Jump to content

E mira dhe e keqja/22

Nga Wikibooks

Shkatërruesit në tokë


Faqe 21
faqe
- 22 -

Faqe 23
Ah! Sikur çështja të mbaronte vetëm me kaq! Kemi shtete të pasura, të cilat sundojnë çmimet e tregjeve për secilin artikull ushqimor, bile edhe për nënproduktet e tyre. Disa shtete, sikurse është p.sh. Amerika, shtetasve të vet ua paguan humbjet, ose ua plotëson produktet të gjithë atyre që merren me bujqësi, veçanërisht atyre që mbjellin drithëra, vetëm e vetëm që t’a mbajë çmimin e lartë në tregun botëror! Disa shtete, sikurse është Brazili, e hedh në det kafenë, vetëm e vetëm që të mos t’a ulë çmimin e saj! Po ashtu, kemi edhe shtete të tjera, të cilat e marrin kafen, qumështin, vezët, e të tjera artikuj ushqimorë dhe i hedhin në det, vetëm e vetëm që t’a ruajnë çmimin në tregun botëror, ndërkohë që dihet se me miliona e miliona njerëz në botë, kanë nevoja imediate për to. Ata kanë nevojë për një copë buke, ose për një gotë qumësht, ose një vezë për t’a ngrënë. Ky është shkatërrim dhe përbuzje ndaj begative të All-llahut, që janë në tokë. T’a marrësh begatinë e All-llahut dhe t’a hedhësh, për t’ua ndaluar krijesave të tjera për t’a ngrënë!?

Sikur këto begati të ishin prodhuar fund e krye prej njerëzve, do të kishim thënë, se mbase ata kanë të drejtë të veprojnë kështu, por të hidhen ato, që i ka krijuar All-llahu xh.sh.!? Shtazët nuk u krijuan prej njerëzve, që ata t’i japin të drejtën vetes, për t’a hedhur mishin apo qumështin e tyre. Ata, nuk i krijuan as shpezët, që t’ua hedhin vezët. Ata nuk e krijuan as tokën, prej së cilës u prodhua kalliri i grurit. Në vend se t’a shpërndanin begatinë e All-llahut, në emër të All-llahut[1] për robërit e Tij, pra t’ua shpërndanin tepricat e veta shteteve të skamura, ata i hedhin ato në det, duke i penguar begatitë e All-llahut për krijesat e Tij.

Kemi shtete, të cilat nuk merren me këto lloj prodhimesh (bujqësore), edhe pse All-llahu u ka dhënë ara shumë pjellore dhe fusha të gjëra toke, por merren me “ndërtimin” e vendit të tyre. Në vend se të merren me prodhimin e tokës dhe të nxjerrin maksimumin prej saj, ata janë të preokupuar me revolucione dhe luftëra. Ndërrojnë qeveritë dhe pushtetarët, për të qeverisur vetë.

Njeriun e preokupojnë përplasjet e “mëdha” dhe luftërat në botë, në vend se të merret me detyrën, që All-llahu i ka caktuar për t’a ndërtuar dhe punuar tokën.

Kjo është tirania njerëzore, me anë të së cilës, njerëzve iu ndalohen begatitë e All-llahut xh.sh.

All-llahu xh.sh., për këtë, thotë:

" قل أريتم ما أنزل الله لكم من رزق فجعلتم منه حراما و حلالا قل ءالله أذن لكم أم علي الله تفترون"
“ Thuaj: a shikoni (keni menduar ndonjëherë) se riskun All-llahu e zbriti për ju, (ndërsa) ju atë (disa prej ushqimeve i konsideroni) se janë të lejuara e (disa) të palejuara (hallall e haram). Thuaj: mos vallë ishte All-llahu, që ju dha leje për këtë, apo ju shpifni ndaj All-llahut.” [2]

Kështu, ne shohim tiraninë njerëzore, në ndarjen e tokës në shtete dhe kufij dhe në vende që u ndaluan për robërit e All-llahut. Kur All-llahu e krijoi tokën për njerëzit dhe vetëm për njerëzit, atëherë, kush vallë e solli këtë mjerim ndërnjerëzor?

Këtë mjerim, që po sillet ndër njerëz, pa dyshim, e solli mendja e njeriut. All-llahu e kishte krijuar njeriun të lirë të zgjidhte midis dy, apo më shumë alternativave. Por, fatkeqësisht, ai u preokupua me gjithçka tjetër, ndërsa obligimet e veta të jetës, i la anash. Ajo, për të cilën ishte krijuar, ishte mirëqenia në tokë, ndërsa atë e preokupoi shkatërrimi, e preokupoi okupimi i vendbanimeve, për të sunduar njerëzit e tjerë. E preokupoi çdo gjë, që është ndesh me botën, ndërsa detyrën e vet të ndërtimit, e injoroi, për të mos thënë e ka harruar fare. Pra, ajo që kishin dëgjuar e parë, mbeti: ishte seç na ishte...!!

Këtu na çoi liria e përzgjedhjes së njeriut. Mjerim, në vend të gëzimit dhe haresë. Shkatërrim i begative të All-llahut të Lartëmadhëruar, në vend të progresit. Kështu, ata me këtë rrugëtim, vetëm sa i shtuan edhe më shumë problemet në tokë. Në vend se t’i zgjidhin problemet, ata i largohen edhe më tepër programit të All-llahut. Kjo do t’i shpierë ata drejt një katastrofe totale. Ata, patjetër, do të duhet të mbështeten dhe t’a marrin në kosideratë programin e All-llahut, dhe jo vetëm të mbështeten në mendjen dhe planet e tyre, sepse mendja, si mjet i vetëm, të dërgon drejt shkatërrimit e jo drejt përmirësimit.

Arroganca e mendjes njerëzore, supozoi dhe pretendoi se do të jetë në gjendje t’a ndryshojë sistemin në univers, duke iu paraqitur të tjerëve se është për një mirëqenie dhe për një përparim akoma më të madh. Por në realitet çfarë bëri? I preu lisat e maleve, të cilat All-llahu xh.sh. i krijoi si mushkëri të tokës. Në vend të tyre ndërtoi fabrika, prej të cilave ndotet ambienti në tokë, dhe jo vetëm toka, por edhe qielli. I Lartësuari i kishte krijuar ato të pastërta dhe të hapura për gjallesat. Tani, kemi të bëjmë me një rrezik shumë më të madh global. Tani rruzullit tokësor, pra, njërës prej shtresave ajrore atmosferike të tokës, e quajtur shtresa e ozonit, i është hapur një vrimë. Njeriu, në emër të përparimit, po hedh shumë materie kimike nëpër lumenj, liqene, etj. Kështu, ai është duke e plehërosur tokën dhe, natyrisht, duke e ndotur ujin, të cilën All-llahu e zbriti të pastër dhe të pijshëm. Ashtu siç e shkatërroi njeriu mendjen e bujkut, që t’i hidhte tokës plehëra kimike, po ashtu ai shkatërroi edhe vetveten, sepse u helmuan edhe bimët e tjera përreth tyre. Ato bimë i hanë kafshët, e kështu bashkë me to, edhe ne, qeniet njerëzore. Kjo po na “ndihmon” tani, në plogështinë tonë trupore, në lodhje, sëmundje të ndryshme dhe vdekje!

Kur shkencëtarët filluan t’a ngrenë zërin dhe të japin vërejtjet e tyre për dëmet që shkaktuan këto lloj helme mbi pemët, kafshët dhe njeriun, u pësuan aq shumë dëme, sa u hoqën të zitë e ullirit. Tash, së fundi, është ndaluar përdorimi i tyre, pasi bota u mbush me plehëra, në emër të shtimit të prodhimit. Arsyetimi është se nataliteti njerëzor është shumë i madh.

Pastaj ç’ndodhi? Këto kimikate u vunë edhe në shërbim të shërimit të disa sëmundjeve. Edhe këto u ndaluan me shumë vonesë, sepse u vu re se kishin kundërefekte, veçanërisht në sëmundjet mendore. Të gjitha këto, kanë ndodhur për shkak se mendja e njeriut është e cekët dhe e kufizuar. Njeriu, vërtet, mëson diçka, por atij i mungon shumëçka. E keqja fillon aty, sepse ai konkludon dhe vendos për të vepruar, me atë dituri të cekët, që ai ka. Ai mendon se ka shpikur një zbulim të ri shkencor, dhe në emër “të mirësisë” globale, po i ofron shërim njerëzimit. Kur, ai, më vonë, e kupton se paska qenë gabim, ai kthehet aty ku ka filluar.

Ai nuk i sheh problemet në tërësi në kompleksitetin e tyre, por sheh vetëm problemet e dukshme që ka para vetes. Atij i mungojnë dija dhe njohuritë rreth asaj, se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Kështu p.sh. disa shtete, duke u mbështetur në emër të lirisë, kanë kërkuar që prostitucioni të jetë i lirë. Bile parlamenti i Britanisë së Madhe, ka shkuar aq larg, saqë lejoi prostitucionin në grup. Dhe kjo i gëzoi aq shumë, saqë mburren me këtë “arritje”, se janë vendet që i kanë dhënë më së shumti liri personalitetit të njeriut. Vallë, njeriu, a nuk ka marrë liri më të madhe nga programi i All-llahut xh.sh.!?

Por, çfarë ndodhi më pas?

Më pas, u shfaqën dhe u shpërndanë shumë sëmundje, më e njohura dhe më e rrezikshmja prej të cilave, në ditët e sotme, është sëmundja e sidës. Kjo sëmundje vdekjeprurëse, e cila nuk ka shërim, është duke i sfiduar shkencëtarët, të cilët janë duke bërë përpjekjet maksimale për parandalimin e saj, por deri tani pa sukses. Vetë ata, që ishin gëzuar se kishin arritur kulmin e lirisë personale, duke lejuar prostitucionin dhe homoseksualizmin, tani kërkojnë që të mbështeten në atë, çka është e mirë dhe e moralshme! A e bëjnë këtë për shkak të imanit të tyre: sigurisht që jo, këtë e bëjnë për shkaqe domosdoshmërie dhe nevoje. E bëjnë që t’a shpëtojnë veten nga sëmundjet vdekjeprurëse. Sikur t’a praktikonin programin e All-llahut, do të ishin të qetë, nuk do të sprovoheshin me këtë sëmundje ngjitëse, e cila po sillet rreth shoqërive, që e kanë lejuar prostitucionin me ligj.

Të gjitha këto të vërteta po ndodhin në tokë përreth nesh, ndërsa ne nuk po mbushemi me mend. All-llahu e ka ndalur kamatën, dhe atyre që merren me kamatë, u ka premtuar dënime të rënda, por ja që njerëzit e thyen këtë ligj të programit të All-llahut dhe e shkatërruan ekonominë botërore. Madje, gjendja ka arritur deri aty, sa që fajdja e ka tejkaluar vetë kapitalin botëror. Kamata tani është bërë shkaktarja kryesore e falimentimeve të shteteve dhe e likuidimit të njerëzve. Bota, tani, ka filluar të kërkojë abrogimin e ligjit të kamatës.

Referencat
  1. Kur’ani na tregon se si veproi dhe sa i kujdesshëm qe Jusufi a.s., në kohën kur pati 7 vjetë thatësi ekstreme bota – (shënim i përkthyesit).
  2. Kur’an, 10 / 59

Faqe 21
faqe
- 22 -

Faqe 23