nuk ka ndonjë të keqe, dhe ato nuk janë të dëmshme për njeriun. Por çfarë bëri njeriu prej tyre?

Njerëzit i morën si risk të mirë dhe i shndërruan në risk jo të mirë, në alkool. Ata, prej tyre, nxorën verën, me anën e së cilës humbasin mendjen, dhe bëjnë veprime të tjera të dëmshme. Kjo konsiderohet prej veprave të këqija më të mëdha, sepse alkooli është themeli i të gjithë keqbërjeve në botë.

A mos vallë, All-llahu xh.sh., e krijoi rrushin dhe hurmën, për këtë qëllim? A i krijoi ato, që t’a ndihmojnë njeriun që të pijë alkool dhe të bëjë mëkate? Gjthësesi jo. Pra, kush ua humbi dhe ua ndryshoi vlerat dhe detyrat e tyre, nga ajo për të cilën ato ishin krijuar në këtë jetë? Kush i shndërroi prej riskut të mirë, në risk të keq?

Ishte vetë njeriu ai, i cili i mori këto begati dhe e shkatërroi veten e tij dhe vlerat e tyre. Me këtë, ai ndihmoi të keqen, e cila e çoi pastaj në mëkat dhe armiqësi, në vend se t’i përdorte për të mirën e vet këto të mira, dhe t’a falënderonte All-llahun xh.sh. për to.

  1. Kur’an, 20 / 112
  2. Takva – njeri që i frikësohet All-llahut
  3. Me shprehjen – Kush dëshiron të përshpejtuarën-d.m.th. (shpagimin e të mirës, ose arritjen e qëllimit në këtë botë, do t’ia japim atë, por në ahiret, atij nuk i mbetet asgjë), shënim i përkthyesit.
  4. Kur’an, 17 / 18
  5. Kader – shiko fusnotën numër 56 të këtij libri
  6. Kur’an, 57 / 22-23
  7. Kur’an, 2 / 216
  8. Kur’an, 4 / 19
  9. Zeqat- tatim që u jepet të varfërve për hir të Zotit
  10. Kur’an, 16 / 67

Faqe 27
faqe
- 28 -

Faqe 29