Jump to content

Vitviteja/Martin Camaj/Elegji e parë

Nga Wikibooks

ELEGJI E PARË[1]

Kur kam me qenë i këputun
nga mundi i vjetve të rrëpita sa 'i shkamb,
mos të vijë keq ty, Taze, për mue
të shtrimë mbi drrasat e vdekjes,
kingj i ngatuem për fije.
Leni plakat të qajnë mbi mue at ditë
për njerzit e vet, vdekë qyshë kur.

Edhe një amanet, moj grue:
kur vdiqim atë, premë dy qe
me ngimun të unshmit e thneglat e lamit
me grimca buke.

Por un' do të vdes mes njerzve gjithmonë
të ngishëm,
prandaj ndër drekë e mija qitni
vetë kafe të idhta.

DREKË MALSORE[1]

Sot ashtë marrë një gjak.
Dy plumba lëshuen përdhe një burrë.

Sot asht marr gjak.

Nën tunin e spatës
pëlset rrashta e kaut te prroni.
(Drekë të mëdha po bahen sot!)

Sot asht marrë një gjak.

Gjama e brrave tërbueshëm
përzihetme erën e mishit ndër zjarme.
E gjethi i vjeshtës bie
i djegun mbi kapuçat e bardhë
ndër tryeza, jashtë.

Natë. Në vorrezat mbi kodër
tokë e re, hanë e re.

Ujqit janë ulë prej malesh
e pijnë gjak prrue.


  1. 1,0 1,1 GJUHA SHQIPE PËR TË HUAJ DHE SHQIPTARËT JASHTË ATDHEUT fq.287-288 Autor: Gj. Shkurtaj dhe E. Hysa. Sh.B. TOENA, Tiranë 2001. ISBN 99927-1-454-9