Jump to content

Copëza historie nga lufta e Kosovës/2

Nga Wikibooks
Fati i revitës

Mbase, do të ketë qenë qershor i vitit 1994. Në Ferizaj nxirrej një revistë ilegale. Revista ZGJIMI[1]. Në ilegalitet nxirrej dhe shitej. Rreth saj ishin tubuar shkrimtarë e intelektual të qytetit. Nuk dua të flas për revisten dhe rolin e saj, edhepse ishte i madh, meqë fjala e lirë e shtypit ishte heshtur në mënyrë të dhunshme, por dua të rrëfej një ngjarje që lidhet me nxerrjen e revistes.

Ishte fundi qershorit. Revisten e kishim bërë gati dhe duhej ta dërgonim në shtyp në një shtypshkronjë private, në Prishtinë. Unë dhe miku im, tashmë i ndjerë Haki Braha[2] në magjistrale, prisnim ndonjë autobus a veturë, me që ne s'kishim tonën. Në një fasikël Hakiu mbante materialet e shtypura. Bisedonim për artikujt, emrat, ilustrimet..., kur papandehur një veturë u ndal bri nesh. Ishte një polic. Dhe ç'fatkeqësi polici ishte serb. E njihja. Të mos hipnim dyshimi ishte edhe më i madh. Hakiu ngurronte. Unë e përshëndeta policin dhe u ula bri tij, ndërkaq, Hakiu, ndjesë pastë u ul mbrapa. Me policin shkëmbyem ndonjë fjalë të rrallë edhe pse e njihsha. Ishim nga i njëjti qytet. Në pasqyrë e vidhja me bisht të syrit Hakiun. Dukej i rraskapitur, dhe në fytyrën dyllë të verdhë pasqyrohej lufta mes humbjes dhe fitores, mes ëndrrës dhe frikës. Më në fund arritëm në Prishtinë. Kur zbritëm polici shikoi fasiklën në dorën e hakiut mendueshëm, por s'tha gjë. Dhe i gjithë fati qe që ai iku në mëdyshje pa thënë gjë. Vetura ishte larguar tashmë, kur unë i thashë të shpejtonim pak se duhej të hynim qorrsokaqeve të shumta për të arritur deri te shtypshkronja që poashtu ishte ilegale, Hakiu më tha: Nuk vete askund pa ngrënë drekë... Nuk e sheh?! S'po më mbajnë këmbët. Atëherë e hetova se as unë nuk isha në gjendje të ecja. U futëm në qebaptore dhe hëngrëm drekë. Kujtuam rrugën dhe qeshëm me të madhe. Fati!!! Po,po fati është mbret i botës...

Ca vjet më vonë, kah fundi i prillit të vitit 1999, kur plasi lufta në Kosovë, Hakiun e morën. Nuk u kthye kurrë më! E masakruan! Kujtimi për të rron.


  1. Artikulli: Revista ZGJIMI në enciklopedi
  2. Artikulli: Haki Braha në enciklopedi

< 1
faqe
- 2 -

3 >