Ç´ka bënë Kuvendi i Kosovës/108
Appearance
KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME Neni 1 1.1. Ky Ligj përcakton parimet dhe normat themelore për veprimtarinë bibliotekare dhe për organizimin e mirëvajtjen e bibliotekave. 1.2. Ky Ligj u referohet të gjitha bibliotekave që ofrojnë shërbime bibliotekare publike, pavarësisht nga forma e pronës dhe përkatësia institucionale e tyre. Neni 2 2.1. Biblioteka është institucion kulturor, edukues e informues, që grumbullon, pasuron, përpunon, mirëmban dhe ruan koleksionet e veta nga fushat e ndryshme të krijimtarisë dhe të veprimtarisë intelektuale, të përvojës e të opinionit njerëzor me qëllim që t’i bëjë të njohura dhe t’ua vë në dispozicion shfrytëzuesve për t’i lexuar, hulumtuar e studiuar dhe për t’i lënë në trashegimi gjeneratave te ardhshme. 2.2. Biblioteka shërben për përhapjen e njohurive, kulturës, arsimit, shkencës dhe u ofron shfrytëzuesve mundësi për edukim, informacione dhe zhvillim personal kulturor, profesional, krijues, komunikues dhe qytetar. 2.3. Biblioteka u mundëson qytetarëve realizimin e të drejtës për qasje të lirë në bibliotekë, të drejtën e kërkimit dhe të marrjes së informacioneve e të njohurive nga koleksionet bibliotekare dhe burimet tjera në çfarëdo forme, si dhe nxitë interesimin dhe shprehinë e qytetarëve për të mësuarit gjatë gjithë jetës, për zhvillimin e vazhdueshem të njohurive dhe mirëqenje shpirtërore. 2.4. Biblioteka nxitë dhe ndihmon afirmimin e vlerave demokratike dhe perpjekjet për shoqëri të hapur e tolerante dhe për komunikimin universal të fryteve intelektuale. 2.5. Biblioteka siguron mundësi të barabarta për shfrytëzuesit në ofrimin dhe përdorimin e informacioneve e shërbimeve bibliotekare. 2.6. Në bashkësitë me më shumë gjuhë, kërkesat e pakicave etnike merren parasyshë në kushte të barabarta dhe interesat e tyre kulturore prezantohen në materialet bibliotekare. Neni 3 Sipas këtij Ligji: 3.1. Shfrytëzues është personi të cilit i vihet në shfrytëzim materiali bibliotekar dhe informacionet e sherbimet bibliotekare që i nevojiten, dhe që biblioteka ka mundësi dhe për detyrë t’ia ofrojë; 3.2. Biblioteka të sektorit publik janë bibliotekat e krijuara nga autoriteti publik legjislativ ose ekzekutiv, përkatësisht ato që financohen nga fondet buxhetore ose fondet tjera publike si dhe bibliotekat pranë institucioneve të krijuara nga autoriteti publik legjislativ ose ekzekutiv, përkatësisht që financohen nga fondet buxhetore ose fondet tjera publike. 3.3. Bibliotekat publike jane Biblioteka Kombëtare e Kosovës, bibliotekat ndërkomunale, bibliotekat komunale, (të lokaliteteve fshatare ) që veprojnë si biblioteka të bashkësisë. 3.4. Bibliotekë e veçantë është biblioteka e themeluar pranë institucioneve arsimore, institucioneve kërkimore shkencore, partive politike, organizatave fetare, organizatave joqeveritare, ekonomike etj. 3.5. Bibliotekë private është biblioteka në pronësi private, e themeluar për përdorim publik. 3.6. Qasje nënkupton të drejtën dhe mundësinë e shfrytëzuesit për hyrje në bibliotekë dhe për të pasur në dispozicion materialet, informacionet e shërbimet bibliotekare. 3.7. Autoriteti që ka në vartësi bibliotekën, është organ ose institucion i pushtetit qendror ose komunal që, në përputhje me dispozitat ligjore, ka në përkatësi institucionale bibliotekën, ose personi tjetër që ka themeluar bibliotekën, qoftë si subjekt më veti, qoftë si njësi në përbërjen e vet; 3.8. Ministri përkatëse për biblotekat e sektorit publik është Ministria për Kulturë, Rini, dhe Sport ( më tutje: Ministria e Kulturës) kurse për ato universitare, shkollore dhe shkencore është Ministria për Arsim, Shkencë dhe Teknologji (me tutje Ministria e Arsimit). Neni 4 4.1. Çdo person fizik ose juridik ka të drejtë të themeloj dhe drejtojë bibliotekë, në përputhje me ligjin. 4.2. Biblioteka themelohet si institucion i veçantë ose si njësi organizative për shërbime bibliotekare në përbërjen e një subjekti tjetër ligjor publik ose privat. 4.3. Biblioteka mund të filloj veprimtarinë nëse i plotëson standardet minimale lidhur me hapësiren fizike dhe mjedisin e bibliotekës, koleksionin fillestar, paisjet dhe personelin bibliotekar, si dhe nëse regjistrohet në Regjistrin e bibliotekave të Ministrisë së Kulturës. 4.4. Standardet minimale i cakton Ministria e Kulturës me urdhëresë administrative ose rregullore, në varësi me funksionin e llojin e bibliotekës, si dhe me synimet e zhvillimit të kulturës e të arsimit dhe mundësitë materiale. 4.5. Regjistri i bibliotekave është regjistër publik. 4.6. Kërkesën për regjistrim, s`bashku me një ekzemplar të rregullores së bibliotekës dhe deklaratën për gatishmerinë e veprimit në përputhje me këtë ligj, e bënë personi që përfaqëson bibliotekën, përkatësisht themeluesin e saj. 4.7. Lidhur me kërkesën për regjistrim vendos Divizioni i promovimit-Sektori i bibliotekarisë i Ministrisë së Kulturës jo me vonë se 15 ditë nga dita e dorëzimit të kërkesës. 4.8. Kundër vendimit të Divizionit të Promovimit –Sektorit të Bibliotekarisë, paraqitësi i kërkesës për regjistrim ka të drejtën e ankesës Ministrisë së Kulturës në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së vendimit. 4.9. Kundër vendimit të Ministrisë së Kulturës mund të fillojë kontesti administrativ në gjykatën kompetente në afat prej 30 ditësh nga dita e marrjes së vendimit. 4.10. Me rregullore të veçantë Ministria e Kulturës përcakton me detajisht kushtet dhe mënyrën e regjistrimit të bibliotekave. Neni 5 Lidhur me themelimin, statusin ligjor, drejtimin e bibliotekave, mbikëqyrjen administrative e financiare, punësimin, pozitën, përgjegjësitë e mirësjelljen e personelit dhe për çështje tjera që nuk përfshihen me këtë ligj, vlejnë dispozitat ligjore për sherbimin publik, nëse me këtë ligj nuk percaktohet ndryshe.
< 107 |
faqe - 108 - |
109 > |