Vitviteja/Ndre Mjeda/Artikuj

Nga Wikibooks
Jump to navigation Jump to search
Njoftim për ribotim të veprës[1]
Nga Klajd Kapinova, New York


Një seri eseistike që rizbulon

Ndre Mjedën
       Libri i parë i këtij seriali Mjeda-1 Rinia (1866-1888) i kushtohet rinisë së Ndre Mjedës dhe aktivitetit të hershëm letrar e gjuhësor të tij. Libri ka gjithsej 640 faqe të numruara, me 2728 futnota, me 138 fotografi, spote, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, harta e ilustrime. Në tre kapitujt e parë, të këtij libri autori skrupuloz Dr. Mentor Quku me një përkujdesje profesionisti i jep rëndësi të dorës së parë gjenezës dhe botës së brendshme të Ndre Mjedës, fëmijërisë, familjes, mjedisit dhe shkollës.
       Për më tepër studiuesi Dr. Quku, përkundet nga ideja se historia e Ndre Mjedës është përsëritje e përshpejtuar e historisë së fisit të tij. Katër kapitujt e tjerë; "Aventura franceze", "Tre vjet nën diellin spanjoll", "Tre vjet të tjera në Kroaci" dhe "Në Itali", sqarojnë bëmat e poetit tonë gjatë karuzelit të tij të madh, që u detyrua të bënte rreth e qark Evropës.
       Një kapitull qëndror është ai i shtati, që biografi origjinal i mjedeologjisë ia kushton poezisë "Vaji i bylbylit", si dhe problemeve shumë të diskutueshme: frymëzimit e mënyrës së të shprehurit poetik të Mjedës.
       Vëllimi tërheqës mbyllet me kapitullin e nëntë "Viti i mbarë 1888", vit kur Mjeda boton tre libra dhe ka në dorëshkrim shumë vepra të tjera. Ishte vetëm 22 vjeç, kur i pajisur me një inteligjencë të jashtëzakonshme, me një kujtesë fenomenale e një talent të rrallë, kishte arritur të bëhej një nga artistët dhe poliglotët më të shquar të kohës. Brenda një kohe relativisht të shkurtë, Mjeda ishte bërë, në saj të talentit të tij të jashtëzakonshëm, një ndër shqiptarët më të njohur.
Mjeda II
Albanologu
(1888-1899)
[redakto]
       Vëllimi ndahet në nëntë pjesë. Libri ka gjithsej 642 faqe të numruara, me 1048 futnota, me 203 fotografi, spote, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, harta e ilustrime. Pjesa e parë e librit, nga jetëshkruesi Dr. Quku, është konceptuar si prolog, që i kushtohet albanologut zëmadh Ndre Mjedës, sot i lënë në harresë. Pjesa e dytë dhe e tretë i kushtohet poezive të "Cremonës", që u hartuan nga Mjeda gjatë katër viteve shkollore në Kolegjin De Vida, ku ai ishte profesor muzike dhe bibliotekar: "Malli për atdhe", "Shtegtari", "Uzdaja pa dobi", "Meyerling", si dhe dy poezitë kushtuar mikut Pal Moretit. Pastaj vijnë tre pjesë që i kushtohen periudhave kur Mjeda jetoi, studioi dhe krijoi në Krakov, Gorizie dhe Kraljevica.
       Një vend të veçantë zënë letërkëmbimi Mjeda-Meyer, i cili na jep informacione të shumta dhe interesante lidhur me kontributet e Mjedës në fushat e studimeve albanologjike. Gjithashtu jepen vlerësime shkencore lidhur me poezitë relike të Mjedës: "Gjuha shqipe", "Iliri dhe Epiri", "Nji shoqit t’em qi kthete në Shqipni", "I tretuni".
       Kapitujt shtatë dhe tetë i kushtohen angazhimit të Mjedës me studime të karakterit albanologjik, si dhe lidhjeve të tij me rrethet shkencore të kohës, sidomos me albanologun më të madh të shekullit XIX, Gustav Meyer. Mjeda, ka mbledhur dhe ka përgatitur për botim proverba, shprehje proverbiale shqipe, këngë lirike, humoristike, historike, si dhe legjenda gege. Të gjithë këto u botuan me emrin e Meyerit në "Studime shqiptare VI", Vienë, 1897, për shkaqe oportuniteti të rrethanave të kohës. Me interes janë kërkimet që bën Quku për të gjetur "Fjalorin Etimologjik të gjuhës shqipe".
       Vëllimi voluminoz mbyllet me pjesën e nëntë, që hedh dritë lidhur me problemin e largimit të Mjedës nga jezuitët dhe për etapën e kthimit të Mjedës në atdhe, në pranverën e vitit 1899.
Mjeda III - libri i parë
Alfabeti
(1899-1912)
[redakto]
       Ky vëllim ka si objekt periudhën e kthimit të Mjedës në atdhe deri në "Shpalljen e Pavarësisë" dhe i kushtohet ndihmesës së Mjedës për alfabetin e gjuhës shqipe. Hulumtuesi pasionat Dr. Mentor Quku, gjatë gjithë shtrirjes së veprës në fjalë i provon me dokumente dhe silogjizma bindëse punën këmbëngulëse njëzetvjecare të Mjedës për një alfabet shkencor dhe praktik për të gjithë shqiptarët dhe në mënyrë të veçantë rolin e tij të shquar në punimet e "Kongresit të Manastirit". Libri ka gjithsej 680 faqe të numruara, me 970 futnota, me 160 fotografi, spote, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, harta e ilustrime. Për një shekull kjo ngjarje madhore kombëtare, u manipulua për shkaqe jashtëshkencore. "Kongresin e Manastirit" autori e quan prelud i "Shpalljes së Pavarësisë", kuvendin më të rëndësishëm të kohëve moderne, ku u realizua ëndrra e shumë brezave të shqiptarëve, pajtimi dhe bashkimi politik i tyre.
       Autori Dr. Quku, përmes një metodike thellësisht shkencore, ka dhënë një version të ri mbi punimet e "Kongresit të Manastirit". Ai ka provuar se secili nga delegatët shkoi në Kongres si dalëzotës i një alfabeti të caktuar dhe se të gjitha rrugët për kompromis, që u provuan ditët e para të punimeve dështuan. Ky vëllim provon punën e madhe që bëri Mjeda ynë, për alfabetin e njësuar të gjuhës shqipe, se ai ka qenë i aftë të falë punën e tij shumëvjeçare si dhe të ndryshojë qëndrimin e tij, sa herë që këtë gjë ia kanë kërkuar interesat madhore të kombit. Kështu ndodhi në ditën e 20 nëntorit 1908, kur Mjeda bëri kthesën e madhe në momentin e fundit, kur po shihej qartë dështimi i "Kongresit të Manastirit". Mjeda, tërhoqi alfabetin e tij me shenja diakritike, për afirmimin e të cilit kishte punuar intensivisht për njëzet vjet me radhë dhe punoi për një alfabet tjetër, alfabetin që kemi sot.
       Hulumtuesi shkencor Dr. Quku, përmes gjuhës së fakteve historike, ka provuar rolin vendimtar prej negociatori të talentuar të Ndre Mjedës në këtë moment kthese. Studiuesi Mentor Quku ka provuar se alfabeti i "Kongresit të Manastirit" është alfabet kompromisi, një akt pajtimi për gjithë shqiptarët, është një zgjidhje politike.
       Paraqet interes gjithashtu kapitulli i fundit i librit me titull: "Pas Manastiri", i cili tregon se si, në prag të "Pavarëisë", Ndre Mjeda u marrtirizua nga xhonturqit për shkak të pjesëmarrjes dhe rolit shumë aktiv të tij në "Kongresin XII Ndërkombëtar të Orientalistëve" në Hamburg, në "Kongresin e Manastirit" 1908, si dhe për transkriptimin e teksteve shkollore shqipe në alfabetin e ri unik për të gjithë shqiptarët, "Alfabetin e Manastirit".
Mjeda III - libri i dytë
Liria
(1899-1912)
[redakto]
       Në këtë vëllim autori ndriçon jetën dhe veprën shumëpërmasore të Ndre Mjedës, (përjashto ndihmesën për alfabetin e gjuhës shqipe). Libri ka gjithsej 766 faqe të numruara, me 1087 futnota, me 136 fotografi, spote, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, harta e ilustrime. Në këtë vëllim, Dr. Mentor Quku hedh dritë mbi veprën e poetit gjatë jetës së tij në vende të ndryshme, ku e solli puna të shërbente si famullitar, administrator, sekretar, mësues. Në krye të këtij libri, autori sqaron me dokumente e analiza periudhën katërvjeçare të "Vigut të Mirditës" ku shërbeu si famullitar (1899-1902). Më tej ai e ndjek fatin e Mjedës në Rubig, Nënshat, Kodhel, Dajç të Zadrimës, Grash, për të përfunduar në Kukel.
       Shkencëtari hulumtues Dr. Quku, ka sqaruar me fakte bindëse pjesëmarrjen e Mjedës në "Kryengritjen e Mirditës" (1901-1902), në ngritjen e shkollës së parë shqipe në Alpet e Veriut, në Iballë (1901-1903), arrestimin e tij nga turqit, në 11-20 tetor 1902 dhe më vonë, në prag të Pavarësisë, në 1-2 nëntor 1912.
       Në këtë vëllim faktografik, i jepet një vend i dukshëm krijimeve të tij poetike të kësaj periudhe, "Bashkonju", "Të popujve të lypim lirim", "Për një shkollë shqipe" mbyllë prej qeveris otomane, "Shqypes arbnore", si dhe soneteve "Lirija", "Lissus", "Scodra". Po ashtu jepen të dhëna të reja për poezitë asketike të Mjedës, si dhe këngët mirditore të trimërisë të mbledhura e përpunuara për botim nga ai.
       Tek kundron me andje këtë vepër sheh se albanologu ynë Dr. Quku, jep të dhëna interesante për projektet e Mjedës për të bërë kërkime në arkivat, muzeumet e bibliotekat e Romës, Vjenës për dokumente me rëndësi për historinë e Shqipërisë. Në mënyrë të veçantë janë projektet e tij për të vazhduar veprën seriale të Farlatit-Coletit "Illyricum Sacrum".
       Nëse shikohet me kujdes kronika e ngjarjeve në vijim të veprës në fjalë tepër intriguese për lexuesin janë projektet e tij ekologjike, për të rezatuar modele për zonat përreth. Edhe këtu autori nxjerr konkluzionin e rëndësishëm se Mjeda nuk i caktoi asnjë rol poezisë së tij, gjë që provon se krijimtaria e tij poetike ishte art i vërtetë, art i kulluar. E kundërta ndodh me pjesët e tjera të veprës së tij. Mjeda nuk mund të qëndronte indiferent kur shtrohej problemi i lirimit të atdheut, ai i ndërtimit të shtetit të ri shqiptar, apo ai i procesit formues të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve. Kështu ai përpiqet të marrë pjesë dhe të luajë një rol udheqës në kryengritjet popullore, të luajë rol prej misionari në emancipimin e fshatit shqiptar, në modernizimin e bujqësisë, blegtorisë, pemtarisë, në arsimimin e brezit të ri, e sidomos në studimin e pasurimin e gjuhës shqipe, gjë që ai e vlerësoi si pasurinë më të madhe kombëtare. Vëllimi mbyllet me kapitullin "Retrospektivë", ku trajtohen probleme nga më të ndryshmet, që kanë lidhje me nënën e Mjedës, me vitin e botimit të "Shahirit Elierz", me "Kongresin e Hamburgut", me "Kongresin e Manastirit", me problemin e autorësisë së disa përkthimeve në italisht të poezive të Mjedës si dhe me të dhëna rreth studiueses së Ndre Mjedës, Jolanda Kodrës.
Mjeda IV
Identitet
[redakto]
        Libri hedh dritë mbi etapën e katërt biografike të poetit (1912-1925), që përshin shërbimet e tij si famullitar, si mësues, si deputet, si asamblist, si koordinator. Libri është i pajisur me një aparat shkencor të dendur, me skica, harta, tabela, grafikë, spote, fotografi, fotokopje, frontespice, çka flet për metodën shkencore të autorit, i cili bën krahasime, çel debate, të ngre teza e hipoteza, bën analiza e provokime shkencore. Libri ka gjithsej 634 faqe të numruara, me 923 futnota, me 96 fotografi, 5 spote, 66 fotokopje dokumentesh, 6 grafika e pasqyra, 4 harta e ilustrime.
        Vepra e re ndriçon me dokumenta e analiza të hollësishme jetën e Dom Ndre Mjedës, në mes të Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit shqiptar (28 nëntor 1912) dhe Shpalljes së Republikës së Parë shqiptare (2 mars 1925). Libri tenton të theksojë përpjekjet e shqiptarëve për të formatuar identitetin kombëtar dhe të personazhit kryesor të librit, Dom Ndre Mjedës, për të ruajtur identitetin personal.
        Pikërisht për këtë Mjeda u përqëndrua në studimin e gjuhës shqipe, historsë, etnologjisë, folklorit, mitologjisë. Autori preferon të sqarojë disa nga dilemat, të krijojë dilema, t’i hapë dhe t’i nxisë ato, duke i ftuar studiuesit që të përfshihen në diskutime, të ndërmarrin gjurmime në arkiva, biblioteka e muzeume.
        Vepra është e shoqëruar me treguesit e emrave të njerëzve dhe të vendeve gjeografikë si dhe me një përmbledhje në anglisht që e bën veprën objekt për rrethet albanologjike. Edhe kësaj radhe hulumtuesi i kujdeshëm dhe shumë rezultativ Dr. Mentor Quku i ka qëndruar besnik idesë për të paraqitur jetën e Mjedës në unitet me veprën e tij si dhe me epokën që e lindi.
Mjeda V
Gjuhëtari
[redakto]
        Në periudhën e fundit jetësore, (1925-1937), Mjeda pati një përkushtim të veçantë ndaj veprimtarisë shkencore, letrare, gjuhësore, asketike e pedagogjike. Libri ka gjithsej 733 faqe të numruara, me 801 futnota, me mbi 200 fotografi, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, harta e ilustrime. Në vitet 1925-1929, Mjeda jetoi i mbërthyer në famullinë e tij në Kukel, realisht i dënuar që të mos lëvizte jashtë famullisë.
        Në vitet 1930-1937, Mjeda punoi si profesor i gjuhës shqipe në Shkodër, duke mbajtur njëkohësisht edhe postin zyrtar si famullitar i Kuklit. Ai gëzoi përkrahjen dhe nxitjen e një reformatori të madh, siç ishte Gjenerali i Përgjithshëm i Jezuitëve, Ëladimir Ledohoësky. Mjeda do të merret kryesisht me studime gjuhësore, si edhe me botime të kësaj natyre, me vëllime të veçanta ose me artikuj problemorë e kritikë. Për këtë edhe do të rigjallërojë letërkëmbimin me shumë albanologë të huaj, miq e dashamirë, nxënës dhe dishepuj të tij të shumtë. Kjo fazë do të karakterizohet nga një intensitet i lartë i angazhimeve të tij të shumta. Megjithëse thuajse i vetmuar dhe i zhgënjyer në planin kombëtar e atë social, ai do të punojë fort deri në fund të jetës.
        Një ndër projektet e tij të vjetra ishte ngritja e një akademie letrare shqiptare. Mbas përfundimit të ciklit të akademive të kohëve të kaluara që ai krijoi ose punoi, (Shoqëria Agimi, KLSH) ai i rizgjoi planet e tij, duke themeluar në Shkodër "Shoqërinë Letrare Shën Jeronimi". Në kuadrin e kësaj shoqërie letrare, Mjeda do të botojë disa vepra kryesisht të autorëve të vjetër shqiptarë. Ai do të botojë veprën e Bogdanit, "Çeta e Profetëve", si edhe do të fillojë të transkriptojë "Pasqyrën e të Rrëfyemit" të Pjetër Budit.
        Një kapitull i veçantë në këtë fazë është debate që lindi mes tij dhe studiuesit të ri Filip Fishta. Dom Ndre Mjeda dha shembullin e kërkuesit shkencor në gjuhësi. Ai organizoi në moshë të shtyrë ekspeditën në vendlindjen e Pjetër Budit, Gurin e Bardhë për të njohur të folmen e Budit, si edhe kërkime në arkivat e Parisit e të Romës për të gjetur veprat e rralla të panjohura të Budit.
        Ardhja e Mjedës profesor i gjuhës shqipe në "Seminarin e Jezuitëve", korrespondon me fillimet e revistës "Leka", si edhe me afrimin e Mjedës pranë saj. Mund të themi se pesha e madhe që kishte në mjediset jezuite, bëri që personaliteti i Mjedës të interferohej edhe në profilin e "Lekës".
        Një ndër këto efekte është stabilizimi i normës letrare që përdori revista. Mund të themi se praktika drejtëshkrimore e revistës mori një profil të qartë që shkonte drejt afrimit me toskërishten nën drejtimin e Mjedës. Nji gjâ e bâni të Madh e të padekshëm Mjedën: dashunija e stërfuqishme për gjuhën shqipe.
        Në këtë vëllim Dr. Quku analizon veprën e rëndësishme "Vrejtje mbi artikuj e premna pronës të giuhës shqipe", e cila u pasua nga një debat mes tij e Justin Rrotës. Gjithashtu në këto vite është rindezur letërkëmbimi Mjeda-Pedersen, i lënë në mes para tri dekadash.
        Mjeda, pasqyrohet si zotëronjës i mirë i shumë gjuhëve të huaja, si italisht, latinisht, greqishte e vjetër, si edhe gjuhët sllave, i shumë fushave të dijes e të shkencës, njohës i mirë i fjalëformimit të fjalëve shqipe në procesin e vet historik, si etimologji, onomastikë, dialektologji, morfologji e fjalës, si në studimin e shkëlqyer "Prend e Prendë" (1932), apo në "Dromca toponamastike (Zedda, Zenta, Centa, Cetta, Genta, Senta)", (1936), ku debatoi me studiuesin Josip Gelčić. Ai njihet për aftësitë e tij për kërkime të dokumenteve të vjetra të shqipes, për përpunimin dhe botimin e tyre. Relikte të dialektit të shqipes së Istries, puna me veprat e Budit, transkriptimi i 14 ligjeratave të "Cuneus Profetarum" të Bogdanit, si edhe "Shenjime bibliografike: Bartoli Matteo". "Nji relikte e dialektit t’Istries", Në "Studi albanesi", Roma, 1931. Në vitet 1930-37, Mjeda punoi gjatë për një vepër fondmentale të gjuhësisë shqiptare, "Fjalorin leksikografik të gjuhës shqipe".
        Do mësojmë për njeriun Mjeda dhe këtë do ta bëjmë përmes letërkëmbimit që pati në këtë periudhë të jetës së tij. Janë kryesisht letra të këmbyera në mes të Dom Ndre Mjedës dhe Emzot Lazër Mjedës.
        Një bllok tjetër është edhe ai i këmbyer në mes të Dom Ndre Mjedës dhe Atë Jak Gardinin SJ, në periudhën 1933-1937. Së fundi janë edhe letra të këmbyera me personalitete e njerëz të tjerë të thjeshtë. Shohim së pari bllokun e letërkëmbimit të Dom Ndre Mjedës me Emzot Lazër Mjedën. Në AQSH ruhet një bllok i mirë i letrave që Jak Gardini i dërgoi Ndre Mjedës në vitet 1933-1937. Po ashtu jepen edhe pjese te ruajtura nga leterkembimi me albanologe te ndryshem, si edhe me personalitete te ndryshme te kohës apo edhe me njerëz të thjeshtë të popullit.
        Një kapitull me vete zë vdekja e poetit, i cili sapo u kthye nga Tirana sëmuret nga paraliza e zemrës dhe vdes në Shkodër më 1 gusht 1937, në vigjiljen e "Festës se Kuklit", Shën Shtjefnit. Katafalku me trupin e tij, vendoset në kishën e Jezuitëve në Shkodër.
        Rinia studentore, përfaqësues të tjerë të rinisë shkodrane, miq e dashamirës, dishepuj e bashkëpunëtorë bëjnë homazhe para trupit të tij. Nderimet, fjalimet dhe procesionet në qytet me arkivolin e tij u bënë ditën e hënë, më 2 gusht. U varros në kriptin e Kishës së Jezuitëve. Humbja e një prej krojeve më të pastra të lirikës shqiptare, Dom Ndre Mjedës, u përcoll me dhimbje në madhe nga populli.
Mjeda VII
Bashkëkohësit
[redakto]
        Libri ka gjithsej 494 faqe të numruara, me mbi 290 fotografi, spote, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, skica, harta e ilustrime. Tek ky vëllim, autori përmes gojës së bashkëkohësve të Mjedës, hyn thellë në zemrën e ngjarjeve dhe të jetës së poetit, për të ia paraqitur publikut lexues në mënyrë që gjithçka të shfaqej në vërtetësinë, e me dritë-hijet e veta.
        Libri na ka paraqitur një Dom Ndre të dalur prej përshtypjeve e mendimeve të një morie njerëzish të cilët kanë patur rastin ta njihnin në jetë. Ky ka qenë nji shestim krejt i posaçëm i autorit. Ndryshe prej shumë botuesve e studiuesve të veprave të autorëve tonë të shquar, Dr. Mentor Quku është kapur me një aspekt krejt të veçantë për të studiuar personalitetin e një figure të madhe letrare e historike.
        Ka qenë nji ide krejt origjinale dhe mendoj se ka për të patur vlerë për studime të ngjashme me këtë. Dhe nuk është, një punë e thjeshtë dhe e lehtë. Është dashur për të ndjekur e gjurmuar një numër të madh personash, pastaj për t’i intervistuar, duke nxjerrë prej secilit njoftime të dorës së parë, të cilat kanë nji vlerë të pakrahasueshme për të kuptuar më mirë një personalitet kaq poliedrik si Dom Ndre Mjeda.
        Këtë autori e ka bërë duke ndjekur këta persona, si i thonë fjalës "mal në mal e kodër në kodër", duke regjistruar gjithçka nxirrnin prej gojës, duke pasqyruar kujtimet që mbanin në mendjet e zemrat e tyre. I ka dhanë fjalët e tyre në sintezë, pa i mbushur me fjalë të kota, por duke i paraqitur në mënyrë lakonike, në esencën, në thelbin e tyne. Kështu që me pak, pa stërhollime, na del përpara nji Dom Ndre i thandruem më së miri, si, deri më sot, pak kush ka mundur ta imagjinojë.
        Të gjitha këto sqarohen jo vetëm prej dokumentimit, që parashtron autori i kësaj vepre, e cila në vetvete përban një përmendore ngritur Mjedës, por këtë e vërtetojnë edhe sa e sa dëshmitarë të intervistuar të cilët duhen lexuar mbi e nën rreshta sepse, në mënyrë të thukun, thonë më shumë se çka thjesht shkruhet ose është shkruar deri sot.
        Pjesën më të madhe të tekstit, të përfaqësuar prej intervistave, e plotëson më në fund riprodhimi i disa shkrimeve kushtuar Dom Ndreut në trajtën e portreteve, kujtimeve e të njoftimeve të nxjerruna prej autorësh e veprash të ndryshme të të gjitha kohëve.
        Autori premton që brenda vitit të na japë vëllimin "Mjeda-6, Bibliografia", do na ofrojë aparatin ku është mbështetur monografia. Me perjashtim te vëllimit "Mjeda-1" që ka si redaktor Selami Tabakun dhe korrektor letrar Paulin Perjen, të gjithë vëllimet e tjera të serise kanë redaktor studiuesin e onomastikës Dr. Jusuf Shpuza dhe korrektor letrar Palokë Rrotanin. Libri është përpunuar në studion grafike "Vizion" me udhëheqës Meritan Spahia.
        Ballina është vepër e piktorit të talentuar Gjergj Spathari. Fotografia është vepër e mjeshtrit të madh, të fundit të "dinastisë së fotografëve shkodranë", Angjelin Nënshatit. Ilustrimet janë vepër e piktorit të filmit shqiptar, Astrit Tota. E gjithë seria, e cila është realizuar me një cilësi të lartë nga "Shtëpia Botuese ILAR".
        E gjithë seria dallohet për risi në metodën krijuese të punës, si dhe për dritën e re në të cilën paraqitet autori i shquar i traditës sonë, Ndre Mjeda. Seria Mjeda u drejtohet studiuesve, studentëve, intelektualëve, por edhe lexuesve të thjeshtë të pasionuar mbas Ndre Mjedës, i cili mbetet më klasiku, njëherësh, edhe më moderni i autorëve tanë të traditës.
Kush është shkencëtari i Mjedologjisë Dr. MENTOR QUKU?[redakto]
        Ka lindur në Bilisht të Korçës më 20 janar 1939. Fëmijërinë dhe rininë e kaloi në qytetin e Shkodrës. Shfaqi një talent të veçantë në pikturë. Mori mësime nga ikonografja e njohur Viktori Puzanova, si dhe nga piktorët e shquar Simon Rrota dhe Vladimir Jani.
        Lufta e klasave ia ndërpreu të drejtën për të vazhduar në këtë fushë. Në qershor 1954 kreu shkëlqyeshëm shkollën pedagogjike "Shejnaze Juka" në Shkodër, në vitin 1957 Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë, ndërsa në vitin 1963 Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Aktualisht jeton me bashkëshorten, Ixhlal Qukun, në Shkodër, me të cilën ka tre vajza, Valbonën, Orjetën dhe Evisin.
        Në vitet 1954-1957, ka shërbyer arsimtar në shkollat e Shtiqënit, Brutit dhe Kukësit. Ndërsa në vitet 1957-1961 ka shërbyer në shkollën e mesme Hydajet Lezha, Lezhë. Për dy vite shkollore, 1961-1963, ka qenë mësues në shkollën e mesme Xheladin Fishta, Shkodër. Më 1963-1965 ka kryer shërbimin ushtarak në Laç të Milotit. Pastaj, në vitet 1965-1991, ka qenë mësues në shkollën e Barbullushit.
        Më 1991-1992 drejtor në shkollën e Bahçallekut. Më 1992-2000 ka qenë drejtor i Muzeut Historik Shkodër. Sot është në pension. Është drejtor i revistës Kumtari, nr. 5,6,7, si dhe i gjashtë vëllimeve të Seminari Ndërkombëtar, "Shkodra në shekuj", I, II/1, II/2, III/1, III/2, III/3. Ka drejtuar projektet dhe ka organizuar katër seminare ndërkombëtare "Shkodra në shekuj" (1, 2, 3, 4).
        Është autor i shumë studimeve e botimeve, si në metodikë të dhënies së mësimit, pedagogji familjare, pedagogji shkollore, pedagogji sportive, tekstollogji, psikologji e arteve figurative, psikologji sportive, psikologji e moshave. Gjithashtu në histori, histori arti, letërsi biografike, letërsi politike, letërsi për fëmijë, histori e letërsisë për fëmijë, mitologji, folklor, frazeologji, toponomastikë.
        Ka botuar në "Studime filologjike", "Studime historike", "Studime pedagogjike", "Kultura popullore", "Buletin shkencor" i Universitetit Luigj Gurakuqi Shkodër, "Kumtari i Muzeut Historik" Shkodër, Seminari Shkencor Ndërkombëtar "Shkodra në shekuj", "Nëntori", "Les Lettres Albanaises", "Shqipëria e Re", "Ylli", "Hylli i Dritës", "Gjuha e Jonë", "Albanica Ekskluzive", "Lemba", "Flaka", "Illyria", "Dielli", "Koha Javore".
        Tema qëndrore e studimeve të tij mbetet ajo e Ndre Mjedës, për të cilin ka organizuar kërkime në Shqipëri, Kosovë e në shumë vende jashtë shtetit. Në vitin 2004 botoi vëllimin e parë "Rinia". Me këtë rast fondi "Dr. Peters Mahringer-Fonds" i bëri një vlerësim maksimal, duke i siguruar mundësitë për ekspedita kërkimore shkencore në arkivat, bibliotekat dhe muzeumet e Vjenës.
        Më 2005-2006 punoi në "Österreiche Haus-Hof-und Staatsarchiv", "Österreische National Bibliothek", "Archiv der Universität Ëien", "Bibliothek des Ost-und Südost Europa Instituts", "Muzeun Nacional" të Vjenës, "Meyerling Museum", Bibliotekën e Universitetit të Gracit. Bashkëpunoi me personalitete të shquara të kulturës dhe shkencës si Arshi Pipa, Bernard Stillfried, Ilona Slavinskin, Ivan Boserup, etj. Punoi në Arkivin e Propaganda Fides, Arkivin e Jezuitëve Romë, Arkivin Historik të Provincës Venet.-Met. Gallarate; Bëri kërkime në Arkivin e Bibliotekës së Hamburgut, Chataue Aleux Laval, Bibliotekën Naukoëa Księży Jezuitόë, Krakoë; në The Royal Library, Manuscripts and Rare Books-Copenhagen; në Manastirin e Ara Christi, El Puig, Valencia, Kuvendin San Spirito, Porta Coeli. Është laurat i çmimit letrar “Serembe”(2008).
Seria MJEDA në qarkullim:[redakto]
  • Mjeda-1 (1866-1888) Rinia
  • Mjeda-2 (1888-1899) Albanologu
  • Mjeda-3 libri i parë (1899-1912) Alfabeti
  • Mjeda-3 libri i dytë (1899-1912) Liria
  • Mjeda-4 (1912-1925) Identitet
  • Mjeda-5 (1925-1937) Gjuhëtari
  • Mjeda-7 (Bashkëkohësit)
        Së shpejti del:
  • Mjeda-6 (Bibliografia).
       Njeriu i shquar i kombit tonë Mjeda, në të ardhmen do të ketë edhe shtatë volume të reja, që studiuesi i palodhur Dr. Mentor Quku do të botoj deri në vitin 2013:
  • Mjeda 6 (Bibliografia) del brënda vitit 2010.
  • Mjeda 8 (Përmbledhje) në shqip dhe ne 3-4 gjuhë më të mëdha të folur sot në botë, e cila sipas parashikimeve të studiuesit të shquar Dr. Mentor Qukut, pritet të dalë brënda vitit 2011.
  • Mjeda 9 (Album fotografik) do të dalë nga shtypi gjatë vitit 2011.
  • Mjeda 10 (Poezia, vepra)
  • Mjeda 11 (Proza, vepra)
  • Mjeda 12 (Studime, vepra)
  • Mjeda 13 (Letërsi artistike për femijë)
  • Mjeda 10-13 do të dalë në vitet 2012 dhe 2013.
        Me qenë se "Mjeda 3" është në dy vëllime, autori Dr. Quku, po e mban fjalën, që i ka dhënë në vitin 2004, d.m.th. se do të botoj 14 vëllime për ndërtesën e madhe të gjeniut Ndre Mjeda.

Qirimoriqiri.PNG

  1. Nxierr nga : Gazeta Kritika Postuar më 11/08/2010 | Ora: 18:21:25 në amzën e tyre.