Jump to content

E mira dhe e keqja/1

Nga Wikibooks

E bukura në univers


Hyrja e Autorit
faqe
- 1 -

Faqe 2
E mira dhe e keqja janë dy prej temave më të debatuara, të cilat kanë shkaktuar polemika të shumta. Shkaku kryesor i këtyre polemikave është mosnjohja e saktë e qëllimit të jetës së qenies njerëzore. Shumica dërrmuese e dijetarëve, duke përjashtuar një numër të vogël, kanë përcaktuar se kjo jetë (e kësaj bote), të cilën është duke jetuar njerëzimi, është qëllimi final. Shkaku i stërlodhjeve është ky vizion i gabuar, pasi njerëzimi është duke pasuar herë një ideologji, e herë një tjetër. Ata që e perceptojnë jetën e kësaj bote, si qëllimin e tyre të vetëm, do t’a kalojnë jetën e tyre me shumë peripeci të ndryshme. Këto vështirësi, atyre u vijnë nga All-llahu i Lartësuar dhe, së fundi, ata nuk do të fitojnë asgjë në ahiret (botën tjetër).

Pabesimtari nuk pretendon ndonjë kënaqësi tjetër, ai nuk disponon ndonjë alternativë tjetër, për të, me këtë jetë merr fund gjithçka. Ky është rezultati përfundimtar i tij, pasi ai nuk beson në ekzistencën e ahiretit, pra nuk beson se ka jetë të përhershme ose të amshueshme. Këtij personi, pasionet, ambiciet dhe veprat e jetës i përfundojnë në këtë botë. Por, sikur t’a përdorte vetëm pak logjikën, ai do t’a kishte kuptuar se kjo botë nuk i takon vetëm qenies njerëzore. A thua pse? Sepse jetën, të cilën po e jetojmë ne tani, ose të cilën ai e jeton, e ka përpiluar mbi teori jo të sakta dhe supozime të ndryshme. Duket qartë, se ato i ka bazuar në trillime jobindëse. Ai pra, fatkeqësisht, jetën e ka mbështetur në supozime dhe iluzione. Shpresat e njeriut për të jetuar dhe shijuar këtë botë, shkojnë deri në moshën gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë vjeçare, ose pak edhe më tepër. Por, ç’është e vërteta, kemi disa prej qenieve njerëzore, që vdesin në këtë botë menjëherë. Kemi prej tyre që vdesin pas një ore, ose pas një dite. Kemi prej tyre që vdesin pas një jave ose pas disa muajve, gjithashtu, kemi edhe prej tyre që vdesin në kohën e adoleshencës, e kështu me radhë, prej atyre që ndërrojnë jetë në mosha të ndryshme...

Shumica e njerëzve, në të shumtën e rasteve, shpresojnë të jetojnë disa dekada. Por, kjo logjikë apo formë e të menduarit, nuk do të duhej të ishte vizioni i tij përfundimtar, sepse atij mund t’i vijë vdekja në çdo moment, siç e theksuam më sipër. Askush nuk mund t’a sigurojë atë, ose t’a njoftojë për ditët ose vitet e mbetura të jetës së tij.

Njeriu, vetëm në ahiret, do të mund t’a njohë bindshëm veten e tij, sepse ai, atje, është i përjetshëm – nuk vdes. Atij, që ishte i mirë në këtë botë, nuk do t’i humbasë e mira e tij, ndërsa atij, që ishte keqbërës, nuk do të anashkalohet dhe t’i harrohet keqbërësia e tij.

Çdo gjykim do të konsiderohej jo i plotë, nëse njeriu nuk e merr parasysh edhe gjykimin në ahiret. Vetëm atëherë, kur ne ta kemi vendosur jetën mbi këto binarë, mund të themi se kemi bërë një gjykim të drejtë dhe të vërtetë.

Por ç’ti bëjmë injorancës sonë, kur ne, në të shumtën e rasteve, jetën e sendërtojmë vetëm mbi binarët e kësaj bote dhe, mbi këtë bazë, sjellim ligje dhe rregulla për të bukurën dhe të shëmtuarën. Shikuar nga ky prizëm, kuptohet se gjykimet tona ngrihen mbi qëllimin, e jo mbi mjetin. Kur dikush na i shpaguan mundin në këtë botë, ne këtë e konsiderojmë si një gjë të mirë, ose kur dikush na sjell zemërim, ose na ndalon prej ndonjë veprimi që ne duam t’a bëjmë, ne këtë e konsiderojmë si një gjë të keqe. Përderisa, kjo është doktrina e të menduarit tonë, dhe përderisa jetojmë mbi këtë bazë të gabueshme, atëherë do të vuajmë, sepse jemi duke iu larguar vazhdimisht programit të All-llahut.

Njerëzit, të mirën dhe të keqen, i shpjegojnë sipas njohurive të tyre individuale. Kur diçka i konvenon njeriut, ai do t’a konsiderojë atë si të mirë. Ky gjykim rezulton prej atyre, që për bazë kanë doktrinën e sipërtheksuar. E mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara, nuk përcaktohen mbi bazën e të menduarit individual. Kjo bazë e të menduarit do të kishte standarte jo të plota, sepse kemi të bëjmë me egoizmin njerëzor. Nuk do të dihet kurrë, cila është e mirë dhe cila është e keqe, mbi këtë bazë të të menduarit.

Kur ngjan ndonjë ndodhi, nëse ne do t’a gjykonim sipas standarteve të të menduarit individual, do të konstatonim se ajo ndodhi, për dikënd do të jetë e mirë, e për dikënd tjetër jo. Të sjellim një shembull për këtë: nëse një ministri ose ministër, ndërrohet si rezultat i ndryshimeve elektorale, kjo do të sillte gëzim për njërin grup, e pikëllim për grupin tjetër. Ky ndërrim, për të gjithë ata që do të dalin nga ajo ministri, do të konsiderohet si një vepër e padrejtë, ndërsa për të rinjtë, që do të hyjnë në të, do të konsiderohet si fitore ndaj të keqes. Këtyre të fundit u vijnë edhe telegrame urimi për suksese në të ardhmen. Për të gjitha institucionet ose dikasteret, të cilët janë të atij mendimi (grupimi), kjo ditë do të ishte ditë festive. Me një fjalë, këta mendojnë se kanë bërë një veprim të mirë. Shikuar nga prizmi individual, e mira dhe e keqja do të kuptohej në mënyrë relative, pra një veprim, që për disa konsiderohet si i drejtë -i bukur, për disa të tjerë do të konsiderohet si i padrejtë -i shëmtuar.

Na takon të pyesim: si është e mundur, që një veprim të jetë, në të njëjtën kohë, edhe e mirë, edhe e keqe? Si është e mundur, që një vepër t’a përmbajë të mirën dhe të keqen njëkohësisht!?

Si duket kemi të bëjmë me norma dhe standarte të ngatërruara, sepse kjo nuk jep përgjigjen e vërtetë. Sikur standartet të mos ishin të ngatërruara, nuk do të kishim këtë antagonizëm apo përplasje mendimesh. Por, kur ne jetojmë me këso standarte të ngatërruara, gjithmonë do të hasim në rezultate antagoniste. Kjo është një gjë e vërtetë në jetën tonë, prandaj duhet të kemi shumë kujdes dhe të jemi vigjilent. Të jemi të qartë, ne këtu po trajtojmë të bukurën dhe të shëmtuarën.

Standartet e të menduarit individual, nuk do të duhej të ishin përcaktuese të këtyre gjykimeve. Këtu duhet të kemi disa norma dhe standarte të tjera, krejtësisht të kundërta me këto të tanishmet, që janë të vendosura nga i Gjithëlartësuari, për këtë univers. Vetëm ato do t’i gjykojnë ngjarjet saktë, sepse na japin një kuptim plotë dhe të vërtetë.

Këto standarte, ne, nuk kemi mundësi t’i njohim me anë të të kuptuarit tonë individual, sepse jemi të kufizuar. Për ne, shumë gjëra janë të panjohura, prandaj duke u bazuar në këtë mangësi, ne, duhet t’a themi të fundit fjalën, e të mos ndërhyjmë në gjykimet e të bukurës dhe të shëmtuarës në këtë botë, sepse ne do të gjykonim vetëm për përmbajtjen sipërfaqësore të ngjarjes, do të gjykonim vetëm atë, që e kemi prezent para nesh, duke mos e ditur realitetin përfundimtar. Nëse gjykimet e tilla, të bazuara mbi këto standarte, do të njiheshin si vendime përfundimtare, atëherë them se ato do të ishin vendime jo të plota dhe larg realitetit dhe të vërtetës!

Njohja e universit është e pamundur, por ne do të fillojmë me nxjerrjen e disa konkludimeve për rëndësinë e rolit të njeriut në të, sepse ai është pjesë përbërëse e këtij universi. Prej këtyre konstatimeve, do të shohim se All-llahu i Lartësuar, paska krijuar peshore shumë precize, për ekzistencën e jetës në univers. Kjo peshore, është ajo e cila sundon çdo gjë. Prej krijesave të para, që krijoi All-llahu xh.sh., është peshorja për të bukurën në univers. Edhe e bukura është pjesë përbërëse, e cila kryen detyrën e vet në këtë univers. Gjithashtu, janë ligjet e universit ato, që e obligojnë njeriun që të mos u shmanget detyrimeve të tij.

Nëse njeriu nuk do t’i përfillë këto ligje, dhe do të vazhdojë t’i injorojë ato, ai fillon e bëhet pengesë e tyre. Kështu, ne nuk do t’a shijojmë kurrë të bukurën. Jeta sipas këtyre standarteve, fatkeqësisht, do të sjellë vuajtje dhe zemërime. Ndërsa e bukura do të vazhdojë të jetë prezente dhe gjithmonë në pritje, në të gjitha lëvizjet e zhvillimeve të jetës.


Hyrja e Autorit
faqe
- 1 -

Faqe 2